Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 11:30

Athinë -Kryeministri grek Andonis Samaras ka urdhëruar ministrin e Financave që cështja e dosjes hetimore të Shërbimit të Ndjekjes së Krimit Ekonomik për sa u përket personaliteteve të politikës greke t’i cohet drejtësisë.

Bëhet fjalë për një dosje që përmban 32 emra ministrash e deputetesh për të cilët dyshohet se janë pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme, kanë kryer evazion fiskal, pastrim parash dhe kanë transferuar depozitat e tyre jashtë Greqisë në tre vitet e fundit.

Cështja është vendosur në qëndër të vëmendjes së shtypit grek të së dielës që fshikullon politikanët të cilët nga njëra anë votojnë për reduktime rrogash dhe pensionesh prej 600 eurosh, dhe nga ana tjetër fshehin të ardhurat e tyre ose i depozitojnë jashtë vendit.

Gazeta “Real News” shigjeton tre ish-ministra të Demokracisë së Re, midis tyre edhe kryetarin e sotëm të parlamentit Evangjelos Meimarakis. Për operacionin “Duar të pastra” bën fjalë “To Vima”, ndërsa “Proto Thema” publikon emrat e 32 politikanëve që ose janë hetuar ose janë në proces.

Një prej emrave më të lakueshem, ai i bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis për një remitancë prej një milion dollarësh në një prej bankave të Londrës, ishte bërë i njohur qysh më parë, por reagime të mëdha shkakton në orët e fundit emri i ish-ministrit të Rendit Jorgos Vulgarakis që përfshihet në një listë me afera për pastrim parash prej 10 milion euro.

Kjo gazetë publikon gjithashtu të dhëna se 54000 grekë kanë transferuar 22 miliard euro në bankat e Londrës, Zicrës, Qipros, Lihtenshtejnit dhe Singaporit.

Prej tyre deri tani 27000 persona që kanë transferuar mbi 11 miliard euro, nuk justifikojnë të ardhurat e tyre, ndaj pritet të tatohen me 30% të shumës.

Nga ana tjetër mediat opozitare bëjnë fjalë për një përpjekje c’orientimi të opinionit publik, pasi askush prej politikanëve të dyshuar, nuk do të dënohet ashtu sic ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Kjo edhe për faktin se Zvicra ka kundërshtuar të japë listën me emrat e deputetëve grekë që kanë hapur depozita në bankat e saj, duke theksuar se nuk është në politikën e institucioneve financiare zviceriane dhe as nuk është e detyrueshme, deklarimi i listës me emrat e klientëve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 13:32

Athinë – Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras mori sot nga presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, mandatin për krijimin e qeverisë, që siç u shpreh do ta shfrytëzojë për një “qeveri të shpëtimit kombëtar”. Në prani të kamerave, presidenti Papulias iu drejtua Samaras duke thënë se “vendi nuk mund të qëndrojë as edhe një orë i paqeverisur”

Kreu i Demokracisë së Re, mbrëmë menjëherë pas shpalljes si fitues i zgjedhjeve, deklaroi se është e nevojshme që vendi të ketë sa më parë qeveri. Ai ripërsëriti objektivat e tij në funksion “të qëndrimit të vendit në euro” dhe ftoi gjithë forcat politike, që pajtohen me këto objektiva, të marrin pjesë në krijimin e “qeverisë së shpëtimit kombëtar”.

Më pranë objektivave të Samaras janë PASOK dhe E Majta Demokratike (DIMAR), ndaj Demokracia e re mund të mbështetet tek këto parti, pasi të treja së bashku kanë 179 deputetë, një shumicë mëse e mjaftueshme për të formuar qeveri.

Mbrëmë Venizelos deklaroi se do të hynte vetëm në një qeveri, ku të merrte pjesë edhe SYRIZA e Alexis Cipras, por ky i fundit deklaroi se partia e tij do kontribuonte në opozitë. Analistët e interpretojnë lëvizjen e Venizelosit, si një taktikë për të marë poste ministrore me peshë në qeveri.

