Lajme Shqip Monday, 04 March 2013 18:21

Athinë – Greqia është tronditur nga një lajm i fundit i BE-së, e cila ka lëshuar një “Udhëzues të luftës për Greqinë!”. Treshja evropiane ka mbërritur në Athinë në kuadër të takimeve për masat shtrënguese që ky vend duhet te plotësojë.

Por kjo vizitë është shoqëruar me një debat të madh, pasi mediat greke kanë zbuluar një “Udhëzues lufte”, siç konsiderohet një -email i Komisionit Evropian, ku u kërkohet funksionarëve shtetërorë në Athine të marrin masa të larta sigurie, gjatë qëndrimit të tyre në Greqi. Por më e keqja është se ata përshkruajnë skenarë me të vdekur, të vrarë dhe trazira.

E- maili në fjalë, përshkruan një situatë tejet të rëndë dhe të frikshme për kryeqytetin grek.

Sipas medieve të tilla paralajmërime u janë dërguar edhe funksionarëve të FMN-së, të cilët vijnë në Greqi, ndërkohë që bën fjalë edhe për masa udhëzuese më të larta të sigurisë, të cilat do t’u jepen gojarisht të interesuarve.

Sipas porosisë në fjalë, bëhet fjalë për Udhëzuesin e parë që lëshon Komisioni për një shtet anëtar të BE-së dhe u propozon funksionarëve të BE, të cilët vijnë në Athinë, qofshin të huaj, apo edhe grekë, që të marrin një sërë masash, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e tyre, thua se ata po shkojnë në Kabul, e jo në Athinë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 15:43

Athinë – Ligjvënësit grekë miratuan buxhetin e vitit 2013, i cili shkurton shpenzimet dhe ngre taksat në përpjekje për të shmangur falimentimin ekonomik të vendit.
        
Buxheti i vitit të ardhshëm me masat shtrënguese ekonomike përfshin 12 miliardë dollarë shkurtime për pensionet, pagat dhe shpenzimet. Miratimi i tij bëhet disa ditë pasi parlamenti votoi me një shumicë të vogël për masat.
        
Ligjvënëist grekë po u përgjigjen kërkesave të udhëheqësve ndërkombëtarë për këto masa shtrënguese, me qëllim që Greqia të marë një pjesë të ndihmës  prej 40 miliardë dollarësh. Pa huatë ndërkombëtare, vendi nuk do të jetë në gjendje të paguajë këstin në fund të këtij muaji.
        
Dje, mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit të Greqisë ndërkohë që po zhvillohej votimi. Më shumë se 13 mijë vetë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, Athinës, në demostratat që u mbyllën në sheshin kryesor të qytetit.
        
Ministri grek i Financave Janis Sturnaras mbrojti masat shtrënguese të qeverisë, duke thënë se buxheti i vitit 2013 do të shënojë “përpjekjet e mëdha të bëra nga qytetarët grekë, për të kapërcyer situatën e vështirë ekonomike dhe për t’i hapur rrugën një zhvillimi të qëndrueshëm.”
        
Qeveria greke thotë se ligji ishte një hap i rëndësishëm për të bindur kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë për lëshimin e këstit të ardhshëm të huasë prej 31,5 miliardë eurosh.
        
Por partnerët evropianë të Greqisë kanë thënë se nuk janë ende të vendosur për dhënien e këstit tjetër të paketës së shpëtimit. Gjermania, kontribuesi më i madh i këtyre kredive, kishte insistuar se për të krijuar bazën mbi të cilën kreditorët do të mund të marrin vendim për lirimin e fondeve të reja, Greqia duhet më parë të miratonte buxhetin e saj për vitin 2013.
        
Zyrtarët evropianë thonë gjithashtu se u duhet kohë për të studiuar një raport mbi financat publike të Greqisë. Sipas një zyrtari të BE-së, inspektorët e borxhit do t’ua dorëzojnë sot këtë raport ministrave të financave të eurozonës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 09:30

Athinë  – Bëhet fjalë për një marrëveshje mbi reformat që duhen aplikuar në këmbim të lëshimit të këstit të ri të ndihmës prej 31,5 miliardë eurosh.

