Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 14:27

Prishtinë- Prokurori Maurizio Salustro ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që “Grupit të Drenicës” t’i vazhdohet masa e paraburgimin edhe për dy muaj. Lajmin e ka konfirmuar avokati Tomë Gashi.

“Përsëri prokurori i EULEX-it, Salustro ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që t’iu vazhdohet paraburgimi deri më 23 dhjetor Sylejman Selimit dhe  gjashtë ish-bashkëluftëtarëve të tij”, ka thënë Gashi, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit.

Avokati Gashi kërkesën e Salustros për vazhdimin e masës së paraburgimit për “Grupin e Drenicës” e ka vlerësuar si fyese për sistemin e drejtësisë në Kosovë. “Unë si avokat i z. Selimit i konsideroj joligjore dhe fyese pretendimet e prokurorit se z. Selimi dhe të tjerët që luftuan për çlirimin e Kosovës, mund të ikin nga Kosova për të mos u përballuar me një gjykim të ardhshëm. Po ashtu, prokurori pretendon se mund të ketë ndikim te dëshmitarët në këtë çështje. Prokurori ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzës për disa ditë dhe nëse është kështu, atëherë si mund të ndikohet te dëshmitarët, të cilët paskan dhënë deklarata gjatë hetimeve”, është shprehur Gashi.

Në këtë kontekst, Gashi ka bërë më dije se ai me avokatët tjerë mbrojtës, do t’i parashtrojnë argumentet e tyre ligjore në mënyrë që mos të merret parasysh kërkesa e prokurorit Salustro. “Ne si avokatë do t’i paraqesim kundërshtimet tona dhe mbetet që gjykata të vendos. Paraburgimi është duke u përdorur si dënim e jo si masë, thuajse në të gjitha rastet e hapura kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, ka deklaruar Gashi./Epoka e Re/ 

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 10:36

 

 

Prishtinë –(E plotësuar) Me kërkesë të prokurorit Mauricio Salustro, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka marrë vendim për t’ua vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin “Grupit të Drenicës”.

Kështu ka shkruar deputetja e PDK-së, Ganimet Musliu në rrjetin social “Facebook”. Sipas saj, misioni i EULEX-it në Kosovë është për ta destabilizuar Kosovën. “Vendimi për vazhdimin edhe për dy muaj paraburgim për komandantët e UÇK-së më së paku ka të bëjë me drejtësi. Turp”, ka shkruar Musliu.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit ambasadorit të Kosovës në Shqipëri.
“Sot gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore né Mitrovicë, sipas kërkesës së prokurorit të EULEX i ka vazhduar paraburgimin ish- komandantit të përgjithshëm të UÇK’së z. Sylejman Selimi dhe 6 bashkëluftëtarëve të tij edhe për 2 muaj, respektivisht deri më 23.10.2013”, ka thënë Gashi për Express.
Sipas Gashit, gjyqtari i ka aprovuar pretendimet e Prokurorit Salustro se kinse ekziston rreziku i ikjes dhe rreziku i ndikimit në prova dhe dëshmitarë.
“Unë si avokat i Sylejman Selimit, por edhe të gjithë avokatët tjerë do të paraqesim ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”. Ka pohuar Gashi, i cili e konsideron shokues, të padrejtë dhe pa asnjë bazë juridike këtë vendim, sikurse edhe vendimin e datës 31 maj për paraburgosje të z. Selimi dhe të bashkëluftëtarëve të tij 14 vite pas përfundimit të luftës.
”Edhe pse të gjithë me ftesë janë lajmëruar vullnetarisht tek prokurori. Është fyese të pretendohet që ata që luftuan për çlirimin e Kosovës dhe që konsiderohen heronj të gjallë të luftës do të ikin nga Kosova që të mos përballen me një gjykim të ardhshëm për diçka që nuk ka ndodhur”, është shprehur avokati i Selimit.

