Lajme Shqip Tuesday, 08 April 2014 12:01

Ditën e sotme pritet që 15 rojet e burgut të Nigritas të dëshmojnë në hetuesi në lidhje me vrasjen nga torturat të shqiptarit Ilia Kareli.  Në hetuesi pritet të thirren 8 rojet, të cilët ditën e shtunë kërkuan kohë për t’u përgatitur, si dhe 7 të tjerët, për të cilët dita e martë u la si afat për dëshminë.

Mësohet se zyrtarët e burgut të Nigritas do të tregojnë për mënyrën sesi është torturuar Kareli deri në vdekje. Dje “Shekulli” ka zbardhur aktakuzën e ngritur ndaj 15 zyrtarëve, përgjegjës për krimin makabër.  Aktakuza kundër punonjësve të burgut të Nigritas, nuk lë asnjë pikë dyshimi për fajësinë e tyre në vdekjen e Ilia Karelit. 

Aktakuza u bë publike nga agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, kundër punonjësve të burgut të Nigritas, që shkaktuan vdekjen e të burgosurit shqiptar. Hetuesja Jeorgjia Tutuntzi i akuzon 15 të pandehurit si protagonistë në torturimin e të burgosurit shqiptar, tortura që sollën  vdekjen e tij.

Për më shumë se dy orë ata e torturuan vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike Ilia Karelin, me qëllim që ta ndëshkonin për vrasjen e kolegut të tyre grek, Jorgos Tsironis, më 25 mars, në burgun e Malandrinos. Gardianët e lagnin vazhdimisht me ujë Karelin, me qëllim që goditjet e tyre të shkaktonin sa më shumë dhimbje.

“Duke vepruar të gjithë së bashku, ju ushtruar dhunë ndaj Ilia Karelin me grushte, me shkelma, me një çarçaf të modifikuar  që kishte nyje të shumta, me gjatësi rreth 50 cm; e goditët në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, në këmbë, në gjoks, në bark dhe në kokë, duke e lagur njëkohësisht me ujë, me qëllim që goditjet të shkaktojnë sa më shumë dhimbje”, theksohet në aktakuzë.

Sipas dosjes, torturimi i Karelit zgjati nga ora 15:37 deri në 18:38, në dhomën e pritjes të burgut të Nigritas, dhomë që thirret si “frigorifer”, në gjuhën e gardianëve. Aty Karelin e vendosën sapo mbërriti në burgun e Nigritas, deri sa të kryheshin disa punime teknike në qelinë ku do të dërgohej përfundimisht e do të ndërronte jetë më vonë.

Nga torturat Karelit iu shkaktuan plagë të shumta dhe fraktura, si dhe thyerje të kafazit të kraharorit. Kjo thyerje ka shkaktuar fillimin e hemorragjisë në indet e buta, duke shtypur zemrën gjatë lëvizjeve respiratore dhe lëvizjeve të trupit.

Në vazhdim, rreth orës 18:38, të pandehurit e kanë ngritur peshë Ilia Karelin dhe e kanë çuar në qelinë e izolimit, ku ka qëndruar i vetëm dhe nuk janë kujdesur që të vizitohej nga një mjek.

Ilia Kareli vdiq disa orë më vonë, në harkun kohor nga ora 18:38 deri 23:15, atëherë kur u konstatua se nuk merrte më frymë dhe u njoftua qendra e ndihmës së shpejtë që e transportoi në spitalin e Serresit, aty ku u konfirmua vdekja e tij, thuhet në aktakuzë.