Kreu i së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis tha sot për një radio se “Ne duhet të diskutojmë emrin e kryeministrit. Çdo gjë duhet të vihet në tryezë madje edhe emrat e personave, të cilët do të zënë poste ministrore”, ndërsa drejtues të tjerë të së Majtës Demokratike shprehen të kënaqur që do të ndihmojnë për të formuar një qeveri.

Sot Antonis Samaras takon kreun e SYRIZA dhe kreun e PASOK, ndërsa ende nuk është përcaktuar takimi me kreun e së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis. Nëse Samaras nuk do arrijë të firmosë me asnjë nga dy partitë (PASOK dhe DIMAR), atëherë mandati që të formojë qeveri, i kalon Aleksis Cipras dhe nëse as ky nuk do të mundet, i fundit e merr Evangelos Venizelos i PASOK. 

Përpjekjet për krijimin e qeverisë fillojnë disa orë pasi Demokracia e re u shpall zyrtarisht fituese e zgjedhjeve të 17 qershorit, me 29.7% duke fituar 129 vende në parlament. E dyta doli SYRIZA me 26.9%-71 vende në Parlament dhe i treti PASOK me 12.3%-33 vende. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 00:33

Greqi – Demokracia e Re fitoi zgjedhjet parlamentare të 17 qershorit në Greqi, duke siguruar rreth 29.5% të votave, 10 për qind më shumë se në zgjedhjet e 6 Majit.

Lideri i konservatorëve të djathtë Antonis Samaras është tashmë përballë një pikëpyetjeje të madhe, nëse do të bindë dy forcat kryesore të së majtës, Syriza dhe Pasok të formojnë se bashku një qeveri të mirëkuptimit kombëtar

Dalin rezultatet e pjesshme zyrtare të zgjedhjeve, pas numërimit të 18% të votave në gjithë vendin.

Rezultatet zyrtare te zgjedhjeve

Demokracia e Re       29.5%
SYRIZA                    27.1%
PASOK                    12.3%
Grekët e Pavarur        7.6%
Agimi i Artë                 7.%
E Majta Demokratike   6.2%
Partia Komuniste         4.5%

Shperndarja e vendeve në parlament

Dem. e Re                  128 vende
SYRIZA                       72 vende
PASOK                       30 vende
Greket e Pavarur         20 vende
Agimi i Arte                 18 vende
E majta Demokratike   17 vende
Partia Komuniste       12 vende 

Kreu i partisë fituese në zgjedhje, Antonis Samaras deklaroi para gazetarëve se “sot grekët votuan stabilitetin dhe qëndrimin në euro”. Ai deklaroi se nuk do të ketë aventura të reja dhe se vendi ka nevojë për një qeveri të shpëtimit kombëtar. Samaras ftoi gjithë forcat politike të marrin pjesë në qeveri shpëtimi. Kreu i Demokracisë së re siguroi se do respektojë firmat dhe angazhimet e marra në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe huadhënëesit. 

Kreu i SYRIZA, Aleksis Cipras deklaroi pak pas shpalljes së rezultateve zyrtare, se i telefonoi kreut të partisë fituese Antonis Samaras, për ta uruar dhe për ta siguruar se SYRIZA do kontribuojë si opozitë në Parlament. Cipras tha se do të vazhdojë të kundërshtojë Memorandumin e masave, sepse sipas tij “përmbysja e Memorandumit është zgjidhje për gjithë Evropën”. Sipas Cipras, populli votoi 2 herë kundër masave të kursimit.

