Lajme Shqip Sunday, 01 December 2013 11:42

Tiranë- Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, merr një tjetër goditje të fortë nga Gjykata e Tiranës. Në datë 26 nëntor, gjyqtarja Fida Osmani ka dhënë vendimin në favor të deputetit Taulant Balla lidhur me kërkesën e tij për detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që t’i paguajë të gjitha përfitimet financiare që burojnë nga legjislacioni për statusin e deputetit dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit për periudhën 25 shkurt-20 maj 2010. Deputeti Balla, ashtu sikurse edhe disa deputetë të tjerë të Partisë Socialiste kishte paditur Kuvendin që në atë kohë drejtohej prej Jozefina Topallit duke kërkuar pagën për periudhën që ata ishin në grevë urie tek çadrat dhe për periudhën e bojkotit të parlamentit.

Në atë kohë u mor vendimi nga Kuvendi që për deputetët e opozitës të mos paguheshin pagat duke argumentuar se ata ende nuk kishin bërë betimin si deputet. Për pasojë, juristët e Kuvendit ishin të mendimit se edhe detyrimet e tyre si përfaqësues nuk kishin filluan në zonë. Edhe një vit më parë, Gjykata e Tiranës u shpreh me vendim pozitiv për dy nga deputetët socialistë që paditën Kuvendin. Gjykata do të pranonte kërkesat e të deputetëve të PS-së, Ditmir Bushati dhe Ilir Gjoni, të cilët kërkonin që Kuvendi duhet t’u njihte atyre përfitimin e pagës së plotë për periudhën 25 shkurt – 20 maj 2010, si dhe dietat për shërbime telefonike dhe transporti për këtë periudhë. Por ndryshe është vendosur për deputetin Damian Gjiknuri.

Gjykata rrëzoi kërkesën duke i dhënë të drejtë Kuvendit me arsyetimin se mosmarrja pjesë e tij në seancat plenare të zhvil- luara nga Kuvendi dhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, mund të vlerësohej se ka ndodhur pa shkaqe të përligjura. Vendimi në atë kohë parashikonte në mënyrë më koncize që 40% e pagës së deputetit varet nga pjesëmarrja në seancat plenare, 50% nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe 10% për punën në zonë. Pra, sipas këtij vendimi, paga e deputetit sipas çdo komponenti pjesëtohej me mbledhjet që ai zhvillonte në një muaj dhe për çdo mungesë i mbahej dhe pjesa përkatëse e pagës. Kjo bëri që deputeti të mos kishte një rrogë fikse, pasi si pjesa që i jepet për pjesëmarrjen në seancë dhe ajo në komisione ishte e lëvizshme, për shkak se ishte në varësi të pjesëmarrjes. 155 550 lekë është paga mujore e një deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Pasi zhvishet nga detyrimet e Sigurimeve Shoqërore, Sigurimet Suplementare dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale, përfitimi neto zbret në 123 951 lekë në muaj. 

 

Kërcënimet e PD-së 

 

Kuvendi në atë kohë do të “kërcënonte’ 64 deputetë e majtë se në rast të mos ndërprerjes së bojkotit parlamentar, do të rrezikonin që të humbisnin edhe mandatin e tyre. Në janar 2010, Topalli do t’u dërgonte edhe një letër deputetëve të majtë duke i paralajmëruar se nëse do të plotësoheshin 6 muaj nga bojkoti, që përkonte me marsin, mandati i tyre do t’u kalonte kandidatëve pasardhës në listat shumëemërore. Duke cituar Kushtetutën, ish-kryetarja e Kuvendit theksonte në atë kohë se në nenin 71, pika 2 parashikohet ndër të tjera: Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin….dhe kur mungon pa arsye 6 muaj resht në Kuvend. 

 

Bojkoti i demokratëve

 

Ashtu sikurse iu hoq paga për deputetët socialistë, kështu ndodhi edhe me deputetë demokratë të cilët bojkotuan parlamentin disa seanca në fillim të kësaj legjislature. Burime nga grupi parlamentar i PD-së bënë të ditur se për shkak të bojkotit disa javor që i bënë jetës parlamentare në komisione dhe në seancë, në llogaritë e tyre bankare nuk është hedhur paga e plotë, duke u mbajtur një pjesë e pagës së muajit tetor që është marrë në fillim të këtij muaji. Paga ka qenë e kufizuar, për shkak se Kuvendi i ka mbajtur atyre një pjesë të mirë të pagës dhe kjo për të gjitha mungesat që ata bënë si në mbledhjet e komisioneve ashtu edhe në seancat plenare gjatë kohës që protestonin për Aktin Normativ, me anë të të cilit u bë shtyrja e hyrjes në fuqi e ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil”. Këtë javë, mazhoranca e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit vendosi që të ndryshojë edhe vendimin për mënyrën e pagesës së deputetëve. Vendimi i ri rregullon pagesat për komisionet parlamentare, për seancat plenare, dietat si dhe për transportin e deputetëve për të kryer detyrën e tyre gjatë kësaj legjislature. 

 

Bojkoti i deputetëve të Partisë Socialiste 

 

Nga 25 shkurt-20 maj 2010 është periudha që deputetët e PS-së kërkojnë që të dëmshpërblehen nga Kuvendi duke kërkuar përfitimet si paga dhe dietat. Bojkoti i PS-së nisi pas zgjedhjeve të vitit 2009të cilat u kontestuan fort prej saj. Socialistët pretenduan se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe kërkuan hapjen e kutive të votimit. Në atë kohë, KQZ do të refuzon te kërkesën e PS-së për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e tyre, kërkesë të cilën e përsërisin ata në vitin 2011. Por dy vite më pas KQZ do të pranonte kërkesën e PD-së për rihapjen e kutive të votimit. /shekulli/