Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 13:53

Por, a ishte vërtet mbështetës i fashizmit, siç pretendohet nga personazhe në socializëm? Është pak frikë se me gjithë cilësitë shumë të mira, duhet ende shumë e shumë punë që të vlerësohet ky rol. Z. Ndriçim Kulla ka bërë një hop të madh në studimet historike, por uz takon historianëve të kësaj periudhe të rrëfejnë të vërtetën e shumë personazheve, mes tyre dhe këtij kleriku të çuditshëm erudit.
Kur mendon se At Fishta në fund të jetës konfeson pro fashizmit, nuk është aspak habi që shumë nga klerikët iu bindën vullnetarisht fashizmit, sepse mendonin që fashizmi do ua zbuste udhën drejt grigjës së tyre, që në masë ishte e pashkolluar, e pacivilizuar dhe me shumë e shumë probleme…
…Sa më tepër që thellohesha në kërkimet për jetën dhe veprimtarinë e At Zef Valentinit, aq më e qartë bëhej kjo pikëpjekje e jetës së tij me atë të Nënë Terezës. Ishte vetëm një pjesë e ngjashmërisë së madhe të jetëve të tyre. Gjithmonë e më tepër po më krijohej ideja se biografia ime për Zef Valentinin do të duhej të ishte një libër i dyfishtë, pra një biografi për të dhe për Nënë Terezën, diçka e ngjashme me metodën që kishte përdorur Plutarku te “Jetë paralele”.
Ndër shumë gjërat e përbashkëta që kanë Nënë Tereza dhe At Zef Valentini është dhe ajo se të dy kanë qenë të anatemuar, të ndaluar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Zef Valentini akuzohej si misionar fashist. Në një libër me titull “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik”, të botuar nga propaganda e regjimit në vitin 1969, dhe që kishte për autor ish-kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Rakip Beqaj thuhet për të: “Më 1923-24 erdhi dhe punoi në Shqipëri deri në vitin 1943 prifti italian Giuseppe Valentini.
Ky qe prefekt dhe drejtor i edukatës fizike në Kolegjin Saverjan. Më vonë u bë udhëheqës shpirtëror i revistës “Leka”. Qe një ndër ideologët dhe organizatorët e jezuitëve në Shkodër. Si ky, ashtu dhe pasardhësit e tij, luftuan me të gjitha forcat që të zotëronte kudo në Shkodër, në të gjitha institucionet, fryma e respektit të çdo gjëje italiane, nënshtrimit ndaj kulturës dhe gjuhës italiane. Jo rastësisht selia e jezuitëve në Shkodër, përmes oborrit të saj lidhej me kryekonsullatën italiane në Shkodër. Gjatë pushtimit italian, Valentini u bë përfaqësonjës i kulturës fashiste në Shqipëri.
Ai ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Mustafa Krujës dhe i Ernest Koliqit. Ai u bë ndër zëdhënësit e ideologjisë fashiste në Shqipëri, sidomos në Institutin e Studimeve, që u themelua më 1940 nga Çianua dhe Jacomoni. Sot, në Itali, është miku më i ngushtë i Ernest Koliqit dhe vjell vrer kundër Shqipërisë socialiste”. (Rakip Beqaj: “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik në Shqipëri”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, vëllimi I, f. 74)
Në fakt këtu ka vetëm një të vërtetë, që At Zef Valentini kishte qenë vërtet misionari kryesor jezuit, madje katolik, në Shqipëri në kohën për të cilën flitet. Në paragrafin e mësipërm gjejmë të adresuara për Valentinin akuzat që Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist i bënë pareshtur Vatikanit, misionarëve të huaj katolikë në Shqipëri dhe vetë klerit katolik shqiptar. Akuza fare të pabaza. Të cilat rrëzohen vetëm me një fakt. Me të pushtuar fashistët Shqipërinë në 1939, u ndalua revista “LEKA” drejtor i së cilës ishte At Zef Valentini. “Nderpremja, për arsye politike qe vepër e censurës së Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës së kohës. Kjo për bindjen që kishin autoritetet italiane se revista me përmbajtjen e saj (kryesisht me serinë e dokumentave te zbuluara nga Valentini që më 1939 e që ai synonte t’i vijonte nën po atë okelio me titull “Përpjekje për lirim të Shqipërisë”-shenim i autorit), do të kishte mujtë me u dhanë shkas lëvizjeve të rezistencës. Kështu që Leka me vullnet të sa e pezulloi botimin prej 1939 deri më 1943″ (Willy Kamsi:Bibliografia “LEKA”, Botimet Franceskane, Shkodër 2008, fq 5).
