Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 18:24

TIRANE – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se koalicioni me PD-në kishte funksionuar më mirë se ç’e kishte menduar para se të lidhte aleancën. Ai i bëri këto komente në emisionin “Zip” në televizionin “Vizion Plus”.

Z. Meta fillimisht do të doja një koment tuajin në lidhje me çështjen e mandateve?

Unë mendoj se duhet bashkëpunim për një ndarje të mandateve sipas ligjit. Natyrisht që kjo duhet bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë në çdo rast do të ketë një ndarje të mandateve që do të thotë se në rast së ky bashkëpunim nuk do të ekzistojë do të mbetet ndarja ekzistuese.

LSI është për ndarjen e vitin 2009 apo për atë të vitit 2012?

Ne jemi për ndarjen e drejtë sipas ligjit. Por ju e keni ndjekur që ka pasur kontestime nga ana e Partisë Socialiste lidhur me një shtim të popullsisë në disa komuna të Qarkut të Kukësit, e cila sipas tyre synon një ndarje jo të drejtë. Kjo ka qenë arsyeja që ka bllokuar konsensusin në KQZ-së. Ndërkohë që ne kemi shprehur një shqetësim se një rindarje e mandateve nuk duhet të cenojë në mënyrë të padrejtë Qarkun e Beratit.

A cenohet barazia e votës në qoftë se mbetet në fuqi ndarja e vitit 2009?

Në themelin e këtij kodi ekzistues është pabarazia e votës. Dhe në qoftë se ekziston shqetësimi se po bëhet apo nuk po bëhet një rindarje për arsye se janë shtuar në Kukës 500 banorë apo janë pakësuar në Berat 300 duhet të kemi parasysh se ky është kodi që ka sanksionuar pabarazinë e votës duke vendosur pragje të ndryshme elektorale, nga 3% në Tiranë në 25% në Kukës. Njëkohësisht një deputet mund të hyjë me 4 mijë votë dhe një tjetër mund të dalë edhe me 15 mijë vota. Pra në themel të këtij kodi të bërë nga PS dhe PD nuk është barazia e votës.

Në qoftë se ka vërtet një marrëveshje PD-PS për ndarjen e mandateve cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë LSI-ja? Cenohet koalicioni në qoftë se kjo marrëveshje bëhet?

Ne nuk i druhemi një bashkëpunimi PD-PS. Ne e kërkojmë që ata ët bashkëpunojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe parimore që të mos kemi asnjë lloj anomalie apo edhe kontestimi të këtij procesi, të ndarjes apo rindarjes së mandateve.

Z. Meta sot jemi dy vite pas 21 janarit. Cili është qëndrimi juaj sot?

Qëndrimi është se organet e drejtësisë duhet të vazhdojnë procesin e nisur për të nxjerrë përgjegjësit si për ata që mbajnë përgjegjësi për humbjen e jetës së 4 protestuesve ashtu edhe për organizatorët e protestave të dhunshme.

A mendoni se do të vihet drejtësi?

Kjo mund të thuhet në fund të këtij procesi dhe jo tani kur ky është një proces në vazhdim.

Kemi dëgjuar shpesh edhe faktin se duhet të gjykohen edhe ata që organizuar protestën. A mendoni ju se do të bëhet drejtësi për sa i takon edhe kësaj pjesë?

Unë mendoj se drejtësia duhet për të dyja palët sepse ka pasur një konflikt të qartë, të hapur dhe këtë ka kërkuar edhe komuniteti ndërkombëtar, drejtësinë e vërtetë.

Sot dy vite më pas a ka ndryshuar qëndrimi juaj në lidhje me këtë ngjarje?

Absolutisht! Po të ishim edhe dy vite më pas unë këto deklarata do të bëja. Sot mund të them se sa e rëndësishme është për politikën të tregojë përgjegjësi ndaj njerëzve. E lehtë është për t’i çuar në një konflikt por dramatike është njëkohësisht të krijosh konfliktin.

Z. Meta, kryetari i Partisë Socialiste ka ndryshuar qëndrim kohët e fundit në lidhje me ju. Po ju vetë keni ndryshuar qëndrim për sa i takon z. Rama?

Për mua nuk ka qenë asnjëherë shqetësim por ka qenë kënaqësi kur kam dëgjuar akuza të tilla. Përderisa unë jam në politikë natyrisht që jam i hapur për të dëgjuar çdo gjë rreth personit tim. Lidhur me personalitetin tim flet vota dhe vota më 8 maj ka folur ndryshe dhe vota më 23 qershor përsëri do të flasë ndryshe sepse jam plotësisht shumë krenar që jam në mbështetje si politikan, i cili për shkak të akuzave ka dhënë, në respekt të opinionit publik dhe të sensibilitetit të tij lidhur me çështjet e korrupsionit, dorëheqjen nga gjitha funksionet zyrtare dhe njëkohësisht ka kërkuar që të mos mbyllë me proceduara një çështje gjyqësore ndaj tij por i ka shkuar deri në fund. Në këtë drejtim mendoj se të gjithë duhet të ndjekin këtë shembull dhe jo të fshihen përpara drejtësisë.