Afati i paraburgimit për “Grupin Drenica” skadon sot

 

Prishtinë – Gjykata Themelore e Mitrovicës, sot duhet patjetër të marrë vendim t’i lirojë shtatë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si “Grupi i Drenicës”, apo ta aprovojë kërkesën e Prokurorit Maurizio Salustro, i cili para dy ditësh kërkoi nga kjo gjykatë vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, ka thënë se Gjykata nuk mundet ta prolongojë apo ta shtyjë marrjen e vendimit për vazhdimin ose jo të paraburgimit.
Sipas Gashit , nëse vendimi nuk merret deri në ora 24:00, klienti i tij dhe të gjithë të tjerët nga administrata e burgjeve ku gjinden duhet të lirohen menjëherë nga paraburgimi.
Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodhen në paraburgim qysh prej 23 qershorit të këtij viti me vendim të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Ata janë të dyshuar se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë./Kosovapress/

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 August 2013 15:01

Prishtinë- Prokurori Mauricio Salustro ka paraqitur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kerkesën për vazhdimin e paraburgimit të Grupi të Drenicës.

Sipas Tom Gashit, avokat i Sylejman Selimit, prokurori ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj.

“Kjo me arsyetimin se kinse ekziston rreziku i ikjes dhe ndikimit në prova dhe në dëshmitarë”, ka thënë Gashi për Express.

Ai mendon se kjo kërkesë si dhe vetë vendimi për paraburgim të shtatë të pandehurve, tani i njohur si “Grupi i Drenicës”, është krejtësisht pa asnjë arsye juridike.

“Nga që Zoti Selimi dhe gjithë të tjerët me ftesë dhe vetë janë paraqitur në prokurori dhe nuk ka pasur asnjë iniciativë minimale te kenë tentuar që të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë”.

Ai thotë se do të ankohet në këtë propozim të prokurorit dhe shpreson që gjykata të mos e aprovojë kërkesën e tij dhe gjithashtu t’i lirojë nga paraburgim apo atë ta zëvendësojë me ndonjë masë më të lehtë alternative.

