12
 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 12:27

Tiranë – Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë çështjen e Florie Pecit, Prokurorisë së Tiranës, e cila tashmë ka nisur një hetim.

Përcjellja është bërë pas letrës së denoncimit që ka dërguar vëllai i studentes së mbijetuar nga aksidenti i Himarës, e cila rezulton të jetë shtatzënë, gjë që ka ndodhur gjatë kohës që trajtohej në Austri, ku edhe u zgjua pas një qëndrimi të gjatë në koma.

Ndërkohë drejtori i Maternitetit “Mbreteresha Geraldine”, ku ndodhet e shtruar Florie Peci sqaron se pacientja është nën një kujdes të vecantë për t’iu nënshtruar të gjithë konsultave të nevojshme.

“Ne duam ta mbajmë nën kontroll. Gjendja e fëmijës është e mirë, analizat janë normale, ecuria normale dhe për ne shtatzënia duhet të vazhdojë. Qëllimi ynë nuk është aborti, por si t’i shërbejmë një fëmije. Nëse Floria e mban këtë fëmijë apo jo, kjo varet nga konsultat e tjera të nevojshme. Ne kemi cdo gjë gati për cdo nevojë që ajo do të ketë”, u shpreh për mediat drejtori i Maternitetit Halim Kosova.

Ngjarja e rede u be publike, pas nje kallzimi penal që ka bërë vëllai i vajzës, Gazmend Peci Prokurorisë së Përgjithshme.

“Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florie Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur, nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Motra ime, në aksidentin e ‘Qafës së Vishës’ në Himarë, pësoi dëmtime të rënda shëndetësore, ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe, për shkak të shqetësimeve të shumta, specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Ngjizja e shtatzanisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën ‘Gmunderberg Almunster’ në Austri, në periudhën e rehabilitimit. Motra ime, Florie Peci, është përdhunuar në kushtet e spitalit, ku ka qenë për kurim, me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale, në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”.

Prokurorit të përgjithshëm i ka dërguar një letër edhe deputeti socialist, Taulant Balla, që si deputet i Librazhdit kërkon edhe ai nisjen e procedimit penal për gjetjen e atij, që ai vet e quan krim makabër. Zoti Balla kërkon nga kryeprokurori Llalla, që të gjenden autorët jo vetëm në Austri, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që ishin përgjegjës për vajzën, e cila në mirëbesim nga familja iu dorëzua autoriteteve shqiptare për kurim jashtë vendit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 15:35

Vjenë – Del nga koma Florije Peci, studentja e plagosur në aksidentin tragjik të Himarës së 21 majit. Mësohet se Peci është zgjuar mbrëmjen e djeshme dhe sipas bluzave të bardha të spitalit austriak ku ajo është e shtruar, truri i saj ka reaguar pozitivisht pas testeve të bëra.

Sipas të njëjtave burimeve, Peci pas përmendjes ka komunikuar me familjarët e saj duke dhënë shenja të një shëndeti mendor të pacënuar, ndërkohë që pritet transportimi i saj në një tjetër spital në Austri, për një rikuperim më të plotë fizik. Florije Peçi dhe Eriselda Gubere, dy vajzat e plagosura në aksidentin që në Himarë u transportuan më 24 Maj drejt Vjenës, për një mjekim më të specializuar, Ndërkohë që Eriselda Gubere, doli nga koma më 15 Qershor.

Ambasadori Minallori: Zgjimi nga koma pa pasoja
Ambasadori shqiptar në Austri, Vili Minallori, në një lidhje telefonike për NEWS24, u shpreh se zgjimi i mbrëmshëm tregon se parametrat shëndetësor të Florijes janë shumë të mirë. “Përgjigjet e mbrëmshme treguan se nuk ka asnjë pasojë. Florija nuk ka pasur probleme të dëmtimit në tru, pasi mendohej se koma e zgjatur mund të kishte dëmtime në kokë, por fakti i mbrëmshëm e tregoi se ajo nuk ka pasoja”,- u shpreh Minallori.

Minallori theksoi se në zgjim, Florija u gjet pranë kujdesit të mjekëve austriak dhe atdhetarëve shqiptar që ndodhen në Austri, ndërkohë që shtoi I ka komunikuar mëngjesin e sotëm lajmin e lumtur dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaci.

Tragjedia
Si pasojë e aksidentit tragjik të 21 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. 

