Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 13:58

Tiranë- Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar me familjet rome të cilët janë dëbuar nga barakat në Tiranë.

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një konferencë për shtyp u shpreh se kërkohet një zgjidhje emergjente për zgjidhjen e situatës së krijuar me familjet rome.

“Sot BE-ja pret qëndrim dinjitoz nga Shqipëria pasi kjo çështje është ndër prioritetet e integrimit të vendit. Ne mbështesim çdo mundësi që i jep zgjidhje këtij problemi shumë akut. Duhet zgjidhje e shpejtë për romët. Qeveria në ikje u tregua indiferente ndaj këtij komuniteti ” tha Vasili.

SHQUP
I pyetur për vendimin e shndërrimit të SHQUP në seli të PD-së, Vasili e vlerësuar këtë vendim si, të nxituar dhe të gabuar. Ai ka deklaruar se qëndrimi i LSI është në koherencë me atë të PS për këtë çështje.

“Vendimi për SHQUP është i nxituar, i gabuar, bie ndesh me përmirësimin e strukturave të FA të një vendi anëtar i NATO-s, që kërkon përmirësime e ambiente gjithnjë e më moderne. Fakti qe qeveria merr vesh pas 23 qershorit që selia e PD është në pronë private është qesharak”, tha ai.

“Çdo mungesë transparence në publikimin e akteve të qeverisë është i dënueshëm sepse këto akte duhet të jenë transparente dhe të hapura, jo vetëm për mediat por dhe për publikun e gjerë”.

Vasili tha se çdo mungesë transparence për aktet e qeverisë është e dënueshme, ku theksoi se qeveria e re e mbas shtatorit do të verifikojë gjithë vendimet, cilat kanë qenë të drejta dhe cilat kanë qenë në dëm të shqiptarëve dhe ato vendime që kanë qenë abuzive do të rishikohen.
“Dhe vendimi për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore është një vendim i gabuar në kohe të gabuar. Ky vendim bie ndesh edhe me krijimin e strukturave të ushtrisë dhe përmirësimit të standardeve dhe ambienteve gjithnjë e më të bollshme dhe moderne. Çështja që selia e Partisë Demokratike paska qenë pronë private dhe që PD e merr vesh pas 23 qershorit, është qesharake dhe duhet ndalur”, u shpreh me tej Vasili.

Administrata
I pyetur nga mediat se çfarë qëndrimi do të mbajë qeverisja e re ndaj administratës aktuale që i frikësohet një spastrimi, Vasili bëri me dije se LSI nuk vepron me filozofi të tilla. Sipas nënkryetarit të LSI, rreth administratës do përdoret si udhërrëfyes ligji shqiptar dhe efiçenca në punë e punonjësve të administratës.
“Termi spastrim nuk ka lidhje me filozofinë e mazhorancës së re dhe nuk tregon thelbin e një administrate europiane. Ne do të kemi udhërrëfyes legjislacionin shqiptar dhe askush nuk do jetë i kërcënuar nga hakmarrja politike, por testi i tyre do jetë puna e tyre me efiçensë”.

KQZ
Petrit Vasili komentoi në interes të mediave të pranishme në konferencën për shtyp dhe situatën me KQZ. Sipas Vasilit, mazhoranca e re do të punojë për riformatimin e këtij institucioni.
“Çështja e KQZ është shqetësimi i LSI-së në veçanti, por edhe një shqetësim që i takon gjithë politikës shqiptare që nuk përfaqësohet më bnë KQZ. Thënë më ndryshe, përfaqësohet vetëm pjesa e qeverisë në ikje. Si i tillë, KQZ ka legjitimitet të cunguar, riformatimi, kthimi i KQZ është një sfidë e mazhorancës dhe LSI si pjesë e kësaj do punojë për kthimin e legjitimitetit. Është një zgjidhje që do kohën e saj, por në një kohë jo të gjatë janë zgjedhjet lokale dhe duhet punuar dhe në këtë drejtim”.

 
Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 13:56

Tiranë – Kryetari i partisë Socialiste ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me k aleatin e tij, njëherësh kreun e LSI-së Ilir meta. 
Takimi u zhvillua na ambientet e selisë rozë, ndërkohë që mediat nuk kanë qenë prezente, raporton BW.  
Nuk dihet shkaku i takimit Rama-Meta, ndërkohë që dy përfaqësuesit e punë për përgatitjen e programit të përbashkët qeverisës PS-LSI, Edmond Haxhiansto dhe Ilir Beqja, dhanë një afat 10 ditor për përgatitjen e programit të përbashkët bashkëqeverisës.

 
Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 09:27

Tiranë – Kreu i LSI, Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë dje për emisionin “Nga A në Zh” të televizionit “Agon Channel” deklaroi se gjatë bashkëqeverisjes me Berishën, Partia Demokratike kontrollonte 99% të pushtetit. 

