Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 11:00

Dy ditë pas mbërritjes së 2 oficerëve grekë në Tiranë, për të marrë në pyetje të arrestuarin Ilir Kupa, i arratisur nga burgu i Trikallasë, marsin e kaluar, duket se akuzat e pakës greke ndaj tij s’kanë të sosur.

Mësohet se 2 oficerët grekë e pyetën pardje të arrestuarin Ilir Kupa edhe për shpërthimin në Gjykatën e Selanikut, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2010. Përveç burimeve nga policia kryeqytetase, lajmi konfirmohet nga e përditshmja greke “Kathimerini”, sipas të cilës Kupa ka mohuar lidhjet me “Grupin e Celulave të Zjarrit”, ku Alket Rizai është një tjetër shqiptar i akuzuar. Oficerët grekë pretendojnë se ka prova që e implikojnë 27-vjeçarin në shpërthimin e gjykatës së Selanikut, por Kupa akuzon policinë se i vranë shokët dhe se s’ka lidhje me krimet.

Zyrtarët përgjegjës të policisë, duke shprehur rezerva në lidhje me vlefshmërinë e pretendimeve të tij, sugjerojnë se ka prova për përfshirje në disa nga krimet e rënda, ku veçohet sulmi mbi ndërtesën e gjykatës të Selanikut, bombardimi në një klub nate në Avenue, Kalitheas dhe përfshirjen e tij në një vrasje në qendër të qytetit. Shpërthimi në gjykatën e Selanikut kishte ndodhur në muajin maj të vitit 2010 dhe përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë “Grupi i Celulave të Zjarrit”. I arratisuri nga burgu i Trikalasë kishte arritur t’i shpëtonte një përleshjeje me policët, në afërsi të kufirit grek, gjatë së cilës u vra shqiptari tjetër Marian Kola.

“Është e rëndësishme të mbushim boshllëqet në rrugën e ndjekur prej tij dhe të identifikojmë njerëzit që ofruan atij mbështetje”- tha për gazetën greke “Kathimerini”, një zyrtar i policisë. “Grupi i Celulave të Zjarrit” njihet në Greqi si një prej organizatave më famëkeqe që operojnë në shtetin grek, të cilët akuzohen për akte terroriste, pengmarrje, grabitje, vrasje dhe arratisje të shumta nga burgu. Alket Rizai është një prej shqiptarëve që akuzohet si përgjegjës në disa ngjarje të rënda, ndërsa është arratisur 2 herë nga burgjet e sigurisë së lartë./Shqiptarja/

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 11:30

I riu 27-vjeçar Ilir (Albert) Kupa, i arrestuar nga policia e Tiranës 10 muaj pas arratisjes nga burgu i Trikalasë në Greqi rrëfen për herë të parë historinë e tij. Në një intervistë për “Xhungël” në “Neës 24”, të realizuar me shkrim nëpërmjet avokatit Lazër Sokoli, i riu nga Fushë-Kruja tregon arsyet e arratisjes, momentet kur forcat speciale greke i vranë tre shokët e burgut me 500 plumba, persekutimin familjar dhe apelon për drejtësinë: “Më mirë me vrisni ju këtu, se sa të më vrasë greku prapa shpine si të gjithë shokët e mi”. 

Cila është historia juaj Ilir? Përse jeni detyruar të arratiseni nga burgu në Greqi? Cilat janë arsyet? 

Si të gjithë shqiptarët, kam emigruar për një jetë më të mirë që në vitin 1998 për arsye ekonomike. Jam detyruar të arratisem, sepse jam dënuar në mënyrë totalisht të padrejtë, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë në shtetin grek. 
Shteti shqiptar nuk ka shfaqur asnjë interes në ndihmë të 8 mijë të burgosurve në shtetin grek që vuajnë dënimin në mënyrë të padrejtë. Arsye themelore e arratisjes ka qenë padrejtësia e grekëve. 
Unë nuk kam lindur kriminel as nuk jam i tillë, por padrejtësia e dhënë ndaj meje ka bërë që të arratisem bashkë me shokët e mi. 

Kur keni vajtur për herë të parë në Greqi dhe cilat janë arsyet që emigruat drejt vendit fqinj? 

