Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 09:28

Prishtinë – Rrustem Mustafa, i cili vetëm një javë më parë u dënua me katër vite burg për krime lufte nga gjykata e EULEX’it, çuditërisht i ka dalë në mbrojte misionit europian. Ai tha se e çmon punë e atij misioni, që sipas tij nuk është kundër UÇK’së, por krimeve të luftës.

Ish- Komandant Remi ka thënë se i ka lutur qytetarët që mos të dalin në ditën e gjykimit të tij e të protestojnë para gjykatës pasi e ka bindjen se askujt nuk i duhet mbrojtja jashtë organeve të drejtësisë.

Ai ka thënë se ka raste kur nuk i kupton lëvizjet dhe misionin politik të PDK’së. Megjithatë, ka thënë se ndihet mirë si anëtar i kryesisë së kësaj partie, shkruan Tribuna. Mustafa e ka pranuar se ka ndryshuar mendimin që e kishte për nevojën e krijimit të koalicionit PDK-LDK.

Tani ai konsideron se PDK’ja duhet të vazhdojë koalicionin aktual deri në zgjedhjet e ardhshme dhe tek pas zgjedhjeve të reja të bëjë plane për koalicione të reja.

Ndryshe, Një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX’it dhe të Kosovës i shpalli fajtorë të tre të pandehurit e “Grupit të Llapit” për krime të luftës kundër popullatës civile.

Të tre të pandehurit në këtë rast akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të cilët gjatë periudhës 1998/1999 ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë.

Latif Gashi u dënua me 6 vite burgim, Nazif Mehmeti me tri sosh ndërsa Rrustem Mustafa me 4 vite burgim.

 
Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 13:15

Prishtinë – Të akuzuarit në rastin “Grupi i Llapit” janë shpallur fajtorë. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore për Krime të Luftës në Prishtinë, në bazë të të cilit Latif Gashi është dënuar me gjashtë vjet burg, Nazif Mehmeti dënohet me tri vite burg kurse anëtari i Kryesisë së PDK-së Rrustem Mustafa Remi dënohet me katër vite burg.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se të pandehurit kanë pasur përgjegjësi për veprimet që kanë ndodhur, përfshirë këtu rrahjet dhe torturimet në qendrën e paraburgimit në Prapshticë prej 1998 deri me 1999.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 11:20

Prishtinë – Rreth 30-40 llapjanë janë duke protestuar në përkrahje të Grupit të Llapit, para gjykatës, ku sot mbrojtja e Grupit te Llapit do të paraqesë fjalën përfundimtare.

Protesta ishte paralajmëruar në rrjetet sociale nën moton “Ta përkrahim Grupin e Llapit”, raporton Express.

Por, vet Rrustem Mustafa – Remi ka kundërshtuar këtë protestë.

“Ju njoftojmë se ne nuk e kemi parë të arsyeshme që të bëhet një organizim i tillë dhe se nuk jemi pjesë e organizimit e as që kemi autorizuar dikë që gjatë ditë së nesërme 04.06.2013 që nga ora 08:00 të dalin në përkrahje të Grupit të Llapit para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kur kemi parasysh që ne kemi modelin tonë të mbrojtjes dhe nuk do të ndërrojmë asgjë në mbrojtjen tonë. Do të mbesim kështu, pa kërkuar ndihmë nga askush, ngase nuk mendojmë që kemi nevojë”, thuhet në deklaratën e Rrustem Mustafës-Remit, ndaj të cilit dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, po zhvillohet proces gjyqësor.

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 14:45

Sot u mbajt seanca e “Grupit të Llapit”, me të akuzuarit Latif Gashi, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Gjatë kësaj seance, prokurori i çështjes në fjalë, Charles Harduej, në fjalën e tij përfundimtare, kërkoj që të tre të akuzuarit të dënohen.

Harduej tha se Rrustem Mustafa, si komandant i Zonës së Llapit është përgjegjës i drejtpërdrejtë dhe po aq fajtor sa vartësit e tij që kanë kryer rrahjet dhe torturat në qendrën e paraburgimit në Llapashticë ndaj të ndaluarve civil, raporton RTK.

Prokurori i rastit “Grupi i Llapit” deklaroi se nuk po dënohet e UÇK-ja, por këta të tre të pandehurit. Ndërkohë gjykimi po vazhdon. Seanca e radhës, kur pala mbrojtëse do të paraqes fjalën e saj është me 4 qershor.