Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 20:01

Elseid Hysaj ka marrë ftesën nga përfaqësuesja shqiptare e futbollit për ndeshjen miqësore që do të luhet në Tiranë në muajin shkurt kundër Gjeorgjisë. Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti nëpërmjet Facebook duke bërë të ditur se do të jetë mes kuqezinjve për këtë sfidë.

Hysaj është një nga zbulimet më interesante të Serisë B në Itali. Mbrojtësi që mbush 19 vjeç në fillimin e shkurti, është bërë pjesë e skuadrës së parë të Empolit që në sezonin e kaluar, por arriti të aktivizohej vetëm në një ndeshje të Kupës së Italisë ndaj Fiorentinës. Në këtë sezon, me Empolin që gjendej pranë fundit të tabelës së klasifikimit, trajneri Mauricio Sarri vendos të aktivizojë futbollistin shqiptar në mbrojtje dhe rezultatet janë mbresëlënëse pasi ai shkëlqen që në ndeshjen e parë ndaj Virtus Lançiano.

Që nga ai moment, Hysaj nuk doli më nga formacioni titullar i Empolit, skuadër e cila në 13 ndeshjet që është aktivizuar mbrojtësi shqiptar, ka fituar 9, ka barazuar 3 dhe ka humbur vetëm 1, ndërsa Hysaj në shumë prej këtyre ndeshjeve ka merituar nota shumë të larta nga shtypi sportiv italian. Kjo skuadër tashmë renditet në vendin e 5-të në renditjene Serisë B, duke u kthyer në një pretendonte për kalimin në Serinë A në sezonin e ardhshëm.

Në një situatë të tillë, trajneri De Biasi ka shkuar shpesh për ta ndjekur në stadium mbrojtësin shkodran, ndërsa prej kohësh po planifikonte që ta afronte atë me ekipin e parë, ndaj ftesa që i ka mbërritur atij ditën e djeshme është thjesht një konfirmim se ky talent i futbollit shqiptar është tashmë gati të japë kontributin e tij për kombëtaren kuqezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 13:01

Elseid Hysaj është talenti më i fundit shqiptar që po shkëlqen në kampionatin italian të futbollit. Mbrojtësi shkodran, ish-futbollist i kombëtares U-17, ka debutuar vetëm dy javë më parë në Serinë B, por që atëherë nuk ka dalë me nga formacioni i skuadrës së Empolit.

I aktivizuar në minutat e fundit të ndeshjes kundër Lançiano,  kur rezultati ishte 3-0, mbrojtësi 18 vjeçar ka fituar besimin e trajnerit Mauricio Sarri, i cili e ka aktivizuar si titullar në tre ndeshjet e radhës, kundër Modena, Bari dhe Pro Verçeli. Në total kanë qenë katër fitore për skuadrën e Empolit, që është ngjitur nga vendet e fundit në klasifikim në mesin e tabelës, ndërsa lojtari shqiptar tashmë është bërë pjesë e pandashme e formacionit titullar.

Vlerësimet për futbollistin nuk kanë munguar dhe që tani Hysaj shihet si një mbrojtës me të ardhme të sigurt. Për lojtarin është interesuar shpesh Lacio, falë Igli Tares që dëshiron ta ketë afër atë, por Empoli ka refuzuar ofertën e kryeqytetasve që dy vite më parë, duke vendosur të mbajë lojtarin që e sheh si një investim të sigurt.

Për LajmeShqip, vetë futbollisti ka treguar këtë eksperiencë të këndshme që po kalon dhe debutimin në futbollin profesionist. “Kam luajtur edhe në sezonin e kaluar në Kupën e Italisë ndaj Firoentinës, por tani kam mundësinë të luaj me rregullisht me ekipin e parë. Padyshim që jam i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë. Kombëtarja? Nuk e fsheh që pres një ftesë nga përfaqësuesja, pasi fakti që aktivizohem në Serinë B në Itali do të thotë se mund të jem i vlefshëm për kombëtaren shqiptare”, u shpreh Hysaj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 11:08

Akademitë e skuadrave të kampionatit italian kanë në përbërjen e tyre shumë futbollistë shqiptarë. Për momentin,  talentet më të përmendur nga specialistët e futbollit në Itali janë lojtarët 18 vjeçarë të Empolit, mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Elvis Kabashi. Për ta ka patur interesim të vazhdueshëm nga klubet më të njohura italiane që i mbajnë nën vëzhgim ndërsa pritet që së shpejti të jenë titullarë në radhët e skuadrës që militon në Serinë B.

Mbrojtësi Hysaj, i aktivizuar edhe me kombëtaren U-17 të Shqipërisë, shihet nga drejtuesit e Empolit si një prej futbollistëve më premtues të akademisë. Jo rastësisht, ai tani është tani pjesë e ekipit të parë të kësaj skuadre dhe ka qenë shpesh në stolin e rezervave në Serinë B.

Debutimi i tij me ekipin e parë ka ardhur në ndeshjen e Kupës së Italisë ku luajti për 90 minuta si titullar ndaj Fiorentinës duke bërë një paraqitje të kënaqshme. Për lojtarin ka patur oferta nga skuadra të rëndësishme në Itali, mes të cilave edhe Lacio, por deri tani, Empoli ka refuzuar çdo ofertë pasi sheh te ai një lojtar me të ardhme.

Ndërkohë, mesfushori Kabashi është bërë pjesë e ekipit të rinjve vetëm gjatë këtij sezoni. Për të, gjatë ditëve të fundit është folur për një interesim nga ana e Juventusit por presidenti i skuadrës toskane nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Megjithatë, ai ka saktësuar se për Kabashin ka interesim nga disa prej klubeve më të njohura në Itali.

“E dimë që lojtari ndiqet nga klube të një rëndësie të veçantë. Ne, te Empoli, nuk jemi mësuar të shesim lojtarë kaq të rinj, pasi zakonisht i aktivizojmë për një sezon me ekipin e parë. Kabashi është i ri por mund t’i jepet mundësia të debutojë në Serinë B këtë sezon”, ishin fjalët e Foskit, presidentit të Empolit.

Dy lojtarët ndiqen me vëmendje nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe këtë sezon pritet të aktivizohen me Kombëtaren U-19, e cila drejtohet nga Foto Strakosha. (LajmeShqip.com)