12
 
Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 12:41

Gardiani që Ilia Kareli vrau më 27 mars 2014 në burgun e Malandrinos i kishte nxirë jetën jo vetëm atij, por edhe të burgosurve të tjerë shqiptarë.

Dy prej miqve të Karelit, Kastriot Kolndreu dhe Flaurent Gjoça, të cilat kanë ndarë me të ditët e burgut, thonë se gardiani sillej keq me ta, madje njëri prej tyre thotë se, mund të kishte qenë ai autori i vrasjes së gardianit, pasi ia kishte nxirë jetën.

Flaurent Gjoça, 33 – vjeçari nga fshati Bajkaj, personi që ka jetuar dy vite në burgun e Malandrinos me Kudret Kumen, i njohur në Greqi me emrin Ilia Kareli, në një intervistë për “Ora News” tregon se si e ka njohur ai Kudretin.

Kudreti, ka thënë Flaurenti me lot në sy, ishte njeri i mirë, i dashur dhe i respektuar, që e donte shumë lirinë, por që nuk arriti dot ta prekë atë i mbajtur fort nga kthetrat e Malandrinos.

“Mjerë ai shqiptar që plekset në burgje e Greqisë. Gjithçka pret në burgje. I kam parë shqiptarët në qelitë e burgut grek”, thotë Kastriot Kolndreu.

“Kryegardiani Cironi ishte ai që krijonte me dëshirë provokime me  të burgosurit. Nëse do të kisha mundësi do të merrja hak për Kudretin, vëllanë tonë”, shton djaloshi nga Bajkaj, Flaurent Gjoça.

Juve keni qenë bashkëvuajtës me Kudretin, si e keni njohur atë dhe duke u nisur nga akti që ka kryer ai çfarë figure ishte Jorgo Cironi?

Për mua Jorgo Cironi ka qenë gardiani më i degjeneruar, më shpirtkeqi në Greqi. Jo vetëm kaq, ai ka qenë më provokuesi. Një ditë prej ditësh ai erdhi në dhomën tonë, atë moment isha me Mirushin, një shok imi nga Vlora dhe më mori telefonin nga dora dhe jo vetëm kaq por edhe më goditi, gjë të cilën me dhimbje dhe duke shtrënguar dhëmbët e durova. Ai donte të bënte gjithmonë heroin në burg. Ishte ai vetë që fuste telefonat në burg, se shiteshin shtrenjtë tek ne ato, 1500 euro dhe pasi i shiste, përdorte mënyrën tjetër duke u futur për t’ua gjetur ato me qëllim që të burgosurit të merrnin dënime të tjera.

Kudreti erdhi tek dhoma jonë në vitin 2012. Kur erdhi atje ka qenë një djalë i qetë dhe i urtë. I respektuar me shokët por me merakun e madh të cilin e shprehte, shpesh dashurinë për të ëmën. E kam pikë të dobët, – thoshte shpesh. Nuk di se kur do ta shoh dhe të nxjerr mallin që më gërryen shpirtin. Ai shihte hallet e tij dhe në asnjë rast nuk bëhej pjesë e sherreve, gjëra këto që ndodhin shpesh në burg. E kam njohur mirë Kudretin. Bashkë bënim stërvitje e madje bashkë e pinim edhe kafen brenda mureve të burgut.

Në dhomën tuaj vetëm shqiptarë kishte?

Jo kishte edhe grekë. Nga shqiptarët ishte me mua Kudreti, Kastrioti, Miri nga Durrësi, Mirushi nga Vlora.

Kishte tendenca urrejtjeje për gardianët Kudreti?

Jo kurrë nuk ka shprehur një gjë të tillë. Ama ia kishin nxirë jetën në burgun e Malandrinos Kudretit, aq sa shpesh herë shprehej: “U mbyta me këtë jetë. Dua të takoj sekretaren këtu në burg dhe askush nuk më lejon. Si do të shkojë kjo jetë me këtë sjellje të tyre?”

A i kish mbaruar afati i burgut Kudretit?

Në datën 6 shkurt të këtij viti afati i burgut për Kudretin kish mbaruar. E thirri në zyrë sekretarja e burgut  dhe firmosi urdhrin e lirimit me kusht. Por, në këto raste procedura vonon për një periudhë kohore 15-20 ditë. Në datën 10 shkurt firmosa edhe unë për lirimin nga burgu. Pas disa ditësh u interesova tek sekretarja nëse kishte dalë urdhri për lirimin tim. Ndërsa, ajo më thotë se urdhri për lirimin tim kishte dalë. Në atë moment më afrohet Kudreti dhe ma bëri me shenjë të interesohesha për të nëse kishte dalë urdhri i lirimit edhe për atë. Iu drejtova sekretares duke i thënë po për Kareli Ilia ka dalë urdhri i lirimit.

