12
 
Lajme Shqip Friday, 08 March 2013 17:58

Tiranë – Gratë në të gjithë botën kanë protestuar për të kërkuar më shumë të drejta në Ditën botërore të gruas.  

Lufta e femrave për një jetë më të mirë vazhdon që prej 90 vitesh sipas Kombeve të bashkuara. Ja si është festuar 8 Marsi në disa qytete të Botës.

– Ndihmë cdo gruaje, si ndihmë për jetën dhe zhvillimin ka premtuar kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në aktivitetin për nder të 8 Marsit, në Pallatin e Kongreseve.

Gjatë fjalës së saj, në një atmosferë festive, Topalli ka garantuar se në pozicion që ka edhe si grua do të bëjë gjithçka në ndihmë të tyre, pasi ‘historia e gruas është historia e kombit’.

“Jam e sigurtë se nënat nuk ua falin atij që ia quan veten Rilindas, që la vendin pa status, i hoqi fëmijëve bursa të panumërta, nënat nuk lejojnë të kthehen mbrapa, ato do zhvillojnë një Shqipëri evropiane, ato e dinë se kryeministri ynë nuk ndalet, e do kombin, e mban premtimin. Ne jemi ndryshimi përpara”- tha ajo.

Ne fjalen e saj, Topalli ka numeruar reformat dhe arritjet e bera gjate qeverisjes demokratike ne ndihme edhe te grave. “Kemi bërë rrugë të gjatë, jeta ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, ajo që gruaja ka bërë në këto dekada ka treguar se ajo nuk dorëzohet kurrë, ajo beson te jeta, dashuria, liria. Kudo qe jane grate, edukimi përmirësohet, të ardhurat rriten, kjo eshte rruga më e mençur, rruga për të mbështetur gruan”- tha ajo.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 12:54

TIRANË – “One Billion Rising” aktiviteti ndërkombëtar kundër dhunës ndaj grave zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Shumë të reja tashmë janë ngritur e kërcejnë me këngën “Break thë Chain”, “Këputeni zhinxhirin” duke përqafuar këtë inisiativë. Të ngrihesh, të kërcesh është mënyra më e mirë për të shkundur botën, dashuri jo dhunë, këto janë mesazhet e kësaj nisme që shënohëet sot në shumë vende të botës.

Mijëra gra e vajza shqiptare të mbledhura sot në bulevardin para kryesisë së Kuvendit janë ngritur kundër dhunës për të shembur zinxhirët.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, iniciatore e kësaj nisme iu ka thënë grave e vajzave të pranishme se dashuria fiton mbi gjithcka.

“Gëzuar ditën e Shën Valentinit, ju falenderoj që i jeni bashkuar aktivitetit për tu ngritur, për të kërcyer. Një miliard gra në botë përjetojnë dhunën, kjo është barbari, por një miliardë gra që ngrihen është një mrekulli. Nënat sot ngrihen kundër dhunës, vajzat sot ngrihen e këndojnë, kërcejnë sic dinë vetëm ato me guxim, shpresë e dashuri. Të gjitha bashkë për jetën, dashurinë, në ditën e dashurisë. Sot të ngritura derisa dhuna të marrë fund, mijëra gra që ngrihen sot këtu për t’i dhunë fund dhunës, ju tundni botën, dashuria fiton mbi gjithcka”, tha Topalli.(LajmeShqip.com)

Lexoni më poshtë këngën himn të këtij aktiviteti:

Break the chain
“Këputeni zhinxhirin”

Krahët ngre drejt qiellit
Në gjunjë lutem e
nuk kam më frikë.
… Do të dal nga ajo derë e do të shkoj,
do ngrihem, do të kërcej.

E shoh botën ku jetojmë bashkë
Të sigurta, të lira nga shtypja
Pa përdhunime, inçeste, apo abuzime.
Femrat nuk janë pronë e askujt!
Nuk kam qenë kurrë pronë jotja, nuk më njeh, nuk jam e padukshme, jam
e mrekullueshme, e ndjej zemrën time që rreh me forcë, e unë jam e
gjallë dhe e mrekullueshme!

Kërcej se dashuroj
Kërcej se endërroj
Kërcej për të thenë MJAFT
Kërcej për të mbytur klithmat
Kërcej për të thyer rregullat
Kërcej për të ndalur dhimbjen
Kërcej për të këputur zinxhirët
Erdhi koha t’i këpusim zinxhirët, PO
Këputini zinxhirët,
Ngrihuni, Kërceni,
Ngrihuni, Kërceni.

Në mes të gjithë kësaj çmendurie ne do të ngrihemi e di,
Për një botë më të mirë e di,
Rrokni duart e motrave e vëllezërve tuaj,
Afrojuni çdo gruaje dhe çdo vajze.