Vetëm një vit më pas u ndalua “Hylli i Dritës”, revista e françeskanëve.
Zef Valentini nuk donte të ngjallte frymën e nënshtrimit ndaj gjuhës dhe kulturës italiane, ndonëse ai përpiqej që në Shqipëri të bëheshin të njohura ato gjëra të kulturës italiane që studiohen dhe çmohen në të gjithë botën. Nuk ishte faji i Zef Valentinit që lidhja e Shqipërisë me Perëndimin në shekuj, që nga koha e Romës Antike e në vazhdim, kishte ardhur nga ana tjetër e detit me Venedikun, Mbretërinë e Napolit etj. Vatikani kishte pasur këtu një rol të përhershëm. At Valentini nuk bënte gjë tjetër veçse e konfirmonte këtë me dokumentet që zbulonte si kërkues, me studimet që shkruante si historian etj. Por regjimi komunist nuk e donte orientimin perëndimor të Shqipërisë, prandaj ishte kundër kësaj që bënte At Valentini. Në kohën që propaganda e regjimit komunist shkruante gjëra të tilla, në 1969, Shqipëria ishte orientuar nga Kina komuniste.
Që akuzat e mësipërme ndaj At Valentinit janë qesharake, kuptohet edhe nga interpretimi qesharak i faktit se selia e jezuitëve në Shkodër qenkësh e lidhur me Kryekonsullatën italiane me anë të një dere anësore në oborr. Kush e njeh Shkodrën e kupton se sa naive është kjo akuzë. Në atë kohë nuk kishte shtëpi një Shkodër që nuk kishte një derë të tillë të vogël, arkapia quheshin dhe që u bënë të famshme me novelën e Migjenit “Të çelen arkapijat’!”. Imagjinoni Kryekonsullin italian në Shkodër që, kur kishte për të biseduar me At Valentinin, jepte urdhër: “Të çelet arkapia!”. Epo jezuitët dhe diplomatët fashistë në Shkodër duhet të kishin bërë diçka më sekrete, për shembull një tunel që do të lidhte të dyja ndërtesat. Se me çfarë merrej At Valentini dhe si e përse bashkëpunoi me Çianon, Jakomonin etj., këtë do ta tregoj në libër me fakte.
Që At Zef Valentini nuk u mor me politikë këtë e pohoi dhe miku i tij Ernest Koliqi, në vitin 1970, kur mund ta kishte përdorur emrin e At Zef Valentinit për të justifikuar zgjedhjen që bëri për bashkëpunimin me italianët gjatë pushtimit të Shqipërisë dhe hyrjen në Partinë Fashiste. Ernest Koliqi, në një shkrim të botuar në 1970, me rastin e 70-vjetorit të lindjes të At Valentinit shkruan: Ai nuk asht marrë kurrë me politikë militante në Shqipni, vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare drejt nji koncepti ma të gjanë të jetës sociale në kultin e rregullit e të frymës krenare t’ energjive, ngjye në burimet ma t’ thella të substancës etnike. Mbeti, pra i huej ndaj çdo nisme që s’ kishte si qëllim ripërtëritjen morale e qytetare, nëpërmjet debatit të lirë t’ ideve e përdorimit të mjeteve që ofron kultura. Ky qëndrim nuk vinte si pasojë e nji vendimi për t’ u pozicionuar përmbi situatën politike gjithnji të trazueme në Ballkan, por pikërisht ngase gjindej në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm për të mbrojtë idetë e tij në nji klimë që s’ mund të ishte paqësisht intelektuale. (Ernest Koliqi: “Njeriu Valentini”, “Shejzat”, nr. 10-12, 1970. Këtë shkrim e gjeni të plotë edhe tek vëllimi i dytë i veprave të At Giuseppe (Zef) Valentini: Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2006, f. 10)
At Zef Valentini jo vetëm që nuk ishte një misionar fashist, siç e kanë akuzuar, por ai në artikujt e tij ka bërë dhe aluzione antifashiste. Se ai nuk mund të fliste hapur kundër fashizmit, pasi kjo do të thoshte fundi i veprimtarisë së tij si misionar. A do të kishte qenë më mirë që të kishim pasur një At Valentini që do të shante fashizmin dhe do të ishte dëbuar nga Shqipëria me ndërhyrjen e diplomatëve italianë në vend, qysh para se Italia fashiste të pushtonte Shqipërinë, gjë që do të thotë se nuk do të kishim veprën e tij? At Valentini nuk interesohej shumë për politikën e ditës, kur interesohej për politikë ai e bënte këtë se e shqetësonte e ardhmja e botës dhe e Shqipërisë si pjesë e saj. Dhe në sajë të këtij gjykimi të shëndoshë të At Valentinit ne sot kemi prej tij këshilla më të vlefshme se disa deklarata antifashiste, që mund t’i bëjë kushdo, kemi këshilla që vlejnë për sot dhe për të ardhmen, si ato që na ka dhënë në artikullin “Ku vete bota?”.
