12
 
Lajme Shqip Thursday, 16 January 2014 17:00

Parlamenti Evropian ka votuar rezolutën për Kosovën, e cila ka dalë në bazë të raportit vjetor të raportueses Ulrike Lunacek. Parlamenti ka votuar me 485 vota për dhe 94 kundër.

Lunacek ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian është duke penguar zhvillimin e Kosovës, ndërsa kosovarëve ua krijon ndjenjën se janë qytetarë të klasës së dytë, transmeton Rel.

Rezoluta bën ftesë që të bëhet më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nga Kosova po ashtu kërkohet që sa më shpejt të miratojë reformën zgjedhore./koha/

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:48

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme po e kërkon me ngulm fundin e UNMIK-ut.

Ministri Enver Hoxhaj ka thënë në një prononcim për gazetën Tribuna se prezenca e UNMIK-ut dhe Rezoluta 1244 janë duke e rënduar procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gazeta ka raportuar një ditë më parë se institucionet e Kosovës po i druhen pamundësisë së ndryshimit të Rezolutës 1244 dhe përfundimit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, duke bërë kështu që vendi të mbetet në një protektorat të vazhdueshëm edhe pas më shumë së pesë vjet prej shpalljes së pavarësisë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 13:06

Prishtinë – Në një bisedë për gazetën austriake me renome, “Tiroler Tageszeitung”, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vlerësuar përpjekjet diplomatike si dhe zhvillimet e fundit në raport me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë bisedës, ministri Hoxhaj ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel si dhe avancimi i agjendës evropiane, janë çështje që nuk duhet të vihen në pikëpyetje, duke e konsideruar vendimtare për rrugën evropiane të rajonit, progresin që është arritur deri më tani në Bruksel.

Në artikullin analitik të “Tiroler Tageszeitung”, që e transmetojnë mediat shqiptare,  flitet edhe për përpjekjen e dështuar të javës së kaluar të Beogradit për të bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar këtë hap të Serbisë, si një shkelje të marrëveshjes.

Në artikull theksohet se kjo qoi në anulimin e samitit të krerëve të shteteve.

“Kjo dëshmoi se Serbia duhet të vetëdijesohet se nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal pa Kosovën”, ka thënë ministri Hoxhaj, lidhur me këto zhvillime.

Ndërkaq, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, dhe disa paralajmërime për radikalizim të situatës, Hoxhaj ka thënës se “200, 300 njerëz të involvuar në krimin e organizuar, tani po përpiqen të krijojnë probleme”.

Shefi i diplomacisë kosovare po ashtu ka theksuar se Serbia duhet të heq dorë nga strukturat e saj ilegale paralele në veri të Kosovës, dhe të përmbush marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Pa implementimin e marrëveshjes, Serbia nuk duhet të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Hoxhaj.

Duke iu referuar konfuzionit të javës së kaluar, ministri Hoxhaj ka theksuar se në muajt e kaluar është ndërtuar një mirëbesim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se është në interes të Serbisë që të mos përpiqet të bllokojë proceset e mëtejshme dhe agjendën integruese evropiane të rajonit.

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 22:47

Përderisa Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, Spanja nuk do ta bëjë këtë.

Kështu thotë Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Garcia – Margallo gjatë një vizite në Bukuresht.

“Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm derisa Serbia nuk do ta bëjë këtë”, tha Margallo.Ai ka thënë se me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të njihej shkelja e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejta kushtetuese e Jugosllavisë.

Garcia Margallo ka pohuar se Spanja dëshiron të mbajë raporte me Beogradin dhe Prishtinën, në mënyrë që të dy palët të dakordohen për marrëdhëniet e tyre tregëtare dhe administrative, por duke mos kaluar linjat e kuqe të shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Titus Korlacean ka thënë se marrëveshja është e dobishme për rajonin e Ballkanit dhe të ardhmen europiane.

Një ditë më herët në Rumani ka qëndruar Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivan Mrkic, i cili ka falënderuar Bukureshtin që nuk po e njeh Kosovën.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 21:27

Gjatë qëndrimit  në Sofje, ku po qëndron me ftesë të kryeministrit të Bullgarisë, Marin Rajkov, Thaçi  komentoi se pret që së shpejti pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë, sepse, siç tha ai, janë po këto shtete të cilat e kanë mbështetur planin e Ahtisaarit mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës.

Thaçi tha se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është mesazh i qartë i njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Ai mori mbështetje të fuqishme nga homologu i tij ndaj integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Të dy kryeministrat u pajtuan që shumë shpejtë të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ku Bullgaria do ta ndihmojë Kosovën në agjendën e saj Evropiane.

“Pesë vendet e Bashkimit Evropian shumë shpejtë do të lëvizin drejtë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Po këto vende e kanë mbështetur dhe përkrahur planin e Ahtisaarit mbi të cilën Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, pas takimit me homologun e tij në një konferencë të organizuar për gazetarë, tha se e ka informuar kryeministrin bullgar rreth progresit që ka shënuar Kosova, në të gjitha fushat. Thaçi tha se ka marrë mbështetje të fuqishme nga autoritetet në Bullgari, që ky shtet ta mbështes Kosovën.

Ndërsa, Raykov tha se Bullgaria do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane. Ai tha se me kryeministrin Thaçi kanë diskutuar rreth forcimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, të cilat janë me interes për të dyja vendet.

Raykov duke folur rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tha se me këtë marrëveshje u sigurohet e ardhmja evropiane të dyja vendeve.

“Ne do ta mbështesim fuqishëm Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ne, po ashtu, shpresojmë që Kosova në qershor të nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim Asocim ku i hap rrugë Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Ne u pajtuam që të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi ku Bullgaria do ta ndihmojë Kosovën drejt agjendës së saj evropiane. Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ju siguron të dyja shteteve rrugën e qartë dhe të sigurt në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon”, tha ai.

