12
 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:36

Igli Tare nuk ka hequr dorë nga Granit Xhaka dhe ditët e ardhshme do të bëjë tentativën e radhës për të marrë mesfushorin kosovar në radhët e Lacios. Ndonëse lojtari refuzoi ofertën e klubit italian gjatë verës për të shkuar te Borusia Mynshengladbah, duket se ka kuptuar gabimin, pasi te ekipi gjerman nuk po gjen më hapësira ndërsa te Lacio një futbollist si ai do ta prisnin krahëhapur.

Tare ka udhëtuar drejt Gjermanisë, zyrtarisht për arsye familjare, por mediat italiane aludojnë se ky është njëkohësisht edhe një udhëtim pune. Ai do të shfrytëzojë qëndrimin e tij në Gjermani për të takuar atje përfaqësuesit e Borusia Mynshengladbah, dhe për të bindur këta të fundit që të huazojnë te Lacio mesfushorin kosovar.

Në fund të huazimit njëvjeçar, Lacio do të ketë të drejtë të blejë Xhakën, me çmimin që është caktuar në kuotën e 6 milion eurove. Sipas asaj që shkruhet në shtypin sportiv italian, Xhaka do të ishte i gatshëm të transferohej, duke parë se te ekipi i tij aktual ka shumë pak gjasa që të rifitojë vendin e titullarit. Ndërkohë, te Lacio do të ishte titullar dhe do të kishte mundësinë që të luante rregullisht në një skuadër të madhe.

Tani pritet të mësohet edhe përgjigja e drejtuesve të Mynshengladbah, të cilët kanë shpenzuar 8.5 milion euro për të marrë futbollistin nga Bazeli dhe shpresonin që të përfitonin më shumë nga shitja e tij e mundshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 13:47

Granit Xhaka vazhdon të jetë një nga lojtarët më të kërkuar në qarkullim  edhe pse ka humbur vendin e tij si titullar në radhët e Borusia Mynshengladbah. Lacio dhe Napoli ndjekin me vëmendje situatën e futbollistit kosovar, por ai ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë lehët nga sfida që ka përpara në radhët e skuadrës gjermane.

Gjashtë muajt e parë te ekipi që e bleu për 9 milion euro nga Bazeli, nuk kanë qenë të shkëlqyer dhe këtë e tregon mjaft mirë fakti se te skuadra e tij e re ai është kthyer në një zëvendësues. Ndonëse trajneri Lucien Favre ia kërkoi shprehimisht drejtuesve të ekipit që të blinin mesfushorin kosovar, e ka ndëshkuar duke e ulur në pjesën më të madhe të kohës në stol, pasi sipas trajnerit ai nuk po lufton aq sa duhet për vendin e tij dhe për më tepër ka kritikuar skuadrën publikisht.

“Kjo është një situatë mjaft e vështirë për mua, që të dhemb. Në këtë moment çdo minutë lojë është e rëndësishme. Ndërkohë, duhet të vazhdoj të punoj shumë, të jem i durueshëm dhe të jap më të mirën, duke luftuar çdo ditë për të rifituar vendin tim. Ka trysni rreth e rrotull meje, por unë jam një qenie njerëzore dhe jo një robot, mund të gaboj edhe unë. Jam vetëm 20 vjeç dhe nuk jam perfekt, në të kundërt nuk do të isha te Borusia, por te një skuadër e madhe. Shpresoja dhe vazhdoj të shpresoj që njerëzit të kenë pak durim me mua”, ishin fjalët e lëshuara dje nga futbollisti për mediat gjermane.

Ndërkohë, ai ka dhënë fund të gjithë zërave që e shohin duke ndërruar skuadër në fund të këtij sezoni, duke shkuar mundësisht drejt Lacios, skuadër të cilën do ta ketë kundërshtare në Europa League në mesjavë.

“Lacio po më kërkon? Por momentin nuk po mendoj të largohem nga Borusia”, ishin fjalët e 20 vjeçarit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 10:45

Gazeta gjermane “Bild” ka publikuar një artikull mjaft interesant mbi futbollistin kosovar Granit Xhaka, duke vënë në diskutim faktin pse ky i fundit është mjaftueshëm i mirë për kombëtaren e Zvicrës, por jo për Borusia Mynshengladbah ku është kthyer në zëvendësues.