Fatkeqësisht, më tha sekretarja, nuk i ka dalë urdhri, prandaj i thuaj të bëjë një ankesë në gjykatë. Ia shpjegova Kudretit se çfarë duhej të bënte. Pashë se u mërzit shumë. Por edhe unë në vend që të gëzohesha për lirimin tim u pikëllova për Kudretin, aq vend kish zënë ai me sjelljen e tij në zemrën time.

Mos u mërzit,- i thashë, po shkruaj ato që kërkoi sekretarja. U ul dhe shkroi dhe pasi mbaroi desh ta dorëzonte tek sekretarja. U kërkoi gardianëve ta lejonin të dorëzonte shkresën tek sekretarja në atë kohë vjen Cironi dhe ndërsa nuk e lejoi të shkonte për të dorëzuar atë që i ishte kërkuar iu drejtua duke i thënë me një zë të lartë  – Zhduku nga sytë. Dhe këtë e bëri për të provokuar nervat e tij, ndërkohë që Kudreti nuk tentoi të kërkonte më tej.

Kaq shumë i egër në sjellje ishte ky gardian?

Shumë, i padurueshëm. Askush nga të burgosurit në Malandrino, qofshin edhe ata grekë nuk thonë asnjë fjalë të mirë për të.

Po gardianët e tjerë si silleshin?

Nuk kishin të krahasuar me të.

Ku e gjente gjithë këtë kurajo Jorgo Cironi që sillej në këtë mënyrë?

Jorgo Cironi donte të bëhej heroi i burgut dhe mirë iu bë. Më vjen keq që bashkë me veten mori edhe jetën e atij djali të mirë, që nuk duhej të kishte përfunduar kështu.

Ju kur keni dalë nga burgu?

Dy javë para se Kudreti të kryente vrasjen e Cironit.

Si e keni ndjerë veten kur morët vesh atë që ndodhi në burgun e Malandrinos?

Më ka ikur truri. Nuk e mbledh dot veten. Në çdo moment më shkon në mendje shoku im. Sinqerisht them: Nëse do të isha atje do të kisha marrë hak për Kudretin e mirë, që në asnjë rast nuk do ta heq nga mendja.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:50

Kanë jetuar bashkë për dy vite, kanë ndarë bukën, kafenë, brengën dhe hallin e madh të të qenurit pas hekurave. Kanë dalë në gjyq po bashkë dhe kanë marrë ‘vizën’ e daljes prej atij ‘ferri’ po bashkë. Mjerisht Kudreti nuk ia doli dot, ndërsa shoku i tij i ngushtë, Kastriot Kolndreu, vetëm pak ditë para se Kudreti të kryente atë akt barbar mbi gardianin që i ka urryer gjithnjë të burgosurit, ka lënë qelitë e burgut, e njëkohësisht edhe Greqinë për të mbërritur tek familja e tij, te fëmijët e tij të cilët si kishte parë prej vitesh. Ai, tashmë, gjendet në Sarandë dhe çdo çast të përditshmërisë së tij e lidh me Kudretin, me kujtimet që i mbetën nga njeriu që sipas tij, ishte përjashtim në ato ambiente: “Kudreti ishte djalë i rrallë, madje ndër njerëzit më dinjitozë që kam njohur në jetën time. Për dy vite, kemi ndarë çdo çast të jetës sonë, jo brenda, por edhe të asaj që lamë jashtë dhe na priste jashtë. Ai duhej të dilte bashkë me mua, por vetëm se iu kap një telefon, ia shtynë lirimin. Kudreti s`dinte t`i fliste keq kujt, jo më t`i merrte jetën kujt”. Kështu tregon Kastriot Kolndreu, në një lidhje telefonike me ‘Shekulli’, ndërsa shpjegon se gardiani i vrarë, Giorgios Tsironis ishte njeriu më brutal i gjithë atij burgu. Kolndreu jep detaje mbi përballjet me këtë gardian, jo vetëm të tijat personale, por edhe të të gjithë të burgosurve që përballeshin në sektorin ku shërbente greku, ndërsa tregon se Kudreti u mbajt pa të drejtë në burg, ashtu siç ishte mbajtur edhe vetë Kolndreu për dy muaj rresht. Sipas tij që të dy prisnin të liroheshin njëkohësisht, dhe tropojani i lindur në Shkodër dhe banues në Sarandë, tregon se të vetmen brengë që kishte në jetën e tij, ishte e ëma.   

