Lajme Shqip Saturday, 01 February 2014 14:09

Nuk është arritur marrëveshje në mes të përfaqësuesve të Parlamentit Studentor (PS) dhe përfaqësuesve të Këshillit organizativ të protestave të studentëve që kanë filluar ditë më parë. 

Ata kanë dalë nga takimi që kanë zhvilluar të premten, me të njëjta qëndrime me të cilat kishin hyrë në takim. 

Qëndrimet e tyre dallojnë në një pikë. Parlamenti Studentor do që të presë vendimet e Komisionit që të martën është themeluar nga Senati i UP-së, e i cili do të merret me shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik i UP-së, kurse protestuesit duan dorëheqjen e menjëhershme të rektorit Ibrahim Gashi. Ata kanë paralajmëruar vazhdim të protestave. /Koha/

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 10:51

Prishtinë- Studentët e Universitetit të Prishtinës vazhdojnë me bllokimin e Rektoratit. Ashtu si edhe dje, studentët bëjnë të ditur se protesta e tyre nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave.

Përmes një deklarate nga Klubi Politik i Studentëve, “Lëvizja Studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim”, Studentët e Ulqinit në Universitetin e Prishtinës, studentët kërkojnë dorëheqjen e mënjëhershme të Rektorit, Ibrahim Gashi, “sepse rektori duhet të ndalojë publikimet shkencore në revista të rrejshme e jo të publikojë rrejshëm punime shkencore”.
Ata kërkojnë fillimin e mënjëhershëm të hetimeve, “rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës dhe ngritjen e një mekanizmi për verifikimin e të gjithë titujve akademikë, sepse duhet të ndalen turbotitujt shkencorë e plagjiatet me pagesë, përmes një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije”.
Ata kërkojnë “Largimin e ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, sepse duhet të kemi Universitet të studentëve e jo Universitet të pushtetarëve.”
Përmes deklaratës, ata u bëjnë thirrje studentëve të të gjithë fakulteteve të bashkohen. “Universiteti është e ardhmja, të ardhmen e bëjmë ne sot. Ta bëjmë Universitetin insitucion të dijes e t’i kthejmë dinjitetin. Vatrës së dijes, t’i japim kuptim e arsyeshmëri, universitet ku studiohet, ku ka libra e jo skripta. Ka profesorë me diplomë e jo diplomë pa profesor. Ka mensë që të ushqen e jo që të mbush barkun. Ka punime shkencore e jo punime pa shkencë. Ka studentë që ngrenë zërin e jo servilë të qëllimshëm e të pa vesh”, përfundon deklarata, raporton Shqiptarja.
Dje,  27 studentë u arrestuan nga Policia e Prishtinës, pas protestës para Rektorarit të UP-së.  Sipas njoftimit të Lëvizjes Studentore, gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestën, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës përdorën dhunë të shfrenuar mbi studentët protestues. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 11:06

(E plotësuar) – Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florije Ahmeti, i tha Koha. net se gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e Rektoratit të UP-së, policia ka arrestuar 25 studentë protestues. Ajo nuk sqaroi se çfarë veprimesh të mëtejshme do të merren ndaj të arrestuarve, por njoftoi për dy policë të lënduar. Ajo paralajmëroi se ndërkohë Policia do të prononcohet përmes një komunikate për atë që ka ndodhur sot gjatë aksionit për zhbllokimin e Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”. 

 

Policia arsyeton ndërhyrjen

 

 Policia e Kosovës përmes një kumtese për media ka njoftuar lidhur me zhvillimin e protestës së studentëve para Rektoratit të UP-së. Në kumtesë policia thekson gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta, policia ka monitoruar rrjedhën e saj dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimit policor, duke kërkuar nga protestuesit që të lirojnë hapësirën të cilën e kishin bllokuar, me qëllim që të krijohen rrethana të përshtatshme për punë në Rektorat.“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që ka marrë kërkesën nga ana e Rektoratit të UP-së për t’u mundësuar hyrjen në ndërtesë si dhe për t’u krijuar rrethana optimale për punë. Përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit policor, protestuesit nuk kanë përfillur zyrtarët policorë dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policorë që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre. Megjithatë policia, me qëllim të neutralizimit të një situate të tillë, ka bërë një reagim duarthatë, edhe pse rezistenca e protestuesve ka qenë shumë e shprehur”, thuhet në komunikatë.

Policia njofton se ka shoqëruar në stacionin policor 27 persona, ndaj të cilëve ka filluar procedura hetimore. Sipas Policisë, një nga këta persona (femër) ka kërkuar ndihmën mjekësore dhe ajo i është ofruar.

Ndërkaq, përgjatë reagimit edhe dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

“Aktualisht policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje. Ndërkohë që protesta po vazhdon ende jashtë hapësirës së Rektoratit të UP-së, policia po monitoron rrjedhën e situatës”, bën të ditur Policia e Kosovës./koha/

 

Studentët bllokojnë Rektoratin. Kërkojnë dorëheqjen e Gashit

 

Prishtinë- Që nga orët e hershme të mëngjesit, dhjetëra student kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi si dhe kanë një sërë kërkesash tjera, ndër to, edhe largimin e ndikimit të pushtetit në UP.

Studentët mbajnë në duar parulla si “UPrish”, “Ibrahim HUP”, etjerë.

Ndërkohë, raportohet se aty po qëndrojnë edhe forca policore. Policia ka kërkuar nga studentët që të lirojnë dyert e Rektoratit./LajmeShqip/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 October 2013 11:42

Prishtinë-Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ka marrë pjesë në një tubim elektoral të PDK-së, të mbajtur në fshatin Llapushnik të Drenasit, të hënën në mbrëmje.

Gashi është deklaruar të ketë dhënë dorëheqje nga AKR-ja e Behxhet Pacollit para se të zgjidhej në krye të UP-së, vitin e kaluar, shkruan Koha Ditore.

Por të hënën në mbrëmje ai ka qëndruar në “ballë të oxhakut”, në një odë në fshatin Llapushnik, përkrah liderit të PDK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Në tubim kanë qenë edhe deputetët Azem Syla, Ramiz Lladrovci e Blerta Deliu.

Rektori i UP-së, Ibrahim Gashi në një prononcim për “Kohën Ditore” ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë tubim elektoral të kryeministrit Thaçi, por është arsyetuar se këtë e ka bërë për faktin se si qytetar i Llapushnikut ka lobuar për ndërtimin e një mbikalimi në këtë lagje. /Koha Ditore/

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 October 2013 11:18

Prishtinë- Rektori Ibrahim Gashi ka shfrytëzuar konkursin e fundit, të shpallur nga universiteti që drejton, për t’u avancuar në thirrje të lartë akademike, atë të “Profesorit të rregullt”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shumica e punimeve shkencore, që i janë njohur si kontribut për të marrë këtë thirrje, nuk e kanë Gashin për autor kryesor, janë jo relevante për lëndën, por edhe janë publikuar në një revistë shkencore të Indisë, që dyshohet të jetë e rreme, shkruan gazeta.

Statusi i UP-së kërkon që për titullin e “Profesorit të rregullt” të njësisë akademike kandidati duhet të ketë edhe një numër të rëndësishëm të monografive , teksteve mësimore dhe publikimeve të rishqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike me “më së paku 5 punime kryesore të publikuar edhe të shqyrtuar në revistat shkencore ose artistike ndërkombëtare”.