“Së pari nuk dua t’i ndaj gjërat bardhezi. Së dyti, kjo puna e 20% ka qenë një spekulim i madh, sepse gjërat në të vërtetë nuk kanë qenë kështu. Po kështu ministrat e LSI-së kanë qenë tepër bashkëpunues dhe tepër parimor në qeveri dhe në qeverisje. Kanë qenë tepër konstruktiv, nuk është e vërtetë ajo se ministrat e LSI-së ministritë i kanë pasur si domene të tyre. Kjo është një përrallë. Unë mund t’ju them për shembull, se vetëm në Ministrinë e Ekonomisë, 80% e të gjithë drejtorive në këtë ministri, madje më të rëndësishmet, kanë qenë ose persona që kanë punuar më parë në administratë, përpara se të bëhej koalicioni i vitit 2009, ose kanë qenë kryesisht të propozuar nga ana e PD-së. Apo edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, dihet që më shumë se gjysmën e këtij sistemi e përfaqësojnë sigurimet shëndetësore dhe shumë struktura të tjera. Së pari, LSI-a nuk ka pasur lidershipin e qeverisë. LSI-a ka treguar përgjegjësitë e saj. LSI-a ka marrë dhe kostot e saj, absolutisht, të cilat diku kanë qenë të drejta por në të shumtën e rasteve kanë qenë të padrejta, sepse ka qenë një interes në atë kohë edhe i PS-së më shumë për të goditur përfaqësuesit e LSI-së në media, duke parë të keqen tek aleanca LSI – PD dhe duke e ekzagjeruar shumë raste të sakta dhe të pavërteta por ka qenë dhe interes i segmenteve të PD-së për të ekspozuar gjoja njerëz të LSI-së si përfaqësues të fenomeneve kryesore, ndërkohë kur pushteti real ka qenë 99% në duart e PD”, ka thënë ai. 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 17:52

Tiranë – Përfaqësues të IPR Marketing u shprehën se 12% e te pavendosurve u tërhoqën me shumë nga partitë e mëdha te majta.
“Në të gjitha sondazhet qe bënim, e majta ishte ne avantazh. Diferenca e madhe e krijuar na bënte të ishim disi të rezervuar por ne e thamë te vërtetën”.
Lidhur me pyetjen se si u parashikua rezultati i LSI, IPR tha: “Ne kemi ditur te lexojmë të dhënat”. Kurse shtuan se akuzat për një blerje te këtij sondazhi u hodhën poshtë me këtë rezultat.
Për IPR, e majta ka ditur te shesë një produkt me te mire për “konsumatorin”. “Në sondazh e kemi nënvlerësuar LSI ndërsa ne ex-poll kemi goditur me LSI”, – vuri në dukje IPR, raporton noa. 
Në minutën e fundit ka ndryshuar balanca e te pavendosurve. Sipas IPR “tek LSI shikohej një mbështetje me e madhe për mesazhin dhe modelin e fushatës”.
Pas suksesit me sondazhin për zgjedhjet e 23 qershorit, RTV “Ora News” dhe IPR Marketing kanë dalë në një konferencë për shtyp duke dhënë edhe detajet për mënyrën se si janë zhvilluar sondazhet dhe exit poll-i.
Në fjalën e tij, Presidenti i RTV “Ora News” Ylli Ndroqi tha se vlen për të falënderuar edhe puna e madhe e bërë nga Universiteti Kristal për të bërë të mundur që ne të ishim të saktë në dhënien e exit poll-it tonë
“Mbështetja që mori IPR Marketing në bashkëpunim me bordin pati një kosto të lartë financiare dhe njerëzore deri në kërcënim dhe presion nga partitë politike që nuk dua ti bëj publike sepse Ora News i ka injoruar me rezultatin që u dha në 23 qershor” tha z. Ndroqi duke shtuar se Ora News do t`i shërbejë vetëm publikut dhe asnjëherë nuk do të marrë ngjyrime politike”.

Noto: Sondazhet të përdoren si mjet komunikimi në të ardhmen

Nga ana e tij, drejtori i “IPR Marketing”, Antonio Noto theksoi se sondazhet në të ardhmen duhet të përdoren si mjet komunikimi mes qytetarëve dhe qeverisë.
“Ne shpresojmë që sondazhet të përdoren në të ardhmen si një mjet komunikimi mes shqiptarëve. Do të donim që sondazhet të përdoren si mjet komunikimi mes qytetarëve dhe qeverisë ku qytetarët mund ti komunikojnë qeverisë pikat e dobëta. Ky është një hap përpara i natyrshëm. Nëse kjo ndodh ky do të jetë një çast i mirë që qytetarët të ndihen më shumë pjesëmarrës në politikë” tha Noto
Noto pranoi se edhe pse zgjedhjet e 23 qershorit janë bashkëpunimi i dytë me RTV “Ora News”, ai ka qenë më i vështiri për vetë faktin se rezultatet ishin të tilla sa analistët shprehën mosbesim.
“Ora News” në bashkëpunim me IPR Marketing, ka zhvilluar 4 sondazhe në muajin Maj dhe Qershor dhe 4 exit poll rajonale dhe një exit poll kombëtar në ditën e votimit, në 23 Qershor.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 17:46

Tirane (plotesuar) – Kryetari i LSI, Ilir Meta ka konfirmuar në një konferencë për shtyp atë që pritej, pranimin e ftesës për bashkëpunim të bërë nga Partia Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, Meta ka deklaruar se LSI kalon zyrtarisht në opozitë dhe se prioriteti i saj në këtë bashkëpunim të ri do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE.

“E cilësojmë të përfunduar bashkëpunimin me PD. Nga ky moment ne jo vetëm do të tërhiqemi nga të gjitha funksionet qeverisëse, por njëkohësisht, duke u deklaruar si forcë në opozitë, do punojmë për realizimin e një marrëveshjeje parimore me PS, jo vetëm për fitoren me 23 qershor, por edhe për stabilitetin e vendit dhe për një dinamikë të re për integrimin në BE”, ka deklaruar Meta.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Meta ka nënvizuar se, fakti që LSI pranon ftesën e PS nuk do të thotë se ajo ndan me të të njëjtat mendime dhe vlerësime për të kaluarën dhe të sotmen.

Ai është shprehur se të kaluarën, në të cilën mes tij dhe kreut të PS Rama ka pasur shkëmbim akuzash të forta, u takon të tjerëve ta analizojnë.