Rrëfimi i mikut të Kudret Kumes

Kastriot, sa vite keni që njiheni me Kudretin dhe ku jeni njohur? 

Jemi njohur në Malandrino. Për dy vite me radhë kemi ndarë gjithçka bashkë. Kemi patur edhe një djalë tjetër nga Saranda që qëndronim gjithë kohës bashkë. Madje edhe gjyqin e fundit e patën thuajse në një kohë dhe prisnim të liroheshim në të njëjtën ditë bashkë. Mjerisht Kudreti nuk ia doli dot. E mbajtën padrejtësisht ashtu siç kishte kryer vite të tëra po padrejtësisht.

Si e njihni Kudretin dhe për aq sa e njihni ju, mund ta kryente një akt të tillë miku juaj?

Ju siguroj vetëm kaq: mbase ishte njeriu i fundit në ato ambiente që mund të kryente një akt të tillë në kushte normale. Jo vetëm se si e njoh unë, por le të pyeten të gjithë të burgosurit që e kanë njohur, gardianë e deri të drejtues të burgjeve ku ka qëndruar ai njeri, nëse del dikush që thotë një fjalë për të, atëherë ai e meritonte një akt të tillë. Kudretin, për dy vite që jetova me të kurrë se dëgjova të shante, të fyente, të bënte një veprim që s`i kishte hije një burri. Ishte dhe mbetet një ndër njerëzit më dinjitozë që kam njohur në jetën time. 

Më thatë se priste të lirohej edhe Kudreti. E dini shkakun pse nuk e liruan në kohën që ishte përcaktuar?

Po. Kemi bërë gjyqin në të njëjtën kohë dhe kishim për t`u liruar. Kudretit ia shtynë vetëm se i kishin gjetur një celular në qeli. Ata shpikin çfarë do që duan, kur duan të të mbajnë brenda. Edhe mua më mbajtën dy muaj kot, paçka se kisha për të dalë prej burgu. Është një praktikë që gjithnjë e ndjek drejtësia greke me ne shqiptarët. Ta shtyjnë afatin e lirimit dhe përgjatë kësaj periudhe të provokojnë. Ai gardiani që i mbeti në duar Kudretit, vetëm atë punë bënte. Jam i sigurt se edhe atë ditë që është përballur me Kudretin, ka qenë duke kryer të njëjtin mision. 

Me ‘mision’ do të thuash se Kudreti është provokuar nga gardiani?  

Po, jam i bindur me jetën time. Kurrë s`do të kishte ndodhur nga ai njeri diçka e tillë, nëse nuk do ishte provokuar. Di që Kudreti atë ditë ka shkuar dhe ka pyetur për ditën se kur do të lirohej. Të paktën me çfarë më kanë treguar pak shokët e mi që gjenden ende në burg. Nuk di se çfarë përgjigjeje i kanë dhënë, por di që ka fakte që është ndeshur me të në korridore. Të pyeten njerëzit se ka patur dëshmitar përplasja mes tyre në korridor. Pastaj gardiani i ka shkuar në qeli i vetëm, një akt ky që s`mund të ndodh me ligj dhe as pa ligj. Duhet të hetohet mirë ajo ngjarje, edhe pse tashmë s`ka më vlerë për jetën e mikut tim. Por jam i bindur, se ai gardian kujtdo nga ne e ka merituar për t`i mbetur në dorë, por fatkeqësisht mbeti në duart e Kudretit.   

Ti ke patur ndonjëherë përballje me këtë gardian, Kastriot? 

Po, disa herë madje. Tek shtrati im mbaja dy korniza me fotot e dy fëmijëve të mi. Disa herë vinte kontroll dhe nga inati që nuk na gjente ndonjë gjë të jashtëligjshme në dhomë më thyente kornizat. Hynte edhe nëpër dhomat e të tjerëve dhe nëse i gjente ndonjërit rroba firmato, ua merrte dhe ua hidhte në banjo. Ka bërë çfarë s`ka bërë, po ne ishim të pafuqishëm të merreshim me të, se donim të iknim prej burgu dhe mos të na shtoheshin vite, pasi ata nuk përtonin të vinin dënime të tjera me dhe pa prova. 