Ky është trupi ynë dhe është i shenjtë,
Mjaft me justifikime, stop abuzimit
Ne jemi nënat, ne jemi edukueset
Jemi të bukurat, të mrekullueshmet.

Kërcej se dashuroj
Kërcej se endërroj
Kërcej për të thenë MJAFT
Kërcej për të mbytur klithmat
Kërcej për të thyer rregullat
Kërcej për të ndalur dhimbjen
Kërcej për të këputur zinxhirët
Erdhi koha t’i këpusim zinxhirët, po
Këputini zinxhirët,
Ngrihuni, Kërceni,
Nngrihuni, Kërceni,

Ngrihuni, kërceni
Ngrihuni, kërceni

Motër eja edhe ti e më ndihmo, motër nuk do ngrihesh dhe ti?

Ngrihuni, kërceni
Ngrihuni, kërceni

Motër eja edhe ti e më ndihmo, motër nuk do ngrihesh dhe ti?

Ky është trupi ynë dhe është i shenjtë,
Mjaft me justifikime, stop abuzimit
Ne jemi nënat, jemi edukueset
Jemi të bukurat, të mrekullueshmet.

Kërcej se dashuroj
Kërcej se endërroj
Kërcej për të thenë MJAFT
Kërcej për të mbytur klithmat
Kërcej për të thyer rregullat
Kërcej për të ndalur dhimbjen
Kërcej për të këputur zinxhirët
Erdhi koha t’i këpusim zinxhirët, PO
Këputini zinxhirët,
Ngrihuni, Kërceni

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 11:20

Tirane – Hakiu është hijerëndë. I pashëm për moshën që ka. Dorën e djathtë e mbështet fort për bastunin me ngjyrë ari. Orën e mban në dorën e majtë, me të cilën edhe shtrëngon llullën. Ka veshur pantallona ngjyrë qielli dhe këmishë të bardhë me krahë të shkurtër. Këmbën e djathtë e ka kthyer me stil para së majtës. Qëndron nën një hije peme të lëndinës e rrethuar me hunj e tela. Kodra jo fort e veshur prapa shpinës, i bën rojë oborrit të Hakiut. Një veshje e pazakonshme për një shqiptar malesh.Malësori flokëthinjur e me rrudhat që kanë nisur t’ia shfaqin haptas moshën e shtyrë, nuk i jep shumë çehre aparatit.
Karaktere të ndryshme
Poshtë fotografisë së Hakiut është vendosur ajo e Lumes. Asaj nuk ia prish tymin as fakti se portreti i saj do të postohet në shumë ueb-faqe të njohura ndërkombëtare. Qëndron ulur sipër një rrafshnalte të gjelbër me cigaren e ndezur në dorën e djathtë. Flokët e shkurtra i ka ndarë për midis, një frizurë shumë e pëlqyer gjatë viteve nëntëdhjetë prej të rinjve këndej dhe andej kufirit shqiptar. Mbath atlete të bardha.

Në një tjetër fotografi, Lumja tregon se në malësi pushkën nuk e rrokin vetëm burrat. Sipër një pllake betoni, në këndin e së cilës valëvitet flamuri kuqezi me shkabën dykrenore, Lumja me dy duart e mban kallashnikovin. Shikon poshtë oborrit mos ka lëvizje të armikut.

Hakiu dhe Lumja kanë mënyra krejtësisht të ndryshme për ta dëshmuar burrërinë e tyre. Por kanë një të përbashkët. Në këtë botë erdhën si vajza. Rrethanat shoqërore ua ndërruan gjininë. Lumja së paku nuk e ndërroi emrin.

Ato dikur kishin aspirata të martoheshin dhe të bëheshin nëna. Por, kërkesa e familjes ishte më e pushtetshme sesa dëshirat e tyre. Familjet iu kërkuan të merrnin përgjegjësinë e mbrojtjes së nderit të oxhakut dhe i “shndërruan” në burra. Kështu, fjala e tyre do të ishte urdhër për çdo anëtar tjetër të familjeve që mbrojnë me ngulm vlerat patriarkale. Ato do t’i zhvishnin bluzat dhe fustanet. Do t’i prisnin flokët e do të vishnin pantallonat.

E kjo e kishte mahnitur fotoreporteren amerikane, Jill Peters. Kureshtja e kishte nxitur atë ta priste një biletë aeroplani për atdheun e shqipeve. Burrneshat e para i fotografoi në vitin 2009. Në intervale të ndryshme kohore, gjatë tri vjetëve të ardhshme, ajo do të shtegtonte maleve të thella dhe të thepisura të malësisë për të zbuluar burrnesha të tjera.
Ajo bëhet “ai”
“Si një fotografe me interesim për këto tema, që afërmendsh se tregojnë diversitetin e përvojës njerëzore, u mahnita me këtë rrëfim. Doja t’i kapja portretet e tyre përpara se të iknin nga kjo botë”, shkruan ajo në ueb faqen e saj.