“Grupi i Komisionit Evropian, BQE-së dhe FMN-së ka përfunduar misionin në Greqi për të diskutuar me autoritetet lokale mbi masat e duhura për të finalizuar programin e riparimit ekonomik të vendit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar në mbrëmje nga zyra e KE-së.

Sipas Komisionit, bisedimet kanë qenë “të frytshme” dhe autoritetet helene me Trojkën kanë rënë dakord për masat kryesore për t’i hapur rrugën pjesës përfundimtare të testit.

Më herët kryeministri grek, Andonis Samaras u shpreh optimist rreth dhënies së këstit të radhës së ndihmës nga ana e ndërkombëtarëve për Greqinë.

“Greqia do të ketë shumë shpejt këstin e radhës për të paguar borxhet e saj, për të rikapitalizuar bankat dhe për të rikthyer qarkullimin e parave në treg”, tha Samaras.

Deklaratën në fjalë kreu i qeverisë helene e bëri mbrëmjen e së hënës në kongresin e organizuar nga “International Herald Tribune” në Athinë.

“Atëherë do të marrë fund frika e kthimit te dhrahmia. Për herë të parë në Greqi ekziston një konsensus i fortë popullor që mbështet reformat strukturale”, shtoi kryeministri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 13:21

Athinë (PLOTESUAR 9 TETOR, 16:00)- Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se Greqia ka mbuluar shumicën e pjesëve që kanë nevojë për shërim, gjatë vizitës së saj në Athinë, e cila është pritur me protesta masive.

Gjatë vizitës së saj gjashtë orëshe në Greqi, Merkel tha se shpreson që Greqia do të vazhdojë të qëndrojë në grupin prej 17 vendeve anëtare të eurozonës, por tha se qeveria në Athinë duhet ende të shtyjë përpara reformat e shkurtimeve. Kjo është vizita e saj e parë që nga fillimi i krizës në eurozonë, e që e kaploi këtë vend para tre vjetësh.

Policia greke ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, të cilët gjuanin gurë dhe bombola gazi në qendër të Athinës, vetëm disa qindra metra larg vendit ku po zhvillohej takimi ndërmjet kancelares Merkel me kryeministrin grek, Antonis Samaras.

Më shumë se 7000 policë janë vendosur në Athinë për t’i parandaluar trazirat gjatë vizitës së Merkelit, ndërkohë që rreth 50 mjë grekë raportohet se janë mbledhur në protestën masive, më të madhen në muajt e fundit, për ta kundërshtuar vizitën e kancelares gjermane dhe masat e shtrëngimit që janë përkrahur nga qeveria e saj.(LajmeShqip.com)

****************************************

Athinë – Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka arritur në Greqi, në vizitën e saj të parë që nga fillimi i krizës në eurozonë, e që e kaploi këtë vend para tre vjetësh.

Më shumë se 7000 policë janë vendosur në Athinë për t’i parandaluar trazirat e mundshme gjatë vizitës gjashtë orëshe të Merkelit, gjatë se cilës ajo pritet të zhvillojë bisedime për krizën me kryeministrin e vendit, Antonis Samaras.

Gjatë ditës së djeshme, me mijëra njerëz protestuan në Athinë për ta kundërshtuar vizitën e Merkelit dhe masat e shtrëngimit që janë përkrahur nga qeveria e saj. Shumë grekë e fajësojnë kancelaren gjermane që ka detyruar Greqinë që t’i zbatojë reformat e vështira, në këmbim të paketave ndërkombëtare të ndihmës, për ta evituar falimentimin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 09:04

Athinë (PLOTESUAR 13:00)- Mijëra qytetarë grekë u mblodhën në qendër të Athinës për të protestuar kundër masave shtrënguese ekonomike, të përgatitura nga qeveria Samaras me kërkesë të Trojkës. 

Protesta është organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, ndërkohë që qendra e Athinës është nën kordonin e policisë dhe rrugët që të lidhin me të, u mbyllën. Më shumë se 2 500 policë, ndodhen në qendër të qytetit për të parandaluar trazirat. Urdhërat e dhëna nga drejtoria e policisë janë të qarta; të shmangen incidentet dhe të ndërhyhet vetëm nëse është e domosdoshme. Në gatishmëri është makina e ujit, që do të shfrytëzohet vetëm në rast emergjence. Persona të maskuar kanë provokuar policinë duke e qëlluar me shishe Molotov, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me granata tymuese dhe kimikate. (LajmeShqip.com)

***********************************

Athinë – Sindikatat e sektorit publik dhe atij privat zhvillojnë në Greqi sot një grevë të përgjithshme që do të paralizojë gjithë vendin, si reagim ndaj masave të propozuara nga Trojka në çështjet e punësimit dhe sigurimit social.