Kudreti, dini gjë, ka patur avokat?

Ka patur dikur por në kohën që jemi njohur bashkë kemi bërë kërkesë në gjykatë për mbrojtje nga shteti pasi nuk kishim para te paguanim. Dhe në seancat e fundit na kanë mbrojtur avokatë që na ka caktuar shteti. 

Po, për se thuhet se Kudreti i ka dhënë 60 mijë euro pikërisht këtij gardiani që më pas edhe vrau?

Jo, jo, jo. Kurrë nuk ka ndodhur ajo gjë, jo vetëm se Kudreti nuk kishte para, por edhe sikur të kishte e para një gardian s`ka fuqi të vendos në asnjë instancë dhe aq më pak ai gardian që ne na urrente për vdekje. Asnjëherë. Kjo është një gënjeshtër e madhe që nuk e di se kush e ka nxjerrë, por mbase kanë dashur të kryejnë një implikim të dyfishtë të Kudretit dhe të gardianit për të shpëtuar të tjerët.    

Pse mendoni që u hakmorën deri në vdekje me Kudretin?

Nuk mund të jap një përgjigje të saktë pasi ka shumë pikëpyetje në ato dy ngjarje. Për mua, përveç hakmarrjes kundër një shqiptari, unë dyshoj se kanë patur frikë nëse do të dëshmonte në lidhje me të vërtetën, ndonëse ranë nga skandali në skandal. Prapë e them dhe do ta them: ai njeri mund të ishte i fundit ndër ne që e meritonte. 

Gjykata liron 4 gardianët e Nigritës, “zhduket” drejtori  

Katër gardianë të burgut të Nigritës, nga gjithsej 15 të akuzuar që kishin ditën e deponimeve në hetuesi për çështjen e vrasjes nga torturat të të burgosurit shqiptar Kudret Kume, pasi kanë dëshmuar në gjykatën e qytetit Serres, janë lënë të lirë me kusht. Ky fakt vjen pas vendimit të përbashkët që kanë marrë hetuesja dhe prokurori i çështjes. Në këto kushte përfshihet ndalimi i largimit të tyre jashtë Greqisë dhe paraqitja njëherë në muaj në rajonin përkatës të policisë. Të martën dëshmojnë dy të akuzuarit e fundit, ndërsa pritet edhe dëshmia e njërit prej rojeve që ka deklaruar se në momentin që shqiptari është sjellë në burg ai ka lënë turnin. Deri tani nuk ka një thirrje në hetuesi për drejtorin e këtij institucioni i cili shfaqet në të dy videot. Mirëpo sipas të dhënave që vijnë nga burgu i Nigritas mësohet se drejtori është zëvendësuar para disa ditësh dhe se është marrë në mbrojtje, nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj tij. Emri i drejtuesit të burgut, i cili del qartë në të gjitha pamjet, është listuar nga organizata që mori përsipër sulmin me autobombë mëngjesin e 8 prillit në Athinë. Kështu, deri më tani vetëm gjashtë gardianë janë burgosur për këtë çështje, që ka shkaktuar reagime të mëdha dhe gjashtë të tjerë janë lënë të lirë me kusht deri në zhvillimin e gjyqit, ndërkohë që mesazhi i dërguar nga organizata “Zero” ka ngritur në këmbë gjithë sigurinë e Greqisë. Kjo organizatë njoftoi hakmarrje ndaj të gjithë të implikuarve në vrasjen e të burgosurit në burgun e Nigritas. /Shekulli/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 12 April 2014 18:50

Protesta e paralajmëruar për torturimin dhe vrasjen e të burgosurit shqiptar në Greqi, Ilia Kareli ka përfunduar me përleshje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit, të cilët u grumbulluan fillimisht para Piramidës marshuan më pas drejt ambasadës greke në Tiranë.

Përleshja me policinë ka ndodhur në Rrugën e Kavajës pranë ambasadës greke ku dhe parashikoje që të mblidheshin demonstruesit.

Nuk dihet ende se për çfarë arsye policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, por bëhet e ditur se forcat e sigurisë kanë shoqëruar disa nga pjesëmarrësit e demonstratës./shekulli/

 
Lajme Shqip Saturday, 12 April 2014 12:34

Mediat greke flasin për mundësinë e një hakmarrjeje ndaj gardianëve të cilët torturuan për vdekje shqiptarin Ilia Kareli. Autoritetet greke janë vënë në alarm pasi një grup kriminal i vetëquajtur “Zero Bandat” kanë marrë përsipër shpërthimin e një granate në automjetin në pronësi të gardianit G. Baradaki, ndodhur në 8 prill në qytetin Egaleos.