Gjatë vitit që lamë pas ju jeni takuar dy herë me z. Rama. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të?

Nuk jam këtu për të folur lidhur me këto marrëdhënie. Unë jam në politikë për tu takuar me të gjithë, për të punuar dhe për të bashkëpunuar me të gjithë. Mendoj që ky duhet të jetë predispozicioni i të gjithë politikanëve. Ajo që Shqipëria ende vuan sot është mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar. Kjo na bëri që të humbasim edhe “trenin” më të fundit drejt Europës, marrjen e statusit të vendit kandidat. Pavarësisht nga konsideratat apo simpatitë që mund të kenë apo të mos kenë politikanët për njëri-tjetrin, përderisa qytetarët shqiptarë i votojnë forcat politike ata i votojnë që politikanët të punojnë së bashku për të bërë më të mirën për vendin. Në këtë drejtim unë nuk kam pasur asnjë pengesë për tu takuar me z. Rama dhe me çdo politikan tjetër.

Si do ta përkufizonit ju bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike?

Kur kemi marrë vendimi për të ndërtuar koalicionin me PD-në mund t’ju them se kam qenë i bindur se ka qenë i vetëm vendim i arsyeshëm që mund të merrej në atë moment pavarësisht se ka qenë një vendim i paparashikueshëm. Natyrisht që edhe unë kam pasur dozat e mia të skepticizmit lidhur me funksionimin e këtij koalicioni. Pas kaq vitesh mund të them se jo vetëm kemi marrë vendimin më të drejtë në atë kohë, pasi çdo vendim tjetër nuk do të shërbente as stabilitetit të vendit dhe as qëndrueshmërisë së institucioneve, por ky koalicion ka funksionuar më mirë se unë e kam menduar në atë kohë.

Nuk keni asnjë gjë që mund të jeni akoma skeptikë?

Unë si natyrë jam skeptikë në tërësi ashtu siç jam gjithmonë optimist por absolutisht që mendoj se problemi kryesor në këto 4 vite nuk ka qenë funksionimi i këtij koalicioni por problemi i një klime më bashkëpunuese dhe më konstruktive në Parlament dhe në vend  midis mazhorancës dhe opozitës. Ne nga ana jonë kemi bërë disa përpjekje për të ç’tensionuar këtë raport dhe për të vendosur disa ura bashkëpunimi me qëllim arritjen e disa objektivave të përbashkëta që kryesisht kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit. Sfida për të ardhmen mendoj se mbetet përsëri forcimi i bashkëpunimit në Parlament midis palëve dhje marrja e përgjegjësive të përbashkëta për sfidat që ka vendi.

Kemi 4 vite gati që kemi aplikuar për marrjen e statusit dhe nuk e kemi marrë akoma. Sa është bërë këto vite në bashkëqeverisjen tuaj për integrimin e vendit?

Besoj se integrimi nuk ka qenë një proces që është penguar nga përmbushja e detyrimeve të mazhorancës, përkundrazi. Parë në këtë këndvështrim mendoj se statusi i vendit kandidat do të ishte marrë 3 vite më parë. Mazhoranca tregoi vullnetin e saj për të realizuar standardet dhe kërkesat sikurse ishte fakti që u plotësua qindra kritere ligjore e teknike për liberalizimin e vizave, që është tani një sukses që është prekur nga 1 milion e gjysmë shqiptarë. Të gjitha çështjet dhe detyrimet që kanë pasur të bëjnë me procesin e integrimit janë përmbushur, që

nga pyetësori, dhe çdo ligj tjetër që ka qenë brenda mundësie të kësaj mazhorance për të miratuar. Për fat të keq ky problem ka mbetur tek aprovimi i tre akteve që kërkojnë 3/5 e votave, pra edhe ato të opozitës. Ndaj unë e theksova se problemi kryesor i këtyre viteve nuk ka qenë funksionimi i koalicionit qeverisës, i cili edhe ai mbetet për tu gjykuar sepse gjithmonë ka vend për diskutim, por problemi kryesor ka qenë klima jo konstruktive në marrëdhëniet midis opozitës dhe mazhorancës.

Ju besoni se na kanë penguar vetëm mosmiratimi i këtyre tre ligjeve për marrjen e një përgjigjeje pozitive për statusin?

Absolutisht që unë kam besimin se vetëm kjo çështje na ka penguar ashtu siç kam besimin se në rast se ne do të kishim plotësuar kërkesat që kanë qenë prej kohësh në statusin mund të kishim marrë edhe para 3 vitesh, edhe para 2 vitesh. Madje atëherë ka qenë edhe më e lehtë sepse kriza në BE nuk ka qenë kaq e mprehtë sa ç’është sot.