Përveç ndërprerjes së punës, sindikatat iu bëjnë thirrje punëtorëve që të mblidhen në orën 11:00 në sheshin Pedhio tu Areos, ndërsa sindikata e komunistëve PAME do të të mbajë një tubim në orën 10:30 në Omonia, kundër ndërhyrjes së qeverisë për rregullimin legjislativ të pagave minimale, por dhe të pagave në sektorin privat, kundër heqjes së marrëveshjeve të lira kolektive të punës, reduktimit të pagave dhe rritjes së moshës për daljen në pension. 

Në grevë do të marrin pjesë nënpunësit në zyrat tatimore, në zyrat e urbanistikës së qytetit, në pushtetin Lokal dhe ndërmarrjet e shërbimeve komunale, inspektorët tatimorë, doktorët dhe infermierët, juristët, inxhinierët dhe punonjësit e bankave. Në grevë janë punonjësit e doganave dhe aeroporteve. Për shkak të ndalesës së punës së punonjësve në Shërbimin e Aviacionit Civil, nga ora 10:00 deri në orën 13:00, do të ketë ndryshime në fluturimet e avionëve. Marrin pjesë në grevë edhe punonjësit e Organizmit Grek të të Hekurudhave e Federata mbarëgreke e marinarëve. Edhe mësuesit do të marrin pjesë në grevën e përgjithshme 24 orëshe të shpallur nga GSEE dhe ADEDY. 

Protestës së sotme i bashkohet edhe Konfederata e Përgjithshme e profesionistëve, zejtarëve dhe tregtarëve, me mbylljen e bizneseve dhe dyqaneve deri në orën 15:00. Nga ora 09:00 – 21:00 sot, do të qarkullojnë autobusët dhe trolejbusët. Metroja do të funksionojë normalisht gjatë gjithë 24 orëshit, në mënyrë që të lëvizin të gjithë ata që duan të marrin pjesë në protesta.

Gazetarët dhe punonjësit e mediave të shkruara dhe audio-vizive, pas grevës 24 orëshe që zhvilluan të hënën, do të ndërpresin sot punën nga ora 11 00–15 00, kohë gjatë së cilës do të pasqyrojnë vetëm manifestimet e protestës. Ndërkohë, zgjatjen e protestave të tyre deri në datën 20 tetor 2012 kanë vendosur gjykatësit dhe prokurorët. Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj periudhe pezullohen edhe botimet e vendimeve tyre. Gjithashtu, vazhdimin e lëvizjeve të tyre deri në fund të muajit kanë vendosur edhe farmacistët e Atikës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 12:10

Athinë – Kryetari i Parlamentit grek Evangjelos Meimarakis ka deklaruar se do të pezullohet përkohësisht nga detyra pas publikimieve në dy gazeta të së dielës, që e akuzojnë për pastrim parash nëpërmjet shitblerjesh pasurish të paluajtshme prej miliona eurosh. 

Kështu ai u ka deklaruar dy nënkryetarëve të parlamentit dhe kryetarëve të partive parlamentare si i është paraqitur kryetarit të Gjykatës së Lartë për të përshpejtuar procedurat, derisa të përfundojë hetimi i dosjes së tij nga Shërbimi i Ndjekjes së Krimit Ekonomik.

Sipas një deklarate për shtyp ai ka deklaruar gjithashtu se ne menyre katigorike nuk ka asnje lidhje me akuzat ne shtypin grek dhe se kerkon qe te  pastrohet sa me shpejt emri i tij, pasi në këtë mënyrë krijohet një klimë destabilizimi në vend, në momentet kur parlamenti do të votojë për paketën e masave prej 11.5 miliard euro, në mënyrë që të marrë këstin e paketës së shpëtimit nga kreditorët e huaj.