Peters donte ta pasqyronte pa fjalë rrëfimin e tyre për shkak se ato ishin betuar ta ruanin përjetësisht beqarinë. “Ajo ishte bërë një ‘ai’”, shprehet Peters.

“Ato tymosin duhan punojnë dhe lëshohen poshtë në qytet bashkë me burra të tjerë. Atyre u referohen si ‘ai’ ose ‘dajë’. Transicioni është absolutisht i pranueshëm dhe nuk vihet në pyetje nga njerëzit me të cilën jetojnë”, shkruan Peters, që kalon kohën ndërmjet Miamit dhe New Yorkut.

Në ueb faqen e saj, ka postuar serinë prej nëntë fotografish, “Sworn virgins”(“Virgjëreshat e përbetuara”) të gjashtë burrneshave. Fotografinë e parë e ka shkrepur më 2009. Të fundit më 2011. Pesë portrete janë me ngjyra, katër bardh e zi. Poshtë ua ka shkruar vetëm emrat. Burrneshat Lumja, Hakiu dhe Hajdari me plis kanë nga një fotografi me ngjyra dhe nga një bardhë e zi, Shkurtani, me kapuçin e zi francez, e Qamilja e ndjerë me qeleshen e rrafshët shqiptare, në portrete me ngjyra, kurse Marku me kapelë cilindrike është pasqyruar bardh e zi.

Douglas Ljungvistit, një komentues i serisë së Petersit në blogun “UPI.com”, nuk i janë dukur shumë të fuqishme portretet, sikur se paraqitet fenomeni. Megjithatë i është dukur interesante përzgjedhja e temës së fotoreporteres amerikane.
Virgjëresha apo burrnesha?
“Dhe do të doja që fotoreporterja të kishte zgjedhur t’i bënte fotografitë ose me ngjyrë, ose bardhë e zi”, ka shkruar Ljungvist.

Arbnora Dushi, etnologe më Institutin Albanologjik të Prishtinës, portretzimin bardh e zi dhe me ngjyra i burrneshave ka qenë një gjetje artistike.

“Me këtë është shprehur në mënyrë simbolike dyzimi i jetës së saj, bipolarizimi i jetës së saj: jetën biologjike: femër dhe jetën sociale: mashkull”, është shprehur ajo.

Gabrielle Levy, shkrimtare dhe kryeredaktore e “United Press International”, është shprehur se fotografitë e Petersit shfaqin portrete të mrekullueshme të kulturës veriore shqiptare, ku femrat i nënshtrohen sundimit të burrave të shtëpisë.

Një lexuese tjetër të “UPI.com”, nuk i ka pëlqyer titulli i portreteve të Petersit.

“Marrë parasysh përshkrimin e ‘Virgjëreshave të përbetuara’, unë mendoj se titulli i shkrimit nuk është i saktë. Ato nuk po jetonin si burra për t’i ikur shtypjes, por ishin rritur si burra për shkak të mungesës së lindjes së meshkujve. Nuk ma ha mendja se më shumë ishte zgjedhje e tyre”, ka shkruar Martina, që nuk e ka treguar identitetin e plotë dhe shtetin.

Dushi, autore e punimit “Virgjëreshat e përbetuara shqiptare: nga praktika e jetës zakonore në objekt studimi antropologjik dhe në subjekt trajtimi letrar”, mendon se emërtimi virgjëresha të përbetuara është shumë i saktë. Thotë se që në origjinë të kësaj dukurie, “vajza e cila ka vendosur të kthehet në djalë (por ku ndërrim i gjinisë ka qenë vetëm ndërrim i statusit social dhe asnjëherë biologjik) është dashur ta jepte betimin para parisë së 12 pleqve të fshatit”.
 “Përparësitë” e burrneshave
Tradita e ndryshimit të gjinisë nga femërore në mashkullore jeton për më shumë se pesëqind vjet në viset shqiptare. Ky zakon është i bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili ka shërbyer si një kod moral në mungesë të ndonjë sistemi shoqëror të funksionimit. Roli i femrës shqiptare në Kanun është i rregulluar në këtë mënyrë: kujdesu për fëmijët dhe punët e shtëpisë. Derisa jeta e një femre shqiptare është e barabartë me gjysmën e jetës së një mashkulli, vlera e virgjërisë është e barabartë me 12 qe.

“Mësova se burrneshat janë shumë të respektuara brenda bashkësive të tyre. Ato zotërojnë një pushtet dhe krenari të papërshkrueshme, dhe vlerësojnë nderin e familjes para gjithçkaje tjetër”, kujton Peters, e cila ka paralajmëruar se bashkë me Alix Lambertin së shpejti do ta shfaqin premierën e dokumentarit “He/She/He”.

