12
 
Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 13:34

PRISHTINË – Kosova përkujton sot, në shtatëvjetorin e vdekjes, Presidentin historik e arkitektin e Pavarësisë, Ibrahim Rugovën.

Homazhet nisën në mëngjes, ndërsa ndër veprimtaritë gjatë ditës do të jenë vizitat në familjen Rugova, akademia përkujtimore nën patronazhin e Presidentes Atifete Jahjaga, dhe akademia përkujtimore e LDK-së për themeluesin e saj në 23 dhjetorin e vitit 1989.

Si lider i partisë së lindur si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, Ibrahim Rugova që para më shumë se dy dekadave hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet, duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Në 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdident i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.

Në 4 mars 2002, duke u betuar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova thoshte: “çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

Ibrahim Rugova ka lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, në Kosovë.

Në 21 janar 2006 u shua njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 08:00

Prishtinë – Marsi i vitit të ardhshëm do ta gjejë sheshin e Pavarësisë “Ibrahim Rugova” të kompletuar. Punimet për rregullimin e kësaj pjese të qendrës së Prishtinës kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Ajo që pritet t’i japë madhështinë sheshit është shtatorja e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova e cila do të vendoset mbi bazamentin përballë objektit të Parlamentit dhe Presidencës.

Për këtë është shpallur një konkurs mbarëkombëtar. Komuna e Prishtinës fton të gjithë artistët nga Kosova, Shqiperia e më gjërë të aplikojnë për skulpturën e presidentit Rugova e cila do të vendoset në sheshin e Pavarësisë.

“Dosja me kushtet e Konkursit mund të tërhiqet në Zyrën e Prokurimit të Komunës së Prishtinës deri me 21 dhjetor 2012 ose të shkarkohet nga faqja e internetit te Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosoves”, deklaron zëdhënësi i Komunës së Prishtinës.

Konkursi do të jetë i hapur deri më datë 26 dhjetor. Ajo cfarë dëshiron komuna e Prishtinës në projektin e vet për këtë shesh është një skulpturë e cila pezanton, emocionalisht fizionominë, karakterin dhe thellësine e mendimit dhe veprës së Ibrahim Rugovës.

Po kështu një shtatore në të cilën vihen në dukje elementet që shprehin vullnetin e Presidentit drejt rrugës së Pavarësisë. Sipas zyrtarëve, skulptura duhet të jetë 3 – 4 m e lartë dhe bazamenti 60 cm . Kushtet që një artist duhet të plotësojë për ta fituar tenderin , janë që punimi nuk duhet të jetë pjesëmarrës me ndonjë konkurs tjetër apo te jetë ekspozuar në veprimtari të tjera të mëparshme të këtij lloji. Shtatorja e Ibrahim Rugovës duhet te jetë e punuar enkas për këtë konkurs.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 02 December 2012 15:31

Prishtinë – Me rastin e ditëlindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugovës, kryesia e LDK-së të dielën bëri homazhe tek varri i tij si dhe vizitoi familjen e presidentit të ndjerë Rugova.

Vizitë dhe homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova, bëri dhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga, e cila vendosi kurora lulesh pranë varrit të ish-presidentit Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se presidenti Rugova kujtohet si një president i suksesshëm, i cili ka dhënë kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu pohoi se LDK do ta vazhdojë rrugën rugoviane, rrugë kjo e cila sipas tij, është e orientuar në ndërtimin e shtetit me një demokraci dhe liri të mirëfilltë.

“Sot po ia bëjmë nderimin presidentit Rugova për ditëlindjen e tij, sepse është 2 dhjetori. Ne dëshirojmë ta përkujtojmë atë si një prej presidentëve më të suksesshëm, si një prej njerëzve, që ka dhënë kontributin më të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të një figure monumentale të shtetit tonë. Me këtë tregojmë që LDK me çdo kusht do të vazhdojë rrugën rugoviane, rrugën e cila është e orientuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës, mbi baza që i ka vu presidenti Ibrahim Rugova, me një demokraci të mirëfilltë dhe mbi një liri të mirëfilltë për të gjithë qytetarët tanë”, pohoi Mustafa.