Do të bëni një koalicion parazgjedhor me PD-në për zgjedhjet e 23 qershorit siç nga Partia Demokratike kërkohet?

Mendoj se jemi herët për shpalosjen e koalicioneve të ardhshme. Për ne është e rëndësishme të jemi korrekt dhe t’i qëndrojmë marrëveshjes 4-vjeçare që kemi me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009. Natyrisht që ne e kemi shprehur edhe më parë që do të jetë Konventa Kombëtare e LSI-së në muajin prill e cila do të shprehet edhe për vendimin se si LSI do të paraqitet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne dëshirojmë që këtë debat ta hapim në kohën e duhur dhe jo në mënyrë të parakohshme dhe të marrim një vendim të përgjegjshëm edhe transparent.

Keni filluar të takoheni me z. Idrizi, kryetarin e PDIU-së apo jo?

Jo vetëm me z. Idrizi por jemi takuar  me të gjithë politikanët. Me z. Idrizi jemi takuar edhe për shumë arsye të tjera dhe një prej tyre ka qenë dhe mbetet edhe rezoluta për çështjen çame, një rezolutë që ne e kemi përkrahur dhe e përkrahim fuqimisht.

Duke pasur parasysh programit afër kujt force politike e ndien më afër veten LSI-ja?

LSI gjen pika takime me shumë forca të ndryshme politike ashtu sikurse vështirë të gjesh një përputhje të plotë me secilën prej tyre. Kjo është më se normale  por për ne mbetet angazhimi i çdo force politike lidhur me përshpejtimin e integrimit evropian të vendit dhe së dyti parësore për ne mbetet një program që mbron vendet aktuale të punës dhe shton vende të reja të punës dhe një politikë ekonomike që është në funksion të rritjes së punësimit. Edhe këtu ne do të jemi si gjithmonë të qartë dhe konkretë.

Cilat janë pikat e LSI-së për sa i përket ekonomisë dhe a e mbështet propozimin e FMN-së për rritje taksash?

Ne radhë të parë unë dua të shpreh një keqardhje lidhur me një fushatë për heqje taksash. Kemi dëgjuar një program që synon heqjen e taksave i cili për mua është një demagogji se sa një politikë reale. Në këtë kohë krizash siç e thatë edhe ju FMN-ja kërkon rritje të taksave për arsye sepse kërkohet rritja e të ardhurave. Ne jemi kundër çdo lloj demagogjie lidhur me politikat ekonomike sepse ato të çojnë atje ku është sot situata në Greqi apo edhe në vende të tjera. Mbetet shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe të qarta të qëndrueshmërisë në radhë të parë, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, borxhin, deficitin, inflacionin. Së dyti për ne mbetet e rëndësishme një politikë ekonomike që synon rritjen e vendeve të punës. Është gjëja më e lehtë të themi sot në Shqipëri se ne do të bëjmë ndryshe nga të tjerët se do ua marrim lekët të pasurve dhe do tua shpërndajmë të varfërve. Ne harrojmë se këta që i konsiderojmë të pasur, biznesmenët apo sipërmarrësit janë edhe punëdhënësit kryesore në këtë vend dhe janë njerëz të cilët vërtetë mund të duken në pamje të parë si shumë të pasur por çdo muaj duhet të paraqiten tek banka për të shlyer këstet e kredive ndërkohë që konsumi mund të ketë rënë, tregu mund të mos ketë nevojë për momentin për prodhimet e tyre e kështu me radhë. Një element që unë të theksoj është ajo që është thënë nga opozita, taksa e sheshtë si një taksë jo sociale. Kjo vare nga këndvështrimi sepse taksa e sheshtë ka treguar se është edhe më rezultateve për tërheqjen e investimeve edhe në drejtim të rritjes së punësimit. Ndërkohë që absolutisht që ka forma të tjera përmes rishpërndarjes, pra mbrojtjes së kategorive të caktuara që kanë të ardhura më të pakta përmes të cilave qeveria mund të realizojë mbrojtjen sociale. Sllovakia e cila ka qenë ndër të parat që aplikoi taksën e sheshtë pati një bum investimesh të huaja dhe ishte një shembull për investimet e huaja direkte. Kohët e fundit ajo e ka ndryshuara këtë politikë dhe shumë prej kompanive të mëdha kanë ikur prej saj dhe kanë shkuar për në vende të tjera. Për ne si LSI politika kryesore kundër varfërisë dhe politika më më e mirë sociale është politika hapjes së vendeve të reja të punës. Kjo politikë nuk mund të realizohet pa përmirësuar ambientin për biznesin dhe pa e nxitur atë për hapjen e vendeve të reja të punës. Pra është e rëndësishme të synohet një politikë ekonomike që rit punësimin në vend. Kjo është politika   më e qëndrueshme kundër varfërisë përndryshe politika të tjera mund të çojnë në një kolaps financiar. Ndërkohë që ka edhe një rrezik tjetër lidhur me politikën për heqjen e taksës ndaj biznesit të vogël, i cili pajtohem që është në momente tepër delikate, por financat publike mund të shkojnë drejt degradimit në shpërbërje sepse në këtë rast një biznes i mesëm apo i madh mund ta pjesëtojë biznesin e tij në disa biznese të vogla dhe të mos paguajë asgjë. Mund të shkojmë edhe drejt një fenomeni të tillë sepse ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Kështu që duhet të ketë ide më realiste për të ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Z. Meta cili është qëndrimi juaj në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje në Preshevë?