“Ne nuk synojmë të rishkruajmë historinë e së kaluarës. LSI është një forcë e majtë, që i takon familjes socialiste evropiane. Me të kaluarën u takon të merren historianëve e analistëve”, ka thënë Meta.

Ai ka vlerësuar se, koalicioni i deritanishëm qeveritar i ka përmbushur objektivat kryesorë, por vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik.

“Falenderoj kryeministrin Berisha. Ka qenë një bashkëpunim i qëndrueshëm në rrethana jo të lehta dhe që do t’i vlejë si eksperiencë politikës shqiptare”, ka vijuar kreu i LSI.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Meta ka shtuar se, LSI asnjëherë nuk e ka konsideruar KQZ-në si një institucion politik dhe angazhimi i saj do jetë që KQZ të funksionojë në bazë të ligjit dhe Kodit.

Ndërsa përsa i takon qëndrimit të LSI në këshillat bashkiakë, ai ka thënë se, “ne nuk synojmë të politizojmë qeverisjen vendore, që është e ndryshme në qytete e rajone të ndryshme. Kjo do jetë kompetencë e të zgjedhurve vendorë”.

*****************************************************

TIRANE- Partia Levizja Socialiste per Integrim ka mbledhur para pak minutash Kryesinë e saj.

Në fjalën e tij hapëse, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh se kjo është një mbledhje e cila do të bëjë një vlerësim të të gjitha zhvillimeve në vend.

Po ashtu, shtoi ai, Kryesia do të bëjë një vlerësim të situatës reale të strukturave tona në të gjitha qarqet, për të përgatitur të gjitha strukturat për të përballuar me sukses sfidën elektorale më të afërt.

Në këto momente, është Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili po mban një fjalim, në mbledhjen e cila po zhvillohet pa praninë  e medias.

Në orën 18:00, vetë kreu i LSI-së, Meta do të dalë në një Konferencë për shtyp për të bërë publike vendimet e Kryesisë, ku ndër ta pritet të jetë edhe deklarimi i LSI-së për daljen nga qeveria, si dhe një përgjigje ndaj ftesës publike të PS-së për koalicion parazgjedhor.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 19:02

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ishte i pari nga politikanët që konfirmoi lajmin e largimit të Ilir Metës nga koalicioni qeveritar. 

Ne mengjes heret ai publikoi nje status ne faqen e tij ne Facebook, ku trajton me tone te qeta kete largim. Nje dite me parë, Ilir Meta dhe Sali Berisha patën një bisedë 30 minutëshe për këtë çështje dhe statusi i Kryeministrit ne Facebook duket se reflekton nje pjese te kesaj bisede.

Kryeministri Berisha thote se ‘çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron” dhe se konsideron si pergjegjesi edhe me te medha ne periudhe elektorale qeverine dhe qeverisjen e vendit.

Pothuajse nje muaj me pare, ne nje bashkebisedim me gazetaret, kur u pyet per LSI-ne, Kryeministri Berisha besonte se aritmetika me e mire elektorale per Ilir Meten ishte dilte ne zgjedhje jashte koalicioneve parazgjedhore me Partine Demokratike apo me Partine Socialiste.

“Tani, nëse unë do të isha në vend të kryetarit të LSI-së, çka nuk jam, unë pa mëdyshje së pari do të vija interesin e vendit dhe interesi i vendit është ky: LSI si parti e tretë do të qeverisë me forcën politike që mund të krijojë Qeverinë. Trashëgiminë e qeverisjes e ka me PD-në. Me PS-në dihet sesi është, dihen marrëdhëniet me Edi Ramën janë gjithnjë marrëdhënie të karakterizuara nga një pabesi ekstreme e tij”, pati deklaruar Berisha më 7 mars.

Por tani qe marreveshja per koalicion parazgjedhor mes PS-se dhe LSI-se pritet vetem te zyrtarizohet dhe kur jane hapur disa skenare per te ardhmen e Qeverise se Kryeministrit Berisha, skenare qe perfshijne qe nga mocioni i mosbesimit i PS-së dhe LSI-së, deri tek mocioni i besimit, qe mund ta beje vete Kryeministri apo tek shkarkimi i ministrave te LSI-se dhe votimi i ministrave te rinj, Sali Berisha ne statusin e tij ne Facebook le te kuptohet se po i ben ose i ka bere te gjitha keto llogari.

Kryeministri, i cili garanton qytetaret se mbetet i perkushtuar te punoje ne interesin me te mire te vendit,  thote se Kushtetuta ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet.

Kushtetutes iu referua edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kur u pyet nga gazetaret ne Shkoder për largimin e Ilir Metes nga Qeveria dhe bashkimin me Edi Ramen. Zonja Topalli, e cila ka deklaruar rreth nje muaj me pare, se PD mund t’i fitoje zgjedhjet edhe pa LSI-ne, ishte ne Shkoder ne ceremonine e perkujtimit te deshmoreve te 2 prillit 1991.

“Cdo forcë politike është e lirë për të bërë zgjedhjet e veta. Unë jam shumë optimiste për të ardhmen. Kushtetuta do të zbatohet pikë për pikë dhe për fat Edi Rama e ka bërë atë më të fortë”, tha Topalli.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 16:02

TIRANE – Kryetarët e dy partive Rama-Meta kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Një ditë më parë burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj. Sot pati zhvillime të shumta në kampin socialist dhe reagime nga ai, demokrat.

