Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 16:44

Prishtinë  – Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar takim për ditën e hënë ku pritet të raportojë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, lidhur me “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje”, dhe për dorëheqjen e Shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, Lulëzim Pecit.

Kjo sipas televizionit publik është konfirmuar edhe nga kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, i cili sqaron se takimi pritet të mbahet në orën 12:00.

Sipas tij, në një mbledhje ka treguar gatishmëri të jetë i pranishëm edhe Lulëzim Peci, për të sqaruar situatën e krijuar, pas dorëheqjes së tij.

Po ashtu, Albin Kurti ka shtuar se janë bërë më shumë se katër muaj, që komisioni ka kërkuar takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, por që asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Si Komision për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështetur në fushëveprimtarinë tonë dhe Planin e Programin e Punës për vitin 2013, e patëm ftuar më 11 shkurt Kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në Komisionin tonë për dialogun politik me Serbinë në Bruksel, si kryenegociator që është. Ai jo vetëm që nuk erdhi por as që u përgjigj fare. Janë bërë më shumë se katër muaj nga kjo ftesë e jona”, thuhet në njoftimin e Kurtit.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 09:20

Sgkup – Shtetet e Bashkuara shprehin përkrahjen e mëtutjesme për Kosovën, në nismen e saj për pjesëmarrje dhe anëtarësim në nismat rajonale, thotë ekzekutivi në Prishtinë.

Ministria e Jashtme e Kosovës, në një komunikatë për shtyp, shkruan se ministri Enver Hoxhaj mori këtë mbështjetje gjatë një takimi që ka zhvilluar me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker, në Shkup gjatë pjesëmarrjes në takimin ministrot të Kartës së Adriatikut.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë për përkrahjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara po japin për Kosovën, në të gjitha aspektet.

Hoxhaj shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral dhe partneritetit strategjik me SHBA-të, ndërsa e falënderoi për për kontributin e madh në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, thuhet se ka vlerësuar progresin në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për Kosovën, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Gjatë ditës në Shkup, ministri Enver Hoxhaj u takua edhe me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili ka shprehur mbështetjen e Shkupit për Prishtinën, me theks të veçantë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në nisma dhe organizata rajonale, përfshirë Kartën e Adriatikut.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 17:14

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) në Shkup, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve në këtë samit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxhaj, ka thënë se Republika e Kosovës aspiron që të jetë një eksportues i sigurisë, duke u bazuar në modelin e saj shumë të suksesshëm të shtetndërtimit.

Para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe personaliteteve të tjera të rajonit, ministri Hoxhaj ka theksuar se ky takim po mbahet afër dy ngjarjeve të rëndësishme: përvjetorit të intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllav si dhe arritjes së marrëveshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prill të këtij viti.

Duke falënderuar ambasadorin Reeker për kontributin në arritjen e marrëveshjes, ministri Hoxhaj tha se ky momentum tregon vendosmërinë për siguri dhe stabilitet ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar se marrëveshja do t’i shërbej paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë, Serbi, dhe tërë rajonin.

“Marrëveshja e arritur shënon fundin e një konflikti një shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe hap një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore. Si do që të jetë, kapitulli i ri duhet ende të shkruhet, prandaj për ne implementimi është aq i rëndësishëm sa edhe vetë nënshkrimi i marrëveshjes”, tha Hoxhaj.

Ai më tutje ka vlerësuar evoluimin e Kartës së Adriatikut, përmes mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një mekanizëm shumë të përdorshëm për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe avancuar agjendën e integrimit euroatlantik.

“Miqësia e veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe partneriteti strategjik me Gardën Kombëtare të Iowas na bën ne edhe më krenar dhe të fortë në objektivat tona euroatlantike afatgjate”, tha Hoxhaj, duke theksuar vullnetin e Republikës së Kosovës, për t’u bërë anëtar i plotë i Kartës SHBA-Adriatik.

Ai tha se Kosova ka aspirata që të bëhet një përkrahës aktiv dhe kontribuues i sigurisë kolektive.