Në fakt është një çudi e madhe ajo që ka ndodhur dje në Preshevë sepse tregon se sa arkaik është lidershipi i sotëm i Serbisë, se sa provokues ai është dhe se sa i painteresuar është për fat të keq për paqen jo vetëm në Luginën e Preshevës por edhe në rajonin tonë. Ai nuk është një provokim vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës por është një provokim edhe për shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri edhe kudo. Ngjarjet e Preshevës para 12 po 13 viteve mund të konsideroheshin si të tejkaluara dhe çdo palë të shikonte pozicionin e saj me qëllim që të adresonte çështjet e sotme dhe të perspektivës. Por në mënyrë tepër brutale dhe tinzare qeveria e Serbisë zgjodhi të ngacmojë një plagë të vjetër e cila përbën një provokim ndaj të gjithë shqiptarëve. Është e rëndësishme vetëpërmbajtja dhe urtësia t’i udhëheqë shqiptarët atje në tejkalimin e këtij incidenti pasi kemi të bëjmë me një provokim dhe këtij provokimi nuk është e nevojshme për t’iu përgjigjur me një provokim tjetër. Në fund  të fundit duhet te kemi parasysh se në rast se ekziston një nervozizëm në lidershipin aktual të Serbisë kjo ndodh për arsye se ky është një lidership pasues i atij lidershipi që bëri një luftë ballkanike për të realizuar ato ëndrra të Serbisë së madhe dhe i cili pësoi humbje të vazhdueshme. Tani të gjithë këtë nervozizëm kërkon ta zbrazë ndaj një komuniteti modest të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është një nervozizëm që vjen nga humbja e Kosovës, ky është një nervozizëm që vjen edhe nga dështimet e tjera të politikës serbe në të kaluarën. Kjo tregon se sa e vështirë do të jetë për Serbinë ecja përpara në rrugën e një shoqërie vërtet të hapur dhe të emancipuar. Ajo që është e rëndësishme për ne është të tregojmë solidaritetin tonë me shqiptarët e Preshevës dhe të gjejmë të gjitha mënyrat për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur ata që të qëndrojnë atje ku janë në tokën e të parëve të tyre por edhe që të jetojnë në kushte më të mira. Qeveria shqiptare ka iniciativa konkrete për të mundësuar dhe për të investuar për kushte më të mira për ta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 13:12

TIRANË (PLOTESUAR 20 TETOR, 18:00) Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LSI-së. Kryetari i Komisionit Zgjedhor në LSI, Ylli Manjani, bëri të ditur se pjesëmarrja në votime ka qenë e jashtëzakonshme, ndërsa tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave. Sipas Manjanit, sot në mbrëmje mund të publikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani në një dalje për mediat njoftoi se në të gjithë vendin pjesëmarrja në votim është 68%, ndërkohë që një pjesë e madhe në të gjtiëh qëndrat e votimit në vend, pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“68% pjesëmarrje në të gjithë Shqipërinë, konstatojmë se ka ende radhë për të votuar në shumicën e qendrave të votimit, këtë kosntatojmë ne si komisioni zgjedhor. Interesimi për anëtarësim është i lartë. Numërimi në fund të procesit do jetë manual, ndërkohë që elektronika do përdore për zgjedhjen e delegatëve, javën e ardhshme”,- informoi Manjani.

 *************************

Tiranë-“Zgjedhjet për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim po zhvillohen sipas një procesi tepër demokratik dhe transparent”, deklaroi sot, kryetari aktual i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht kandidat për këtë post, pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë. “Kemi një pjesëmarrje të lartë në këtë votim për kryetarin e LSI-së. Përshëndes të gjithë ata që kanë marrë pjesë, është një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë deri tani, sipas të dhënave paraprake”, tha Meta.