“Ky sulm është një akt minimal kujtese për vrasjen e të burgosurit Ilia Kareli”,  theksohet në një deklaratë të këtij grupi.

Ajo që ka shqetësuar autoritetet policore greke është kjo pjesë përmbyllëse e deklaratës:

“Paralajmërim: Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin, vrasjen në grup të Ilia Karelit quhen nga sot të shënjestruar. Njoftojmë që ata që nuk u arrestuan, se emrat e tyre janë tashmë të njohura përmes akt-akuzës por edhe nga të burgosurit. Janë në listën përfundimtare “të fshirjes”. Kudo  që të fshihen, në çdo detyrë që të ndërrojnë ta dinë që do t’i zbulojmë dhe do të bien në pritën tonë. Sa u përket gardianëve të burgosur, ata të dinë që në çdo burg apo sektori sigurie që të shkojnë do të takohen me fatin e tyre. Orët e tyre janë të numëruara”

 
Lajme Shqip Friday, 11 April 2014 12:41

Mediat greke kanë publikuar fakte të reja në lidhje me vdekjen e Ilia Karelit. Mësohet se e përditshmja “Iefimerida” ka publikuar analizat e autopsisë të kryera në laboratorin e Athinës, ku tregojnë shkaqet e vërteta të Karelit.

Mësohet se shkak kryesor që solli fundin fatal për të dënuarin shqiptar në burgjet e Greqisë, kanë qenë goditjet e forta që ka marrë në kraharor, për shkak se ai vuante nga një dëmtim në zemrës, që prej kohësh.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore greke, vdekja e Ilia Karelit është shkaktuar nga një sëmundje e mëparshme kardiake që vuante shqiptari, e shkaktuar edhe nga thyerja e kraharorit.

 Gjithashtu, mjekoligjorët grekë përjashtojnë faktin se mbi Ilia Karelin është përdorur metoda e elektroshokut, duke theksuar se vdekja i ka ardhur nga goditjet në kraharor, kjo dhe për faktin se vuante nga një sëmundje në zemër.

Gjithashtu, të nxirat në pëllëmbën e dorës së djathtë shpjegohen për faktin se kishte një plagë të vjetër.

“Gozhda ime u këput. Gardianin që i kisha dhënë 60 mijë euro që të më rregullonte tri ditë leje e vrava aksidentalisht. Kisha një lugë që e kisha bërë si thikë. Unë e qëllova për ta trembur, për ta çarë, por goditja e mori keq dhe ai vdiq. Mua tashmë do të më vrasin, s’më lënë të gjallë”.

Ilia Kareli e dinte se do ta vrisnin

Sot është publikuar edhe mesazhi që Ilia Kareli i dërgoi në telefonin celular kushëririt të tij, ditën që vrau gardianin grek, Jorgos Cironis, në burgun e Malandrinos.

Teksa vuante dënimin në burgun e Malandrinos, Kareli ka pasur edhe të tjera komunikime telefonike me kushëririn e tij, pasi sikurse thekson ai, mbante celular në qeli.

“Gozhda ime u këput. Gardianin që i kisha dhënë 60 mijë euro që të më rregullonte tri ditë leje e vrava aksidentalisht. Kisha një lugë që e kisha bërë si thikë. Unë e qëllova për ta trembur, për ta çarë, por goditja e mori keq dhe ai vdiq. Mua tashmë do të më vrasin, nuk më lënë të gjallë”.

Orët e tmerrit të Karelit

Për herë të parë dje mediat greke publikuan pamjet shokuese të filmuara nga kamerat e sigurisë në burgun Nigritas, në qelinë e të cilit i dënuari shqiptar Ilia Kareli ndërroi jetë si pasojë e torturave nga gardianët e burgut, në prani edhe të drejtorit.

Pamjet tregojnë momentin nga mbërritja e Karelit në burg, duke fiksuar edhe dy orët e gjysmë të tmerrit të torturave në dhomën “frigorifer” të burgut, si dhe vendosjen në qelinë ku ndërroi jetë. Video e publikuar nga disa media greke shfaq momentin e mbërritjes së 42-vjeçarit në burgun e Nigritas, pas transferimit nga burgu Malandrinos, ku Kareli, me emrin e vërtetë Kudret Kume, vrau një gardian.