Ndërsa Sabri Hamiti tha se ky kujtim lidhet me Rugovën dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Hamiti pohoi se në piedestalet e figurave të mëdha kulturore dhe politike të këtij shekulli të shqiptarëve, hyn edhe Rugova.

“Rugova është një prej figurave të mëdha që do të kujtohet në këtë qindvjetësh. Sepse është kreatori i pavarësisë së Kosovës, pa të cilin pavarësia e Shqipërisë e 1912 është gjysmake”, tha ai. (K.P)

 
Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 21:40

Prishtinë – Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar ndriçimin e rastit të atentatit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka thënë se partia që e drejton ka përgatitur një shkresë me anë të së cilës kërkohet ndriçimi i rastit.

“LDK-ja ka kërkuar para dy ditësh me deklaratë që organet përgjegjëse, edhe prokuroritë, edhe organet e gjyqësisë, edhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, përfshirë presidentin, kryeministrin e kryeparlamentarin të përkrahin një proces dhe të marrin masa që të zbardhin të gjitha këto raste që kanë ndodhur me atentate, me tentativë-atentate, me vrasje të veprimtarëve dhe të njerëzve”, ka thënë Mustafa.

“Unë mendoj që shteti ynë do të fitojë në përkrahje të qytetarëve, do të fitojë në peshën e tij si shtet ligjor, në qoftë se arrin që të ndriçojë të gjitha këto raste, sepse ndriçimi i këtyre rasteve nuk ka të bëjë vetëm me LDK-në, por ka të bëjë me qytetarët, ka të bëjë me besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:19

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë e pluralizmit politik kosovar, e themeluar më 23 dhjetor 1989 nga Presidenti historik Ibrahim Rugova si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci, po shënon 22-vjetorin e themelimit në komuna, duke theksuar reformat, ndërkohë që në një Kuvend në këtë muaj marsi miratoi Programin Politik, si dhe Statutin e ri.

“LDK-ja do të zhvillojë reformat për hapje ndaj të rinjve, për t’u ballafaquar me sfidat e zhvillimit, shtetndërtimit dhe integrimeve evropiane”, theksoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cil gjatë ditës së djeshme mori pjesë në tubimet me rastin e  22 vjetorit të themelimit të degëve të partisë në Podujevë dhe në Lipjan.

Në Podujevë, Mustafa është pritur me fishkëllima nga një pjesë e pjësëmarrësve në tubim, për të cilët media raportoi se ishin përkrahës të ish-kryetarit të LDK-së e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i cili mbrëmë deklaroi në një televizion se nuk ishte ftuar në festën e degës së partisë në komunën e vendlindjes së tij.

“Këto reforma nuk u pelqejnë të gjithëve, ka edhe nga ju që nuk ju pëlqejnë, por u pelqejnë shumicës se anëtarësisë, janë në dobi të demokracisë dhe të zhvillimit të Kosovës”, u është përgjigjur Mustafa fërshëllimave të dëgjuara në sallën e tubimit të LDK në Podujevë.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, është lideri i tretë në historikun e partisë, i zgjedhur në kuvendin e nëntorit të vitit 2010 në garën me pasuesin e Rugovës, kryetarin e deriatëhershëm, Fatmir Sejdiun, i cili pastaj u shpall në kuvend kryetar nderi.

Në ndonjë media spekulohet për një “përçarje të re” në LDK, duke përkujtuar Kuvendin e Gjashtë, pas vdekjes së Rugovës, kur ish-kryeparlamentari Nexhat Daci, pasi u mund nga Sejdiu në garën për kryetar të partisë, nga fraksioni i vet formoi partinë e re Lidhjen Demokratike të Dardanisë, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk e kaloi pragun zgjedhor dhe mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës.