Ai ftoi të gjithë anëtarët e LSI-së që të vazhdojnë të bëhen pjesë e këtij procesi tepër demokratik dhe transparent dhe të thonë fjalën e tyre për të forcuar më tej LSI-në, dhe për ta bërë atë forcë fituese në vitin 2013, në emër të sfidave që ka LSI, në radhë të parë të sfidave për integrimin. I pyetur mbi grevën e ish-të përndjekurve politikë, Meta tha se duhet ndërtuar mekanizmi i zbatimit të ligjit dhe duhet hequr dorë nga akuzat dhe kundër akuzat”.

***********************

Tiranë-Lëvizja Socialiste për Integrim zgjedh sot kreun e ri mes kryetarit aktual Ilir Meta dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Në ora 08:00 në 159 qendra votimi në vend nisi votimi për kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohë që mbi 36 mijë anëtarët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mandati i të cilit parashikohet 4 vjet.

“Procesi zgjedhor në LSI ishte një garë që institucionalizoi debatin dhe ballafaqimin e mendimit ndryshe, vlera këto që jetësojnë dhe rrisin dimensionet e demokracisë në jetën e partisë”, deklaroi për mediat, Luan Rama, kandidat për postin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi votoi në një qendër votimi në Tiranë.

LSI, vijoi ai, “sot kurorëzon një proces shumë të rëndësishëm të ristrukturimit dhe të riorganizimit tërësor të saj. Përmes fushatës zgjedhore konfirmuam dhe njëherë se në jetën politike shqiptare LSI ka bërë të vetat vlera fondamentale që lidhen me respektin dhe garantimin e votës së fshehtë të çdo anëtari të LSI-së”. Sipas tij, procesi zgjedhor në LSI ishte një garë që institucionalizoi debatin, ballafaqimin e mendimit ndryshe, vlera këto që jetësojnë dhe rrisin dimensionet e demokracisë në jetën e partisë.

Gara do jetë transparente për mediat ndërsa, numërimi i votave do të bëhet sipas një sistemi elektronik, pasi qendrat e votimit të mbyllen në ora 17:00. Që në themelimin e saj në vitin 2004, Ilir Meta është kryetar i LSI. 36.725 anëtarë të LSI-së votojnë sot për kryetarin e ri të saj, ndërsa kandidatët që do përballen për këtë post janë kreu aktual Ilir Meta dhe Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 September 2012 08:30

BRUKSEL- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama bashkë me kreun e LSI-së Ilir Meta ndodhen në Bruksel, për të marrë pjesë në takimimn e liderëve të Ballkanit në kuadër të PSE-së.

Kryesocialisti Rama në takimin e liderëve të Ballkanit mori mbështetjen e socilistëve evropianë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Teksa theksoi se Shqipëria e meriton marrjen e statusit për në BE, Rama nënvizoi rëndëisnë e vigjilencës për zgjedhjet e lira  dhe të ndershme në të ardhmen. Ndërkohë, selia Rozë njofton se në takimin e liderëve të Ballkanit ishte i pranishëm edhe komisoneri Stefan Fyle. 

Kreu  i LSI-së Ilir Meta vlerësoi se Shqipëria ka shënuar progres gjatë vitit të fundit dhe për këtë arsye meriton marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, këtë vjeshtë. Meta theksoi se vazhdimi i zgjerimit të BE-së forcon stabilitetin.  Zyra përt shtyp e LSi njofton se Meta  gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me Zv/drejtorin e  Përgjithshëm për Zgjerim në KE, Stefano Sannino.

Edhe pse ndodhen në të njëjtin aktivitet, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse liderët e majtë shqiptar janë takuar me njëri-tjetrin, megjithëse mediat shqiptare aludojnë se një takim i tillë mund të ketë ndodhur ose pritet të ndodhë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 13:02

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi mbrëmë në një intervistë në emisionin “Debat”, në Vizion Plus, se fitimi i statusit të vendit kandidat për në BE është një përgjegjësi që i takon çdo politikani shqiptar.

Në lidhje me koalicionin me PD-në Meta u shpreh se “në atë kohë ka qenë një situatë mjaft dilematike sepse dihet që një nga angazhimet tona ishte largimi i asaj qeverisje dhe z. Berisha nga pushteti, dihet dhe, që edhe një javë përpara përfundimit të zgjedhjeve, së bashku dhe me përfaqësues të tjerë të së majtës, kemi bërë një apel të fundit në një takim në Hotel ‘Tirana’, duke i kërkuar një takim dhe kryetarit të PS me qëllim që të bashkërendohej sa më shumë të ishte e mundur, në mënyrë që energjitë të mos harxhoheshin kaq shumë kundër njëri-tjetrit, qoftë dhe në javën e fundit. Dihet përgjigja injoruese ndaj këtij mesazhi”.