Të botuar në revistën “LEKA”, në 1935, ku shkruan: Mos të kujtojmë se gjithshka na vjen në emën të qytetnimit t okcidentit, asht e mirë. E mirë asht drejtsija, rregullimi, dashtnija e shoqit, parija e familjes, vjeftësimi i puntorit të ndershëm e i punës së pahile, organizimi i punës e i prodhimit për dobi të përbashktë, e gjithshka e naltson njierin, ja ban larg vuejtjet e ja ban të let jetesën për nji ideal ma të naltë. Dishirin e pakundërshtueshëm qi me gëzue mbi kët tokë mirëgjendje t’arsyeshme, ja dikoj Zoti njierit në zemër.Kobët e mbrapshtit e qytetnimit të sodit tashma po i njofim. Prej tyne duhet të ruhemi e ato t’i mbajmë larg vendit t’onë.
Në vend të kultit të mishit e të qefeve duhet të përtrijmë virtytet e të Parvet qi kjenë synonima e Shqiptarit: Ndera, besa, burrnija.
Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgursi, qi na shtyem të pasunohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të setëcillit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm.Në vend t’egoizmit duhet të njallim kujdesin e mishërirën për t’afërmit e për puntorin; mos ta mbajmë t’afërmin t’onë si vegël qefi e fitese; në nji fjalë të njallim dashtnin vëllaznore, pa të cillën s’kemi pse presim dit të mira. (At Giuseppe (Zef) Valentini: Vepra, vëllimi I, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 78-79)
Kundër kujt i paralajmëronte në fakt shqiptarët At Valentini? Në kohën që shkruante At Valentini kështu, asnjë fuqi e madhe perëndimore, përveç Italisë fashiste, nuk po bënte përpjekje për ekspansion në Shqipëri, nën maskën e ndihmës për shqiptarët që të qytetërohen si pjesa tjetër e Europës. A mundet që njeriu që shkruante kështu të kishte bindje fashiste? Një njeri që ka mendime si këto nuk mund ta pranonte fashizmin, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një diktaturë e maskuar. Fjalët e mësipërme janë një qortim edhe për regjimet fashiste dhe në radhë të parë për atë të atdheut të At Valentinit, Italisë, ku këto të këqija të kapitalizmit dukej qartë se nuk ishin zgjidhur pas 13 vjetësh të fashizmit në pushtet, por madje ishin acaruar më tepër. Dhe At Valentini, duke u këshilluar shqiptarëve që të kapeshin fort pas virtyteve të të parëve dhe të refuzonin idetë e dyshimta që vinin nga Perëndimi, i paralajmëronte në fakt kundër fashizmit, se rreziku komunist vinte nga Lindja.