Shumë mbështetës të nismës së Petersit kanë kërkuar që me t’u dhënë premiera, ta përhapin kolektivisht në internet dokumentarin. Ata kanë shkruar se ky fenomen kulturor dhe gratë që sakrifikuan veten, duhet të rrokë vëmendjen e botës.

Njëra prej përkrahësve të Petersit, Deborah, ka shkruar: “Mahnitëse! Jam më shumë se e interesuar ta shoh këtë dokumentar”.

“Mbase një foto-album me citate dhe rrëfime? Një film dokumentar? Kjo është diçka”, ka komentuar Sko.

Betimi për ruajtjen e virgjërisë ka lindur në kohën kur Shqipëria ishte pllakosur nga luftërat dhe vdekjet. Me ndryshimin e gjinisë, femrat kishin të drejtë të bartin armë dhe të drejtën e pronësisë. Mund të uleshin me burra nëpër oda, por jo edhe të drejtën e fjalës në kuvend. Nuk është çudi që Lumja bart armë edhe sot kur malësorët me Kanuni qërojnë hesapet dhe belatë. Kanuni bëhet më i fortë se sundimi i ligjit të shtetit.
Në mbrojtje të oxhakut
Nëse mashkulli kryesor i familjes ndërronte jetë, atëherë i takonte një femre ta merrte drejtimin e shtëpisë, e betuar se do ta ruante virgjërinë e saj. Kanuni nuk lejonte që gratë dhe femrat e familjes të mbesnin pa përkujdesje.

E ndjera Qamile Stema, me të cilën Peters e fillon intron e dokumentarit, ishte vetëm 20-vjeçare kur i vdiq babai. Asaj i kishte rënë hise ta merrte përsipër kujdesin për nëntë motrat më të reja. Ndryshe, asnjëra prej tyre nuk do të kishte të drejtë ta trashëgonte pronën e babait. Kështu, Qamilja ndërroi rrobat e femrave për ato të burrave. U bë zot shtëpie dhe të gjithë e dinë i kujt është kryevendi afër oxhakut. Sandalet e saj ngjyrë vjollce, ishin të vetmet e elemente femërore të burrneshës. Për “dajën” Qamile do të shkruante para katër vjetësh prestigjiozja amerikane, “New York Times”. Qamilja do të jetonte e vetmuar pas vdekjes së motrës.

Tregimi i Qamiles e kishte joshur fotoreporterin e lirë spanjoll, Luis Dafos, të merrte rrugë drejt Barganeshit të Krujës. Dafos, që hulumton portrete dhe tema interesante në Lindje të Mesme dhe në Afrikën Veriore, do ta përthekonte fatin e Qamiles me 11 fotografi, të cilat i ka publikuar javën e kaluar. Përveç se i ka postuar në ueb faqen e tij, “luisdafos,weebly.com”, ato ia botojnë edhe “The Guardian”, “Asian Magazine Geographic”, “Newsdesk Communications”, “Invest Kurdistan” dhe “Elsani Film”.

Lidhjen e fortë me shtëpinë, Qamilja që vdiq vitin e kaluar në moshën 92-vjeçare, e tregon me një fotografi përpara oxhakut. Në ballin e murit të hyrjes së shtëpisë, kishte varur dhjetëra fotografi, kryesisht femra, që dëshmojnë mungesën e trashëgimtarëve meshkuj në mesin e Stemave. Në dhomën e saj, Qamilja tregonte disa gjeste tipike femrash, duke hequr qeleshen, përshkruan fotoreporteri.

“Ma merr mendja se gjithnjë kam qenë edhe burrë, edhe grua”, i rrëfente Stema spanjollit Dafos.
Ndërrimi (pa)natyrshëm
Burrneshave shqiptare në shuarje, këtë muaj u ka kushtuar një hapësirë të madhe edhe agjencia e njohur ndërkombëtare e lajmeve. Fotoreporteri i Reutersit në Tiranë, Arben Celi ka shkrepur pesëmbëdhjetë fotografi gjatë aktiviteteve të ndryshme të Diana Rakipit. Burrnesha Diana tregon një fotografi kur ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe, në banesën e saj në Durrës. Ajo shihet nëpër fotografi duke ngrehur dolli me gotat e mbushura me raki. Cakërron tok me burra në një kafene të Durrësit. Ajo i bie fyellit dhe tregon një përkushtim të madh ndaj familjes.

Rakipi, tani 59-vjeçar i veshur me shije dhe me syze, shkallëve të xhamisë kryesore të qytetit antik bregdetar shqiptar, në intervistë ka rrëfyer sesi me dëshirë ishte “konvertuar” në burrë kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe. Ndërroi gjininë sepse gjithnjë ndihej si një djalë.