Pastaj kishte dy zgjidhje, tha Meta, ose të dilnim në rrugë sepse çdo koalicion me PS nuk sillte asgjë, ndërkohë që ishin dhënë mesazhe më parë për trazira në Fier dhe diku tjetër. “Ishte zgjidhja e vetme për të qenë një faktor stabiliteti, pra maxhoranca me PD. Kjo ishte një tabu në atë kohë, por LSI është dalluar për të sfiduar çdo paragjykim. Në një farë mënyre ishte dhe një bast i madh në kuptimin e një të papriture, sepse raporti ynë me PD kishte qenë një raport ballafaques, konfronutes si një forcë opozitare që kishim qenë. Por, sot mund të them se, pas kësaj eksperience, në të tilla kushte ky koalicion do të ishte firmosur shumë më i bindur dhe më i qetë”, u shpreh Meta.

Pyetjes se kur do të rikthehet në qeverisje Meta iu përgjigj se “kjo është një pyetje të cilës unë i jam përgjigjur duke aderuar menjëherë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, në Komisionin Parlamentar të Integimit Europain. Mendoj se ka qenë një mesazh i qartë për të gjithë. Ky është prioriteti i Ilir Metës, ky është edhe prioriteti kryesor i LSI”.

Në lidhje me statusin e vendit kandidat, Meta tha se “ne duhet të kuptojmë se cilido politikan apo forcë politike që kanë një votë, pas kësaj vote duhet të mbajë këto përgjegjësi sepse kanë votën e qytetarit, nuk janë votat e tyre private. 

“Jemi në 100-vjetorin e pavarësisë, duhet treguar kjo maturi, kjo pjekuri. Por, kemi parasysh që Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë rajon dhe natyrisht që është në dinjitetin e këtij roli që Shqipëria ka pasur dhe duhet të ketë në të ardhmen. Po kështu të mos harrojmë që Europa, pavarësisht se ajo vazhdon politikën e saj të zgjerimit, nuk ka më atë entuziazëm që ka pasur para 5 apo 10 vjetësh sepse ka problemet e saj të papritura. Kështu që edhe ndonjë entuziazëm ne nuk duhet të presim dhe këtë ne duhet ta kompensojmë me një rritje të përgjegjësisë sonë”-tha Meta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 11:30

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe ish-kryeministri Ilir Meta, gjatë një emisioni televiziv të martën në mbrëmje, komentoi vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë, për çështjen e videopërgjimit, ndërsa hodhi akuza se prapa saj fshihet kryetari i PS-së, Edi Rama. 

Meta tha se prokuroria qëllimisht nuk po e heton videon ku Dritan Prifti merr 70 mijë euro.

“Ekspertët amerikanë gjetën një video tjetër tek ora e atij që më përgjoi mua. Çështja e Priftit që po bëhet sikur po hetohet, ka një presion të jashtëzakonshëm që kjo gjë të mos hetohet nga prokuroria. Video ku u shfaqa unë u regjistrua për qëllime shantazhi, Prifti është një viktimë, është i përdorur në këtë proces dhe pas tij fshihet lideri i opozitës(Edi Rama)”, tha Meta.

Ai u shpreh i kënaqur me vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, që e shpalli atë të pafajshëm ndaj akuzave  për korrupsion të ngritura nga ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. “Mendoj se ky rezultat flet shumë qartë dhe pastër dhe vë pikëpyetje të tmerrshme mbi organin e akuzës”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, kreu i LSI-së shprehu shqetësim për atë që ai e quajti standard të dyfishtë të prokurorisë dhe e cilësoi organin e akuzës si problemin më të madh për drejtësinë në vend.

“Më shqetëson që prokuroria ka standard të dyfishtë. Nga procesi që ka ndodhur unë mësova që problemi më i madh për këtë situatë që ne kemi me ligjin, luftën kundër korrupsionit është prokuroria”, tha Meta.

Lidhur me debatin për Presidentin ai tha se LSI gjykon se Kreu i shtetit duhet të zgjidhet sipas Kushtetuës dhe të jetë sa më konsensual. “Sa për emrin është tepër herët. Ka shumë individë të spikatur. Ne kemi një marrëveshje me PD-në dhe nuk bëhemi pjesë e spekulimeve, por pjesë e një zgjidhje konstruktive dhe parimore”, u shpreh Meta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 10:15

Tiranë-Partia Socialiste e konsideron vendimin e Gjykatës së  Lartë të Shqipërisë për dhënien e pafajësisë ish-kryeministrit Ilir Meta si “dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës dhe provën përfundimtare të vendosjes së pushtetit gyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të qeverisë”. 

Në një deklaratë për shtyp të kryesisë së PS-së, e mbledhur pasditen e së martës, ky vendim i Gjykatës së Lartë konsiderohet “fakti më tronditës i thërrmimit të parimit kushtetues”.