Xhaka luajti si titullar në ndeshjen e fituar 2-1 nga Zvicra ndaj Tunizisë të mërkurën, ndërsa u zëvendësua në minutën e 72-të. Por sipas gazetës gjermane, ai duhet ta harrojë një aktivizim kaq të gjatë sapo të kthehet te Borusia Mynshengladbah, ku është kthyer në një lojtar stoli, pasi ka fituar gjithnjë e më pak minuta nga ndeshje në ndeshje, ndonëse në 6 takimet e para të kampionatit ishte titullar i paprekshëm në radhët e skuadrës së tij. Ja si janë 5 ndeshjet e fundit të Xhakës në kampionat:

-Ndaj Eintraht Frankfurtit (2-0) ai luajti 70 minuta.

-Ndaj Verder Bremen (0-4) ai luajti 62 minuta.

-Ndaj Hanover (3-2) ai u aktivizua vetëm 15 minuta.

-Ndaj Grojter Fyrth (4-2) ai luajti vetëm 4 minuta.

-Ndaj Fraiburg (1-1) ai qëndroi gjatë gjithë kohës në stol.

Trajneri Lucien Favre është munduar të shpjegojë arsyen pse ka lënë në stol futbollistin e talentuar kosovar, i cili shihej si një nga blerjet më interesante të sezonit në Gjermani.

“Ai vjen nga Zvicra dhe i duhet kohë të përshtatet, Graniti është ende shumë i ri. Ai punon shumë mirë në stërvitje dhe kërkon gjithmonë të përmirësohet. Por ai e di që ka ende nevojë të bëjë progres”, shpjegoi trajneri i Borusia Mynshengladbah për “Bild”.

Por duket qartë se mosaktivizimi i rregullt i Xhakës ka filluar që në momentin kur ky i fundit kritikoi skuadrën e tij për paraqitjet e dobëta që po bënte. Kjo ka sjellë edhe zëra të tjera për largimin e mundshëm të talentit kosovar nga Borusia Mynshengladbah, me Lacion dhe Arsenalin që janë të interesuara për mesfushorin e talentuar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 10:30

Pakënaqësia e shfaqur publikisht nga Granit Xhaka për eksperiencën e tij te Borusia Mynshengladbah, duket se ka zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, të cilat janë të gatshme të marrin futbollistin kosovar që luan me përfaqësuesen e Zvicrës.

Nëse pak ditë më parë vetë futbollisti deklaroi se nuk do të refuzonte një ftesë nga Lacio që në janar, tashmë duket se një tjetër emër i madh po interesohet seriozisht për të, Arsenali. Sipas calciomercato.com. “topçinjtë” kanë hedhur sytë nga futbollisti i talentuar kosovar, pasi mendojnë se ai është një lojtar i përshtatshëm për planet e tyre të rritjes së futbollistëve të rinj.

Kuptohet që Xhaka është nën kontratë me Borusia Mynshengladbah, klub të cilit iu afrua gjatë verës dhe ku ka nënshkruar një marrëveshje deri në vitin 2017. Por pakënaqësitë publike kanë bërë që situata e tij në klub të ndryshojë dhe ai të marrë në konsideratë edhe largimin gjatë janarit.

Vetë klubi gjerman nuk do të dëshironte të hiqte dorë nga një futbollist me të ardhme, por nëse Lacio apo Arsenali bëjnë një ofertë që kalon 10 milion eurot, atëherë do të ishte gati të ulej në tavolinën e diskutimeve.

Arsenali do të ishte zgjedhja ideale e Xhakës, duke parë se Venger i jep shumë prioritet mesfushës dhe nën drejtimin e tij, gjatë 15 viteve të fundit, nga radhët e kësaj skuadre kanë dalë disa nga mesfushorët më të njohur të futbollit botëror. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 14:47

Granit Xhaka po mendon seriozisht që të braktisë Borusia Mynshengladbah që në janar, ndonëse ka vetëm pak muaj që iu bashkua klubit gjerman në merkaton e verës. Lojtarit me sa duket nuk i ka pëlqyer forma e dobët që ka shfaqur skuadra në këtë sezon dhe për këtë arsye është gati ta braktisë atë duke shkuar në Itali drejt Lacios që e ka kërkuar me ngulm edhe më parë.