Nga këto pamje del në pah se, dhuna vdekjeprurëse ndaj Karelit ka nisur që në burgun Malandrinos. Kjo pasi, në videon e publikuar menjëherë pas mbërritjes së Karelit në burgun Nigritas, 42-vjeçari është fotografuar nga një gardian, ku është fiksuar syri i nxirë dhe trupi i mavijosur. Mavijoset dhe të nxirat në trupin e Karelit janë shenja të një dhune të qartë, madje edhe djegiet në duart që janë deklaruar se janë kryer me elektroshok. Por, torturat kanë vijuar edhe në këtë burg.

Ajo çka bie në sy nga pamjet e kamerave të sigurisë, është fakti që transferimi i Karelit dhe procedurat e kryera ndaj tij janë bërë në prani të njerëzve të shumtë, si civilë edhe gardianë. Në video duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Madje vetë drejtori i burgut i bën me shenjë gardianëve për ta futur fillimisht Karelin në dhomën e torturave, e megjithatë, drejtori është lënë i lirë. Më tutje dalin disa oficerë trupë mëdhenj, të cilët futen në dhomën ku indikonte drejtori.

Kareli ka mbërritur në burgun e Nigritias rreth orës 16:00 të 27 prillit, është mbajtur në ambientet e korridorit të burgut, ku dhe është fotografuar, dhe nga ky moment për më shumë se dy orë është torturuar në “dhomën e frigoriferit”. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjitha lëvizjet në korridor të gardianëve, të cilët futen dhe dalin nga “dhoma e frigoriferit”. Është shfrytëzuar pikërisht kjo dhomë, për të kryer torturat makabre ndaj Karelit, për faktin se nuk monitorohet nga kamerat.

Pamjet dokumentojnë akuzat e ngritura nga Prokuroria greke për gardianët, atë të ushtrimit të dhunës me batanije të lagura. Kamerat shfaqin momentin, kur një gardian hyn në dhomën e torturave, duke tërhequr një batanije.

Pas 2 orë e gjysmë goditjesh e torturash ndaj të dënuarit shqiptar, tortura të cilat i shkaktuan vdekjen vetëm disa orë më pas, Ilia Kareli është transferuar në qeli. Kur ora shënon 18 e 30 minuta shfaqen torturuesit, të cilët tërheqin zvarrë Karelin për ta çuar në qelinë e tij. Pamjet janë të tmerrshme. Dhoma e torturave dhe qelia ndodhen në të njëjtin korridor, dhe në momentin e transferimit në qeli, duket edhe pafuqia e Karelit për të ecur vetë në këmbë, teksa mbahet nga gardianët, pa kanatjeren e zezë me të cilën erdhi në burg dhe me pantallonat që janë gati duke i rënë.

Kareli më tej është lënë në qeli i zhveshur. Pas rreth 1 ore, në 16 e 25 minuta një gardian hyn në qeli për të sjellë ushqimin, teksa Kareli dergjet i shtrirë dhe i palëvizur, ushqim të cilin i dënuari shqiptar edhe pse e kishte kërkuar, nuk mundi ta shijonte për shkak se ndërroi jetë nga dhuna makabere ndaj tij. Në fund, në mesnatë, në kamera shfaqet një barelë, e cila hyn në qelinë e Karelit, për të marrë trupin e pajetë.

 

Ngjarja vinte pak ditë, pasi i dënuari shqiptar me emrin e vërtetë Kudret Kume vrau  një nga gardianët e burgut të Melandrinos, pasi i kishte dhënë 60 mijë euro për tre ditë leje që të takonte nënën e tij të sëmurë.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 10 April 2014 12:44

Mediat greke kanë publikua një video, që tregon në të vërtet cfarë i ka ndodhur Ilia Karelit në burgun e Nigiritas. Pamjet shokuese që vërtetojnë torturat çnjerëzore që janë ushtruar mbi të burgosurin shqiptar Ilia Kareli. Kathimerini publiklon një video 5 minuta, ku duket trupi gjithë hematoma nga dhuna e madhe dhe pëllëmba e dorës e djegur.

Pas torturave Ilia Kareli dërgohet në qelinë, ngjitur me dhomën e frigoriferit ku dhe u la të vdiste. Pamjet janë siguruar nga një material filmik prej 20 orësh që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së burgut të Nigritas. 

Kamerat ishin vendosur në pozicione të ndryshme. Njëra në oborr, në momentin kur makina e policisë sjell të burgosurin në burg. E dyta në hyrjen qendrore të burgut në korridorin pikërisht jashtë dhomës së frigoriferit. Dhe e fundit brenda në qelinë ku Ilia Kareli vdiq pas torturave që zgjatën 2 orë.