“Kickstarter”, ue bfaqja që ka ndihmuar pjesërisht financimin e dokumentarit “He/She/He”, shkruan se transkeskualiteti në këtë kohë është një temë e nxehtë. “Por, shumë pak perëndimorë e dinë se të jetosh si pjesëtar i një tjetër gjinie, nuk është diçka e re – në disa vende, është traditë”.

Nëpërmjet dokumentarit do të pasqyrohen mendimet e dy kulturave të ndryshme në lidhje me ndërrimin e gjinisë. Në pjesën e dytë, dokumentari do ta pasqyrojë jetën e vështirë të “fa’afafineve” të Samoas, të cilët si djelmosha kishin zgjedhur të bënin jetë femre. “Kickstarter” shkruan se shumë “fa’afafine” sot janë përfshirë në prostitucion dhe mezi ia dalin të mbijetojnë.

Dushi thotë prej intervistës së Dianës e ka kuptuar se ishte mjedisi social ai që ia kishte imponuar të kishte preferencë të gjinisë tjetër. Ajo thekson se në kohën e fëmijërisë së Dianës ishte fat të ishte mashkull, kundrejt femër që konsiderohej fatkeqësi.

“Prandaj edhe këto ndërrime ndër shqiptarë, asnjëherë nuk e njohin ndërrimin biologjik të gjinisë siç bëhet në shtetet dhe shoqëritë e zhvilluara. Por vetëm atë social, që lidhet me anën e jashtme të paraqitjes para të tjerëve, pasi që fjala është te raporti me të tjerët, por jo me veten”, thekson etnologia Dushi.
Burrë nderi
Dushi shkruan në punim se ky fenome më shumë është përshkruar dhe analizuar nga gazetarët dhe misionarët e huaj, sesa nga ata shqiptarë. Ka gjetur se në vepra të disa autorëve dhe diplomatëve të huaj kishte një qëllim për ta paraqitur fenomenin si një “perversitet”. Ka përmendur rastin e Leo Brenner, një gazetar austriak, që më më 1881 shkruante se virgjëreshat e përbetuara ishin femra që refuzojnë të martohen dhe se ishin krijesa transvestite, duke e shtuar edhe një shënim sarkastik se këta “burra” duhet të kenë kujdes “se mos mbesin me barrë”.

Por thotë se një vëmendje më të madhe dhe një qasje serioze do t’ua kushtonte antropolgia angleze, Antonia Young, me studimin monografik “Albanian Sworn Virgins: Women who become Men (Virgjëreshat e përbetuara shqiptare: Gratë që bëhen burra), të botuar në vitin 2000 në Oxford.

“Young virgjëreshat shqiptare i cilësoi si burra nderi (Honorary men). Young erdhi në përfundim se në një shoqëri ku ekzistonin ligje të rrepta mbi nderin, besën mikun e gjakmarrjen, çnderimi dhe perversitetet seksuale ishin të panjohura, sidomos për virgjëreshat të cilat kishin sakrifikuar identitetin biologjik për ruajtjen e nderit të vet e të familjes”.

Fenomeni i virgjëreshave të përbetuara nuk i shpëtoi as penës së shkrimtarëve. Ajo thotë se si fenomene të studiuara, ato janë edhe personazhe romanesh.

Dushi ka studiuar edhe pjesët e veprave të mikes së mirënjohur të shqiptarëve, Edith Durham, për virgjëreshat. Durham do të shkruante në veprën e High Albania (Shqipëria e epërme) të botuar më 1909, si dhe në veprën “Some Tribal Origins, Laws, and Customs of the Balkans” (Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit) të botuar më 1928.

“Durham në këto vepra e përshkruan në hollësi fenomenin e virgjëreshave të përbetuara shqiptare, shkruan për takimet e drejtpërdrejta që ka pasur me to si dhe i analizon rrethanat që i kanë shtyrë ato për të marrë atë vendim”, shkruan Dushi në punimin e saj shkencor. Ajo sheh hair në vëmendjen në rritje të gazetave dhe regjisorëve të huaj për pasqyrimin e fenomenit të pazakonshëm të zonave të thella malore të Shqipërisë.

“Prania e këtij fenomeni në studime dhe në letërsi, qoftë vetëm me qëllim prezantimi, me qëllim kritike apo keqardhjeje, apo edhe me qëllim afirmimi të kulturës shqiptare me të gjitha virtytet dhe veset që ka, e bën të dokumentueshëm dhe madje artistik, këtë zakon tradicional shqiptar”.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 13:14

Prishtinë – Ashtu  siç kishin njoftuar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në orën 11 ka nisur protestën ne Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Protestës me moton “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave” iu bashkuan qindra qytetarë e më pas aty erdhi edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me deputetët e spektrit të tij politik.

