Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:12

Gjatë vizitës zyrtare në Tokio, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u prit nga homologu e tij, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe. Të dy kryeministrat nënshkruan deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Kryeministri japonez Abe, që në fillim falënderoi kryeministri Thaçi për vizitën e dytë zyrtare, e cila tregon për rëndësinë që Japonia i kushton Kosovës, edhe pse një shtet i ri, por me rol të rëndësishëm për paqen në Ballkan.

Abe theksoi tri pika të rëndësishme të marrëdhënieve me Kosovën. Së pari forcimin e marrëdhënieve bilaterale, në fusha të ndryshme, në të cilat nuk do të mungojë kontributi i Japonisë, si deri më tani. Së dyti, aspektet e sigurisë në rajon dhe së treti, kryeministri japonez theksoi se Japonia përkrah fuqishëm përpjekjet e Kosovës për integrime evropiane.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi foli për kushtet dhe lehtësitë që krijon Kosova për investitorët e jashtëm, sidomos në energjetikë, në miniera dhe në agrikulturë.

Kryeministri Thaçi falënderoi qeverinë japoneze për kontributin e dhënë në fushë të kulturës, e veçanërisht në pajisjen e Filarmonisë së Kosovës me instrumente mjaft moderne.

Kryeministri Thaçi e njoftoi kryeministrin japonez me rezultatet e arritura në Bruksel, në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbinë, për fazat e implementimit të marrëveshjes, e cila ka krijuar një situatë të re në rajon dhe mund të shërbejë si model edhe midis popujve që kanë kaluar dhe kalojnë nëpër konflikte aktualisht.

Thaçi uroi kryeministrin Abe dhe Japoninë si organizatore e Lojërave Olimpike 2020, dhe kërkoi që Japonia ta ushtrojë ndikimin e saj në organizatat ndërkombëtare për ta shpejtuar të drejtën e Kosovës për të marrë pjesë në të gjitha organizimet sportive ndërkombëtare.

Abe shprehu konsideratë të lartë për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi për marrëveshjen e Brukselit.

Kryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij se së shpejti do ta themelojë Grupin parlamentar për Japoninë, që ka për qëllim promovimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve.

Në fund, Thaçi kërkoi nga qeveria japoneze për të hapur zyrën e JICA si dhe mundësinë për të hequr vizat për studentët dhe afaristët nga Kosova.

Në fund të takimit dy kryeministrat nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për bashkëpunim midis Republikës së Kosovës dhe Japonisë, që kanë të bëjnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale, zhvillimin ekonomik bashkëpunimin kulturor, promovimin e bizneseve dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi mban konferencë shtypi në Klubin e Jashtëm të Korrespodentëve (The Foreign Correspeondent’s Club). Në Foreign Correspondent’ s Club interesimet e gazetarëve ishin të fokusuara te kushtet që ofron Kosova për investitorët e huaj në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e turizmit.

Kryeministri Thaçi mbajti ligjëratë në Universitetin Sophia, para studentëve dhe stafit akademik. Në ligjëratën e tij ai theksoi tri misionet e tij: lirinë e vendit, pavarësinë dhe zhvillimin ekonomik, që është edhe një nga arsyet e vizitës në Japoni./rtk/

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 November 2013 18:06

Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë 30 ditëve fushatë zgjedhore, kanë vizuar vende të shumta nëpër Kosovë, duke përkrahur kandidatët për kryetarë komunash.

Takimet zhvilloheshin në vende të ndryshme – nëpër sheshe të qyteteve, në restorante, por edhe nëpër oda.

Për dallim prej organizimeve nëpër sheshe e restorante, takimet nëpër oda kanë qenë ndër më interesantët, pasi që në to zakonisht ekspozoheshin armë të ndryshme. E më e fundit tani që është zbuluar është edhe një odë, si duket diku në Mitrovicë, pasi që në fotografi, përveç Thaçit e Veselit, shihet edhe kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. Në dy fotografi që kanë arritur në emailin tonë të redaksisë, shihen duke mbajturfjalime Thaçi dhe Veseli, ndërkaq ata janë të rrethuar nga lloje të ndryshme të armëve – nga ato klasike, e deri tek kallashnikovët.

