Lajme Shqip Saturday, 10 August 2013 10:11

Prishtinë – Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se PDK-ja duhet të shkojë në opozitë. Ai ka vlerësuar se shkuarja e PDK-së në opozitë do të ishte në të mirë të Kosovës.
“Pas gjithë këtyre zhvillimeve, do të ishte shumë më e shëndetshme për demokracinë në vend që PDK-ja të dalë njëherë në opozitë, ashtu siç ka ndodhur edhe me partitë e tjera”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Epoka e Re.
Ai ka paralajmëruar se për t’u bërë kryeministër s’do t’i kërkojë ndihmë as Thaçit e as Isa Mustafës, por qytetarëve. “Janë qytetarët ata që vendosin, prandaj duhet ta presim vendimin e tyre. Postin e kryeministrit tanimë nuk e kërkoj as nga Thaçi, as nga Isa, e as nga dikush tjetër, por nga qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar kreu i AAK-së. 
Haradinaj e ka vlerësuar me notë negative performancën e koalicionit qeverisës. “Aktualisht kualiteti qeverisës është i dobët, prandaj nota është e dobët për këtë qeveri”, ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se me ardhjen e AAK-së në pushtet do të ndryshojë gjendja. “AAK-ja do të shkojë në zgjedhje për ndryshime. Logjika ime është që të vijmë në pushtet për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

 
Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 14:08

Prishtinë – Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj shkrimit të Fatos Lubonjës të publikuar në revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, në të cilin Lubonja e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve.
Haradinaj është shprehur i befasuar me komentet e Lubonjës duke i quajtur ato shpifje. Ai ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur imazhin e tij dhe të Kosovës, raporton RTK.

Haradinaj ka vlerësuar se qëllimi kryesor i deklaratave të Fatos Lubonjës ka qenë dëmtimi i imazhit të Kosovës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 14:58

 

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani ka treguar planin e partisë së tij për luftimin e reketit dhe fajdeve në Kosovë.

Luftimi i këtyre dukurive sipas tij bëhet duke e krijuar njësitin e veqantë kundër reketit e fajdeve në kuadër të Policisë së Kosovës.

Plani i AAK-së parasheh edhe fuqizimin e Drejtorisë së Krimeve të Rënda dhe fuqizimin e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike.

Zyrtari i AAK-së publikoi këto ide pas publikimit të raportit të të Freedom House që e rëndit Kosovën keq sa i përket lirisë së shprehjes, demokratizimit dhe luftimit të korrupsionit.

Për këto të këqija, Burim Ramadani ka thënë se degradimi i demokracisë në Kosovë ka arritur në nivelin më shqetësues.

“Raporti i “Freedom House” për vitin 2013 vlerëson se Kosova gjendet më së keqi në rajon për secilën fushë, duke degraduar në krahasim me tri vjetët e kaluara. Degradimi më i madh i evidentuar në këtë raport është sidomos tek Korrupsioni”, ka thënë Ramadani gjatë një konference për media.

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 22:15

AAK-ja e udhëhequr nga Ramush Haradinaj reagoi ndaj sondazhit të Qendrës së Kosovë për Studime të Sigurisë që konstaton se këtë subjekt e mbështesin 14 për qind e qytetarëve.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rezultatet sondazheve të publikuara së fundmi i konsideron si të pasakta, tendencioze dhe spekuluese”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK-ja beson se është duke shënuar rritje të përkrahjës së qytetarëve dhe se është oferta e vetme e qartë dhe e sigurtë për qeverisje të mirë të vendit.

“Gjatë punës në terren dhe të gjitha hulumtimeve të bëra, po shënohet përditë e më shumë rritje e besimit te qytetarët anembanë vendit”, thuhet në komunikatë.

Sondazhi konstatoi se më së shumti përkrahje ka PDK-ja me 31 përqind e pasura nga LDK-ja me 26 përqind dhe e treta Vetëvendosje me 2 përqind.