Në protestë që është e mbështetur edhe nga “Thirrjet e Nënave” spikatnin foto të të zhdukurve nga lufta e fundit me Serbinë ndërsa në krye të saj, te skena nga e cila intonoheshin këngë sociale e patritoke nga Kosova, shquheshin kërkesat e protestuesve para se të vazhdojnë bisedimet me Serbinë në nivelin më të lartë

Në ato kërkesa theksohej: Kërkim falje nga Serbia, Kthimi e të pagjeturve, Drejtësi për krimet dhe dhunimet gjatë luftës, Kompensim për dëmet morale dhe ekonomike.

Pas qëndrimit në heshtje dhe pa fjalime, protestuesit u nisen drejt institucioneve të vendit ndërsa në rrethojën e Kuvendit, aty ku deri vonë kanë qenë fotot e të zhdukurve, protestuesi vendosën kërkesat e tyre para fillimit të bisedimeve. .

Në protestë dhe në shesh nuk u vërejtën forca të rendit. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 15:50

PRISHTINË – Me rastin e Ditës Evropiane Kundër Trafikimit, përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë bërë thirrje sot për një informim më të madh për rrezikun nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Ky apel u bë gjatë prezantimit të poezive dhe eseve me këtë temë të shkruara nga nxënësit e shkollave të mesme nga komunitete të ndryshme të Kosovës.

Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve të fushatës për informim të Misionit të mbajtur gjatë muajit kundër trafikimit në Kosovë, e cila ka përfshirë shfaqje të filmave dhe diskutime me të rinjtë në lidhje me mënyrën e mbrojtjes së tyre dhe ndihmën që të luftojnë trafikimin me qenie njerëzore.

“Trafikimi me qenie njerëzore-blerja dhe shitja e njerëzve është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe një nga format më përfituese të krimit të organizuar”, tha Hjortur Sverrison, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së.

Ai shtoi se, “informimi rreth këtij problemi është qenësore për parandalim efikas dhe OSBE-së është aktive në këtë fushë”.

Përveç informimit nëpërmjet aktiviteteve informuese dhe fushatave të informimit publik, misioni është duke ndihmuar institucionet në Kosovë, përfshirë policinë, punëtorët socialë dhe OJQ-të që të përmirësojnë përgjigjen e tyre ndaj rasteve të trafikimit dhe t’u ndihmojnë më mirë viktimave.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë si dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 15:47

TIRANË – Për herë të parë Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 11 tetorin e vitit 2012, si Ditën Ndërkombëtare të vajzave. Kjo ditë do të bëjë një ndryshim në jetën e vajzave dhe grave të reja si qytetare dhe si zëra të fuqishëm të ndryshimit në familjet, komunitetet dhe kombet e tyre. Kjo ditë ndërkombëtare do të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajnimi, si dhe lirinë nga dhuna dhe abuzimi.

Tema kryesore e kësaj ditë në mbarë botën do të jetë “Ti japim fund martesave të hershme të vajzave”, për shkak se martesa në moshë të vogël është një fenomen që shkel të drejtat e miliona vajzave, dëmton arsimimin e tyre, rrezikon shëndetin e tyre dhe u mohon fëmijërinë, duke u kufizuar mundësitë dhe duke ndikuar në të gjitha aspektet e jetës së një vajze.

Sipas UNICEF, përqindja e martesave të hershme të vajzave ka rënë gjatë 30 viteve të fundit, por këto martesa vazhdojnë me ritme të larta në disa rajone të botës, sidomos në vendet më të varfëria. Vajzat e martuara herët, janë femrat më të margjinalizuara dhe më të pambrojtura të shoqërisë. Ato janë shpesh të izoluara, të larguara nga familjet e tyre, të pashkolluara dhe si rrjedhim ato mohojnë bashkëveprimin me komunitetin e tyre.

Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të kequshqyera se djemtë; çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit; gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë.

Në aspektin shëndetësor, të dhënat botërore tregojnë se një foshnje vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnje djalë. Nga ushqyerja me gji mund të parandalohen rreth një milion vdekje të fëmijëve në vit.
Në aspektin social vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajzave është e martuar para moshës 18 vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim bëhen nëna para se ato të jenë 18 vjeç. Ndërkohë rreth 50.000 vajza të moshës 15-19 vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës së tyre.

Të dhënat mbi arsimin tregojnë se në mbarë botën rreth 36 milionë vajza në moshë për të nisur shkollën fillore nuk janë të regjistruara në shkollë. Ndërkohë mendohet se arsimimi më i mirë i vajzave dhe grave mund të reduktojë me 16 për qind urinë e njerëzve në botë. Në këtë ditë të veçantë pranohet botërisht se dhënia e mundësive të barabarta për vajzat është një e mirë për të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i jetës së tyre ka një efekt të dukshëm, ndaj çfarë është e mirë për to është dhe për të gjithë njerëzimin. Sot të gjithë duhet të sensibilizohemi të ndihmojmë vajzat, motrat dhe nënat tona për të ndihmuar dhe përmirësuar jetën tonë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 11:30

Prishtinë (PLOTESUAR 6 TETOR, 16:45)- Sot në Prishtinë përfundoi punimet i Samiti  Ndërkombëtar i Gruas “Partneriteti për Paqe – Fuqizimi i Gruas” i organizuar dhe i mbajtur nën përkujdesjen e kryetares së vendit Atifete Jahjaga. Edhe në ditën e fundit, pjesëmarrësve nga bota, afër 100 sosh, iu drejtua presidentja Jahjaga. 

