Lajme Shqip Sunday, 03 March 2013 14:44

Hamdi Salihit i është dashur pak kohë për të shkruar emrin e tij në historinë e futbollit kinez. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka qenë njeriu i ndeshjes në Superkupën e Kinës, të fituar 2-1 nga Jiangsu Sainty përballë Guangzhou Evergrande, skuadrës që drejtohet nga i mirënjohuri Marçelo Lipi dhe që në vitet e fundit ka dominuar futbollin kinez. 

Guangzhou kishte fituar kampionatin dhe Kupën në sezonin e kaluar, ndërsa mendohej se do të fitonte edhe trofeun e tretë radhazi, Superkupën e Kinës. Por Salihi ka prishur planet e Lipit, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij me një gol me kokë në minutën e 20-të.

Vetëm 10 minuta më vonë, ai ishte protagonisti i golit të dytë, duke dhënë pasimin për Borovitz që dyfishoi shifrat. Më pas, Sainti vetëm mendoi të ruante rezultatin dhe ndonëse pësoi një gol në pjesën e dytë, arriti të fitonte 2-1 dhe të merrte trofeun e parë në historinë e këtij klubi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 17:12

Hamdi Salihi ka luajtur sot ndeshjen e tij të parë për ekipin kinez të Jiangsu Sainti, ku kaloi pas eksperiencës së dështuar në SHBA. Ndonëse ka debutuar me gol, Salihi nuk i është gëzuar shumë paraqitjes së skuadrës së tij, pasi ajo është mundur me rezultatin e thellë 5-1 në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Azisë. 

Në takimin e luajtur në Korenë e Jugut përballë Seulit vendas, Salihi e filloi ndeshjen nga stoli, për t’u aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, kur rezultati ishte 2-0 për ekipin kundërshtar. Më pas, vendasit shënuan edhe dy herë të tjera para se sulmuesi shqiptar të gjente rrugën e rrjetës në minutën e 80-të, duke përfituar nga një pavëmendje e mbrojtjes së ekipit korean. Por goli i Salihit nuk ndryshoi fatin e kësaj ndeshje, pasi Jiangsu pësoi edhe një gol tjetër, duke mbyllur takimin me humbjen e thellë 5-1, ndonëse vinte me shumë pretendime në këtë sfidë.

Sulmuesi pritet të jetë titullar te skuadra kineze, ndërsa do të debutojë në javën e ardhshme në kampionatin vendas, ku Jiangsu synon të përmirësojë vendin e dytë të sezonit të kaluar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 17:12

Hamdi Salihi duket se po provon aventura nga më të ndryshmet në këto vite të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar, pas eksperiencës njëvjeçare me DC Junajtid në SHBA, tashmë bëhet gati për t’u transferuar në Kinë, ku do të luajë në radhët e Jiangsu Sainty F.C, skuadrës nënkampione të sezonit të kaluar.

Në fakt, sulmuesi shkodran pritej t’i bashkohej Tianjin Teda, një ekip që më parë është drejtuar nga ish-trajnerët e përfaqësueses shqiptare, Ari Han dhe Josip Kuzhe. Por duket se marrëveshja ka dështuar dhe Salihi ka rënë në “grepat” e një tjetër skuadre të njohur kineze, e cila kërkon që në këtë sezon të luftojë për titullin kampion në Kinë për t’i dhënë fund dominimit të Guangzhou Evergrande.

Lajmi është konfirmuar pak orë më parë nga adresa zyrtare e klubit kinez në Ëeibo, versioni kinez i Tëitter, ku saktësohet se futbollisti do t’i bashkohet ekipit në grumbullimin që po zhvillon në Turqi.