Por përgënjeshtrimi më i mirë i akuzave të regjimit komunist ndaj At Valentinit është fakti se ky regjim i kishte mbyllur derën edhe Nënë Terezës, madje edhe para vitit 1967, kur feja ishte ende e lejuar në Shqipëri. Nënë Tereza kishte jetuar në Indi në kohën që Shqipëria u pushtua nga fashizmi dhe s’kishte asnjë lidhje me fashizmin. Derisa regjimi komunist nuk e donte Nënë Terezën, atëherë është e sigurt se edhe At Zef Valentinin nuk e donte jo për arsyet që thoshte, por për të tjera. Një nga gjëra e përbashkëta të At Zef Valentinit dhe Nënë Terezës, në raport me regjimin komunist, është se të dy kishin lënë në Shqipëri diçka të çmuar të tyre, të cilën nuk qenë të lejuar ta kishin më. Nënë Tereza nënën e saj, ndërsa At Valentini një pjesë të madhe të shënimeve për veprën e tij. Të dy nuk mundën ta shikojnë më atë që kishin të shtrenjtë. Në rastin e Nënë Terezës, nëna e saj vdiq para se të binte regjimi komunist. Në rastin e At Valentinit, ishte ky i fundit që vdiq para se të hapej Shqipëria. Për Nënë Terezën u bënë piedestale në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Tani duhet që të ngremë piedestalin intelektual të veprës së Valentinit….

*Marrë nga libri i autorit me tirullin: At Zef Valentini, ose binjaku i Nënë Terezës!
A ishte fashist At Zef Valentini?!
Nga: Ben Andoni

Autori Ndriçim Kulla, i cili është një nga mbledhësit më të shquar të veprës së At Zef Valentinit, është fare i qartë në botimin e tij të fundit publicistik. Qëllimi është jo vetëm të hedhë dritë mbi veprimtarinë e klerikut, që ai e ka për zemër, por më shumë se kaq të tregojë ato gjëra që janë mbajtur të fshehta nga jeta e tij. Mes tyre dhe akuzat që i janë bërë për qenësinë e tij në mbrojtje të fashizmit.
At Zef Valentini, ky klerik italian jezuit, ishte një adhurues i Shqipërisë, por kurrsesi një misionar fashist, sipas tij. Për të thënë të vërtetën, si për pak figura në historinë tonë kombëtare, ka pasur aq shumë mëdyshje sesa për të. Në dokumente të pasluftës, rrëfehet nga njerëz që desantuan në Shqipëri kundër regjimit, se një nga përgatitësit e tyre ka qenë dhe ai! Kjo del në deponimet e disa prej diversantëve, që edhe sot e kësaj dite, shoqëria shqiptare nuk di si t’i trajtojë. Pra, a ishte vetë At Zef Valentini në grupet diversioniste që përgatiteshin kundër regjimit?
Nga ana tjetër, jo shumë kohë të shkuara, një nga papët do bënte thirrje që shqiptarët nëse duhet të vlerësonin kontributin e kishës katolike duhet të sillnin ndërmend punën vetëmohuese dhe dashurinë e tij të madhe për shqiptarët. E megjithatë, si rrallëkush, ai u mbulua me harresë. Një grup njerëzish do t’i marrin shumë gjëra që ai ka hulumtuar pa ia përmendur askurrë emrin. Profesor Ksenofon Krisafi do ta denoncojë me kurajë këtë në një botim të tij pas viteve ’90, ndërsa ‘Plejad’ me botimet e veta do ta vërtetojë.
Anipse, sërish nuk hamendësohet dot, se cili do ishte mendimi për At Zefin, nëse një botues shqiptar si z. Kulla të mos mobilizonte të gjithë infrastrukturën e vet mendore, financiare dhe monetare për të sjellë pjesën më të madhe te veprës së vet. Të mos harrojmë se At Zefi, njihej fare mirë nga studiuesit, por deri më atëherë, ai ishte shfrytëzuar nga lloj-lloj kompiluesish. Por, a ishte vërtetë mbështetës i fashizmit, siç pretendohet nga personazhe në socializëm? Është pak frikë se me gjithë cilësitë shumë të mira, duhet ende shumë e shumë punë që të vlerësohet ky rol. Z. Kulla ka bërë një hop të madh në hulumtimet e tij historike, por i takon historianëve të kësaj periudhe të rrëfejnë të vërtetën e shumë personazheve, mes tyre dhe këtij kleriku të çuditshëm erudit. Kur mendon se At Fishta në fund të jetës konfeson pro fashizmit, nuk është aspak habi që shumë nga klerikët iu dorëzuan vullnetarisht fashizmit, mbase duke menduar që fashizmi do ua zbuste udhën drejt grigjës së tyre, që në masë ishte e pashkolluar, e pacivilizuar dhe me shumë e shumë probleme. Mbase dhe ai At Valentini mund të ketë pasur pikat e tij të dobëta, që me kalimin e kohës janë tejet të vështira të zbulohen. Por, në shkrime, ky njeri tregon se është një nga shkallë më sipër dhe aspak i tunduar nga kjo udhë:” Kobët e mbrapshtit e qytetnimit të sodit tashma po i njofim. Prej tyne duhet të ruhemi e ato t’i mbajmë larg vendit t’onë.
