Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:02

Sërish ditën e sotme drejtuesit e furgonëve të Tiranës kanë dalë në protesta. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga protesta derisa qeveria të reflektojë, ndërsa javën tjetër pritet të organizohet greva e përgjithshme e të gjithë furgonëve, shkruan shekulli.

“Kjo është dita e 17 që ne po protestojmë në gjithë Shqipërinë. Çdo rreth po proteston në vendin e vet. Ne po presim edhe javën që vjen të përshkallëzojmë protestën në Tiranë gjithë vendi. Presim njoftim nga qeveria të heqë pikat që ka caktuar, kthimin bosh. Ne kthimi plot dhe ardhja bosh nuk na intereson, qeveria e di shumë mirë sa e ka shkuar nafta. Ne jemi taksapagues me të gjithë dokumentet, me makina të kushteve që i kërkon qeveria. Shteti nëse thotë që s’do punojnë taksitë 8+1 mos të japë licenca më, se unë nuk e di që janë dy qeveri, një Bashkia që jep licenca dhe tjetra Haxhinasto me Tahirin. Jemi 17 ditë pa bukë”, tha njëri nga drejtuesit.

Edhe në Korçë drejtuesit e mjeteve të transportit 8+1 kanë bllokuar sërish sot njërin kah të rrugës Korçë-Pogradec, ndërsa vazhdojnë t’i bëjnë thirrje qeverisë për zgjidhje të situatës.

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 08:30

Tiranë-Tetë deputetë të opozitës kanë protokolluar në kryesinë e kuvendit, një letër për kërkesë informacioni ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naco në lidhje me minierën e Bulqizës.

“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe shoqërisë koncesionare ACR, duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”, thuhet në fillim të letrës e inicuar nga deputeti Saimir Tahiri.

“Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, shkruajnë deputetët, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot dhe se galeritë e minierave janë shëndruar në kampet e përqëndirmit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babzitur nxjerrin miliona euro përfitime me cmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave”-vijon letra.

Në mbështetje të nenit 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, ata i kanë hartuar 23 pyetje që presin të marrin përgjigje nga ministri Naco, ku kërkojnë të informohen sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot.

-Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?

-Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?

-Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?

-Bazuar në marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?

-METE dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?

Më tej vazhdohet me pyetje të tjera që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, që punojnë në këtë minierë dhe proceset gjyqësore ku është përfshire kompania ACR. Gjithashtu, deputetët e opozitës kërkojnë t’u vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE. (TCH)