 

http://www.youtube.com/watch?v=0V0zMv0CkKo#t=60

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 12:10

Giorgios Taracas, është kryegardiani i burgut të Malandrinos i cili është marrë në pyetje ditën e djeshme nga hetuesit e ngjarjeshorror të ndodhur në burgun e Nigritas në Greqi. Personi që drejton sektorin e sigurisë së brendshme në burgun ku ndodhi vrasja e vartësit të tij, akt që e kreu Kudret Kume, mësohet se ka dëshmuar për orë me radhë para prokurorëve të Serresit, ndërsa po dje në gjykatën e këtij qyteti ka nisur seanca maratonë e vleftësimit të masës së sigurisë për 15 gardianët e Nigritas, ndër ta edhe vetë kreu i këtij burgu. Referuar të dhënave që vijnë nga Greqia, bëhet me dije se është përcaktuar që deri orëve të pasdites së djeshme të përfundohej seanca e parë gjyqësore ndaj 8 prej personave që prokuroria i ka të dyshuar si të përfshirë në skandalin e drejtësisë greke, ndërsa pritet që pjesa tjetër të dëshmojnë ditën e premte. 

Seancat mësohet se janë bërë me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie, aq sa asnjë e dhënë nuk është bërë publike. Një tjetër fakt që ka bërë të mundur mbylljen e informacionit në lidhje me shqyrtimin e djeshëm gjyqësor, ka qenë edhe një grevë ditore e medies, ç`ka ka lënë krejtësisht  jashtë vëmendjes së opinionit publik ndoshta ngjarjen më të rëndë të ndodhur në dy dekada në burgjet e shtetit helen. Prokuroria ka mbledhur prova të frikshme të torturave që kanë ushtruar gardianët grekë, të cilët thuhet se me gjakun e Kumes spërkatën edhe muret e qelisë. I vetmi ndëshkim që pritet të marrin pjesa më e madhe e të dyshuarve është largimi nga puna e vrasësve. 

Dëshmia 

Në dosjen për hetimin e masakrës mbi shqiptarin e burgosur, mësohet se prokuroria e Serresit ka implikuar edhe gardianët e burgut të Malandrinos. Ka qenë raporti mjeko-ligjor i ekspertëve të cilët kanë ekzaminuar ca shenja dhune që sipas ishin kryer 9 ditë para se Kume të vritej. Për këtë fakt është ngritur dyshimi që Kume të jetë dhunuar edhe para se të ndodhte konlikti me gardianin-viktimë. Nga të dhënat që vijnë nga burgu i Malandrinos saktësohet se në të vërtet, Giorgios Taracas ka mohuar në mënyrë kategorike që të ketë ndodhur diçka e tillë në ambientet e Malandrinos, por sipas tij Kume ishte një person që bënte stërvitje nga katër orë në ditë dhe në këtë orar stërvitjeje ushtronte edhe sportin e boksit. Shefi i gardianëve të Malandrinos mësohet të ketë thënë para hetuesve të çështjes se nëse shqiptari Kareli do ishte kthyer në atë burg nuk do të kishte ndodhur kurrë ajo që ndodhi, pavarësisht krimit të rëndë që kreu me gardianin. 

Kryegardiani i Malandrinos mësohet se nuk është marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e krimit të dyfishtë, ndërsa pritet që ditën e premte të dëshmojë edhe drejtori i burgut të Nigritas, një prej urdhëruesve të masakrimit të të burgosurit shqiptar. E ndërsa nga drejtësia greke pritet të hidhet dritë mbi dhunimin deri në marrje jete të shqiptarit, nga ana e palës shqiptare ende nuk është bërë një përpjekje zyrtare për të mësuar të vërtetën e ngjarjes. Raporti mjeko-ligjor i ekspertëve tanë është depozituar në një dosje që do ta hetojë prokuroria e Fierit, ndërsa ende nuk bëhet me dije asnjë e dhënë konkrete se çfarë është konstatuar në aktin barbar që i mori jetën shtetasit tonë. Dosja mbahet nga institucioni i Mjekësisë-Ligjore ndërsa pritet që prokuroria e Fierit të nisi një kërkesë homologëve të Serresit për të mësuar disa hollësi mbi masakrën vdekjeprurëse.  