Edhe figura të tjera të LDK-së , që më herët a më vonë kanë formuar parti të tjera, si Bujar Bukoshi apo Edita Tahiri  kanë mbetur jashtë Kuvendit të zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
LDK në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 27 vende deputetësh në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 20:15

Prishtinë-Në kryeqytetin e Kosovës nisi të premten ndërtimi i Sheshit të Pavarësisë, i cili mban emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Investimi rreth 4 milionë euro në një sipërfaqe prej rreth 13 mijë metra katrorë pritet që brenda 150 ditëve të ndryshojë pamjen e kësaj hapësire që ndodhet përballë institucioneve kryesore të Kosovës, si Kryeministrisë, Kuvendit dhe Presidencës.

“Rreth 4 mijë metra katror do të jenë sipërfaqe të gjelbëruara, do të ketë mjaft shumë fidanë dhe pjesë të cilat ne do t’i gjelbërojmë. Kështu që do të plotësojmë të gjitha kushtet për fëmijë për pleq dhe për qytetarët”, deklaroi kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Përveç kësaj, parashikohet që të bëhet edhe nivelimi i sipërfaqes ku është e vendosur shtatorja e Skënderbeut, dhe ndërtimi i tualeteve publike që mungojnë në Prishtinë.

Ndërsa, në sheshin “Nëna Terezë” sot ishte edhe një zhvillim tjetër, organizata Doën Sindrom Kosova, organizoi një marsh solidar me fëmijët që kanë këtë sindrom.

Ky marsh dhe aktivitete tjera që do vazhdojnë kanë për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për këtë kategori të fëmijëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 14:30

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka premtuar të shtunën se do t’i ndërrojë simbolet shtetërore të Kosovës sapo të vijë në pushtet partia që ai e drejton, dhe në vend të tyre do t’i sjellë simbolet e propozuara nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Largimin e flamurit dhe himnit shtetëror, që konsiderohen si simbole të sjella nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së ka thënë se do ta bëjë në pajtim me të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe minoritarët.

“Vlerësojmë qind për qind se do të vijmë në pushtet dhe atëherë ne do të zhvillojmë procedura qind për qind demokratike, në mënyrë që flamuri i ardhshëm i Kosovës të jetë flamuri i Dardanisë dhe himni i ardhshëm të jetë himni i Ibrahim Rugovës, por jo me procedura jodemokratike. Nëse pajtohen të gjithë qytetarët e Kosovës, natyrisht kjo kërkon edhe pajtimin e minoriteteve, edhe pëlqimin e faktorëve që na kanë ndihmuar, ne do ta bëjmë me një procedurë të rregullt demokratike. Synimi ynë është se Kosova i meriton ato simbole dhe ato të jenë simbole të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Këtë deklaratë i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka bërë pak kohë pas përfundimit të Kuvendit të Punës, ku anëtarët e LDK-së e kanë miratuar programin dhe statutin e ri të partisë.

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 12:26

Tiranë – “Ibrahim Rugova me veprën e tij, me mendjen e tij të ndritur, me përkushtimin e tij të plotë, guximin e jashtëzakonshëm, bëri të mundur që shqiptarët të vijnë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, kryelartë, kenarë, të lirë, të sigurtë në të ardhmen që meritojnë”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e emërtimit të një prej rrugëve qendrore të Tiranës “Ibrahim Rugova”.

Kryeministri theksoi se “Ibrahim Rugova është arkitekti i Kosovës së pavarur dhe sot çfarëdo nderimi të shprehim ndaj tij nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton”.

“Shprehim nderimin ndaj burrit vizionar, që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër. Presidenti Rugova është themeluesi i partisë së parë pluraliste në Ballkanin e diktaturave komuniste. Është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historinë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera europiane”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, “një seri kombesh, pas luftrave njohën ndarje dhe coptime, por historia fakton se vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash dhe mbi të gjitha se ne nxorrëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova. Nxorrëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme me rezistencën, heroizmin për liri të kombit të tyre si, Adem Jashari”.