Tashmë pritet të mësohet edhe se si do të jenë planet e Salihit në lidhje me kombëtaren shqiptare të futbollit, ku lojtari ka humbur vendin e tij pas mosaktivizimit të rregullt në SHBA. Largësia nga Evropa, falë aktivizimit në Kinë, e bën përsëri të vështirë kthimin e tij mes kuqezinjve në të ardhmen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 07 October 2012 08:01

Hamdi Salihi u kthye në heroin e DC Junajtid pasi arriti të shënonte golin e fitores ndaj Torontos në minutën e 88-të, duke siguruar rezultatin 1-0 që çon skuadrën e tij në play-off pas dy vitesh mungesë. Sulmuesi shqiptar është një rezervë tashmë te DC Junajtid, por këtë radhë ka shfrytëzuar maksimalisht minutat që i janë dhënë nga trajneri i skuadrës, duke shënuar një gol prej sulmuesi zone, pasi ndoqi aksionin deri në fund dhe përfitoi nga gabimi i portierit kundërshtar. 

Vetë trajneri Olsen ka përgëzuar Salihin për këtë gol shumë të rëndësishëm, që shërben edhe për moral. “Jam shumë i lumtur për Salihin, ai është një profesionist i vërtetë. Shumë sulmues nuk e shënojnë një gol të tillë pasi nuk ndjekin aksionin, ndërsa Hamdi është një finalizues i mirëfilltë”, tha trajneri që insistoi për të blerë Salihin në fillimin e vitit.

Vetë lojtari shqiptar ka qenë mëse i entuziazmuar për golin e tij të rëndësishëm, që mund ta ndihmojë të kthehet mes titullarëve në dy ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt dhe ato të play-off.

“E dija që harkimi i Santos do të vinte drejt meje dhe shkova në vendin e duhur. Nuk u çudita kur topi erdhi drejt meje”, tregoi sulmuesi që sot udhëton drejt Shqipërisë për t’u bërë pjesë e grumbullimit të kombëtares shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 21 September 2012 17:41

Hamdi Salihi shkoi me shumë bujë drejt SHBA pasi i bashkohej DC Junajtid si një futbollist me eksperiencë, një sulmues tipik që do të shënonte me vazhdimësi. Por lojtari shqiptar është kthyer në një zëvendësues që luan me pikatore në radhët e kësaj skuadre, duke bërë që të lindin dyshime rreth strategjisë së klubit për blerjen e tij.

Në një shkrim të publikuar nga “Washington Post”, saktësohet se në 5 ndeshjet e fundit të skuadrës së tij ai ka luajtur vetëm 53 minuta dhe që nga data 21 korrik nuk luan një ndeshje si titullar.

“Nuk kam qenë asnjëherë në një situatë të tillë më parë, duke mos u aktivizuar. Por më duhet të pranoj vendimin e trajnerit. Është pak e vështirë për mua. Unë mundohem të punoj, mundohem të bëj disa gjëra më mirë dhe të fitoj sa më shumë minuta në fushë”, tregon lojtari i përfaqësues shqiptare i cili përfiton 487 mijë dollarë në vit, me kontratën e  tij që mbaron në fund të vitit 2015.

Lojtari ka pranuar se vizita e tij e fundit në Shqipëri, ku luajti me ekipin kombëtar, e ka ndihmuar shumë edhe psikologjikisht. “Nuk është e lehtë të mos luash për klubin tënd dhe të shkosh të luash me kombëtaren për 90 minuta. Për mua do të thotë shumë pasi në një pikë të caktuar fillon e mendon se nuk mund të luash. Mua më ndihmoi shumë”, tha sulmuesi që filloi ndeshjen kundër Qipros që nga minuta e parë.

“Ai mund të kthehet përsëri titullar së shpejti. Ne vazhdojmë të kemi shumë besim te ai, pasi Salihi mund të shënojë gola. Ai do të bëjë pjesën e tij nëse do të arrijmë të jemi të suksesshëm në 6 ndeshjet e radhës”, tha trajneri Olsen duke iu referuar faktit që skuadra e qytetit të Uashington kërkon të jetë protagoniste në play-off në luftën për titull. (LajmeShqip.com)