Qeveria greke duket se është më se e vendosur se kurrë të fillojë një katarsis në klasën politike të vendit duke zbuluar rastet kur deputetë apo ministra janë pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme dhe kanë kryer evazion fiskal duke transferuar paratë e depozitave jashtë vendit.

Ministri i Financave ka pranuar se drejtësia greke ka filluar tashmë të hetojë 32 dosje të politikanëve vendas për korrupsion, ndërsa duket se listes i janë shtuar edhe 18 të tjerë.

Emrat e tyre janë botuar në gazetën e së dielës “Proto Thema” dhe “Real Neës”, ku midis të tjerash spikatnin përvec emrit të kryetarit të Parlamentit dhe dy ish-ministra të Demokracisë së Re të akuzuar se janë përfshirë në afera parash.

Me interes tashmë pritet ditën e mërkurë edhe mbledhja e komisionit parlamentar për kontrollin e pasurisë së deputetëve dhe të partive greke, në të cilin marrin pjesë edhe tre gjykatës të lartë, të cilët do të publikojnë listën të gjithë atyre personave që kanë fshehur të ardhurat apo janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Sipas analistëve vendas ekziston frika se nëse vërtetohen publikimet e gazetave për politikanët e korruptuar, do të ketë një reagim të papërmbajtur të shoqërisë greke, pasi nuk do të ketë asnjë baze morale dhe aq më tepër ligjore që disa persona të kësaj klase politike të akuzuar për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm, të votojnë masat shtrënguese që do reduktojnë akoma më shumë pagat dhe pensionet e qytetarëve tashmë të rraskapitur nga kriza.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 11:30

Athinë -Kryeministri grek Andonis Samaras ka urdhëruar ministrin e Financave që cështja e dosjes hetimore të Shërbimit të Ndjekjes së Krimit Ekonomik për sa u përket personaliteteve të politikës greke t’i cohet drejtësisë.

Bëhet fjalë për një dosje që përmban 32 emra ministrash e deputetesh për të cilët dyshohet se janë pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme, kanë kryer evazion fiskal, pastrim parash dhe kanë transferuar depozitat e tyre jashtë Greqisë në tre vitet e fundit.

Cështja është vendosur në qëndër të vëmendjes së shtypit grek të së dielës që fshikullon politikanët të cilët nga njëra anë votojnë për reduktime rrogash dhe pensionesh prej 600 eurosh, dhe nga ana tjetër fshehin të ardhurat e tyre ose i depozitojnë jashtë vendit.

Gazeta “Real News” shigjeton tre ish-ministra të Demokracisë së Re, midis tyre edhe kryetarin e sotëm të parlamentit Evangjelos Meimarakis. Për operacionin “Duar të pastra” bën fjalë “To Vima”, ndërsa “Proto Thema” publikon emrat e 32 politikanëve që ose janë hetuar ose janë në proces.

Një prej emrave më të lakueshem, ai i bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis për një remitancë prej një milion dollarësh në një prej bankave të Londrës, ishte bërë i njohur qysh më parë, por reagime të mëdha shkakton në orët e fundit emri i ish-ministrit të Rendit Jorgos Vulgarakis që përfshihet në një listë me afera për pastrim parash prej 10 milion euro.

Kjo gazetë publikon gjithashtu të dhëna se 54000 grekë kanë transferuar 22 miliard euro në bankat e Londrës, Zicrës, Qipros, Lihtenshtejnit dhe Singaporit.

Prej tyre deri tani 27000 persona që kanë transferuar mbi 11 miliard euro, nuk justifikojnë të ardhurat e tyre, ndaj pritet të tatohen me 30% të shumës.

Nga ana tjetër mediat opozitare bëjnë fjalë për një përpjekje c’orientimi të opinionit publik, pasi askush prej politikanëve të dyshuar, nuk do të dënohet ashtu sic ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Kjo edhe për faktin se Zvicra ka kundërshtuar të japë listën me emrat e deputetëve grekë që kanë hapur depozita në bankat e saj, duke theksuar se nuk është në politikën e institucioneve financiare zviceriane dhe as nuk është e detyrueshme, deklarimi i listës me emrat e klientëve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 11:03

Athinë – Komisioni Evropian konfirmoi sot se Trojka do të tërhiqet nga Greqia, ende pa u mbyllur paketa e masave 11.9 mld euro. 