Konfirmimi ka ardhur nga një prononcim i tij në gazetën italiane “Il Tempo”, që i ka hapur rrugë këtij skenari të mundshëm të merkatos.

“Lacio është një skuadër e madhe dhe kanë edhe një trajner të mirë. Pastaj aty është Cana, që është një mik i imi si dhe drejtori sportiv Igli Tare, me të cilët kam kontakte të vazhdueshme. Nëse do të më vinte një propozim interesant, do ta lija Bundesligën që në janar”, është deklarata e futbollistit kosovar.

Kuptohet që deklarata e mesfushorit ka shqetësuar drejtuesit e Borusia Mynshengladbah, të cilët e shohin atë si një talent mjaft premtues për të ardhmen dhe jo rastësisht kanë shpenzuar rreth 12 milionë euro për ta blerë nga Bazeli.

Por një faktor dominues në këtë çështje mund të jetë fakti që lojtarët e tjerë të ekipit gjerman nuk e shohin me sy të mirë mesfushorin shqiptar, që në momentin kur ky i fundit i kritikoi publikisht për paraqitjet e dobëta në kampionat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 13:20

Igli Tare po mundohet në të gjitha mënyrat për të rritur koloninë shqiptare në radhët e Lacios, duke përfituar edhe nga njohuritë e tij personale. Drejtori sportiv i skuadrës italiane është vënë në kërkim të një tjetër futbollisti shqiptar, Taulant Xhakës, duke tentuar që ta marrë nga radhët e Grasshopers në fund të këtij sezoni.


Mbrojtësi 21 vjeçar, vëllai i madh i futbollistit të përfaqësueses zvicerane, Granit Xhaka, është i huazuar nga Bazeli te Grasshopers deri në fundin e sezonit, por kjo skuadër dëshiron që ta mbajë. Megjithatë, Tare po bën të pamundurën që ta blejë atë në fund të këtij sezoni, duke parë se mbrojtësi i djathtë që ka luajtur rregullisht me kombëtaret e moshave të Zvicrës, nuk kushton më shumë se 400 mijë euro.

Sipas mediave të ndryshme, kjo është një tentativë e Tares që të afrojë në të ardhmen vëllain e vogël, Granit Xhakën, i cili gjatë merkatos verore injoroi Lacion për t’iu bashkuar Borusia Mynshengladbah. Por meqë ekipi gjerman nuk po shfaqet në nivelet e kërkuara dhe Xhaka është konfliktuar me lojtarët e tjetër në klub rreth kësaj teme, duket se ai po merr në shqyrtim idenë e ndryshimit të ambientit.

Me blerjen e Taulant Xhakës, Lacio do të kishte mundësinë t’i afrohej më shumë mesfushorit të kombëtares zvicerane, duke i treguar nga shumë afër se si është jeta në kryeqytetin italian dhe cilat janë ambiciet e klubit.

Gjatë verës, përveç Xhakës, Tare kërkoi të blinte edhe sulmuesin Adrian Nikçi, por ky i fundit më pas preferoi të transferohej në Gjermani, në radhët e skuadrës së Hanover. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 14 October 2012 11:40

Drejtori sportiv i Borusia Mynshengladbah, Maks Eberl, ka hedhur poshtë zërat për përplasje mes drejtuesve të skuadrës dhe lojtarëve të këtij ekipi. Për më tepër, ai ka vlerësuar shpërthimin e Granit Xhakës ndaj shokëve të tij, që mendohet se ka sjellë polemika në ekip.

Xhaka foli ashpër kundër shokut të tij të skuadrës, portierit Andre Ter Stegen, pasi ky i fundit e kishte kritikuar me zë të lartë pas humbjes me Fenerbahçen në sy të gazetarëve.

