Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 10:41

Prishtinë- Rreth një muaj e gjysmë pasi u arrestua me armë pa leje që dyshohet se bartte në veturën me të cilën udhëtonte, atij iu ngrit aktakuza.

Prokuroria Themelore në Pejë ngriti të hënën aktakuzë ndaj Guxim Grabovcit, djalit të Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës. Grabovci akuzohet për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Ngritjen e aktakuzës ndaj Guxim Grabovcit e konfirmoi të hënën për Tribunën, prokurori Haxhi Sinanaj.

Aktakuza ndaj Guxim Grabovcit zyrtarisht është ngritur të hënën rreth orës 15 dhe e njëjta iu përcoll Gjykatës Themelore në Pejë. /tribuna/

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 16:23

Derisa çështja e djemëve të deputetit Adem Grabovci vazhdon të jetë aktuale në vend, humoristët e “Stupcave” kanë vendosur ta kthejnë këtë ngjarje në humor.
Nga skeçi i fundit që kanë publikuar këta humorist, shihet se ata kanë folur indirekt për djemtë e Grabovcit, pasiqë fjalët e përdorura në skeç, duket sikur kanë pikërrëfim raportimet e mediave në lidhje me fjalitë që kanë përdorur djemtë e Grabovcit në adresë të policisë.
Ashtu siç u raportua më herët se djemtë e Grabovcit, u janë drejtuar me fjalët “a e din kush jena na”, policisë, në mënyrë pak a shumë të ngjashme ndodhë edhe në skeçin e Stupcave, të cilët edhe pse nuk përmendin emra, përdorin këto fjali: “A po e din kush jena na? Na jem shtet”, etj.  

 

Video:  http://www.youtube.com/watch?v=nqFRCyIxi5I#at=380

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 11:22

Prishtinë – Bijtë e Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Guximi e Ngadhnjimi, në mesnatën e 15 shkurtit, kanë dëshmuar se “nuk e njohin ligjin”. Guximi duke vozitur veturën e tipit “BMW” në drejtim të Fushë Kosovës, nuk po pyeste për ngjyrat e semaforëve.

Në rrugën me shpejtësi të lejuar prej 60 deri 80 km/h, ai po drejtonte automjetin me shpejtësi 170km/h. Ky ishte shkasi pse dy policët në detyrë e ndoqën atë me veturë zyrtare dhe me shenja sinjalizuese derisa e ndaluan. Si rrjedhojë e tërë kësaj, dhe pas një konfrontimi verbal, aktakuza thotë se Guximi e grushtoi policin Avni Selaci, në prani të kolegut të tij, Latif Veseli.
Gazeta “Tribuna” thotë se ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndaj vëllezërve Grabovci ku për herë të parë mund të mësohen versionet e bijve të politikanit të njohur kosovar, emri i të cilit është përmendur në raste të ndryshme, por jo për vepra penale .

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 12:02

Prishtinë,- Guxim dhe Ngadhënjim Grabovci, bijtë e Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, mund të dënohen nga gjashtë muaj deri pesë vjet burg.

Të dy këta kanë sulmuar policin Avni Selaci më 14 shkurt të këtij viti dhe burgun mund ta vuajnë nëse për këtë vepër penale për të cilën akuzohen, gjykata i shpall fajtorë.

Tashmë ndaj dy bijve të Adem Grabovcit, ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, transmeton gazeta Tribuna.

Prokurorja Sebahate Hoxha më 16 maj të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër Guxim dhe Ngadhënjim Grabovcit, për veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:24

Prishtinë – Natën e së shtunës Guxim Grabovci po udhëtonte me veturë drejt Grykës së Rugovës. Djalin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, po e shoqëronte edhe një shok i tij, Meriton Isufi, shkruan sot Gazeta Tribuna.
Përveç se po shkonin për të bërë qejf në vendin piktoresk të Dukagjinit, Guximi në bagazh kishte edhe dy armë luftarake. Një kallashnikov me 90 fishekë dhe një pushkë gjuetie me 31 fishekë.
Por rrugës për atje ata u ndaluan nga një patrullë e policisë kufitare ku pas kontrollit u janë gjetur armët. Guxim Grabovci dhe Meriton Isufi u shoqëruan në stacionin e Policisë në Pejë dhe pas konsultimit me prokurorin janë liruar.
Prokurori kujdestar në Prokurorisë e Pejës që është duke u marrë me djalin e Adem Grabovcit, Agim Kurmemaj ka konfirmuar se do të ketë aktakuzë ndaj Guximit.
“Padyshim se po, do të ndjekim rastin, edhe pse bëhet fjalë për djalin e deputetit”, ka thënë Prokurori.
Kurmemaj ka konfirmuar se dy të dyshuarit e kanë pranuar veprën dhe janë liruar në procedurë të rregullt.


Buzhala bën thirrje të reagohet për këtë rast 

Deputeti Berat Buzhala ka kritikuar Ministrat Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi, të cilët kishin reaguar ndaj shkrimeve të Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit, javë më parë.
“Arsyeja pse po shkruaj është që të shpreh irritimin tim të thellë me kolegët e mi politikanë
që për Benin e Lubonjën e bën gati turrën e druve, kurse për Bujen e Grabovcin dhe nënshtrimin që këta po ia bëjnë shtetit, e kanë futur bishtin ndër shalë dhe po bëjnë sikur asgjë nuk po ndodh”, ka shkruar Buzhala në Facebook.
“A e dinë apo nuk e dinë të apostrofuarit, Vlora, Memli e Ernesti se shtetin tonë nuk do ta rrezikojë asnjëherë Ben Idrizi e Fatos Lubonja – madje edhe nëse i shkruajnë gjërat më të çmendura – por shtetin e rrezikojnë sjelljet mafioze të familjeve të politikanëve”, ka shkruar më tej Buzhala.