Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 14:25

Ka shokuar dhe befasuar gjithkënd fjalimi i një prej pionierëve të demokracisë moderne dhe revolucionarëve të luftës nazifashiste në Greqi, deputetit të partisë së SYRIZA-s, Manolis Glezos.

Manolis Glezos mbajti këto ditë një fjalim në parlamentin grek. Në fakt ishte replikë ndaj deputetit të partisë ekstremiste të neonazistëve grekë të “Agimit të Artë”, Panagioti Iliopoulou, i cili e konsideroi deputetin e partisë së PASOK-ut, Ahmed Chatziosman “agjent të turqve”.

Glezos pohoi këto fjalë, duke iu referuar dhe ministrit të arsimit K. Arvanitopoulos: “Ftoj ministrin e Arsimit të deklarojë, nëse është apo jo grek, sepse mbiemri i tij tregon se është arvanit. Po shikoja me vëmendje të madhe listën e emrave të deputetëve. Nga 38 deputetë, dy kanë emra turq dhe nga 36 të tjerët, 13 prej tyre kanë emra që nuk janë grekë, por janë të gjitha emra të huaj. Nuk kanë kuptuar ende se jemi dy popuj që jetojnë njëri pranë tjetrit.

Kështu, popullin fqinj nuk mund ta dëbosh. Fëmijën tënd mund ta përzësh nga shtëpia. Nga shtëpia e babait mund të largohesh. Bashkëshorten mund ta ndash, por popullin fqinj nuk mund ta ndash. Duhet të kemi mirëkuptim, paqe dhe solidaritet midis nesh që të bashkëjetojmë”.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 December 2013 22:55

Që prej 1 janarit, kufiri shqiptaro-grek do të monitorohet prej Forcave të Armatosura të ushtrisë greke. 

Lajmi publikohet nga Ministria e Mbrojtjes së vendit fqinj, e cila njofton se pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Prespë, ku një polic grek dhe dy shtetas shqiptare humbën jetën gjatë një përleshjeje të armatosur, por edhe tentativat e njëpasnjëshme të narkotrafikanteve në pika të tjera të kufirit dypalësh, Athina zyrtare vendosi të dërgojë ushtrinë për monitorimin e kufirit. 

Burime pranë kësaj ministrie, tregojnë për “Top Channel” se, forcat ushtarake fillimisht do të vendosen zonën e Prespës, ku do të hapen së shpejti dy posta vrojtimi dhe brenda pak ditësh, pika të ngjashme do të ngrihen në të gjithë vijën kufitare prej afro 600 kilometrash.

Ndonëse ende nuk sqarohet mënyra e funksionimit të pikave në fjale, burimet shpjegojnë se roli i ushtrisë do të jetë i kufizuar. Informacionet që do të grumbullohen prej postave kufitare do t’i përcillen në kohë reale patrullave të policisë, të cilat do të veprojnë në terren për asgjësimin e bandave kriminale./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 12:21

Forcat e Armatosura të Greqisë janë detyruar të hapin një hetim urgjent pas zbulimit të një fotografi ku një toger i gradës së dytë të ushtrisë dallohet duke nderuar me dorën e zgjatur si nazistët dhe me një tatuazh në bark ku shkruhet fjala ÇETNIK, me shkronja cirilike.

Lajmi është i bujshëm sepse oficeri në fjalë është Alexander Kasidiaris, vëllai i deputetit famëkeq të Agimit të Artë, partisë neonaziste greke, Ilias Kasidiaris.

Ky i fundit është edhe zëdhënës i kësaj force politike dhe u bë emër i njohur në të gjithë Greqinë kur goditi tre herë me shpullë në kokë, gjatë një debati televiziv, një deputete të greke, Liana Kanelli të Partisë Komuniste. Siç transmeton Illyria, deputeti Kasidiaris veç të tjerash ka thënë se Holokausti është një shpikje e hebrenjve sepse nuk ka ndodhur kurrë.

Nderimi si nazist i oficerit Kasidiaris është një skandal i përmasave ndërkombëtare, duke qenë se Greqia është anëtare e NATO-s.

Trupat vullnetare greke dihet që kanë marrë pjesë në Bosnje dhe gazetari i shquar grek, Takis Michas ka hetuar pjesëmarrjen e tyre në masakrat e Srebrenicës etj në librin e tij të domosdoshëm për t’u lexuar, “Aleanca e pashenjtë”.

Po kjo fotografi dëshmon për edhe për përkrahjen për paraushtarakët kriminelë serbë edhe në radhët e ushtrisë greke. Forcat e Armatosura greke kanë njohur skandale edhe në të kaluarën si zbulimi i videos ku dalloheshin ushtarë grekë në stërvitje e marshim duke kënduar këngë fyese për shqiptarët e turqit. /INA/

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 November 2013 10:59

Pak vite më parë, shqiptarët vinin për të punuar dhe për të ndërtuar jetën në qytete të ndryshme të Greqisë.
Sot, grekët e papunë shkojnë në Shqipëri për të punuar.
Rroga atje është nga 400 deri në 500 euro.
Shumica e tyre janë të papunë prej vitesh: ata punonin dikur në fushën e ndërtimit ose ishin teknikë.
Tani, ata zgjedhin që të kalojnë kufirin dhe të punojnë që të fitojnë nga 7 në 20 euro në ditë.
Megjithatë, ka edhe zgjedhje të mira, për shembull kamerierët që paguhen deri në 40 euro në ditë në rajonet e Vlorës dhe Durrësit, ku, gjatë verës, turizmi është industria në rritje e vendit fqinj.
Presidenti i organizatës së shqiptarëve, “Iliria”, konfirmoi në një intervistë për revistën Tahidromos se “vala e emigracionit” ndodh gjatë muajve të verës.
Ai tha gjithashtu se shumë shqiptarë po kthehen në shtëpi, por jo përkohësisht; të tjerë duan të kthehen vetëm përkohësisht në pritje që Greqia të dalë nga kriza dhe gjërat të bëhen më mirë.
Një banor i Nea Ionia, ishte i papunë prej tre vitesh dhe majin e shkuar ai doli jashtë në kërkim të punës.
Më pas, një mik i tij që ka në pronësi një tavernë në Shqipëri, i tha që të shkonte në Shqipëri.
Pa e menduar dy herë, ai bëri dokumentet e nevojshme dhe shkoi në Shqipëri në shtator.
Atje ai punoi si kamerier duke fituar 35 euro në ditë pa paguar për akomodimin.
Sipas familjes, ambienti ishte shumë i mirë për shkak se kultura e shqiptarëve ka shumë ngjashmëri me kulturën greke. (Greek Reporter)