Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 00:04

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, sonte ka njoftuar për dorëheqjen e tij. Dorëheqja e Gashit, vjen pas protestave të vazhdueshme të studentëve, pas publikimit të lajmit se ai ka qenë autor i punimeve shkencore që janë publikuar në revista të rreme.

Kjo ishte kërkesa e parë e studentëve protestues. Ata kërkojnë edhe dorëheqjen e Këshillit Drejtues dhe kanë një sërë kërkesash tjera që kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin më të mirë të Universitetit të Prishtinës.

Gashi, në njoftimin e tij për dorëheqje që e ka bërë në lajmet qendrore të Radio Televizionit të Kosovës, ka thënë se nuk ka mundur ta përballojë gjithë këtë presion dhe se shpreson që pas tij, do të zgjedhet rektor dikush që do të punojë mirë në UP.

E pas Gashit, menjëherë ka dhënë dorëheqje edhe prorektori për mësim i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti.

NJOFTIM

I ndërgjegjshëm për situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”dhe duke mos e përjashtuar veten as nga sukseset e as nga dështimet e tij, unë Nuri Bexheti, prorektor për mesimdhënie dhe çështje të studentëve, jap dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo pozitë.

E marr këtë vendim me bindje se kjo do t’i kontribuojë para së gjithash qetësisë në Universitetin e Prishtinës dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura.

Kolegëve që tashmë e kanë marrë mandatin që të qojnë këtë institucion në zgjedhje të reja, iu uroj sukses dhe shpreh bindjen time se Universiteti I Prishtinës do t’i mbijetojë goditjeve më të ulëta që ndonjëherë janë bërë ndaj tij.

Me respekt,

Nuri Bexheti