Pak para se Rama të zyrtarizonte ftesën për LSI, Berisha komentoi në ‘Facebook’ se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë të bëjë koalicion me kë dëshiron. Në mbledhjen e kryesisë së PS u bë zyrtare ftesa për LSI, kurse në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie pati debate të shumta dhe të zjarrta mbi këtë marrëveshje. Rama vlerësoi se për hir të interesit kombëtar do bëjë koalicion me LSI, por jo të të njëjtit mendim kanë qenë deputetë të PS dhe aleatë të kësaj force politike.

DEPUTETET E PS KUNDËR ALEANCËS ME LSI
Ora 13:30
-Mbledhja e kryesisë ku u zyrtarizua dhe ftesa që PS i drejtoi LSI për një koalicion në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit është karakterizuar me debate të shumta. Kundra këtij vendimi dolën Arta Dade, Erjon Braçe, Pandeli Majko. Deputeti Majko sot ne mbedhje heshti por anëtari i Kryesisë socialiste, u shpreh dje kundër një bashkëpunimi parazgjedhor me LSI-në. Në adresën e tij në rrjetin social Facebook, Majko, përmes një postimi tregon qëndrimin e tij të papajtueshëm për një afrim me LSI-në, duke e cilësuar ditën e djeshme, 1 prillin, si ditën e gënjeshtrës dhe politikanëve që mohojnë të vërtetat. “Miq! Gëzuar 1 prillin! Ditën e mashtrimit dhe gënjeshtrës. Ditën kur gënjeshtrën e mirëkuptojmë si humor. Kjo është dita kur themi gënjeshtra të “stisura” ose pa dashje pohojmë të vërtetat e mëdha të gënjeshtrës. Ai është fakti se në ditët e tjera të vitit gënjeshtra është edhe zgjedhja juaj”, shkruan Majko në adresën e tij. Për ish-kryeministrin socialist, në periudhat më të vështira të historisë së kombit shqiptar, politikanët e 1 prillit nuk po i japin alternativa popullit për të bërë dallimin se cili gënjen dhe cili thotë të vërtetën. “Gëzuar 1 prillin, ditën e politikanëve që nuk u bënë kurrë të tillë, por iu dorëzuan shenjës së kësaj date. Të gënjesh një popull është faj. Ta lësh atë pa të drejtën e zgjedhjes midis të vërtetës dhe gënjeshtrës është dramë e maskarenjve pa principe të politikës. Kjo është arsyeja që besoj se gënjeshtra kujtohet, por nuk festohet. Rilindja e së vërtetës është shpresa për nesër. Kam zgjedhur koalicionin e 21 janarit dhe jo atë të 1 prillit”, shkruan Majko.
Shënimin e tij në faqen e tij në Facebook, i cili përshkohet nga një zemërim i dukshëm, Majko e mbyll me një fjali që paralajmëron një debat të fortë në mbledhjen e Kryesisë socialiste që do të zhvillohet sot paradite. “Nesër është 2 prill. Ditë e bukur për ‘t’u vrarë’”, përfundon Majko shënimin e tij në Facebook.

TAHIRI: FTESA PER LSI, PREMISA ME MORALE PER REALIZIMIN E PROGRAMIT TONE
ORA 13:15 –
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, deputeti socialist Saimir Tahiri tha se ftesa e PS-së për LSI-në është premisa më morale për të realizuar programin për një rilindje shqiptare. “Ne duam tu japim shqiptarëve programin që kemi realizuar bashkë me ta, duke fituar zgjedhjet”,- u shpreh Tahiri.

BLUSHI: KOALICION ME TË GJITHË ATA QË FLUTUROJNË
Ora 12:50
-Pas mbledhjes së grupit të PS, para dyerve të selisë rozë, deputeti Ben Blushi komentoi për mediat këtë ftesë të PS për koalicion me LSI.
“Në vitin 2009 kemi humbur për këtë arsye dhe është në arsye që ne duhet ta shmangim. Ne e dinim që çdo gjë që fluturon hahet, ne do bëjmë koalicion me të gjithë ata që fluturojnë i vetmi që nuk fluturon është Saliu”, tha Blushi.

RAMA: JEMI SOCIALISTE, S’DUHET TE NGUROJME KUR MUND TE UDHEHEQIM

ORA 12:40 – Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryesocialisti Edi Rama ftoi zyrtarisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për tu bashkuar me PS-në në koalicionin parazgjedhor, në mënyrë që siç tha ai, shumicës së vendit t’i kthehet e drejta për të qeverisur.

Ndërsa shpjegoi arsyet e këtij vendimi, duke cilësuar si prioritare interesat e shqiptarëve dhe garantimin e zgjedhjeve, Rama tha se “në kushtet ku ndodhet vendi, vetëm një koalicion forcash me vullnetin e madh për bashkim mund ta izolojë Berishën dhe planin e tij të lexueshëm për vjedhjen e zgjedhjeve”.

Më tej, Rama theksoi se Partia Demokratike nuk mund të përfitojë më nga ndarja e socialistëve të Shqipërisë.
“Nga ky bashkim do të humbiste vetëm PD, e cila ka përfituar 8 vjet rresht falë manipulimeve zgjedhore dhe mosmarrëveshjeve në kampin tonë. Sot duhet bashkim, askush që do rotacionin nuk duhet t’i trembet këtij bashkimi. Nga ky bashkim do të fitonte çdo njeri i zakonshëm në këtë vend, që prej 8 vjetësh nuk voton dot i lirë, nuk mendon dot i lirë, për shkak të shantazhit politik të kryeministrit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë arsye të dyshojnë fort sot se vota përsëri është e kërcënuar nga vjedhja, ashtu siç kanë arsye të mendojnë se e ardhmja e këtij vendi është peng i historisë që përsëritet”,- theksoi Rama. 