“Pas tre ditëve produktive të cilat i kaluam së bashku duke diskutuar disa nga  çështjet më sfiduese të periudhës sonë, është koha që ta përmbyllim punën e këtij samiti, gjatë së cilit kemi pasur shkëmbime markante, diskutime frytdhënëse, informata unike; ne gratë, edhe njëherë, bashkuam zërat, të vendosura që të vazhdojmë angazhimin tonë drejt fuqizimit të grave.

Sepse është obligim i yni, që ne, udhëheqëset, të mbijetuarat, ekspertet dhe avokueset të ngrisim zërin dhe të bëhemi zëri i të gjitha grave në shoqëritë tona në mbarë botën, kudo ku të drejtat janë të mohuara”, tha në fillim të fjalës vet presidentja.“U mblodhëm këtu në Prishtinë si lidere dhe eksperte, më të mirët dhe më mendjendriturit e regjionit dhe botës që të mësojmë nga njëri-tjetri, të zgjerojmë dijen tonë dhe vizionin tonë, të ndajmë përvojat dhe të transferojmë praktikat më të mira – me qëllim të përbashkët që t’i bëjmë shoqëritë tona më përmbledhëse dhe të përdorim njërin nga burimet më të çmueshme, vazhdoi ajo.

Gjatë këtyre tre ditëve të rëndësishme ju keni krijuar lidhje të reja dhe keni filluar miqësi të reja. Mos i humbni këto lidhje dhe bëni të pamundurën që këto lidhje t’i shndërroni në rrjete. Rrjete të fuqishme dhe kohezive që do ti’ japin formë të ardhmes suaj dhe të ardhmes së regjionit në tërësi”, përfundo Jahjaga. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë – Në Prishtinë sot zhvillohet dita e tretë dhe e fundit e Samitit Ndërkombëtar të Gruas.

Nën organizimin e presidentes Atifete Jahjaga samiti “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave” ka mbledhur personalitete të shumta të skenës politike në botë, në mesin e tyre edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Gjatë dy ditëve të kaluara, pjesëmarrësit kanë theksuar mbështetjen për Kosovën dhe rolin e gruas në demokraci. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 18:06

Prishtinë – Qindra gra parakaluan sot qendrës së Prishtinës, në mbështetje të përpjekjeve për luftën kundër kancerit të gjirit. Edhe në Kosovë muajit tetor shënohet si periudhë e luftës kundër kësaj sëmundjeje.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ambasadoren amerikane për çështjet globale dhe të gruas, Melanne Verveer dhe personalitete tjera, ju bashkuan manifestimit “Ecja për shërim”, në përpjekje për ndërgjegjësimin e opinionit për pasojat e kësaj sëmundjeje.

“Sot ne dëshmojmë kujdesin dhe solidaritetin  tonë jo vetëm si individ por edhe si shoqëri në përkrahje ndaj të gjithë atyre që janë të prekur nga kjo sëmundje. Ndërmjet veprimtarive të ndryshme jo vetëm gjatë këtij muaji, por çdo ditë të vitit ne të gjithë iu përcjellim mesazhin të prekurve nga kanceri i gjirit se ato nuk janë të vetmuara në këtë betejë, ato e kanë përkrahjen dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë dhe të institucioneve tona”, tha presidentja Jahjaga.

Raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek tha se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të përballur këtë sëmundje.“Të sigurohemi që asnjëra prej neve nuk do të vdes më nga kanceri i gjirit sepse nëse zbulohet në fillim atëherë do të shërohet”, tha zonja Lunacek. Drejtuesja e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, Nafije Latifi, tha se sipas të dhënave, çdo e dhjeta grua në botë, përballet me këtë sëmundje dhe shkalla e vdekshmërisë është në vendin e dytë. Ngjashëm situata është edhe në Kosovë, tha ajo.“Fakti më shqetësues është se këtu në Kosovë, zbulimi i sëmundjes bëhet në rastet më të shpeshta në stadet e avancuara, kur trajtimi dhe mbijetesa janë shumë të kufizuara dhe për mungesë të kushteve dhe përkrahjes adekuate institucionale e shoqërore, vështirësitë nëpër të cilat kalojnë gratë e sëmura në Kosovë janë shumë më të rënda, madje më të rënda se në vendet fqinje”, tha zonja Latifi.

