Lajme Shqip Wednesday, 30 April 2014 15:00

VMRO i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.”Çudia” më e madhe ishte fakti se partia e Gruevskit arriti të sfidojë dhe madje të triumfojë në dy kryeqytetet e shteteve me popullsi shqiptare, si Tirana dhe Prishtina. Në Prishtinë, VMRO mori 81 vota, pasuar nga BDI me 46, LSDM me 3 dhe në fund PDSH dhe RDK me nga një votë. 

Ndërsa, fitore akoma më të thellë VMRO ka shënuar në Tiranë. Sipas rezultateve të KSHZ-së, partia e Gruevskit arriti që në kryeqytetin shqiptar të marrë 460 vota, një shumicë absolute përballë partive shqiptare.

Mendohet se në Kosovë, VMRO ka marrë votat e goranëve, ndërsa në Shqipëri, ato të minoritetit maqedonas të Pustecit dhe Gollobordës./albeu/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 05 January 2014 17:56

 

Seancat e përbashkëta të qeverisë së Maqedonisë me qeverive të dy shteteve fqinje, Shqipërisë dhe Kosovës janë ende në përgatitje e sipër.

 

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Muhamet Hoxha thotë se, nuk ka pengesa për organizimin e seancave të përbashkëta me qeveritë e dy shteteve, por tani janë krijuar kushtet duke pasur parasysh faktin se në të dyja shtetet ishin në proces zgjedhor.

 

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se ka gatishmëri nga të gjitha palët dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e të dyja vendeve, për të caktuar datën dhe temat e diskutimit që do të kenë karakter rajonal ndërsa do të jenë në shërbim të qytetarëve, shkruan shekulli.

 

Mbledhjet e përbashkëta të qeverive të vendeve të rajonit realizohen në kuadër të bashkëpunimit rajonal si parakusht për euro integrimin.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 November 2013 15:54

Shkup- Pas takimit njëorësh me homologun Nikola Gruevski, ku është diskutuar për tema me interes dypalësh, Rama ka shprehur mbështetjen e paekuivokë të qeverisë shqiptare për dokumentin paqësor të vitit 2001.

“Për ne, për Shqipërinë dhe për shqiptarët është e rëndësishme që edhe vetë Marrëveshja e Ohrit të jetë pikë referimi në të gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet dita-ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve këtu dhe suksesit të këtij vendi, për të cilin edhe ne jemi shumë të interesuar dhe e mbështesim”, ka deklaruar Rama.

I pyetur nga “Zhurnal” për marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve, kryeministri shqiptar i ka vlerësuar dy çështjet si të ndjeshme dhe njëherazi të rëndësishme për të ardhmen e vendit. 

Duke iu referuar incidenteve të fundit ndëretnike, Rama ka thënë se qeveria shqiptare i ndjek me shqetësim të gjitha momentet e shfaqjes së intolerancës dhe dhunës me sfond ndëretnik. 

“Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe një herë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, ka theksuar Rama.

Ndërsa ka deklaruar mbështetjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE,  kryeministri shqiptar ka theksuar se integrimi euroatlantik është në të mirën e rajonit, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të maqedonasve vetë. 

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar gjithashtu se marrëdhëniet me Maqedoninë janë të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, ndërsa ka vlerësuar se integriteti territorial i saj është me rëndësi thelbësore për integrimin e mbarë rajonit në BE. 

“Shqipëria është e interesuar për marrëdhënie më intensive me fqinjët, në këtë rast me Maqedoninë, në të gjitha fushat. Jemi të gatshëm të hapim rrugë të reja bashkëpunimesh dhe të përforcojmë bashkëpunimin ekonomik me ide dhe projekte konkrete për një zhvillim të përbashkët”, ka deklaruar Rama.

Në anën tjetër, kryeministri Gruevski, ka deklaruar se takimi i sotëm me homologun shqiptar është në vazhdën e takimeve me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve ekzistuese me fqinjët./Shekulli/ 

 
Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 17:18

Shkup – Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, sipas “Dnevnik”, është duke menduar që ta aplikojë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kjo rrjedh e ngjarjeve në “luftën tregtare” u bë e mundur pasi që Prishtina vendosi embargo mbi importin e të gjitha prodhimeve të Maqedonisë, gjë që ndikoi që nga kufiri të kthehen mbrapsht shumë maune me mallra të Maqedonisë që destinacion e kishin Kosovën, transmeton Almakos.
Komisioni Evropian, ndërkohë, u kërkoi palëve të përfshira në këtë konflikt, t’i përmbahen marrëveshjes së CEFTA – s.
Sot u raportua se Shkupi pritet që t`i ofrojë një propozim Prishtinës që të heq ndalesën për importin e miellit të Kosovës dhe heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës nga data 15 shtator.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Qeveria e Maqedonisë është duke devijuar kontestin ekonomik me atë politikë.
“Për ne kjo çështje nuk ka qenë dashtë të devijojë prej kontestit ekonomik në ndalimin apo pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Ne insistojmë që kjo të jetë në kuadër të raporteve tregtare dhe si të tillë duhet të trajtohet. Mirëpo, prekja e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Republikës së Kosovës për ne është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e fqinjësisë së mirë dhe vlerat evropiane”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka vlerësuar se ky problem duhet të trajtohet me shumë kujdes në një të ardhme dhe sipas saj, interesi i Maqedonisë ndaj Kosovës në aspektin ekonomik është shumë më i madh se sa ai i Kosovës ndaj Maqedonisë në raportet e tanishme tregtare. Kusari – Lila gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë që asnjë vend të shkel një anshëm marrëveshjen e CEFTA-s. “Vendimet e tilla nuk i dëshirojmë, por nganjëherë janë të domosdoshme për shkak se ne nuk mund të jemi në vazhdimësi ata që duhet të mbajmë me korrektësi zbatimin e CEFTA-s dhe të tjerët ta shkelin në vazhdimësi”, ka thënë ajo.
Problemet u shfaqën pasi që Prishtina zyrtare dy ditë më parë aplikoi masën e ndalesës për një pjesë të prodhimeve të Maqedonisë, duke qenë si kundërpërgjigje ndaj ndalesës së palës maqedonase për importin e prodhimeve të miellit nga vendet fqinje, duke përfshirë edhe Kosovën. Autoritetet e Kosovës nuk hoqën embargon edhe pas kërkesave të palës së Shkupit, derisa këta të fundit prej dje nisën aplikimin e taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës, 2 euro për çdo udhëtarë, 5 euro për makinat dhe 20 euro për kamionët dhe autobusët.