“Nevoja për pjesëmarrjen e Kosovës në Kartën e Adriatik-SHBA, është në vijë të plotë me parimet e dyerve të hapura dhe perspektivën euroatlantike, siç është konfirmuar nga Samiti i Çikagos”, tha Hoxhaj, duke shtuar se integrimi i Kosovës në këtë mekanizëm do të shënonte përparim në sigurinë ndërkombëtare, duke e bërë rajonin eksportues të paqes dhe sigurisë.

Ministri Hoxhaj tha se për Kosovën dhe qytetarët e saj, NATO është një simbol i lirisë, shpresës dhe sigurisë kolektive.

“Prandaj, jam krenar që përfaqësoj një vend i cili ka përkrahjen më të madhe publike, mbi 95 %, për integrimet euroatlantike. Kjo është sepse populli i Kosovës beson se një rajon i sigurt do të thotë më shumë rritje ekonomike dhe siguri njerëzore”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës vlerësoi se në pesë vitet e fundit, Kosova ka dëshmuar se është e vendosur për bashkëpunim në çështje të sigurisë, në adresimin e sfidave ndër-rajonale, sigurimin e kufijve, luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar, duke veçuar bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve kosovare të sigurisë dhe trupave të NATO-s.

“Duke iu falënderuar përkrahjes së NATO-s, Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur kapacitetet e saja të plota operacionale dhe është vlerësuar në rajon si një institucion kredibil dhe i besueshëm multietnik. Forca e Sigurisë e Kosovës është institucion i ndërtuar nga NATO dhe posedon standardet më të larta të NATO-s”, tha Hoxhaj, duke shtuar se me përmbylljen e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë, pritet transformimi i mandatit të FSK-së në përputhje me nevojat dhe në bashkëpunim të plotë me partnerët.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë në shërbim të paqes dhe sigurisë kolektive”, tha Hoxhaj.

Në fund, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha para të pranishmëve se Kosova synon të ruajë sigurinë afatgjate përmes anëtarësimit në NATO dhe pjesëmarrjes aktive në mekanizma të mbrojtjes dhe misione paqeruajtëse.

“Aspiratat tona janë të drejtuara kah shndërrimi në një eksportues të sigurisë bazuar në modelin tonë të suksesshëm të shtetndërtimit”, tha Hoxhaj, duke shtuar se Kosova është tani gati të kontribuojë në zgjidhjen e krizave jashtë vendit, përbrenda operacioneve paqësore të NATO-s.

Ai po ashtu theksoi se për Kosovën, mbrojtja kolektive do të thotë edhe veprim kolektiv edhe përgjegjësi kolektive.

“Kosova mbështet plotësisht integrimin e tërë vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat e NATO-s”, tha ministri Hoxhaj, duke shprehur besimin se Samiti i radhës i NATO-s do ta gjejë Kosovën më të integruar dhe dedikuar kundrejt objektivave të përbashkëta bazuar të rezultate të prekshme.

Ky takim i Kartës së Adriatikut, me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të A5, para samitit të radhës së NATO-s”, shënon 10 vjetorin e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, promovon paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, duke qenë edhe në shërbim të proceseve integruese euroatlantike të rajonit.

Në takim kanë marr pjesë ministrat e jashtëm dhe përfaqësues të lartë politik nga vendet anëtare të Kartës së Adriatikut dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker.

 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 14:49

Prishtinë-Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministrit të jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu, pas vrasjes së 46 personave, nga disa sulme me bomba në qytetin Rejhanli të Turqisë, njofton ministria e jashtme e Kosovës.

Në telegram, Hoxhaj “ka shprehur shqetësim dhe pikëllim të thellë për këto akte të rënda”.

“Në këto momente të vështira, populli i Kosovës ndanë dhimbjen me popullin e Turqisë për personat e vrarë dhe të plagosur”, thuhet në telegramin e zotit Hoxhaj, dhe theksohet se “Republika e Kosovës u bashkohet shteteve demokratike të botës në kundërshtimin dhe dënimin e këtyre akteve, të cilat janë të papranueshme për popullin dhe qeverinë e Kosovës”.