Më pak se AAK-ja përkrahje ka AKR-ja e Behgjet Pacollit e cila mbështetet vetëm nga 2 përqind e qytetarëve të Kosovës bazuar në sondazhin e QKSS-së.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 10:53

Prishtinë – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga udhëheqësi i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, nënkryetari Ardian Gjini dhe këshilltari i tij Avni Arifi, do të udhëtojë të hënën, për një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin. Kryetari Haradinaj do të pritet në Zyrën e Kancelares Merkel, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Bundestag. Po kështu, priten takime me përfaqësues të Ekonomisë e Financave të Gjermanisë si dhe me përfaqësues nga DFB-ja gjermane.
Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Haradinajt në këtë vend, i cili ka luajtur dhe luan rol kyç në zhvillimet brenda Bashkimit Evropian edhe kur angazhimi në Ballkan dhe Kosovë është në pyetje. Agjenda e Haradinajt gjatë qëndrimit të tij katërditor është e mbushur me takime të shumta në kryeqendrën gjermane, thuhet në njoftim.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 19:09

Tetovë – Kryetari i partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është më një qytetar nderi i Tetovës.

Lajmi u raportua nga Agjensia Serbe e Lajmeve “Tanjug”, e cila iu referua një vendimi të shpallur në fletoren zyrtare të shtetasit maqedonas.

Në vendimin në fjalë, autoritetet qëndrore anullojnë vendimin e marrë nga Bashkia e Tetovës, më parë gjatë vitit, për të nderuar ish-komandantin e lartë të UÇK-së, për rolin e luajtur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe promovimin e kauzës shqiptare.

Sipas “Tanjug”, Inspektoriati Shtetëror në Maqedoni vendosi për anullimin e vendimit të autoriteteve lokale, të shpallur të jashtëligjshëm, pasi këshilltarët bashkiakë maqedonas të Tetovës nuk kishin votuar propozimin e kryetarit të Bashkisë, Sadi Bexhetit.

Haradinaj u nderua nga Tetova në datën 31 janar, në një ceremoni të zhvilluar në sheshin qëndror të qytetit, ku lideri i AAK-së u brohorit nga mijëra banorë shqiptarë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 10:50

Tiranë –  Kreu i AKK-së, Ramush Haradinaj ka pranuar se para pak muajve, kur synonte të merrte drejtimin e qeverisjes në vend, me kryeministrin Thaçi kanë biseduar që lideri i PDK-së të bëhej president, ndërsa vetë kryeministër, por Thaçi nuk kishte pranuar.

Haradinaj tha për emisionin Opinion në tv Klani, se kjo çështje ka qenë opcionale. “Ishte në opsion, mundësia që Thaçi të bëhet president e unë kryeministër, në rasë që ai do të deklarohet të shkon në këtë drejtim, pra atëherë ka pas dakordim që të gjendet një zgjidhje për situatën e re të krijuar”.

Lideri i AAK-së tha se nuk ishte shqyrtuar se çka do të ndodhte më presidenten Jahjaga, por thotë se ajo ka mandat legjitim.

“Presidentja është në detyrë, është zgjedhur nga partitë politike. Ajo mund të shqyrtojë pozicion e saj, në rast që humb besimin politik. Por, ajo është në pozicion legjitim. Pra, nuk ishte biseduar për pozicion e saj opicional”, ka thënë Haradinaj.

Hardinaj thotë se qeverisja Thaçi është e dëmshme për vendin. Arsyeja se pse ka kërkuar të bëhet kryeministër, Haradinaj thotë të jetë, pikërisht se qeverisja është në rrugë të gabuar.

“Nuk kemi pranuar të bashkëqeverisje më PDK-në, veç nëse ne e udhëheqim qeverinë. Në zgjedhjet ardhshme mund të jem në ndonjë koalicion me ndonjë parti, por jo me PDK-në”, tha Haradinaj. (K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 16:58

Berat – Ish-kreu i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë sot titullin “Nderi i Qarkut të Beratit” në një ceremoni, që është zhvilluar në ambientet e universitetit, për kontributin e Çmuar në Çlirimin dhe fitoren e pavarësisë së Kosovës.

 I shoqëruar nga një staf mjaft i ngushtë, Haradinaj mbërriti fillimisht në Këshillin e Qarkut, ku u prit nga kryetari Petrit Sinaj. Ai e njohu ish-kryeministrin e Kosovës me resurset e këtij qarku, pozitën gjeografike si dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet komunave të Kosovës dhe njësive vendore të këtij qarku. 

Më pas, ceremonia ka vijuar në sallën e konferencave të Universitetit të Beratit, ku morën pjesë deputetë, pushtetarë lokalë dhe studentë. Nënkryetari i parlamentit dhe deputeti i LSI-së në këtë qark, Nasip NaÇo, vlerësoi kontributin e  Haradinajt në luftën e UÇK-së për Çlirimin e Kosovës dhe përballjen me tribunalin e Hagës.

 Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj, lexoi për të gjithë të pranishmit motivacionin e titullit të nderit për ish kreun e UÇK-së, Haradinaj, titull i cili është vendosur më pesë tetor të vitit të kaluar, kohë në të cilën ende nuk kishte përfunduar gjykimi ndaj ish-kryeministrit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 20:20

RAMUSH HARADINAJ
Ne jemi në dijeni për ndjeshmërinë e dialogut dhe temave. Kuptohet me rëndësi është që të gjitha temat janë hapur dhe ka një progres. Ne nuk kemi kohë dhe askush në Ballkan nuk ka kohë, nuk ka kohë Kosova dhe as Serbia. Prandaj, është me interes që temat të përshpejtohen dhe të zgjidhen. Është në interesin e të gjithëve. Pra, edhe ne shpresojmë që nuk do të humbet kohë që të zgjidhen temat që janë shtruar.

RAMUSH HARADINAJ
Qëndrimi i Beogradit zyrtar nuk ka bazë ligjore në asnjë nga dokumentet ndërkombëtare apo edhe në dokumentet themelore të Kosovës. Do të thotë, vetë veprimtaria e të ashtuquajturave struktura të sigurisë në veri është joligjore dhe nuk ka bazë ligjore. Serbia obligohet në bazë të parimeve dhe obligimeve të veta për avancim në procesin integrues të BE-së që të respektojë ligjet edhe parimet ligjore.

Atë që po bën Kosova është se duke pasur parasysh ndjeshmërinë e zhvillimeve dhe temave, për të cilat po flasim, po reflekton një kujdes të madh që të vijmë deri te zgjidhjet e duhura në mënyrë që qytetarët e veriut të integrohen në juridiksionin, rendin dhe ligjin dhe në të gjitha ato që i parasheh Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit e integruar në Kushtetutën e Kosovës, e që është një vetëqeverisje komunale, pra lokale për serbët në veri.

RAMUSH HARADINAJ
Nuk është një veprim apo drejtim i duhur, meqenëse Plani i Ahtisaarit në kohën kur është hartuar dhe aprovuar nga ana e jonë, i ka paraparë zgjidhjet e duhura për serbët në tërë Kosovën, pra edhe në veri. Mendojmë se zbatimi i zgjidhjeve që janë paraparë në Pakon e Ahtisaarit është zgjidhja e duhur.

RAMUSH HARADINAJ
Kosova ka treguar një pjekuri të madhe dhe kujdes që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për zgjidhjen e çështjeve që na preokupojnë në veri. Për këtë mendoj se Kosova meriton një përkujdesje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare që këto tema të zgjidhen në interes të qytetarëve të veriut edhe të Kosovës dhe proceseve integruese.

Pra, Prishtina zyrtare nuk ka bërë asnjë veprim, përmes të cilit ka mundur të vështirësojë gjendjen e zgjidhjeve. Por, Prishtina zyrtare është edhe e aftë dhe e gatshme që t’i përmbushë përgjegjësitë e veta në gjithë territorin e vet.

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se është në interes të të dyja vendeve dhe i jemi mirënjohës baroneshës Ashton, qeverisë amerikane, BE-së dhe të gjitha qeverive nacionale që po japin ndihmesën e tyre. Mendoj se ky është një kontribut për rajonin dhe nuk ka rrugë tjetër, pos arritja te normalizimi.

Disa herë e kam thënë se BE-ja duhet ta mbajë standardin shumë lart për ne, në mënyrë që ne të mos kemi dilema në rajon. Pra, nëse do të bëheshin lëshime ndaj Serbisë në hapat drejt integrimit ato lëshime do të dërgonin mesazhe jo të qarta për rajonin. Pra, jemi shumë të interesuar që të ketë qëndrime të qarta dhe standarde të larta dhe të mos ndryshojnë për të gjithë ne në rajon.  

Koalicioni PDK – AAK

RAMUSH HARADINAJ
Unë kam qenë 100 ditë në qeverisje dhe unë e kam vërtetuar se me një qeverisje efektive, Kosova mund të zhvillohet dhe të marrë drejtimin e duhur dhe të arrijë sukseset që i pret, por të cilat i presin edhe miqtë e Kosovës. Andaj, punoj çdo ditë që të marr besimin, të vij deri te mundësia që t’i japim Kosovës një qeverisje efektive. Këtë mundësi ia kam ofruar edhe kryeministrit aktual, Thaçi, dhe PDK-së, si mundësi që ata t’ia japin dikujt përgjegjësitë, në mënyrë që të nxirret vendi nga gjendja e tashme.