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 17:02

Prishtinë – EULEX ka kërkuar që Sami Lushtaku të kthehet në Dubravë, aty ku po e vuan masën e paraburgimit prej dy muajsh. Megjithatë mjekët e repartit ku ndodhet Lushtaku i shtruar nga dita e shtunë, po thonë që ai ka nevojë për terapi dhe kujdes të mëtutjeshëm.
Gjendje e njëjtë thuhet të jetë edhe për ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi. Doktor Sami Delijaj, shef i repartit të ortopedisë së përgjithshme në QKUK, ka pohuar për Kosovapress se Lushtaku ka dhimbje të mëdha të gjurit dhe se i njëjti ka nevojë për ekzaminim të mëtutjeshëm.
Ai ka pohuar se Lushtaku është sjell nga Burgu i Dubravës, si rast urgjent dhe me rekomandim të Spitalit Rajonal të Pejës, pasi që i njëjti kishte dhimbje të gjurit me intensitetit mjaft të lartë.
Mjeku Delijaj, ka thënë se përkundër terapisë që është përdorur në Qendrën Emergjente, pacienti nuk ka mundur të rezistojë dhe është bërë hospitalizimi i tij dhe të njëjtën kohë është vendos për metodat diagnostike- hulumtuese në mënyrë që të dihet për natyrshmërinë e problemit.
“Në bazë të ekzaminimit klinik dhe rengelogjik, dyshohet se te pacienti i njëjtë kemi të bëjmë me një lloji instabiliteti të një segmenti të rëndësishëm të kolonës vertebrale dhe dyshohet se njëra nga unazat ka pasur një rrëshqitje me çka është krijuar një komprosion në palcën kurrizore dhe dhimbjet e tilla janë të padurueshme. Tani jemi duke përdorur terapi me të cilën jemi duke e lehtësuar dhe përballuar situatën në të cilën gjendet” , ka pohuar ai.
Ky problem shëndetësor, sipas mjekëve, ka ardhur si pasoi e plagëve të marra nga armët e zjarrit të shkaktuara në kohën e luftës. Megjithëkëtë, EULEX-i ka adresuar një kërkesë në drejtim të QKUK-së, ku kërkohet kthimi i Lushtakut në burgun e Dubravës.
“Tani kam marrë një paralajmërim nga gjykatësi i EULEX-it se pacienti i njëjtë duhet të kthehet në burgun e Dubravës, megjithatë ne kemi formuluar një raport për të gjitha procedurat diangostike dhe terapeutike të cilat pacienti patjetër duhet t’u përmbahet. Është punë e tyre si vendosin, megjithatë ne në aspektin profesional të angazhuar dhe njëkohësisht në aspektin etik të detyruar që trajtimin e secilit pacient që vjen këtu të trajtojmë në mënyrë profesionale dhe sa më adekuate”, ka pohuar ai.
Ndërkohë, që edhe ambasadori Sylejman Selimi vazhdon të trajtohet në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK. Mjeku Sami Gjokaj, shef i Klinikës së Kardiologjisë, ka deklaruar se ambasadori Selimi është duke u ekzaminuar dhe se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, por jo në mënyrë të kënaqshme.
“Është i pranuar para tri dite, kemi filluar me analiza rutine dhe deri më tani mund të themi se gjendja është duke iu përmirësuar por jo e kënaqshme, derisa sa të bëhen ekzaminime të tjerë për diagnostikim më të sigurt se nga lëngon ai dhe të dihet se a janë probleme kardiake, apo të natyrës abdominale. Deri më tani është konstatuar se ka gurë në idhzë”, ka pohuar ai.
Edhe mjeku Gjokaj, ka vlerësuar se ambasadori Selimi duhet të qëndrojë i shtrirë deri në ekzaminimin e plotë dhe diagnostifikimin e sëmundjes
Ndërkohë, misioni për sundimin e ligjit EULEX, i cili po zhvillon hetime ndaj tyre, për dyshime për krime lufte, tashmë ka adresuar kërkesën që Sami Lushtaku të kthehet në paraburgim.

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 12:45

Prishtinë – Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi – i cili tash e dy muaj po mbahet në paraburgim nën dyshimet për krime lufte – është shtruar të shtunën vonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burime të Gazetës Express, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të ditur se ai është sjell aty në gjendje të rëndë shëndetësore.
Zëdhënësi i QKUK’së, Shpend Fazliu, ka konfirmuar për Express se Selimi aktualisht po trajtohet në Klinikën e Kardiologjisë.
“Të shtunën rreth orës 23:30, Z. Selimi ka kërkuar ndihmën mjekësore në kuadër të Klinikës Emergjente të QKUK’së, për shkak të problemeve shëndetësore”, ka thënë Fazliu për gazetën, të hënën.
Ai bëri të ditur se Selimi për shkak të komplikimeve shëndetësore po vazhdon mjekimin në Klinikën e Kardiologjisë.
“Pas ndihmës së parë mjekësorë në kuadër të Klinikës Emergjente, ai është ndaluar për trajtim të mëtejmë në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, përkatësisht Njësisë Koronare ku po vazhdon mjekimin. Tash për tash nuk mund të jepen informata më të detajuara, meqë janë duke u bërë analiza më e detajuara rreth gjendjes së tij shëndetësore”.
Gazeta kishte kontaktuar të shtunën më avokatin e z. Selimi, Tomë Gashin, por ai është shprehur se nuk ka informacione se është keqësuar gjendja e klientit të tij.

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 15:16

Skenderaj- Maturantët e Skenderajt, kanë bërë thirrje që para fillimit të mbajtjes së pjesës së dytë të testit të maturës shtetërore, të protestohet sërish në Skenderaj. Ata nëpërmjet kësaj proteste, që do mbahet më 15 qershor, 15 minuta para mbajtjes së testit të maturës, do të shprehin edhe një herë pakënaqësitë në lidhje me arrestimet e fundit ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së, bërë nga misioni i EULEX-it.