 
Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 16:00

Dy prej gardianëve të burgut të Nigritas që kanë ushtruar torturat më të rënda mbi Ilia Karelin, duke i shkaktuar edhe vdekjen, janë ish-komando të ushtrisë greke. Media greke i ka identifikuar me inicialet R.X dhe Ch. K.

Madje njëri prej tyre ka shkaktuar dhe frakturën në kraharorin e të burgosurit që mendohet se i ka shkaktuar vdekjen.

TV Alpha ka publikuar fotot nga qelia e dhunës, ndërsa nga dëshmitë mësohet se funksionarët e burgut pasi kishin marrë Ilia Karelin, fillimisht kishin nisur ta shanin, e mallkonin më pas e kanë vijuar ta godasin. Torturat kanë zgjatur dy orë.

Në foto duket gjaku në çarçafë, dyshekë dhe në mur.

 
Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 14:15

Gezata greke “To Vima” ka publikuar një pjesë të dosjes hetimore të rojeve të burgut të cilët dyshohet se torturuan për vdekje të burgosurin shqiptar Ilia Kareli.

Në dëshmitë e dhëna nga disa prej gardianëve përshkruhen hollësitë tronditëse të skenave të torturave dhe emrat e të gjithë gardianëve, që ndodheshin atë ditë në burgun e Nigritës, përveç njërit.

“Dikush nga të 14-tët që gjuanin Karelin thirri: Ndaloni, do ta vrasim. Por asnjëri nuk e dëgjonte. Edhe ai që thirri, pas pak e qëlloi me shkelm. Në një moment, drejtori i burgut, që dëgjoi britmat e të burgosurit shqiptar, hyri në dhomë dhe pasi pa gjendjen e tij iu drejtua gardianëve duke u thënë ‘kush do që ta gjuajë, ta bëjë tani dhe të marrë përsipër përgjegjësinë, pasi nëse vdes do të humbasim shtëpitë tona’. Më pas, rojet eburgut kanë thirrur një të burgosur tjetër, i cili ka pastruar dhomën nga gjaku. Nuk ishin të shqetësuar, sepse kishin planifikuar ta çonin të nesërmen Karelin te mjeku, përveç njerit, i cili me shqetësim të madh ka shkuar menjëherë te salla e kamerave, duke e vëzhguar vazhdimisht Karelin në qelinë e tij, pasi kishte frikë se mos vdiste” thuhet ne një fragment të dosjes.

Me tej ne dosje thuhet se drejtorit të burgut i ka ardhur keq për 42-vjeçarin shqiptar dhe ka vendosur ta çojë në një qeli të mbikqyrur prej kamerave, për ta ruajtur nga sulmet e mundshme të rojeve. Sipas mediave greke tetë prej gardianëve të burgut të cilët dyshohet se kanë gisht në vdekjen e shqiptarit do të dëshmojnë në hetuesi të martën ndërsa 6 të tjerët në ditët në vijim. 

 
Lajme Shqip Saturday, 05 April 2014 13:00

“Në trupin e Kudret Kumes, i njohur si Ilia Kareli mungonte zemra”.  Pas kryerjes së autopsisë, ekspertët shqiptarë të mjekësisë ligjore kanë publikuar detaje shokuese për vrasjen e e ndodhur në burgun grek.

Mjekësia ligjore i kërkon organit të akuzës që të marrë shpjegime nga autoritete greke, se përse mungon organi i zemrës në trupin e 36-vjeçarit dhe përse në trupin e tij ka heqje të indeve në pjesën e parakrahut dhe në gishta. 

Ndërkohë që për mungesën e zemrës dyshohet se ajo mund të jetë hequr nga mjëkesia ligjore greke për autopsi edhe pse për raste të tilla ekzaminimesh specialistet nuk e marrin komplet organin e zemres. 

Ekspertët në raportin e tyre, kanë argumentuar edhe shkakun e vdekjes, i cili mendohet se ka ardhur nga dhuna e ushtruar me sende të forta. Si pasoj e kësaj dhune, ekspertët konkludojnë se Karelit i është thyer kafka, krahrori, disa brinjë që i kanë shkaktuar dëmtime në mushkri si dhe hematoma të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. 

Bazuar në këtë raport dhe ankesën e familjarëve, prokuroria e Fierit ka nisur hetimet që pritet në ditët në vazhdim të marr në pyetje edhe të afërmit me të cilët ditët e fundit Kareli ka komunikar që më pas, kjo dosje të përcillet drejt autoriteteve të drejtësisë greke. 

 

12