Në pritje të përgjigjes zyrtare të LSI-së, Rama theksoi se PS pret që partia e Metës t’i përgjigjet ftesës duke u nisur nga interesi i vendit dhe së majtës shqiptare. Rama mirëkuptoi edhe qëndrimet e kritikëve për këtë vendim, por theksoi se bashkimi i së majtës është rruga e fitores, që i jep socialistëve pushtetin për të të sjellë ndryshimin.

“E di që e shkuara ka hijen e saj, por kur politika nuk e kapërcen dot të shkuarën, e shkuara mban peng politikën. Ne jemi këtu për të mos lejuar që e ardhmja t’i ngjajë së shkuarës. Nuk pres që sot të gjithë të më jepni të drejtë, pres vetëm që të më kuptoni se unë dua të fitoj për të gjithë ju dhe kjo është rruga e fitores që na jep pushtetin për të ndryshuar gjërat. Ne jemi PS dhe jemi bërë për të fituar dhe jo për të nguruar atëherë kur mund të udhëheqim”,- u shpreh Rama.

KOALICIONI PS-LSI, XHAXHAI I ALEKS NIKËS KËRKON TAKIM ME RAMËN
ORA 12:10
-Pas lajmit se Rama po bën koalicion me Metën, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë më 21 Janar kërkoi sot një takim me kryetarin e PS. “Pasnesër takim me Edi Ramën, nëse kjo është e vërtetë, atëhere kjo është një tradhti!”, tha xhaxhai i Akleks Nikës, një prej 4 protestusve që mbetën të vrarë më 21 Janar të vitit 2011.

NGJELA: DUHET NJË QEVERI TEKNIKE, META TA ÇOJË PUNËN DERI NE FUND
ORA 12:00-
Spartak Ngjela, kreu i PLD në një interviste për “News 24” theksoi se pas largimit të LSI nga koalicioni qeverisës, duhet një qeveri teknike. Sipas Ngjelës, lëvizje e Metës është politike dhe se ai si kryetar i PLD është pro koalicioneve.

“Qeverisë i humbet legjitimiteti, duhet një qeveri teknike, ndaj Meta ta çojë punën deri në fund. Unë jam pro koalicioneve, ndaj lëvizja e Metës ishte politike”, tha Ngjela gjatë një interviste për “News 24”.

PS MBLEDH KRYESINE, ZYRTARIZOHET FTESA PER KOALICION ME LSI
ORA 11:25
-Kryesia e PS zyrtarizon ftesën për koalicion me LSI. Burime bëjnë të ditur për “News 24”, se vendimi u miratua me jounanimitet në mbledhjen e kryesise, pasi mbledhja u karakterizua dhe me debate.  Deputeti Erjon Braçe është shprehur kundër kësaj aleance. Për të argumentuar këtë ai bëri dhe lidhjet me ngjarjet e 21 Janarit.

TOPALLI: PAVARESISHT LARGIMIT TE LSI, QEVERISIM DERI ME 23 QERSHOR
ORA 11:09 –
Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilëson largimin e LSI-së nga qeveria si zbatim të së drejtës së çdo partie politike për të bërë zgjedhjet e veta. 

Nga Shkodra, Topalli u shpreh e bindur se shqiptarët do të zgjedhin sërish demokratët më 23 qershor.
“Jam optimiste se në 23 qershor shqiptarët do dinë të zgjedhin. Pavarësisht largimit të LSI, qeverisim deri më 23 qershor”,- u shpreh Topalli.

BERISHA: PARTITË BËJNË ZGJEDHJEN QË DËSHIROJNE
Ora 10:00-
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin social Facebook mbi marrëveshjen parazgjedhore Rama-Meta.
Reagimi bëhet një ditë pasi mediat mësuan mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje mes aleatit të tij në qeverisje, Meta me kundërshtarin politik, Rama. Sipas Berishës, çdo forcë politike ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e saj, ndërsa ai në postin e kryeministrit ka për detyrë të gjejë zgjidhje kushtetuese për çdo problem institucional që mund të krijohet.

“Mirëmëngjes miq! Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendos të lerë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale.

Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cënojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lire dhe te ndershem ne perputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetuten e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet në frymen dhe germen e saj. Une mbetem totalisht i përkushtuar te punoje me te gjithe energjite e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb”, shkruan Berisha në ‘Facebook’.

RAMA MBLEDH TË VETËT, FESTON DERI NË MESNATË. ZYRTARISON SOT NE MBLEDHJEN E KRYESISE FTESEN PER KOALICION ME LSI
Partia Socialiste zyrtarizon sot, në mbledhjen e kryesisë, ftesën për koalicion drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por, para mbledhjes së kryesisë, kreu socialist, Edi Rama mblodhi në një darkë pune një pjesë të kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar. Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Blendi Klosi, Ditmir Bushati, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Erion Veliaj, bashkiakët Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Niko Peleshi e Endri Fuga ishin dje, pjesë e darkës në një prej lokaleve të periferisë së Tiranës, “Xibraku”. Për rreth 4 orë, deputetët dhe Rama kanë shkëmbyer mendime, jo vetëm për ofertën ndaj Metës, por edhe për atë se si kjo do të pritet në elektoratin socialist. Tashmë është folur për një marrëveshje Rama- Meta, sipas së cilës LSI-ja largohet nga Qeveria me kushtin që PS-ja të votojë 3 ligjet e integrimit, që është edhe misioni i LSI-së në këtë qeveri. Pas darkës me deputetët, Rama u shpreh se “ishte një darkë festive”. Arsyeja e dhënë zyrtarisht për këtë darkë ishte lindja e djalit të dytë të deputetit Eduart Shalsi, megjithatë pakkush e ka besuar se kjo ka qenë arsyeja e vetme. Sot, rreth orës 10:30 mblidhet edhe kryesia e PS-së, e cila duket hapur se nuk do ta kalojë pa debate afrimin me LSI-në. Deri më tani, publikisht janë shprehur kundër marrëveshjes me Metën, anëtarë të kryesisë si Erjon Braçe, Pandeli Majko.