Partia Socialiste e konsideron këtë vendim si “një refuzim i drejtpërdrejtë i tre prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë: një drejtësi e pavarur e profesionale; luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta; luftë kundër krimit të organizuar”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 19:00

Tiranë – Procesi gjyqësor ndaj ish -zv/kryeministrit Ilir Meta është duke shkuar drejt fundit.

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë u  vendos që prokuroria të shpallë konkluzionet hetimore për çështjen në 6 janar të vitit të ardhshëm, rreth 6 muaj pas fillimit të procesit gjyqësor.

Në ketë seance, kolegji penal i Gjykatës së Lartë,  pranoi në pjesën më të madhe kërkesat e palëve për  administrimin e provave të tyre shkresore.

Ndërkohë Gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë për dëgjimin në sallën e gjykatës dhe transkriptimin e videos në të cilën shfaqet biseda mes ish- zv/kryeministrit Ilir Meta dhe ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme pas transmetimit në media të video-përgjimit, ku ai shfaqej me ish- ministrin Prifti në një bisedë për koncesione të ministrisë së Ekonomisë, si koncesionin për ndërtimin e Hec-it të Shushicës. Vetë Meta e ka cilësuar videon e realizuar nga ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.

 
Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 18:13

Prokuroria e ka shpallur të dështuar ekspertizën e bërë nga tre ekspertë të ofruar prej Ilir Metës në Gjykatën e Lartë, lidhur me ekspertimin e videos Meta.

Prokuroria kërkoi riekspertim nga specialiste te huaj te video-përgjimit, ku ish zëvendëskryeministri akuzohet për “korrupsion aktiv”.

Pasi dëgjuan përgjigjet e 3 eksperteve shqiptare, te cilët hodhën poshtë autenticitetin e video-përgjimit për 35 pyetjet e bëra nga Prokuroria, si dhe për 7 te tjera te drejtuara nga mbrojtja e Ilir Metes, organi i akuzës u shpreh se akti i vlerësimit duhej kryer nga eksperte ndërkombëtare. Artur Rrahmani, Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri mbrojtën konkluzionet e punës se tyre, duke thënë se përgjimi mund te jete bere me një objekt tjetër dhe jo përmes orës se Dritan Priftit, qe tashme është sekuestruar si prove materiale.

Përfundimet e tre ekspertëve të ofruar prej Ilir Metës janë sa qesharake, aq dhe jo profesionale.

Ata nuk i janë përgjigjur në thelb asnjë prej pyetjeve të bëra prej prokurorisë, edhe pse kërkuan disa ditë kohë për të shkruar përgjigjet.

Prokuroria e shpalli të dështuar këtë ekspertizë dhe kërkoi ekspertizë të huaj për këtë video nga Gjykata e Lartë.

Vet prokuroria në ekspertizën e saj është mbështetur në dy ekspertiza të huaja, një amerikan dhe një anglez, por që u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë, e cila emëroi si ekspert tre shtetas shqiptarë, me asnjë kualifikim të veçantë për të qenë ekspert në këtë fushë.

 Bashkimi Evropian shprehu javën që shkoi gatishmërinë për të bërë ekspertizën e videos Meta, duke e cilësuar ndëshkimin e zyrtarëve të lart të përfshirë në afera korruptive, një prioritet për Bashkimin Evropian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 16:00

Tiranë – Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për  riekspertimin e video- përgjimit ndaj ish- zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e sotme, Gjykata e Lart vendosi të administrojë si provë akt-ekspertimin e tre ekspertëve vendas, që realizuan ekspertizën e video- përgjimit ndaj Metës, duke konkluduar se ajo nuk është origjinale.

Gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme, prokurori i çështjes Bujar Sheshi, shprehu qëndrimin e akuzës ndaj akt ekspertimit të  video- përgjimit ndaj Metës, realizuar pak ditë më parë nga tre ekspertë shqiptarë.

Duke e kundërshtuar atë, prokurori Sheshi tha se ekspertiza nuk ka arritur në konkluzione të qarta, ndëersa kërkoi një ekspertizë tjetër për video-n, këtë herë me ekspertë të huaj, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga Gjykata.

Ndërkohë, me vendimin e marrë sot, Gjykata e Lartë, do të vijojë procesin ndaj zotit Meta me pyetjen e dëshmitareve të akuzës.

Ish-zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas transmetimit në media të videos, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.  Meta e ka cilësuar videon si një montazh me qëllim dëmtimin e imazhit të tij në publik, përkundër deklarimeve të ish- ministrit Prifti, se videoja e realizuar prej tij është origjinale.

####

Tiranë – Prokuroria e Përgjithshme kërkoi sot riekspertimin e video- përgjimit ndaj ish- zv/kryeministrit Ilir Meta.