Ata i vlerësojnë të padrejta arrestimet e fundit të bëra nga EULEX-i dhe thonë se ky mision e ka humbur rrugën, pasiqë siç shkruajnë në komunikatë, kriminelët janë në veri të Kosovës.

Ne maturantët e të tri shkollave të mesme të larta të komunës së Skenderajt  me këtë protestë shprehim indinjatën e thellë dhe zhgënjimin tonë në EULEX-in me vlerësimit e padrejta ndaj vlerave të luftës të UÇK-së dhe arrestimit e udhëheqësve më të devotshëm të UÇK-së”, thuhet në komunikatë. “Ky gjykim po bëhet jo në emër të popullit por ne fakt është kundër popullit dhe kundër Çlirimtarëve. EULEX-i le të dënojë kriminelet e njohur që vranë 66 nxënës në Drenicë, 38 mësues dhe 22 shkolla të djegura e të shkatërruara dhe çdo gjë tjetër që ishte me vlerë për Shkollat dhe Kosovën”, thuhet në komunikatë.

 

 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 23:25

Gazeta Jeta në Kosovë në Prishtinë raporton se Sylejman Selimi ambasador i Kosovës në Shqipëri ishte marrë në pyetje në vitin 2003 nga hetuesit e Tribunalit të Hagës.

Ai ishte pyetur në cilësinë e dëshmitarinë në rastin kundër Fatmir Limajt në Hagë.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i njohur me nofkën Sulltani kishte mohuar ekzistimin e burgut të Likovcit.

Në këtë fshat të Skënderajt sipas tij gjatë luftës  UÇK-ja kishte pasur një lloj ambulancë të ndihmës së parë për civilë dhe një spital për të plagosurit.

Selimi aktalisht po mbahet në paraburgim bashkë me pesë ish-komandantë tjerë të zonës së Drenicës. Në grupin e tyre bënë pjesë edhe kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku.

Prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro akuzon ish-komandantët për krime lufte të kryera në zonën e Drenicës përkatësisht në burgun e Likovcit.

Selimi dyshohet se ka grushtuar e rrahur me mjete të drunjta dhe metalike të ndaluarit në burgun e krijuar nga UÇK-ja.

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 May 2013 00:03

Maurizio Salustro, prokurori i rastit kundër ish-komandantëve të zonës së Drenicës ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për masën e arrestit shtëpiak për të pandehurit.

Ai ka kërkuar paraburgimin e të gjithë të dyshuarve.

KTV raporton se Salustro në ankesën e tij drejtuar gjykatës ka thënë se ekziston rreziku i ikjes së të dyshuarve, ndikimi tek dëshmitarët dhe se masa është shumë e butë.

Në anën tjetër ankesë ndaj vendimit të gjykatës kanë parashtruar edhe avokatët Tomë Gashi dhe Arianit Koci për klientët e tyre Sylejman Selimi, përkatësisht, Sami Lushtaku.

Ata kanë kërkuar që klientët e tyre të mos mbahen në arrest shtëpiak por të mbrohen në liri. 

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 13:01

 

 

Anëtarët e Grupit Drenica po mbahen në arrest shtëpiak me vendim të   Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Vendimi i gjykatës u pasua pas kërkesës së prokurorit të rastit Mauricio Salustro.

Prokurori ka nisur hetime për krime lufte ndaj civilëve që dyshohen se janë kryer nga Sylejman Selimi ish-komandanti i shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sami Lushtaku ish-komandant i zonës operative të Drenicës si dhe nga Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Avni Zabeli, Hysni Thaçi e Sahit Jashari.

EULEX-i pati njoftuar se anëtarët e këtij grupi dyshohen se kanë kryer  krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (Komuna e Skënderajt).