Hetimet
Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar në kthesë shpejtësinë e mjetit. Por familjarët e drejtuesit të autobusit, Pellumb Cela, i cili humbi jetën në aksident, pretendojnë se autobusi nuk ishte në gjendje të mirë teknike. (B.W)

 
Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 11:29

Tiranë – Del nga koma njëra prej studenteve të aksidentuara në aksidentin tragjik më 21 maj, kur një autobus me studentë u rrëzua 80 metra poshtë Qafës së Vishës. Nga aksidenti gjetën vdekjen 13 persona mes tyre 11 studente të universitetit Aleksandër Xhuvani, shoferi Pëllumb Çela dhe i fejuari i një prej të aksidentuarave.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se Eriselda Guberi është zgjuar dje në mesditë.

Nuk dihet ende fati i Florie Gecit,e cila së bashku me Eriseldën, ishin dy nga studentet e mbijetuara të aksidentit që u lënduan më rëndë. Vajza nga Lushnja së bashku me shoqen e saj pasi qëndruan disa ditë në Spitalin Ushtarak, ku iu nënshtruan dhe ndërhyrjeve kirurgjikale u dërguan drejt dy spitaleve të specializuara në Austri.

Më 25 maj Eriselda Guberi u shtrua në spitalin e Linzit. Një ditë më vonë u provua të shkëputej frymëmarrja artificiale, por më pas nuk ishte bërë. Ndërsa Florie Peçi ndodhet e shtruar në spitalin e Felabukut në Austri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 09:15

Tiranë – Qeveria shqiptare do të dhurojë 50 mijë euro në ndihmë të familjeve italiane të prekura nga tërmeti i ditëve të fundit. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha bëri me dije gjithashtu edhe ndihmën për familjet e prekura nga aksidenti tragjik i Himarës.

Ai tha se në bazë të ligjit, ndihma për familjet e viktimave është 1 milion lekë, përveç shpenzimeve të varrimit. Ndërsa për familjet e studenteve të plagosura nga aksidenti, qeveria jep 300 mijë lekë.

“Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta, qeverisë dhe familjeve të viktimave dhe duke bashkuar lutjen me këto familje dhe me gjithë qytetarët italianë të prehen në paqe dhe qetësi, qeveria ka vendosur të japë një shumë prej 50 mijë euro në ndihmë të familjeve të dëmtuara. Ndërkohë, ambasada italiane ka hapur dy llogari, dhe thirrja jonë drejt biznesit dhe qytetarëve është të bëjnë kontributet e tyre modeste, ndaj një vendi i cili ka mbështetur këtë vend dhe ka ndihmuar shqiptarët gjatë këtyre 20 viteve.” (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 18:00

Himarë – Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të një vizite që po zhvillon sot në Jug të vendit, u ndal në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik i 14 majit, në Qafën e Vishës, në afërsi të Himarës, duke vendosur buqeta me lule në nderim të 13 viktimave.

Kryeministri pa nga afër vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa u përul me respekt e nderim për viktimat në moshë të re të aksidentit fatal.

Pasditen e 14 majit, një autobus me studentë të universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, që po udhëtonin drejt Sarandës për një ekspeditë mësimore, u rrëzua në greminë, ku si pasojë humbën jetën 13 persona, kryesisht studente, ndërsa u plagosën mbi 30 të tjerë.

Kreu i Qeverisë, i shoqëruar nga drejtues lokalë të Bashkisë së Himarës, më pas u largua në drejtim të qytetit të Vlorës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 18:00

Tiranë – Tre vajza, që mbetën të plagosura në aksidentin e së hënës së kaluar në Himarë, lanë sot ambientet spitalore për t’u dërguar pranë familjeve të tyre. 

Sipas mjekut Luan Nikollari, një vajzë që merrte shërbimin në Spitalin Ushtarak dhe 2 në Spitalin Amerikan kanë dalë sot nga spitali për të shkuar në familje. Ymer Durmishi, kryemjeku i Spitalit Amerikan, tha se 2 vajzat janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa tashmë kanë nevojë për ndjekje ambulatore. Besiana Dani, një nga vazjat, tha se ajo ndjehet mirë dhe e ka të nevojshme që të jetë pranë familjarëve, miqve të saj, të afërmve për të ndjerë ngrohtësinë e tyre. 

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Florije Peci dhe Eriselda Gubere, të cilat janë dërguar në Austri për ndihmë të specializuar, paraqitet e stabilizuar. Të dy vajzat janë ende në koma, por parametrat e tyre paraqiten stabël. 