Kërkesa u bë sot në Gjykatën e Lartë, nga prokuori i çështjes Bujar Sheshi, i cili shprehu qëndrimin e akuzës ndaj ekspertizës së video- përgjimit ndaj Metës, realizuar pak ditë më parë nga tre ekspertët shqiptar. Duke folur ne seancë, përfaqësuesi i prokuroisë, e cilësoi akt- ekspertimin e tyre, si të dështuar, duke u shprehur se, ekspertiza nuk ka arritur në konkluzione të qarta. “Përfundimet e arritura lënë vend për abuzime”, tha prokurori, duke kërkuar nga Gjykata një ekspertizë tjetër për video-n, këtë herë me ekspertë të huaj.

Tre ekspertët shqiptarë, të cilët realizuan ekspertizën e videos ndaj Metës, arritën në konkluzionin se, ajo nuk është origjinale, përkundër pretendimit të prokurorisë se, video është e patjetërsueshme. Ndërkohë që, Gjykata e Lartë është tërhequr për të marrë një vendim për kërkesën e prokurorisë. Ish-zv-kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga prokuroia e Përgjithshme, pas transmetimit në media të video-s, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.

Ish zv/kryeministri Meta e ka cilësuar videon si një montazh me qëllim dëmtimin e imazhit të tij në publik, përkundër deklarimeve të ish- ministrit Prifti se, video e ralizuar prej tij është origjinale.

####

Çështja Meta, flasin ekspertët

Tiranë – Tre specialistët që realizuan ekspertizën e video- përgjimit ndaj ish- zv/kryeministrit Ilir Meta, ripërsëritën qëndrimin e tyre se, video nuk është origjinale.

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, tre ekspertët i’u dhanë përgjigje 27 pyetjeve të prokurorisë si dhe 7 pyetjeve të avokatëve mbrojtës, lidhur me ekspertizën e video- përgjimit ndaj Metës, ekspertizë kjo, që përfshiu disa aparate si orë kamera, Laptop.

Duke folur në seancë, eksperti Ardian Pollo, theksoi se, “nuk mund të provohet që, regjistrimi i bisedës Meta- Prifti, të jetë bërë me orën e kameras, objekt ekspertimi”, ashtu sikurse pretendohet nga prokuroria.

Eksperti Pollo, ndër të tjera, e vuri theksin tek mundësia e ndërhyrjes në kompjutera, duke pohuar se, profesionistët mund të bëjnë ndërhyrje pa lënë gjurmë në këto aparatura. Me shpjegimet e ekspertëve, si prokuroia ashtu edhe pala mbrojtëse pritet qe të japin qendrimet e tyre ndaj ekspertizes se video pergjimit ndaj Metës.

Ish-zv-kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga prokuroia e Përgjithshme, pas transmetimit në media të një video-je, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.

Zoti Meta e ka cilësuar videon si një montazh me qëllim dëmtimin e imazhit të tij në publik, përkundër deklarimeve të ish- ministrit Prifti se, video e ralizuar prej tij është origjinale.

 
Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 15:25

Tiranë – Tre ekspertët që realizuan ekspertizën e video- përgjimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, duke e shpallur atë si jo origjinale, do të japin përgjigje për një sërë pyetjesh, të ngritura nga palët në proces, si nga prokuroria, ashtu edhe nga avokatët mbrojtës, për këtë ekspertizë.

Në seancen e zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesi i prokurorisë, Bujar Sheshi, lexoi plot 37 pyetje për ekspertët lidhur me ekspertizën e video-përgjimit, pyetje që kryesisht kishin të bënin me programet e përdorura në këtë ekspertizë, mundësinë e ndërhyrjes në video, etj.

Me marrjen e përgjigjeve, prokuroria, sikurse pohoi zoti Sheshi, do të japë qëndrimin e saj lidhur me ketë ekspertizë. Ndërkohe që, edhe pala mbrojtëse listoi pyetjet e saj që në total ishin 7.

Por, ne seance pati edhe debate mbi pyetjet e paraqitura. Kështu, avokatët e zotit Meta atakuan prokurorinë, duke i konsideruar pyetjet e saj si tendencioze. Përfaqësuesit e akuzës kane qenë që në fillim në oponencë me ekspertët”, tha avokati Gezim Veleshnja.

Nga ana tjetër tre ekspertet kërkuan kohë nga Gjykata per t’u njohur me pyetjet e paleve ne menyrëqe t’i jepnin pergjigje atyre, kohë e cila iu dha nga Gjykata.

Një seancë me parë, tre ekspertët që bënë ekspertizen e videos, per llogari te Gjykates, shpallen konkluzionin e tyre se kjo video nuk është orgjinale.

Ish- zv/kryeministri Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media të videos, që përmbante një bisede për disa tendera midis tij dhe ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.

Vetë Meta e ka konsideruar videon një montazh për të dëmtuar imazhin e tij.Ndërkohë që ish- ministri Prifti, si autor i kesaj video, pretendon se ajo është autentike.(LajmeShqip.com)