Por, sipas burimeve nga PS-ja, ka qenë edhe një lloj presioni nga të majtët evropianë që kërkojnë nga të majtët shqiptarë t’i japin fund kapitullit “Berisha” në qeverisje të vendit. 
Dhe thirrjet e tri ditëve të fundit të faktorit ndërkombëtar, presidentit të Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, zv.presidentit të Parlamentit Europian, Xhani Pitella dhe dje të presidentit të Internacionales Socialiste, Jorgo Papandreu për t’u bashkuar Rama dhe Meta në një koalicion të përbashkët parazgjedhor për të qeverisur pas zgjedhjeve të bashkuar, kanë qenë të koordinuara në funksion të qëllimit të shkëputjes nga qeverisja aktuale.

Zbardhen detaje nga marrëveshja Rama-Meta
Kryetarët e dy partive kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka pranuar që deputetët e Grupit parlamentar socialist, pas disa muajsh refuzimi, të votojnë tri ligjet që kërkon Brukseli nga Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat, edhe pse afatet për ta arritur këtë tashmë kanë përfunduar. Tri ligjet mund të votohen edhe ditën e enjte gjatë seancës plenare, ndërsa sipas marrëveshjes Rama-Meta, LSI do të largohet nga qeveria duke tërhequr dhe ministrat e saj. E perditshmja ‘Panorama’ shkruan se Meta i ka kërkuar Edi Ramës që t’i garantojë tre vende në listat e kandidatëve të PS për përfaqësues të LSI-së, tre ministri të rëndësishme, por dhe drejtuesin e Parlamentit. Mësohet se nga ana e Ramës këto kushte janë pranuar, por kreu socialist ka kërkuar që ministritë të drejtohen nga emra të tjerë, për të ndryshuar imazhin e qeverisë së ardhshme.

Një ditë para mbledhjes së Kryesisë socialiste, e cila do të vendosë të ftojë LSI-në në një bashkëpunim parazgjedhor me PS, Rama ka zhvilluar një darkë me një grup të madh të anëtarëve të Kryesisë. 

PRAPASKENAT
Pas tri thirrjeve të figurave të së majtës evropiane për bashkim Rama-Meta para zgjedhjeve të 23 qershorit, të majtët e Tiranës nisën dje, lëvizjet politike. Paraditen e 1 prillit, kreu i LSI-së, Ilir Meta takoi në Kryeministri kreun e mazhorancës së djathtë, Sali Berisha. Edhe pse asgjë nuk u bë publike pas takimit, burimet folën për dy çështje të diskutuara mes dy aleatëve. Mësohet se Ilir Meta i ka dhënë siguri kryeministrit se nga LSI-ja nuk ka asnjë pengesë për kalimin e tri dekreteve të presidentit.

Nga ana tjetër, mes tyre është diskutuar edhe për çështjen e koalicionit. Asgjë nuk është thënë publikisht, por deri më tani, lajmi që po diskutohet në mjediset politike është largimi i Ilir Metës nga qeveria dhe bashkimi në një koalicion me PS-në. Pas takimit rreth gjysmë ore Meta-Berisha, asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar gjë. Më pas, diku rreth mesditës, Meta mblodhi në hotel “Rogner” drejtues të kryesisë së LSI-së. Ky takim, sipas Luan Ramës ishte për çështje organizative të LSI-së, por një gjë e tillë nuk ka krijuar shumë bindje në media. LSI-ja pritet që brenda muajit prill të mbledhë Konventën e saj Kombëtare. Ky forum pritet të japë një qëndrim zyrtar edhe për këtë çështje. Nuk ka një datë për mbledhjen e forumit, edhe pse mendohet se mund të jetë mesi i muajit. Burimet thonë se nga kjo Konventë do të shpallet shkëputja nga qeveria, duke tërhequr ministrat. Pas kësaj, burimet edhe nga PS-ja flasin për krijimin e një qeverie teknike, deri në afrimin e datës së zgjedhjeve, për të mos lënë vendin në vakum qeverisës.

Madje ky skenar mendohet si më i pëlqyeshmi edhe për ata që janë dakord me këtë afrim të PS-së dhe LSI-së. Kjo, edhe për një arsye tjetër, që ka lidhje me të gjithë ata anëtarë apo simpatizantë të PS-së, të cilët mund të mos miratojnë një bashkim të tillë. Pas takimit me drejtues të LSI-së, Meta tha për mediat se: “Sot është 1 prilli dhe kuptohet që nuk ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë, sepse nuk e di se sa të besueshme do të ishin deklaratat. Po ne takime kemi vazhdimisht dhe takimet janë mjaft konstruktive”. “Këto janë qëndrime, të cilat në fund fare do t’i vlerësojnë forumet e LSI-së. Meqenëse kam dëgjuar qëndrime të ndryshme për çështjen e dekreteve, natyrisht siç kemi vepruar gjithmonë, për çdo dekret do të shprehemi sipas bindjes së çdo deputeti”, – tha Meta. Po në “Rogner”, Meta ka shkëmbyer biseda edhe me kreun e PDS-së, Paskal Milo e kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 April 2013 19:31

TIRANË – Nga dje dhe sot vijuan apelet e përfaqësuesve të së majtës evropiane që kërkuan bashkimin në aleancë të PS dhe LSI për zgjedhjet parlamentare. Sipas së majtës evropiane, nëse Meta bëhet bashke me Ramën, vetëm në këtë mënyrë largohet Berisha nga qeverisja dhe vendi integrohet në BE.