Në fillim ka pasur një entuziazëm në këtë mënyrë të punës, por më vonë ndryshuan qëndrimet. Më vjen keq pse ka ndodhur kështu, sepse do të ishte një mundësi e mirë që t’i jepnim një dinamikë të re qeverisëse dhe politikë të re vendit në zhvillimet e brendshme, e cila nuk do të ndikonte në obligimet ndërkombëtare të Kosovës, as në dialogun me Serbinë, e as në obligimet tjera që i ka Kosova, si agjenda për BE-në, pastaj në reformat e brendshme e të tjera. Por, përkundrazi do të ishte një përpjekje në këto procese.  

RAMUSH HARADINAJ
Tani kemi mbetur në opsionin që sovrani të vendosë dhe ne po ua ofrojmë platformën tonë qytetarëve. Do të thotë që kemi marrë një rol të qendrës për ndryshimet që do të vijnë në zgjedhjet e rregullta. Marrim pjesë dhe përgjegjësi direkte në temat e interesit nacional, siç është rasti te dialogu, jemi i vetmi subjekt opozitar që marrim pjesë direkt në dialog. Pastaj në agjendën evropiane, reformën zgjedhore dhe temat që janë të interesit nacional.

Por, bëjmë një opozitë të përgjegjshme duke e kritikuar qeverinë në politikat që kanë të bëjnë me rendin e ligjin, në politikat ekonomike, në burokracinë korruptive që ekziston dhe shumë tema që ne na shqetësojnë në vend. Ne tash presim që të marrim mbështetjen nga sovrani, votuesi, që të formojmë qeverinë, por kuptohet nëse ky besim nuk do të ishte i mjaftueshëm, ne do të kërkonim edhe partner. 

RAMUSH HARADINAJ
E para që është me rëndësi në Kosovë, duhet të qëndrojmë në përputhje me obligimet e marra, mandatet. Duhet t’i mbajmë zgjedhjet komunale në kohën e paraparë dhe të mos e ndryshojmë agjendën zgjedhore. Po ashtu, spektri politik duhet të arrijë një dakordim për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Ne nuk po kërkojmë zgjedhje për Aleancën, por për Kosovën, për gjithë spektrin politik. Mendoj se Qeveria Thaçi duhet të bëjë vetë një analizë se a është në rregull të vazhdohet me qeverisje në trendët e tashëm dhe me besimin çfarë ka në Parlamentin e Kosovës dhe me peshën e temave.

Por, mendoj se vendimi ose iniciativa i takon PDK-së, pasi që mbajnë përgjegjësitë e para që të vlerësojnë dhe të ftojnë në një analizë të përbashkët spektrin politik. Sa na përket neve, si Aleancë, ne mendojmë se sa më shpejt që mbahen zgjedhjet parlamentare, të rregullta dhe dakorduara politikisht, do të jetë më mirë për Kosovën.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 09:10

Prishtinë – Fakti që nuk ishte ai të mbante fjalim solemn në paradën e FSK-së e në Kuvend, duket se e ka larguar Ramush Haradinajn nga kryeministri aktual, Hashim Thaçi.

Kreu i AAK-së, Haradinaj, e ka injoruar ftesën e Qeverisë për të ndjekur nga afër paradën e FSK-së dhe seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. “Ai ka pasur agjendën e tij personale për këtë ditë”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, raporton KTV.

Haradinaj, ish-komandant në luftë, ka udhëhequr për një kohë të shkurtër edhe në hierarkinë e lartë të paraardhëses së FSK-së, TMK-në.  Mungesë e theksuar në festimet e pavarësisë ka qenë edhe mosprania e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Edhe ai ka qenë i ftuar, por zëdhënësja e tij, Erla Mëhilli, nuk ka sqaruar arsyet e mungesës.  Berisha ka uruar në Facebook shqiptarët e Kosovës për pavarësinë, duke e quajtur Ibrahim Rugovën – arkitekt të pavarësisë së Kosovës.

Por, asnjëherë emrin nuk ia ka përmendur Rugovës zonja që tashmë mban postin që dikur mbante Rugova. Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidencës, nuk ka pasur asnjë koment për këtë. Seanca e Kuvendit të Kosovës ka qenë i vetmi vend ku deputetët e “Vetëvendosjes” janë bërë pjesë e festimeve. Kur të gjithë janë ngritur në këmbë për himnin, “Vetëvendosje” ka zgjedhur të mos lëvizte vendi.(LajmeShqip.com)