Ky nuk është rasti i parë që zyrtarë të PDK-së mbajnë fjalime në oda ku të pranishme janë edhe armë të ndryshme. /Zëri/

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 21:40

Prishtinë – Jo rrallë herë kryeministri Hashim Thaçi ka shtruar dreka e darka për punëtorët e arsimit.  Mirëpo, ai këtë e ka bërë vetëm në komunat në të cilat qeverisë partia e tij. Pak ditë para fushatës elektorale kryetari i PDK-së nisi turnin e tij duke shtruar darka për mësimdhënësit. Por edhe këtë vit Thaçi anashkaloi mësimdhënësit e komunave që nuk qeverisen nga partia e tij.  Darkë shtroi në Gjilan, Prizren, Viti dhe Malishevë, ku kandidatët e PDK-së pritet të kenë konkurrencë më të fortë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Ky veprim, sipas AAK-së dhe LDK-së që i udhëheqin komunat e tjera të Kosovës, cilësohet i padrejtë dhe për përfitime politike, transmeton KTV. Sipas AAK-së, profesorët nuk meritojnë një sandviç apo hamburger, por një trajtim të dinjitetshëm. Takimet me arsimtarë dhe darkat e shtruara për mësimdhënësit për përfitime politike i vlerëson Lidhja Demokratike e Kosovës.  Dilema për mënyrën e pagesës së këtyre aktiviteteve ngriti Ismet Beqiri i LDK-së, i cili përmendi Malishevën.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 13:23

Prishtinë – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton takoi Presidenten Atifete Jahjaga dhe me pas me Kryeministrin Hashim Thaçi. Edhe takimi me Thacin u mbajt me dyer të mbyllura.

Një një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Thaci, baronesha Ashton vlerësoi maksimalisht punën e bërë nga qeveria kosovare. Madje Ashton theksoi se është në dijeni të përpjekjeve që ka kaluar Thaci qe sipas saj jane bere në tentativën për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.
“Keni treguar lidership dhe keni punuar me zell dhe keni dhënë shumë nga vetja për të cuar para këtë proces. Besoj se shumë nga ju, do keni pushime verore dhe shumë prej jush si këtu, si në Beograd.
Dy gjëra dua të them sot këtu, e para, është e mrekullueshme që jam këtu dhe e dyta e ngazëllyer që Këshilli ka marrë vendimin që ka marrë dhe ju përgëzoj juve i dashur kryeministër, ju është dashur shumë guxim të bëni ato që iu kërkohen, por ju jeni një burrë shteti i vërtetë”, tha Ashton para mediave kosovare.
Ndërsa kur është pyetur nga gazetarët se Ligji për Amnisti ka dalë nga dialogu dhe nëse përmes tij do të amnistohet krimi në tërë vendin, Ashton ka theksuar shkurt vetëm se “me rëndësi është miratimi i ligjit”.
“Nuk dua të hyj në debate për përmbajtjen e brendshme të projektligjit të hartuar nga Qeveria. Kjo i mbetet kryeministrit, qeverisë së tij dhe Kuvendit, mirëpo dua të them se miratimi i tij është i rëndësishëm”, tha Ashton.
Duke folur për të njëjtin projektligj, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e prillit dhe dialogu përfshirë këtu edhe miratimin e projektligjit për amnisti.
“Ftoj të gjithë që t’i lënë anash interesat elektorale apo partiake, por ta mbështesin ligjin”, tha kryeministri.
Thaçi tha gjithashtu se Kosova nuk është vendi i parë që po e miraton një ligj të tillë.
“Këtë ligj e ka miratuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina madje edhe Serbia në vitin 2001. I ftoj të gjithë ata që kanë dyshime që ta lexojnë ligjin serish dhe ta lexojnë mirë. Ligji për amnisti është akt politik drejt pajtimit dhe paqes drejt njerëzve. Në rrethanat çfare jemi ne dhe duke marrë për bazë edhe marrëveshjen e prillit miratimi i këtij ligji është standard”, tha ai.
Thaçi dhe Ashton po ashtu kanë folur edhe për arritjet e deritanishme të dialogut dhe për takimin e fundit në Bruksel duke thënë se ka mbetur edhe disa çështje teknike për t’u formalizuar sa i përket çështjes energjisë dhe telekomit.
E pyetur në rast se beson se palët do të arrin miratimin e marrëveshjes së prillit në afatet e përcaktuara kohore Ashton u përgjigj:
“Po, unë besoj”, tha ajo duke qeshur./BW/Lajmeshqip/