Largimi i zyrtarëve të Trojkës (KE, FMN, BQE) nga Athina u konfirmua sot në Bruksel nga Simon O’Connor, zëdhënësi i Komisionerit të Ekonomisë, Olli Rehn, i cili duke theksoi se largimi i misionit nuk tregon ecurinë e negociatave.

Simon Connor tha se në Athinë do të mbeten ekspertët teknikë të Trojkës, duke shtuar se “prania fizike” e zyrtarëve të lartë të saj, nuk është e nevojshme për vazhdimin e negociatave me autoritetet greke. “Largimi i Trojkës nuk është një tregues i ndonjë problemi. Negociatat janë në vazhdim dhe diskutimet janë duke përparuar. Jam i sigurt se do të rezultojnë në efekt të menjëhershëm”, tha Simon Connor. 

Pyetjes se kur pritet të përfundojë raporti i vlerësimit të Trojkës, përfaqësuesi i Komisionit iu përgjigj duke thënë se nuk ka asnjë afat kohor specifik. Më herët, kreditorët e Greqisë kishin planifikuar të përgatisnin dhe dorëzonin një raport me konkluzione mbi gjendjen e ekonomisë greke, ndoshta para takimit të ministrave të financave të eurozonës, që do të mbahet më 8 tetor. 

Por sipas Reuters, raporti i KE, BQE dhe FMN për qëndrueshmërinë e borxhit të Greqisë pritet të shtyhet deri pas zgjedhjeve amerikane. Agjencia mbështetet në deklarata të zyrtarëve dhe diplomatëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë pohuar se udhëheqësit evropianë duan të shmangin një “shok” të mundshëm për ekonominë botërore para zgjedhjeve amerikane.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Financave gjermane kategorikisht mohoi skenarët për një prerje të re mbi borxhin grek. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 18:36

Athinë – Drejtori Ekzekutiv i Fondit, Andrea Taprantzis ka konfirmuar për agjencinë Bloomberg se ka ishuj të pabanuar që Greqia mund t’i japë me qira me kalimin e kohës, për një periudhë deri në 50 vjet. 

“Ne kemi gjetur vende që janë afër me kontinentin, që kanë infrastrukturën e mirëzhvilluar dhe nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha Drejtori Ekzekutiv i TAIPED në një intervistë për Bloomberg, të publikuar sot.

Lista përfshin ishujt me një sipërfaqe prej 500 000 metra katrorë deri në 3 milionë metra katrore, që do jepen me qera 30-50 vjet, tha drejtori ekzekutiv i TAIPED. Qëllimi për të mbledhur 50 miliardë euro deri në vitin 2020. Fondi ka shqyrtuar 562, nga 6 000 ishuj, të cilat janë nën sovranitetin grek.

Taprantzis siguroi se “shitja e ishujve përjashtohet, sepse të ardhurat për publikun grek nuk do të ishin më të mëdha sesa ato nga marrëveshjet e qirasë”, duke shtuar se “Greqia do të tërheqë më shumë investime, nëse një ishull shfrytëzohet si një vendpushim turistik”. 

Izraeli kërkuar të blerë ishull në Greqi, për trajnim ushtarak
Deklaratat e kryeministrit grek Antonis Samaras për shitjen e mundshme të ishujve të pabanuar, kanë ngjallur interesin e Izraelit. Qeveria izraelite ka konsideruar blerjen ose marrjen me qira të disa ishujve grekë, për trajnimin e marinës izraelite. 

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Haaretz, e cila thekson se në fund të fundit, kjo nuk është realizuar për shkak se forcat e armatosura izraelite nuk e kanë përkrahur idenë. 

Sipas gazetës, e cila citon burime ushtarake, ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak kërkoi që të merret në konsideratë kjo mundësi, pas deklaratave Antonis Samaras më 22 gusht në gazetën franceze Le Monde, se Greqia “mund të japë ishuj me qira për shfrytëzim, me qëllime komerciale”.

Në të vërtetë, as Departamenti i Përgjithshëm i personelit ushtarak izraelit dhe as marina nuk e mirëpriti idenë, duke preferuar të përqëndrohet në rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes me Greqinë.