Pas këtij takimi, kryeministri Thaçi, është pritur nga presidenti i Bullgarisë Rosen Plev Neliev, ku edhe nga ky i fundit ka marrë mbështetje të fuqishme që Bullgaria ta ndihmojë Kosovën në fushën e integrimeve evropiane. 

 
Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 11:59

BEOGRAD – Sllovakia do ta njohë Kosovën pasi Prishtina dhe Beogradi të nënshkruajnë marrëveshje për normalizimin e raporteve, thotë ish-kryeministrja Iveta Radiçova.

Në një intervistë për të përditshmen beogradase “Blic”, shefja e qeverisë sllovake deri në vitin 2012, thotë se edhe pse nuk mund të flasë në emër të qeverisë aktuale, ajo beson që “kur të normalizohen raportet, nuk ka arsye pse Sllovakia të mos e mbështesë Serbinë dhe Kosovën si dy shtete të pavarura”.

Ajo ka theksuar se shefi i diplomacisë sllovake Mirosllav Lajçak, ka bërë shumë për këtë çështje dhe se është gati të ndihmojë dy vendet për të ecur para.

“Qëndrimi i Sllovakisë është që do të njohë Kosovën, kur Beogradi dhe Prishtina nënshkruajnë marrëveshje”, -thotë ish-kryeministrja sllovake, Iveta Radiçova.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 14:32

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka raportuar gjerë e gjatë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka thënë se shumë shpejt do të kemi njohje të reja nga shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Duke raportuar për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hoxhaj ka thënë se brenda tre muajve do në na njohin 5 deri në 7 shtete.

Ai po ashtu ka thënë se i dinë edhe datat se kur do t’i vijnë shtetit të Kosovës këto njohje, megjithatë nuk ka dashur të tregojë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 08:32

PRISHTINË – Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Jashtëm i Pakistanit, Malik Amad Khan, nënshkruarn sot në Prishtinë marrëveshjen zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Ministri Hoxhaj dhe ministri Khan vlerësuan lart këtë hap, duke shprehur vullnetin e dy vendeve për intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, bën të ditur MPJ e Kosovës.

Ministri pakistanez, Malik Amad Khan, duke shprehur kënaqësinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, theksoi vullnetin e Pakistanit për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha me Republikën e Kosovës, duke vlerësuar lart rëndësinë që kanë për këtë vend marrëdhëniet me Kosovën. “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të rëndësishme. Pakistani është një vend që mund ta ndihmojë shumë Kosovën, por edhe lidhjet e mira që ka Kosova me shumë vende, do të ishin të dobishme për Pakistanin”, tha ministri pakistanez.

I pyetur nga gazetarët rreth lobimit që Pakistani mund të bëjë për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës nga vendet islamike, Khan, tha se Pakistani do të bëjë më të mirën e mundshme në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj falenderoi homologun pakistanez për vendimin që Qeveria pakistaneze mori dhjetorin e vitit të kaluar për ta njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. “Ky ka qënë një lajm i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, por dhe për politikën ndërkombëtare, pasi Pakistani është një shtet dhe fuqi rajonale, me peshë politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike”, tha ministri Hoxhaj.

Ai po ashtu vlerësoi kontributin dhe përkrahjen e Pakistanit për Kosovën në anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ministri Hoxhaj po ashtu bëri të ditur se me ministrin Khan diskutoi dhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtar e arsimor. Në një të ardhme të afërt, tha Hoxhaj, mendojmë që në Islamabad apo në Prishtinë të organizojmë një forum ekonomik, i cili do të sjellë, ndër të tjera, përfaqësues të biznesit, që mund të investojnë në Kosovë apo edhe anasjelltas.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 12:24

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka pranuar një letër nga Ministri i Punëve të Jashtme të Timorit Lindor, Jose Luis Guterres, përmes së cilës ky shtet njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“I nderuari Ministër Hoxhaj, shpreh mirënjohjen për vizitën tuaj në Timorin Lindor me 15 shtator, ku ne kemi diskutuar çështjet e interesit të përbashkët. Timori Lindor ndan eksperienca të përbashkëta dhe solidarizohet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës. Kam nderin që t’u përcjell juve, dhe përmes juve Qeverisë së Kosovës, se Qeveria Demokratike e Timorit Lindor njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Me këtë njohje formale është dëshira ime që Timori dhe Kosova mund të lidhin marrëdhënie diplomatike sa më parë”, thuhet në letrën dërguar Ministrit Hoxhaj.

Në këtë letër po ashtu thuhet se Timori Lindor shpreh urimet e përzemërta popullit të Kosovës për progresin e arritur.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj me 15 shtator ka vizituar Timorin Lindor, ku ishte pritur nga përfaqësues të lartë të këtij shteti.

Gjatë takimeve të ndryshme edhe në Fiji dhe New York, Ministri Hoxhaj kishte marr mbështetjen e këtij shteti për të njohur pavarësinë e Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 18:30

Kosovë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim, një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili ka vizituar këto ditë Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit me delegacionin e kryesuar nga Sheik Ahmed Bin Tahnoon Alnahayan, ministri Hoxhaj ka njoftuar  përfaqësuesit nga Emirateve të Bashkuara Arabe, për progresin e vazhdueshëm që po ndodh në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë.

Hoxhaj ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen që i kanë ofruar Kosovës, duke filluar që nga njohja e shtetit tonë, vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

Në anën tjetër, Sheik Ahmed Bin Tahnoon Alnahayan, kryesues i delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shprehur vlerësimet e shtetit të tij për progresin që po ndodhë në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e gjithanshme të Emirateve për shtetin e Kosovës.(LajmeShqip.com)

12