Gjatë manifestimit të sotëm u tha se kanceri është një problem global dhe një ndër sfidat më të mëdha të mjekësisë bashkëkohore. Por, në kushtet e Kosovës, ai merr përmasa të tjera duke filluar nga shkalla e ultë e edukimit shëndetësorë, pamundësia e zbulimit të hershëm, shpenzimet e larta të trajtimit e deri tek stigmatizimi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 12:15

Prishtinë – “Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive.

Në ditën e dytë  të Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave”,  presidentja Atifete Jahjaga  ka folur për fuqizimin  e pozitës së gruas në Kosovë, rajon por edhe ne nivel global. Ajo tha se duhet bërë më shumë për avancimin e femrave në pozita vendimmarrëse.  “Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive, por gjithashtu për t’ju hapur një mundësi grave të pranishme në Samit që të përfitojnë nga perspektivat globale dhe rajonale përmes një shkëmbimi përvojash që unë shpresoj do të prodhojnë rezultate të prekshme dhe partneritete të reja. Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t’u bërë nismëtarë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejmë të gruas si faktor kyç për zhvillim.”

Ministrja e punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane të Kroacisë Vesna Pusiç, përshëndeti nismwn  pwr kwtw samit, duke vlerësua se fuqizimi i pozitës së gruas ndihmon të gjithë në krijimin e një të ardhme më të mirë.  Ajo tha se nga mënyra e trajtimit të grave në një shoqëri, është treguesi më i mirë i orientimit politik të atij vendi. 

Gjatë ditës së sotme në Samit, panelistet nga mbarë bota  do të  kenë rastin të diskutojnë për fuqizimin ekonomik, të drejtat pronësore dhe barrierat që shoqërojnë femrat në pjesëmarrjen politike. Ndryshe samiti ndërkombëtarë i gruas do të vazhdojnë punimet edhe nesër ku pritet të bëhet  miratimi i formal i dokumentit të samitit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 18:52

Prishtinë – Në hapje të Samitit Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë prezantimin e disa prej pjesëmarrëseve më të rëndësishme në këtë samit 3 ditor.

“Kemi nderin që të jemi të shoqëruara nga ish-sekretarja amerikane e shtetit Albright, gruaja që është një mikeshë e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e përbashkët e pavarësimit tonë por edhe e paqes kudo në botë gjatë angazhimit të saj në diplomaci”, ka thënë Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje ish-sekretares Albright dhe të ftuarave të tjera.

Gjatë këtij samiti, sipas Jahjagës, do të zhvillohen partneritete të reja, në drejtim të zhvillimit të demokracisë. “Përkushtimi juaj ka dëshmuar se lidershipi është i domosdoshëm në këtë kohë. Ne kemi nevojë të jemi më të zëshme në përfaqësimin politik, por të kemi edhe një rol më të madh në vendimmarrje, në vendosjen e themeleve të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.

Sipas presidentes së Kosovës, gra si sekretarja Clinton dhe Albright kanë shfrytëzuar fuqitë e tyre për t’i ndihmuar vendet në nevojë, përfshirë edhe Kosovën, dhe për këtë arsye edhe gëzojnë respektin e popullit dhe institucioneve të Kosovës. Jahjaga i ka falënderuar pjesëmarrëset për shprehjen e dëshirës për të qenë pjesëmarrëse në këtë samit, me idenë e shkëmbimit të ideve dhe ndarjes së vizionit të përbashkët për Evropën Juglindore.

Më tutje ajo ka treguar se në rajon është shtuar numri i grave në përfaqësimin politik në nivel qendror. Sipas saj, këto gra nga Evropa Juglindore kanë tejkaluar vijat partiake, duke u përkushtuar në nevojat e vendeve në tranzicion.

Jahjaga ka përmendur nivelin e kënaqshëm të përfaqësimit të gruas në nivel qendror në Kosovë, por ka kritikuar nga ana tjetër mospërfaqësimin e barabartë gjinor në nivelet komunale, gjë që, sipas saj, kërkon angazhim më të madh të institucioneve të vendit dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe sugjerimet e pjesëmarrëseve ndërkombëtare në samit, për t’i tejkaluar këto sfida.

Në fund të fjalimit të saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shprehur mirënjohjen e saj për mijëra gra në rajon që kanë sakrifikuar për një jetë më të mirë, të cilat, sipas saj, do të shërbejnë si frymëzim për gjithë shoqërinë.”Duke u bashkuar në një agjendë të përbashkët , gratë, si bartëset kryesore të ndryshimeve në shoqëri, do të ndikojnë në krijimin e paqes së përhershme në rajon”, ka thënë në fund Jahjaga.(LajmeShqip.com)

12