Në vend të kultit të mishit e të qefeve duhet të përtrijmë virtytet e të Parvet qi kjenë synonima e Shqiptarit: Ndera, besa, burrnia”, shkruan ai si të jetë në një botë krejt tjetër, një element që të besosh se në shpirt është disi largët qytetërimit të premtuar fashist.
Të kthehemi në argumentin tonë, At Zefi e kalon sipas mënyrës së tij periudhën e fashizmit, ndërsa bën hulumtime të jashtëzakonshme, që do të ndihmojë me këtë rast breza të tërë studiuesish të historisë. “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, “Ligji i maleve shqiptare”, “Familja në traditën juridike shqiptare”, “Akte shqiptare-venete”, “Akte juridike shqiptare” dhe shumë e shumë vëllime, që janë në shqip falë ‘Plejad’, e tregojnë autorin jo vetëm një studiues të pasionuar por edhe një hulumtues të rrallë.
Këto studime e bëjnë që të eksplorojë dhe shpirtin e këtij populli të vuajtur kurse interesant të duket pozicioni i tij ndaj nacionalizmit. Ndërkohë që Italia e mbështet me të gjithë mënyrat nacionalizmin shqiptar me propagandën e vet, ai si klerik mundohet që të artikulojë një rrugë tjetër që nuk i shkon nacionalizmit. Në një mënyrë indirekte duket se është edhe një kritikë indirekte ndaj fashizmit, që në atë kohë ishte ideologjia në pushtet në Itali. Dihet se fashizmi kishte në thelb nacionalizmin. Mbase, ky paragraf e largon nga akuzat si misionar fashist: “Mos të kujtojmë se gjithshka na vjen në emën të qytetnimit t okcidentit, asht e mirë. E mirë asht drejtsija, rregullimi, dashtnija e shoqit, parija e familjes, vjeftësimi i puntorit të ndershëm e i punës së pahile, organizimi i punës e i prodhimit për dobi të përbashktë, e gjithshka e naltson njierin, ja ban larg vuejtjet e ja ban të let jetesën për nji ideal ma të naltë.
Dishirin e pakundërshtueshëm qi me gëzue mbi kët tokë mirëgjendje t’arsyeshme, ja dikoj Zoti njierit në zemër”. Sikur të jetë thënë sot, problemi ha shumë diskutime nga ata që janë mësuar të dyshojnë. Por, sërish në ndihmë na vjen një emisar i vërtetë dhe i devotshëm fashist. Ernest Koliqi, ish ministri i Arsimit, do të shprehej në 70 vjetorin e At Zefit: “Ai nuk asht marrë kurrë me politikë militante në Shqipni, vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare drejt nji koncepti ma të gjanë të jetës sociale në kultin e rregullit e të frymës krenare t’ energjive, ngjye në burimet ma t’ thella të substancës etnike. Mbeti, pra i huej ndaj çdo nisme që s’ kishte si qëllim ripërtëritjen morale e qytetare, nëpërmjet debatit të lirë t’ ideve e përdorimit të mjeteve që ofron kultura”.
Ndoshta, kjo e vendos në një pozicion krejt tjetër diskutimin tonë. Është fjala e një njeriu, që u investua hapur kundër regjimit dhe që në Shqipëri gjendej me uniformën e fashizmit. Sido që historia do japë verdiktet e saj në të ardhmen, At Zefi, është një nga personazhet që i ka dhënë si pakkush historisë shqiptare dhe institucioneve të saj. Të paktën, këtë, ata që e shfrytëzuan duhet ta vinin në pah, qoftë dhe shkarazi dhe të mos mbetej vetëm në dorën e një njeriu të vetëm, si Kulla, që për fat qëlloi shumë i aftë në ngulmimin e vet sizifian për ta ndriçuar këtë personazh.

/Milosao/Gazeta Shqiptare/Ballkanweb/