Lajme Shqip Saturday, 21 June 2014 18:20

Një muaj pasi u shpall i pafajshëm në rastin e parë të “Grupit të Drenicës’, ndaj tij do të nisë procesi i ri gjyqësor. Bëhet fjalë për Sylejman Selimin, edhe më tej zyrtarisht ambasador i Kosovës në Shqipëri. Ai dhe të tjerët akuzohen për vepra të cilat dyshohet se i kanë kryer gjatë luftës së fundit në vend. Procesi ndaj Selimit dhe të tjerëve ishte paralajmëruar se do të niste më 12 qershor.

Por sipas avokatit të tij mbrojtës, Tomë Gashit, tashmë është vendosur që procesi gjyqësor në pjesën e dytë të këtij rasti të fillojë më 27 qershor.
Kështu, gjykimi ndaj komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së, të njohur si “Grupi i Drenicës”, do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Në këtë seancë pritet të paraqiten të gjithë të akuzuarit e që përveç Sylejman Selimit, janë edhe Hysni Thaçi, Agim, Bashkim, Driton dhe Selman Demaj, pastaj Fadil, Nexhat, Jahir dhe Zeqir Demaku.

Rasti i dytë i të njëjtit proces gjyqësor është ndarë kohë më parë nga kryetari i trupit gjykues në dy pjesë.
Kjo është bërë me arsyetimin se në proces janë të përfshirë numër i madh të akuzuarish, ose gjithsej pesëmbëdhjetë persona. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 January 2014 17:09

Një ditë para skadimit të masës së paraburgimit ndaj kryetarit të komuëns së Skenderajt Sami Lushtaku, ambasadorit, Sylejman Selimi dhe pjesëtarëve të tjerë të njohur për drejtësinë si grupi i Drenicës, EULEX-i, ua ka vazhduar atyre paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, deri më 23 mars.

Lajmin për vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar për gazetën mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi.

“Gjyqtari i EULEX-it, në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues në rastin e ushtarakëve të UÇK-së, tani të njohur si Grupi i Drenicës, nuk ka pritur fare skadimin e paraburgimit që do të ndodhte nesër me 23 janar por me një vendim të ri sot ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj deri më 23 mars”, ka thënë konfirmuar Gashi.

Duke e cilësuar vazhdimin e paraburgimit si dënim pa gjykim./Zeri/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 January 2014 15:06

Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku kanë angazhuar avokatë me përvojë në Gjykatën e Hagës, ka mësuar “Koha Ditore”. Selimi pritet të përfaqësohet në gjykim nga avokati amerikan, Gregory Guy Smith, i cili ka mbrojtur Idriz Balajn në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Ndërsa Lushtaku do të mbrohet nga Nick Kaufman, nga Izraeli, i cili ka mbrojtur disa prej kriminelëve më të mëdhenj në botë, siç është Kaing Guek Eav, komandant i burgut të kmerëve të kuq në Kamboxhia. Ata kanë aplikuar për licencim në Odën e Avokatëve të Kosovës. Organet e OAK-së janë duke shqyrtuar aplikimet e tyre.

 Ish-komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi dhe ish-komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, akuzohen për krime lufte, që supozohet se kanë kryer në Likoc në vitin 1998. Ata po ndiqen penalisht nga prokurorë ndërkombëtarë të EULEX-it. Akuzat kundër tyre janë të rënda, përfshirë torturimin, rrahjen sistematike dhe trajtimin çnjerëzor të të burgosurve. Lushtaku akuzohet edhe për vrasje të një civili shqiptar. 

 
Lajme Shqip Friday, 06 December 2013 15:03

Ka përfunduar seanca e sotme fillestare gjyqësore kundër “Grupit të Drenicës”. Të pandehurve në seancën e sotme u është lexuar aktakuza, me të cilat ngarkohen 15 të ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria e EULEX-it.

 Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, ka kërkuar nga trupi gjykues që klienti i tij të lirohet për disa orë që ta bëjë betimin para asamblesë komunale të Skenderajt, pasi është zgjedhur kryetar i kësaj komune në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. E kryetari i trupit gjykues, Dariusz Sielicki, ka thënë se për këtë çështje do të marrë vendim në ditët e ardhshme. Seanca e radhës vazhdon pas një muaji, pas paraqitjes së provave nga pala mbrojtëse.

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 November 2013 13:29

Prishtine- Ka nisur seanca fillestare ndaj Sylejman Selimit dhe tre të tjerëve në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës.  Të gjithë të akuzuarit në rastin e dytë për krime lufte janë deklaruar të pafajshëm. “Jo, nuk jam fajtor”, ka qenë përgjigja e Sylejman Selimit kur është pyetur nga gjyqtari për akuzën ndaj tij, raporton KTV-ja. Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, dyshohet për cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të dy dëshmitareve, në bazë të dëshmisë të së cilave edhe është ngritur aktakuza. Pos ambasadorit Sylejman Selimi në aktakuzë janë edhe Nexhat Qubreli, Ismet Haxha dhe Shefki Hyseni, i cili ballafaqohet me akuzën e dhunimit të Dëshmitares A.

“Është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se çfarë po ndodh. Do të kujdesem që të gjithë të kuptojnë se këta zotërinj janë të pafajshëm deri sa nuk vërtetohet e kundërta”, ka thënë gjyqtari Philip Kanning. 

Avokati Tomë Gashi që mbron Selimin, ka kërkuar që lënda të bashkohet me atë të Grupit të Drenicës por gjyqtari ka thënë se kjo kërkesë të bëhet në fund. Prokurori italian, Mauricio Salustro po zëvendësohet nga një gjyqtare tjetër e EULEX-it.

 
Lajme Shqip Friday, 22 November 2013 15:18

Prishtinë- Kryetari i trupi gjykues Dariusz Sielicki sot ka sjell aktvendim më të cilin i ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj , Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Avni Zabelit, Hysni Thacit, Jahir Demakut dhe Zeqir Demakut.

Avokati i Sylejman Selimit, Tom Gashi, ka thënë se më këtë EULEX është duke treguar se përveç sjelljes së vendimeve tepër të ashpra, jo ligjore, jo të drejta dhe fyese për ish komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tij është duke tentuar të amortizoj mllefin kundër këtyre vendimeve me sjelljen e tyre duke shtuar se të premteve dhe thuaj se ditët e vikendit do ta zbusin padrejtësinë e haptë ndaj këtyre vendimeve shokuse.

“Nga 31 maji këta komandant dhe ushtar tè UCK-s po mbahen nè paraburgim me dyshime për kinse involvim nè kryerjen e veprave penale krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1998. Ushtria ,policia dhe paramilitart serbe gjatë vitit 1998/1999 vranë dhe masakruan mbi 15.000 civil shqiptar dhe dogjën gjysmën e Kosovës .Për këtë asnjë serb nuk është duke u mbajt nè Paraburgim as për një v ikend. Ne mbrojtjes na mbetet tè ankohemi dhe vetëm tè ankohemi”, thekson Tom Gashi./zëri/ 

 
Lajme Shqip Monday, 18 November 2013 16:06

Prishtinë- Një numër i konsiderueshëm i studentëve, veteranëve të UÇK-së dhe organizata të ndryshme jo qeveritare po protestojnë para zyrave të EULEX-it në kërkim të lirimit të ish luftëtarëve të UÇK-së të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”. “Poshtë EULEX-i”, “Arrestoni kriminelët në veri”, janë disa nga thirrjet që protestuesit po bëjnë përballë ndërtesës së EULEX-it. Protestuesit po ashtu kanë prezantuar para EULEX-it fotografi nga masakrat e luftës së fundit në Kosovë. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta tjera deri në lirimin e “Grupit të Drenicës”. /Zëri/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 16:09