Ndërsa apelet vijonin, paradite u shënua në kryeministri një takim i Berishës me Metën. Kreu i LSI komentoi shumë shkurt mbi aludimet për një marrëveshje të mundshme mes PS e LSI.

Ndërkohë burime nga selitë e partive konfirmojnë se ka një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.

RAMA-META, JA MARRËVESHJA, PS MIRATON 3 LIGJET, LSI IKËN NGA QEVERIA
Burime brenda PS e LSI konfirmuan për “News 24” se realisht është bërë një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.
“PS miraton 3 ligjet, LSI ikën nga qeveria me Berishën”, është thelbi i marrëveshjes mes PS dhe LSI.
Ndërkohë nesër kryesia e Partisë Socialiste fton zyrtarisht LSI për koalicion.

BERISHA TAKON METEN
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim në Kryeministri me kreun e LSI-së Ilir Meta. 

Takimi mes kryeministrit Berisha dhe aleatit të tij Meta vjen vetëm një ditë pasi Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Gianni Pittella i bëri thirrje kreut të LSI-së Ilir Meta që të bashkohet me PS-në për të arritur një fitore në 23 qershor.

Po sot, apeleve iu shtua thirrja e Presidentit të Internacionalistet Socialiste Jorgos Papandreu. Papandreu iu drejtua dy kryetarëve të partive të majta, PS dhe LSI që të bashkëpunojnë në këto zgjedhje parlamentare me qëllimin e vetëm që të largojnë nga pushteti kryeministrin Berisha.

Pas apeleve nga jashte vendit, sot Berisha priti në Kryeministri Meten. Takimi është zhvilluar për 40 minuta ndërsa në fokus të bisedimeve mendohet të ketë qenë koalicioni parazgjedhor mes LSI-së dhe Partisë Demokratike. 
META
I ndodhur rreth mesditës në ambientet e ‘Rogner”, Meta u pyet nga mediat se për çfarë diskutoi me kryeministrin Sali Berisha sot paradite. Por kreu i LSI vlerësoi se meqë sot është 1 Prilli, nuk ka vlerë asnjë deklaratë.
Meta preferoi të përgjigjej shumë shkurt për mediat. “Sot është 1 Prill dhe në 1 Prill nuk ka vlerë të bëhet ndonjë deklaratë se nuk e di sa e besueshme do jetë deklarata”.

I pyetur mbi apelet që po bën e majta evropiane, që LSI dhe PS të jenë bashkë në zgjedhjet parlamentare, Meta tha se “këto janë qëndrime të cilat në fund fare do i vlerësojnë forumet e LSI”.

Ndërkohë, deputeti i LSI, Lefter Koka, në një prononcim për mediat theksoi se nuk ka asnjë ftesë zyrtare të PS. Në një deklaratë për mediat, jashte sallës së Kuvendit, Koka ka thënë se zgjidhja që do të bëjë LSI do të jetë në shërbim të vendit dhe të saj.

“Kreu i LSI, zoti Meta e ka bërë të qartë që do të jenë strukturat e partisë që do të marrin vendimin e duhur në shërbim të Shqiperisë dhe të LSI-së”- tha ai.

Sipas tij, LSI është një forcë e majtë dhe që PS mund të bëjë thirrje për koalicione, kjo ishte gjëja më normale. “Mirëpresim çdo bashkëbisedim me forcat politike, por në shërbim të vendit”,- tha ai.

Sipas Kokës, struktura të LSI do të vendosin këtë muaj mbi vendimet që do të merren mbi koalicionet për zgjedhjet parlamentare.
Koka theksoi se LSI do të vijojë të jetë fuqishëm në Parlamentin që pritet të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. 

Presidenti i Internacionales Socialiste apel Edi Rames dhe Ilir Metes. Papandreu: Bashkepunoni per zgjedhje, të bashkuar mundni Berishën
 
Apeli i Presidentit të Internacionalistet Socialiste George A. Papandreou ishte sot thirrja e radhës nga e majta evropiane drejtuar Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Papandreou iu drejtua dy kryetarëve të partive të majta, PS dhe LSI që të bashkëpunojnë në këto zgjedhje parlamentare me qëllimin e vetëm, të largojnë nga pushteti, kryeministrin Berisha.
“Një qeveri e majtë do të sjellë integrimin e vendit”, thotë mesazhi i presidentit të Internacionales Socialiste.

APELI I PLOTE I PRESIDENTIT TË INTERNACIONALES SOCIALISTE
“Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste dëshiroj t’ju bëj një thirrje Zëvendës Presidentit tonë dhe njëherazi Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Unë u bëj thirrje të dyve për ta konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.

Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Ky front i bashkuar progresist do t’i mundësojë vendit ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të garantuar një shoqëri më të ndershme me institucione demokratike, transparencë dhe llogaridhënie. Këto reforma janë të nevojshme qoftë për të siguruar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, qoftë për të garantuar liri dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri nevojiten zgjedhje të lira e të ndershme dhe një shumicë e re qeverisëse që të jetë e vendosur dhe e gatshme për të garantuar sundimin e ligjit. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin, për Europën dhe më gjerë.

Në këto kohë sfidash dhe krize ekonomike, progresistët, socialistët dhe socialdemokratët kanë përgjegjësinë të garantojnë që interesat e njerëzve të dëgjohen dhe shihen si prioritet, duke garantuar një funksionim transparent të qeverisjes dhe institucioneve demokratike.

Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim. Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike.

Mund t’ju garantoj se do të keni mbështetjen e plotë të të gjithë familjes sonë progresiste në përpjekjen e vështirë dhe të guximshme drejt përmbushjes së synimeve dhe vlerave tona të përbashkëta”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 19:39

Tiranë- Aktivisti shqiptaro- amerikan, Geri Kokalari, i ka shkruar një letër Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, në lidhje me vizitën e fundit të Ilir Metës në Bruksel.

“Duke e pritur Ilir Metën, ju i keni dhënë besueshmëri një personi që ndan fajin për “demokracinë” jofunksionale në Shqipëri. Unë supozoj se ju jeni në dijeni të gjyqit të Metës për korrupsion. Por për çdo rast, më poshtë keni një link që ju çon tek videoja ku tregohet Meta duke diskutuar për një ryshfet gjigand, dhe kjo video është përdorur si provë për ta paditur atë. Për fat të keq, Shqipëria ka gjykatësit më të mirë për t’u blerë, dhe Meta e Sali Berisha manipuluan provën për të nxjerrë Metën të pafajshëm. Në këtë mënyrë këta banditë u tallën me konceptin e shtetit të së drejtës në Shqipëri,” shkruan Kokalari.

Sipas tij, Meta dhe Berisha janë arsyeja pse Shqipëria është kthyer në kleptokraci.

“Meta dhe Berisha e kanë përdhunuar sistematikisht Shqipërinë dhe më poshtë është një artikull në lidhje me marrëveshjen e ndyrë për Albpetrolin, që është thjesht një shembull nga të fundit për mashtrimet e tyre. Ata janë mashtrues të përkryer, që ju thonë ju pikërisht atë që doni të dëgjoni ju, për të përmbushur objektivat e tyre egoistë. Mos kini asnjë dyshim se ata janë arsyeja kryesore pse Shqipëria është kthyer në një kleptokraci autoritare. Nëse vërtet doni të çoni përpara integrimin e Shqipërisë në BE dhe të bëni diçka të mirë për hir të popullit shqiptar, ju duhet të ndikoni që të largohet nga pushteti Berisha dhe Meta, për të shkuar pas hekurave, aty ku e kanë vendin”.(Tema/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 18:14

TIRANË – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një konference për shtyp u ka bërë thirrje sot partive politikë të bashkëpunojnë në emër të integrimit të vendit. Meta solli në vëmendje mesazhet e përcjella dje nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fule gjatë vizitës së tij, vetëm një ditë më parë në Tiranë. Sipas Metës ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat para zgedhjeve.

“Është një mesazh që duhet vlerësuar në maksimum nga të gjitha forcat politike, vecanërisht nga ato parlamentare sidomos marrja e statusit. Mesazhi i Fyles ishte i qartë, se statusi mund të merret para zgjedhjeve, ne prill. Duhet të tregojmë përgjegjësinë tone, të marrim statusin para zgjedhjeve. Detyra e parë do jetë zbatimi i ligjit dhe kodit dhe përpjekjes për të arritur vendime kondsensuale nga KQZ. Ftoj të gjitha forcat politike për të respektuar ligjin dhe rritur frymën e bashkëpunimit”. 

I pyetur se me cilin subjekt politik do të bëjë koalicion në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, Meta tha se kjo do të vendoset në Konventën e LSI që pritet të mbahet në muajin prill. Sipas kreut të LSI, nuk ka rëndësi koalicioni.

“Nuk është më e rëndësishme, se cilat do jetë taktikat tona elektorale. Në cdo rast, LSI do ketë programin e saj dhe në cdo rast LSI do dalë me flamurin e saj me simbolet e saja dhe në fund të fundit kodi është i tillë që votohet për subjektin politik dhe jo për koalicionin e caktuar”.

Meta më tej theksoi se vlerëson angazhimin e cdo force politike në zgjedhje, ndërsa u shpreh se LSI do të ketë gjithmonë rol konstruktiv.

“Vlerësojmë angazhimin e çdo force politike në zgjedhje, nuk është me shumë rëndësi taktika elektorale. LSI do të luajë gjithmonë rol konstruktiv, nuk do bëhet pjesë e asnjë lloj konflikti, do sjellë energji pozitive. Koalicionet janë çështje forumesh, vendimi do merret në kohën e duhur”.

I pyetur nëse bisedoi dhe ai dje me eurokomisionerin Fyle, Meta tha se “Ka qenë një bisedë telefonike, ku shpreha angazhimin e LSI për çdo gjë që ka mundësi të bëjë për të ecur drejt marrjes së statusit sa më parë të jetë e mundur”.

Kurse lidhur me sondazhet parazgjedhore, kreu i LSI theksoi se nuk i merr parasysh pasi partia që ai drejton ka një kontroll shumë të rreptë në terren.
“Absolutisht që jo, LSI ka një kontroll shumë të qartë dhe rigoroz të situatës në terren, të gjithë janë të lirë të shpallin dhe sponsorizojnë sondazhe, keqardhje për ata që sponcorizojnë sondazhe të tilla qesharake”. 

Pyetjes sesa deputetë do marrë LSI në zgjedhjet e 23 Qershorit, Meta siguroi se numri do të jetë më i madh se ai që është aktualisht në parlament.
“Përfaqësuesit tanë në radhë të parë kanë të drejtë të zbatojnë ligjin. Disa herë më shumë deputetë nga sa jemi aktualisht, pasi votat për LSI janë vota të sigurta. Por siguroj që ne një grup parlamentar do e bëjmë vetëm me deputetët që do fitojmë në 2 qarqe kryesore të vendit”.(LajmeShqip.com)