Në janar të vitit 1998 kam vajtur për herë të parë, për arsye vetëm emigrimi, për kushte më të mira ekonomike si të gjithë. Pra për jetë më të mirë. 

Përse jeni i revoltuar ndaj shtetit grek? 

Të flas për revoltë ndaj shtetit grek nuk kam të sosur, por ato çfarë unë kam përjetuar nga qeveria dhe drejtësia greke më kanë bërë të jem kundër sistemit grek. Populli grek është si shume popuj të tjerë i thjeshtë dhe dashamirës. Kurse sistemi i drejtësisë është më keq se sistemi ynë i kohës së Enver Hoxhës. Diskriminimi racial, fyerja dhe persekutimi familjar janë arsyet themelore të revoltës sime ndaj shtetit grek. 

Kush i vrau shokët e arratisjes? Në çfarë rrethanash? 

Shokët e mi, Flamur Sinani 42 vjeç, Ermir Sinani, 27 vjeç u vranë nga forcat speciale greke duke u derdhur më shumë se 300 plumba mbi trupin e secilit prej tyre edhe pasi ata kishin vdekur. 
Shtetit shqiptar t’i vijë turp që kurrë nuk kërkoi shpjegim dhe as nuk u interesua për këtë masakër ndaj bijve të tij. Kurse vëllain tim, Marjan Kolën (M.K e konsideron vëlla ) e vranë forcat speciale greke pa asnjë paralajmërim në pritë prapa kurrizit. Ata qëlluan mbi 200 plumba, vetëm njeri e kapi prapa kurrizit dhe Marjani vdiq. 
Unë kalova mes plumbave dhe shpëtova falë Zotit. Tek Tek kufoma e Marjanit ndalova për pak çaste mes plumbave. Të gjitha të shtënat janë bërë prapa kurrizit tonë pa paralajmërim.

Në media, pas arrestimit tuaj u aludua se keni kryer krime të ndryshme në Shqipëri pas arratisjes nga burgu i Trikalasë. Cila është e vërteta? 

Është turp i madh që të bëhet tregti gazetash me ngjarjen tonë. Nuk kam kryer asnjë krim në Shqipëri. Është turp i shtetit tonë që merret me këto gjëra false dhe nuk interesohet për të vërtetën e ngjarjes së vrasjes së tre shokëve të mi. 

Cila është gjendja juaj familjare sot? 

Kam dy fëmijë të mitur, një djalë i lindur më 21 janar 2008 dhe goca e lindur më 27 janar 2012 sot ka pasur ditëlindjen. Babain e kam invalid, kjo sëmundje i ka ardhur ngaqë është mbajtur padrejtësisht në burg katër muaj në Greqi për arsye se i ishte ngatërruar gjasme emri im me emrin e babait, i cili quhet Fatmir Kupa. Është i paralizuar dhe e kanë shpallur person të rrezikshëm për shtetin grek. Ndërkohë që ka vendim pafajësie. Vëllai im, Zyber Kupa është i burgosur padrejtësisht vetëm nga urrejtja e policisë greke ndaj meje dhe gjithë shqiptarëve. 

A keni besim tek drejtësia shqiptare dhe çfarë i kërkoni asaj? 

Sa kohë që jam shqiptar, kam besim se do më japin drejtësi. Këtu kam lindur dhe këtu dua të vdes. 

A i keni rezistuar policisë në momentin e arrestimit në Tiranë? A ju kanë keqtrajtuar? 


Nuk kam rezistuar fare, thjesht u kam thënë “më mirë më vrisni ju këtu se sa të më vrasi greku prapa shpine si të gjithë shokët e mi”. Nuk kanë dhe nuk kishin arsye të më keqtrajtonin policët shqiptarë. Jam njeri mbi të gjitha. Thjesht kërkoj drejtësinë time. 

TE ARRATISURIT NGA TRIKALLA 
Marian Kola, i vrarë në 21 korrik 2013 
Ermir Sinani, i vrarë në 2 korrik 2013 
Fatmir Sinani, i vrarë më 2 korrik 2013 
lir Kupa, i arrestuar 
Taulant Luli, nuk ka informacion 
Klement Cala, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë 
Admir Murataj, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë 
Ermal Lita, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë 
Fatos Sulaj, dyshohet se ndodhet jashtë Greqisë/ GSH/BË/