Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 17:12

 

Hajdar Beqaj po hetohet për mitmarrje. Njeriu kryesor i PDK-së në Gjakovë dhe njëherësh Drejtor i “Ibër Lepencit”, njihet edhe si zyrtar që iu kryen shërbime bashkë partiakëve të tij duke ua punësuar gratë në ndërmarrjen që udhëheq. Kandidati për Kryetar të Komunës së Gjakovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqaj është nën hetime.

Beqaj, i cili është edhe Drejtor i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, po hetohet nga Policia e Kosovës nën dyshime për mitmarrje. “Ai ka kërkuar para nga një person në shkëmbim të punësimit në ndërmarrjen Ibër Lepenci”, ka thënë një zyrtar hetues për Gazetën Express në kushte anonimiteti.

Kjo është mohuar nga Beqaj. “Nuk është e vërtetë…unë për këtë drejtim jam i hapur. Asnjëherë nuk ka bërë shkelje të ligjit. Këtë e them me bindje të plotë”,ka thënë Beqaj për Express, të martën.

Por “dorështrënguar”, Hajdar Beqaj nuk ka qenë edhe kur bëhet fjalë për punësimin e grave të drejtuesve të lartë të partisë së tij. Njëra nga të punësuar në “Ibër Lepenc” është edhe gruaja e Adem Grabovcit, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. Beqaj pranon se janë punësuar disa gra të bashkë partiakëve të tij, por thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullave të konkursit. “Me konkurse janë bërë të gjitha punësimet. Ato kanë konkurruar si secili qytetar tjetër”, pohon Beqaj, duke përsëritur vazhdimisht se në asnjë punë, në asnjërën prej ndërmarrjeve që i ka menaxhuar deri më tash, nuk ka bërë shkelje ligjore. “Mund të vish me secilin dokument do ju dëshmoj këtë”, tha ai.