Turqia, interes për investime në Greqi
Grupet turke shfaqin gjithmonë e më shumë interes për të investuar në Greqi. Në shënjestër janë portet e Greqisë, por ka edhe plane për krijimin e kazinove, të cilat ndalohen në Turqi. 

Sipas gazetës “Kathimerini”, të paktën dy klube turke janë deklaruar zyrtarisht, se presin zhvillimet në lidhje me privatizimin në Greqi.
E para, “Setur Servis touristik AS”, që kontrollon 9 porte në Turqi, ka marrë së fundmi me qira për 40 vjet portin e Mitilinit, së bashku me grupin “Folli Follie Group”. Ky grup ka vendosur të zgjerojë aktivitetet e tij në portet e Greqisë. Sipas një studimi marinarët shpenzojnë 20-30 herë më shumë, në krahasim me turistët tradicionalë. 

Një tjetër kompani turke ka dorëzuar një propozim, për të investuar komplekse turistike në ishujt grekë. Ndër projektet e përfshira në propozim është krijimi i kazinove për lojtarët turq, pasi Turqia i ka ndaluar kazinotë që në mesin e viteve ’90 për arsye fetare.

Sipas gazetës, javën e kaluar, vizitoi Greqinë një delegacion i shoqatës së agjentëve të udhëtimit në Turqi (TURSAB). Kryetari i shoqatës, B.Oulosoi, i cili kishte një takim me Ministren e Turizmit, Olga Kefalojanis tha se aktualisht kanë vizituar Greqinë 500 000 turq, prej të cilëve 80 000 bëjnë turizmin detar. 

Në rritjen e madhe të vizitorëve turq kanë kontribuar edhe lehtësirat në dhënien e vizave Shengen për turqit, falë programeve pilot zbatuar në ishujt Mitilini, Kios, Samos, Rodos dhe Kos. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 15:27

Berlin – Gjatë takimit me kryeministrin grek Antonis Samaras, kancelarja gjermane Angela Merkel, theksoi nevojën e respektimit të angazhimeve dhe tha se Gjermania është duke pritur vlerësimin e Trojkës për ecurinë e programit grek. “Ne nuk do të nxjerrim ndonjë përfundim, pa patur në duart tona raportin e Trojkës”, tha ajo. 

“Ne presim që Greqia të zbatojë çdo gjë që ka premtuar dhe unë shpresoj se qeveria greke do të lëvizë në këtë drejtim”, deklaroi kancelarja Merkel. “Ka shumë për të bërë, por unë jam e bindur se do të ketë arritje”, u shpreh Merkel. Ajo tha se Berlini nuk e do një situatë të tillë, por kërkon zgjidhjen e problemeve dhe siguroi se zgjidhja e krizës do të jetë hap pas hapi.

Nga ana e tij, kryeministri grek tha se “Greqia do të punojë në përputhje me detyrimet e saj.” Jam i bindur se raporti i Trojkës do ta konfirmojë këtë; ne do të kemi rezultate jo vetëm në eliminimin e deficitit buxhetor por edhe të deficitit në besueshmëri. Ne jemi njerëz krenarë dhe nuk na pëlqen të varemi nga paratë e huazuara. Ne duam të qëndrojmë në këmbët tona dhe do të kemi sukses”, tha kryeministri grek dhe përsëriti se “Greqia nuk po kërkon para të tjera, por pak kohë për frymëmarrje”. 

Duke iu referuar disa deklaratave që paralajmërojnë daljen e Greqisë nga euro, falimentimin e saj apo që i përshkruajnë grekët si popull që nuk punon, Samaras tha: “Ndërsa një komb shpenzon kaq vite me sakrifica të mëdha për të parë shenja të rimëkëmbjes, duke përjetuar vitin e pestë të recesionit, deklarata të tilla toksike vetëm sa krijojnë probleme. Iu japin njerëzve përshtypjen se po luftojnë më kot. Ndaj ato duhet të ndalen ngado që vijnë”.

Merkel u përshëndet me një shtrëngim duarsh dhe buzëqeshje me kryeministrin grek Antonis Samaras, i cili nesër paradite do të takojë presidentin francez Francois Holand, në Paris. (LajmeShqip.com)