“Sot ne nderojmë kujtimin e Presidentit Rugova në këtë rrugë dhe në një ditë të madhe në historinë e kombit shqiptar, më të madhen pas Pavarësisë së Shqipërisë, por ndoshta dhe ditën më të ndritshme në tërë historinë e shqiptarëve që nga luftrat e Skëndërbeut deri sot, ditën e Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha,  i cili shtoi se “Pavarësia u arrit, u ndërtua mbi gjakun, flijimin e jetëve të sakrifikuara të qindra e mijëra shqiptarëve në Kosovë gjatë këtij shekulli, që u arrit me forcën, ngadhënjimin, triumfin e ideve të Ibrahim Rugovës, pavarësia që i bëri të lirë shqiptarët kudo që ndodhen”.

“Ne nderojmë sot Presidentin Rugova, këtë vizionar të pashembullt të kombit tonë në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj dhe një herë do të përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së Pavarur”, përfundoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 08:00

Prishtinë (PLOTESUAR, 21 Janar 13:30)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot familjen Rugova dhe bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova në lagjen Velania, në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në një bashkëbisedim me familjen, Presidentja Jahjaga tha se, “vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë”.

Këto vlera, tha ajo, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendit dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit të Parë, Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.

“Ndjejmë të gjithë dhimbje që Presidenti dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë. Ai gjithmonë ka qenë një njeri që ka rrezatuar mençuri, mirësi dhe optimizëm. Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me durimin dhe me përkushtimin e tij dhe me rrugën e proceseve demokratike për vendin e popullin tonë, trazoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi”, tha Presidentja Jahjaga.

Presidenti Rugova, u shpreh ajo, e trasoi rrugën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, e trasoi rrugën që Kosova të jetë vend i anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të.

Pas vizitës në familje, Presidentja Jahjaga bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova, në lagjen “Velania”, në Prishtinë.

Homazhe kanë bërë edhe kryeministri Hashim Thaçi, kreu i LDK-së Isa Mustafa, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, kreu i AKR-së, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe kreu i LDD-së Nexhat Daci.

*************************

Prishtinë -Kosova kujton sot Presidentin historik, liderin arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova, në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta. Nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, rreth mesditës do mbahet Akademi Përkujtimore, pasi më parë ajo viziton Familjen Rugova dhe bën homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova.

Akademi përkujtimore do mbajë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti e themeluar nga Rugova para mëse dy dekadash. Kjo parti dhe të tjera, delegacione dhe qytetarë, do bëjnë po ashtu homazhe.

I lindur,  më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova që para më se dy dekadave hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,  më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lidri i Lidhjen Demokratike të Kosvës, e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdident i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.

Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inaguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacioanle të pasluftës, Rugova thoshte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?'”.

Pavarësia  e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, tha shumë prerë  Ibrahim Rugova më  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Më 21 janar 2006, u shua njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmës për Kosovën shtet euroatlantik. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 13:15

Tiranë- Përveç buxhetit të Tiranës, Këshilli Bashkiak shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e fundit të këtij viti shtatë projekte të  reja të kryebashkiakut Lulzim Basha, që kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende punë,  për të  ndërtuar një Tiranë moderne europiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit, përfshirë dhe zërin e qytetarëve në qeverisje.

Një ndër këto vendime ishte edhe vendimi për emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës.

Vendimi ka të bëjë me rrugën ekzistuese në zonën e ish-Bllokut, e njohur aktualisht si rruga “Dëshmorët e katër shkurtit”. Kjo rrugë do të njihet tashmë me emrin e Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ibrahim Rugova, i cilësuar si Gandhi i Ballkanit. (LajmeShqip.com)

12