Zgjidhja e vetme është një qeveri e përbashkët kombëtare,” tha kreu i PASOK, Evangelos Venizelos. “Situata është përkeqësuar në mënyrë të pakontrollueshme. Nuk ka kohë për të humbur në qoftë se ne duam vendin të qëndroje në euro”, tha ai. Po flas për përgjegjësinë e përbashkët të qeverisë kombëtare me pjesëmarrjen e ND, PASOK, SYRIZA dhe DIMAR. Unë i sugjeroj Presidentit të konsumojë nesër në fazën e dytë për të formuar një qeveri”, tha ai. 

Ne kushtet e refuzimit te Cipras per pjesemarrje ne qeveri, negociatat e krijimit te saj nuk do te jene aq te lehta, nderkohe qe Venizelos vendosi kusht pranine e SYRIZA per pjesemarrjen e PASOK-ut ne qeverine e re.

Ashtu siç pritej, ishte një ndeshje shumë e fortë ajo mes SYRIZA dhe Demokracia e Re në zgjedhjet e sotme në Greqi. Demokracia e Re, e cila mbështet marrëveshjen evropiane të shpëtimit shoqëruar me masa të ashpra kursimi, ka një diference mjaft te vogel (2.4%) me SYRIZA-n, e cila i kundërshton kategorikisht këto masa. Ka qenë e vështirë për grekët të zgjidhnin një Greqi në euro duke ndjerë në kurriz masa kursimi, apo anulimin e memorandumit nën kërcënimin e braktisjes së euros, por duket se me se shumti ka qene “frika” ajo qe percaktoi fituesin e brishte te ketyre zgjedhjeve. 

Sipas ligjit zgjedhor ne Greqi, partia që shpallet zyrtarisht fituese, ne kete rast Demokracia e Re, merr një bonus prej 50 vendesh më shumë në parlament. Edhe pas shpalljes së rezultateve paraprake zyrtare, qe nuk pritet te ndryshojne, asnje nga partitë nuk krijon dot qeveri e vetme. 

Krahasuar me rezultatet e 6 Majit, kishte një rritje të pjesëmarrjes në votimet e sotme dhe çdo parti ka rritje të dukshme të mbështetjes së elektoratit.

Tabela e rezultateve të EXIT POLL

Demokracia e Re 27.5 – 30.5%        127 vende
SYRIZA 27 – 30%                             72 vende
PASOK 10 – 12%                              32 vende
Grekët e Pavarur 6 – 7.5%                21 vende
Agimi i Artë 6 – 7.5%                        19 vende
E Majta Demokratike 5.5 – 6.5%        16 vende
Partia Komuniste 5 – 6%                    13 vende

Rezultatet e zgjedhjeve te 6 Majit 

Demokracia e re 18,85%
SYRIZA. 16,78%
PASOK 13,18%
Greket e pavarur 10,61%
Agimi i arte 6,97%
E Majta Demokratike 6.11%
KKE 8,48%

Deklaratat e krerëve politikë, kryeministrit dhe presidentit gjatë votimit 

Demokracia e Re, Antonis Samaras: Sot flet populli grek, nesër fillon një epokë të re për Greqinë. 
SYRIZA, Aleksis Cipras: Frikën e mposhtëm. Sot ne hapim rrugën e shpresës për popullin tonë, të bashkuar me dinjitet dhe krenari. Për një Greqi sociale, të drejtësisë dhe progresit, një anëtare të barabartë në një Evropë që ndryshon. Ne optimistë se ardhmja i takon mbartësit të shpresës. Ne do të fitojmë”.
PASOK, Evangelos Venizelos: Duhet që nesër vendi të ketë një qeveri, që do të nxjerrë vendin vendin nga kriza. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët. 
Grekët e Pavarur, Panos Kamenos: Frika na bën të fitojmë betejën. Shpresa na bën të fitojmë luftën. 
DIMAR, Fotis Kuvelis: Sot qytetarët grekë do të votojnë për shpresën, pa frikë. Greqia do të mundet të të përparojë në rrugën e shpresës. Duhet të ecim në këtë kurs. 
LAOS, Jorgos Karaxhaferis: Me besim grekët do të votojnë me ndërgjegje patriotike dhe jo nën urdhërat dhe shantazhet e znj. Merkel.
Partia Komuniste, Aleka Papariga: Që mbrëmjen e djeshme në një llogari të rreme në FB dikush ka postuar një thirrje në emrin tim, që mbështetësit tanë të votojnë për një tjetër parti. Ne iu bëjmë thirrje votuesve që të ketë sytë hapur. 
Presidenti Karolos Papulias: Unë uroj dhe shpresoj se vota e popullit, të çojë në formimin e një qeverie të qëndrueshme, e cila do të veprojë menjëherë për të zgjidhur problemet që ka populli grek.
Kryeministri Panajotis Pikramenos: Zgjedhjet duhet të rezultojnë me një qeveri. Qeveria e re do të merret me probleme shumë serioze.