Dy vajzat u dërguan në Austri rreth 4 ditë më parë për ndihmë të specializuar. Florije Peci, që u operua në shtyllën kurrioze, ka dëmtime në kokë, trup dhe palcën e kurrizit, shembje të gjoksit dhe barkut, ndërsa Eriselda Gubere ka dëmtime të shpretkës, me hemoragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 27 May 2012 16:11

Elbasan – Në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik të Himarës në Kishën Ortodhokse Autoqefale “Shën Maria “ në qytetin e Elbasanit u mbajt sot një meshë.

Besimtarë të shumtë, në mesin e të cilëve studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, u luten për 13 viktimat e tragjedisë automobilistike të 21 majit në Himarë.

At Nikoll Marku iu drejtua besimtarëve që të luteshin, që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.

Ai u lut së bashku me të pranishmit që shpirtrat e viktimave të kësaj tragjedie të prehen në paqe përgjithmonë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 16:40

Tiranë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Presidenti Bamir Topi kanë vizituar vajzat e plagosura nga aksidenti i së hënës pasdite në Himarë që ndodhen në Spitalin Ushtarak.

Presidentja Jahjaga ka shprehur solidaritetin e popullit kosovar për viktimat, të plagosurit dhe gjithë popullit shqiptar për këtë ngjarje, të cilën e cilësoi tragjike. “Bashkëndjejmë këtë dhimbje të madhe, të kapluar nga një tragjedi kaq e rëndë. Jemi me familjarët e viktimave, me gjithë popullin shqiptar për përballimin e kësaj situate të rëndë”, tha Jahjaga për mediat.

Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, Jahjaga tha se “jemi me familjarët, me të afërmit e tyre, me kurajon që të gjejnë forcën, ngushëllimin, por asnjëherë duke harruar kujtimin e përjetshëm të më të dashurit të tyre, për rinënë e tyre dhe për ëndrrat e tyre”. Presidenti Topi tha se “ky solidaritet është parë në Shqipëri, Kosovë dhe në Austri, ku komuniteti kosovar ka treguar solidaritet, duke u qëndruar pranë vajzave dhe duke u siguruar strehim familjarëve. Kjo ka treguar se në situata të tilla jemi të ndjeshëm, por jo vetëm në situara të dhimshme, por dhe në të tjera, Shqipërisë dhe Kosovës zemra u rreh me të njëjtin ritëm”.

Topi tha se gjendja shëndetësore e vajzave paraqitet e përmirësuar dhe nga moment në moment mund të lënë spitalin, gjë që varet nga mjekët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 15:20

Tiranë – Gjendja shëndetësore e dy vajzave të plagosura nga aksidenti në Himarë, Florije Peci dhe Eriselda Gubere, që u dërguan ditën e djeshme në Austri, është e njëjtë, nuk është përkeqësuar.

Ndërsa Eriselda Gubere vazhdon të jetë në koma, sot do të bëhet një provë zgjimi, që është tregues pozitiv për ecurinë e saj të mëtejshme, ndërsa për Florije Pecin do të bëhet një provë zgjimi ditën e nesërme”, njoftoi sot nga Spitali Ushtarak mjeku Luan Nikollari.

Nikollari tha se “ka një interesim të madh të komunitetit të Kosovës në Vjenë, u qëndrojnë pranë, ndërsa njoftohet që do të lidhen dhe me familjarët që të shkojnë pranë fëmijëve të tyre dhe të qëndrojnë pranë këtyre familjeve. Shpresojmë që gjendja e tyre të shkojë sa më mirë”.

Nikollari tha se gjendja e vajzave të tjera të plagosura në Spitalin Ushtarak është e mirë, e stabilizuar dhe nuk do të kenë problem invaliditetit në të ardhmen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 17:44

Tiranë – Dy vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Himarë nisen drejt Austrisë. Avioni sanitar, i cili transporton Florije Peçi dhe Eriselda Gubere ka lënë aeroportin e Rinasit rreth orës 17:00 për t’iu drejtuar Vjenës, ku të plagosurat do te marrin nje mjekim të nevojshëm të specializuar.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja përcollën vajzat në aeroportin e Rinasit. Mësohet se Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në 4 vertebra të shtyllës kurrizore dhe në veshka. Dy vajzat janë në gjendje kome, që prej 21 majit, ditën kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, në urën e Vishës, i cili i mori jetën 13 personave, mes të cilëve 11 studente të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani”.

Pas apelit dhe interesimit të veçantë dhe të vazhdueshëm të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, ambasada austriake në Tiranë dhe Raifaiesen Bank mundësuan kurimin e tyre në klinika të specializuar në Austri.  (LajmeShqip.com)

12