Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 18:45

Gaza – Qindra mijëra mbështetës të fraksionit të liderit palestinez Mahmoud Abbas kanë mbajtur mitingje masive në Gaza për të shënuar 48-vjetorin e grupit Al Fatah.

Hamas, lëvizja që qeveris Gazën, u lejoi rivalëve të Fatah që të mbanin festimet atje për herë të parë që kur e rrëzoi këtë fraksion nga pushteti, 5 vjet më parë.

Dhënia e lejes për ditën e premte ka pasur si synim uljen e tensioneve mes dy palëve, raporton në edicionin e saj online BBC.

Muajin e kaluar, mbështetës të Hamas festuan themelimin e lëvizjes së tyre me një miting të rrallë në Bregun Perëndimor.

Hamas erdhi në pushtet në Gaza pasi fitoi zgjedhjet palestineze në vitin 2006 dhe duke spostuar Fatah nga kontrolli i enklavave në luftimet e ashpra të një viti më pas.

Në një fjalim të regjistruar dhe të transmetuar më pas në ekrane gjigante, presidenti Abbas tha: “Fitorja është e afërt dhe ne do të takohemi me ju në Gaza në një të ardhme të afërt”.

“Gaza ishte territori i parë palestinez që hoqi qafe pushtuesit izraelitë dhe kolonitë e tyre dhe ne tani duam ta heqim të gjithë bllokadën, në mënyrë që ajo të jetë e lirë dhe të lidhet me pjesën tjetër të kombit”, shtoi Abbas nga baza e tij në Bregun Perëndimor.

Turma të mëdha njerëzish, që mbanin në duar flamurin e verdhë të Fatah dhe portrete të presidentit Abbas, marshuan në Qytetin e Gazës për të përkujtuar edhe sulmin e parë të lëvizjes ndaj Izraelit.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 20:13

Tel Aviv – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se komentet e liderit të Hamasit, Khaled Meshaal tregojnë se grupi dëshiron ta shkatërrojë Izraelin.

“Edhe njëherë na është treguar fytyra e vërtetë e armikut tonë. Nuk ka kurrfarë qëllimi për të bërë kompromis me ne. Ata dëshirojnë të na shkatërrojnë, por, është e qartë se nuk do t’ia dalin mbanë”, ka thënë Netanyahu në mbledhjen e qeverisë.

Meshaal ka thënë gjatë shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Hamasit në Gazë se do të vazhdojë luftën kundër Izraelit.

“Nuk heqim dorë nga asnjë pëllëmbë e Palestinës, e cila do të mbetet islamike dhe arabe edhe për ne edhe për të tjerët ka thënë Meshaal, gjatë vizitës pas 50 vjetësh në territoret palestineze. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 November 2012 12:18

Tel-Aviv – Izraeli ka lëshuar sinjalet e alarmit në Te Aviv, të cilat paralajmërojnë sulm të ri ajror. Mediat ndërkombëtare raportojnë se raketa me rreze të gjatë janë nisur nga Gaza drejt Tel Avivit, ndërkohë që krahu ushtarak i Hamasit ka marrë përgjegjësinë për sulmet. 

Shtëllunga tymi kanë mbuluar Gazën, pasi ushtria izraelite ka vazhduar të sulmojë caqet e Hamasit. Aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë goditur mëngjesin e sotëm selinë e sigurisë së Lëvizjes Islamike, ndërsa janë dëmtuar rëndë edhe dy ndërtesa televizioni.

Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, diplomatët kanë vazhduar përpjekjet për ndërmjetësimin e armëpushimit.Dhuna në Rripin e Gazës ka shpërthyer të mërkurën, kur ushtria izraelite ka vrarë shefin e krahut ushtarak të Hamasit.

Mbi 50 persona, palestinezë dhe izraelitë, thuhet të kenë humbur jetën në pesë ditë luftime.(LajmeShqip.com)