Zhvillime të tjera në ditën e zgjedhjeve 

Shënohet një incident në ditën e zgjedhjeve në Greqi. Dy bomba të pashpërthyera u gjetën në ora 13:00 në oborrin e televizionit SKAY, në Athinë dhe një tjetër rreth orës 14:30. Policia, çminuesit dhe forcat antiterrorizëm mbërritën në vendngjarje për të bërë çaktivizimin e bombave, që sipas ekspertëve, nëse do të kishin shpërthyer, do të kishin shkaktuar viktima. Ata thonë se mjetet shpërthyese janë prodhim rus dhe iu është hequr siguresa. Bomba e dytë u gjet, pas një telefonate që njoftoi për praninë e dy bombave në mjediset e televizionit. Rrugët përreth ndërtesës së televizionit u bllokuan.

Ndërkohë vazhdon i fuqishëm edhe sot zjarri që ra dje në Keratea. Dhjetëra zjarrfikës, automjete, 2 avionë dhe një helikopter janë përpjekur të vënë nën kontroll flakët, por ishte tepër e vështirë për shkak të erërave të forta. Tre punonjës zjarrfikës janë plagosur ndërsa 4 persona janë arrestuar të akuzuar për zjarrvënie të qëllimtë.

Përkundër kësaj ngjarjeje, entusiazëm dhe shpresë të madhe iu ka dhënë grekëve, fitorja e mbrëmshme me Rusinë në Kampionatin Evropian, që e kualifikoi skuadrën e tyre në çerekfinale, gjë që duket si një ogur i mirë, për të ardhmen e afërt dhe për orientimin që do vendosë sot Greqia. (B.W)

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 12:20

Athinë – Partia Demokracia e Re është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, të cilat u mbajtën më 6 maj, me 18,85 për qind të votave, gjegjësisht 1.192.054 vota dhe 108 vende të deputetëve, tregojnë rezultatet përfundimtare, të cilat i shpalli sot Ministria greke e Punëve të Brendshme.

Në pajtim me ligjin partia, e cila do të fitojë më së shumti vota, merr 50 vende shtesë të deputetëve në Parlamentin 300-anëtarësh.

Koalicioni i të majtës radikale (SIRIZA) fitoi 16,78 për qind të votave, ose 1.061.265 vota dhe 52 vende të deputetëve.

Lëvizja Socialiste Mbarëgreke (PASOK) fitoi 13,18 për qind të votave ose 833.529 vota dhe 41 vende të deputetëve.

Partia “Grekët e pavarur” fitoi 10,6 për qind të votave, gjegjësisht 670,596 vota dhe 33 vende të deputetëve.

Partia komuniste greke fitoi 8,48 për qind, gjegjësisht 534.072 vota dhe 26 vende të deputetëve.

“Agimi i Artë” fitoi 6,97 për qind, gjegjësisht 440,894 vota dhe 21 mandate.

E majta demokratike fitoi 6,11 për qind të votave, gjegjësisht 386.116 vota dhe 19 vende të deputetëve. (LajmeShqip.com)