Prishtine- Është caktuar seanca fillestare për Grupin e Drenicës. Ajo do të mbahet më 6 dhjetor në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në të, të akuzuarve u lexohet aktakuza e pastaj kryetari i trupit gjykues do të vendos për gjykim kryesor ose jo. “Nëse deri më 23 nëntor nuk ndërpritet paraburgimi ndaj Sylejman Selimit dhe 6 bashkëluftëtarëve të tij, mbrojtja do të kërkojë nga kryetari i trupit gjykues ta ndërpresë këtë masë dhe Selimi të mbrohet në liri”, i ka thënë KTV-së Tomë Gashi, avokat i Selimit. Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi , komandanti për zonën e Drenices Sami Lushtaku, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, deputeti Fadil Demaku dhe 11 të tjerë akuzohen nga EULEX për krime lufte. Kyetari i trupit gjykues është caktuar Dariusz Sielicki. Akuza më e rëndë është për Sami Lushtakun e Sabit Gecin, që të dy të akuzuar për vrasje.

 “Sami Lushtaku ka vrarë të burgosurin shqiptar duke e qëlluar atë me pistoletë TT në kokë”, thuhet në aktakuzën që e ka KTV-ja. Për shkaqe sigurie, seancat mbahen në Prishtinë, megjithëse rasti është nën autoritetin e Gjykatës në Mitrovicë.

 
Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 12:04

Prishtinë- Ivan Bulatoviq ishte me gruan në tren. Udhëtimin po e bënte në muajin maj të vitit 1998. Në atë kohë, Bulatoviq ishte komandant i stacionit të policisë në Drenas.

Nga treni dyshohet se atë e rrëmbyen tre pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më vonë, vrasjen e tij dyshohet se e ka kryer Sabit Geci. Ekzekutimit të Bulatoviqit pretendohet se i ka paraprirë rrahja nga Sahit Jashari.

Kështu shkruan ndër të tjera në aktakuzën e ngritur nga Mauricio Salustro, prokuror i EULEX-it në rastin e quajtur si “Grupi i Drenicës”.

Bulatoviq në aktakuzë përshkruhet si person për të cilin thuhet se ka ushtruar dhunë ndaj popullatës shqiptare.

Në grupin e të akuzuarve bëjnë pjesë pesëmbëdhjetë persona. Në mesin e tyre janë Sylejman Selimi, tash ambasador i Kosovës në Shqipëri e Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt. Të dy ndodhen në paraburgim. Të tjerët janë Nexhat Demaku, kryetar i Drenasit, Fadil Demaku, deputet në Kuvendin e Kosovës. Pastaj janë edhe Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Agim Demaj, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj, Avni Zabeli e Hysni Thaçi.

Në aktakuzë shkruan se pas atij rrëmbimi, trupi i Bulatoviqit nuk u gjet asnjëherë. Ai ende figuron i zhdukur./Tribuna/ 

 
Lajme Shqip Friday, 15 November 2013 11:24

Prishtinë- Sami Lushtaku akuzohet për vrasje. Kryetari i rizgjedhur i Skenderajt ngarkohet nga Prokuroria e EULEX-it edhe për veprën penale të cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Lushtaku është njëri nga pesëmbëdhjetë pjesëtarët e ish-UÇK-së, të akuzuar për krime të luftës. Ky rast njihet si “Grupi i Drenicës”.Për kohën për të cilën akuzohet, Sami Lushtaku ishte komandanti i Zonës Operative të Drenicës.

Prokurori i rastit, Mauricio Salustro, pretendon se i akuzuari Lushtaku, veprën penale e ka kryer në shtator të vitit 1998. Në aktakuzën e plotë të siguruar nga ‘Tribuna’, prokurori pretendon se ndaj Sami Lushtakut ka dëshmuar personi që konsiderohet bashkëluftëtar i ngushtë i tij, shkruan kjo gazetë.

Madje Lushtaku e dëshmitari i koduar me shkronjën ‘D’, janë shumë të njohur mes vete, edhe përtej shoqërisë së luftës. Në aktakuzë përshkruhet edhe lidhja familjare ndërmjet tyre.