“As prindërit e mi nuk më trajtojnë ashtu. Ai është moshatar me mua dhe unë nuk e lejoj që gjëra të tilla të ndodhin. Thashë me vete “Çfarë po ndodh këtu?’”, ishte komenti i Xhakës për “Tagesanzeiger”.

Mesfushori kosovar ka pranuar se ishte i pakënaqur kur kishte dëgjuar biseda rreth mbijetesës së skuadrës që në momentin kur kishte shkelur në klub. “Pasi mbërrita këtu, shokët e skuadrës thanë “Shpresojmë të mos biem nga kategoria”. Unë nuk e njihja një sjellje të tillë, pasi te Bazeli mendohej vetëm për të fituar”, shtoi ai.

Eberl i dha nuanca pozitive këtyre kritikave, duke e cilësuar 20 vjeçarin si një futbollist me ambicie.

“Graniti është 20 vjeç dhe po mundohet që të gjejë veten në një turne të rëndësishëm. Ai është ambicioz dhe ndoshta i inatosur që gjërat nuk po shkojnë në mënyrën se si ai i kishte planifikuar. Kjo nuk përbën problem për mua pasi neve na pëlqejnë lojtarët që janë ambiciozë”, deklaroi ai për “Bild”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 22:47

Të nderuar shqiptarë dhe Tifozë Kuq e Zi!

Marr shkas për t’ju drejtuar te gjithë sportdashësve anembanë trojeve shqiptare me këtë letër të hapur, pasi para dhe pas ndeshjes së fundit, që për fat të keq isha kundërshtar me skuadrën e kombit tim, është hapur një luftë e paprecedent kundër personit tim dhe bashklojtarëve të mi nga disa media të veçuara sportive dhe opinioniste, por më shumë nga vetë Z. Armando Duka , që është edhe fajtori për humbjen e shumë talenteve kuq e zi.

Për këtë arsye mendova t’ju drejtohem me një letër të hapur të gjithëve ju, të cilët nuk e njihni të vërtetën dhe historinë time.

Që kur kam vendosur të luaj futboll për mua ka pasur vetëm një ëndërr dhe ideal: “përfaqësimi i ngjyrave të kombit tim”, do të ishte dhe është nder dhe krenari për mua, ashtu si për çdokënd besoj, të luaja krah bashkatdhetarëve të mi e për më tepër për ATDHEUN tim, por mungesa e kontaktit dhe e kërkesës e më pas refuzimi i vazhdueshëm nga FSHF (pa ç’ka përpjekjeve të panumërta të miat dhe familjes sime për të veshur fanellën kuq e zi), më shtynë drejt skuadrës kombëtare të Zvicrës kërkesat e secilës si për ironi nuk rreshtnin.

Më duhet të theksoj dhe t’ia bëj të ditur gjithkujt, e mbi të gjithëve juve tifozë kuqezi, të cilët jeni më besnikët e kombëtares Shqiptare, se unë dhe familja ime kemi dashur gjithmonë vetëm kombëtaren tonë, KOMBËTAREN KUQ E ZI. Kemi qenë, Jemi dhe Do të Jemi përjetësisht krenarë mbi prejardhjen tonë, e unë do të vazhdoj të lartësoj emrin tim gjithmonë në funksion të ATDHEUT tim.

Kam dalë përherë ballëhapur dhe krenarë duke deklaruar prejardhjen time dhe do të vazhdoj ta bëj deri në fund të jetës.

Shqipëria ka talente të mëdha kudo nëpër botë, dhe unë uroj me gjithë zemër që me ta mos të ndodhi ajo që ndodhi me mua, që në një kohë kur unë kërkohesha urgjent nga Federata Zvicerane, federata ime, e vendit tim, më sprovonte duke më vënë përballë pengesave tërësisht të panevojshme e mbi të gjitha dashakeqe. I vendosur përballë refuzimit të vet dhe vetëm FSHF (as FIFA nuk ka qenë pengesë që unë të vishesha kuq e zi) dhe presionit për të marrë një vendim, mu desh të vendosesha në radhët e kombëtares ku jam rritur dhe formuar, e megjithatë ju garantoj se në çdo ndeshje kam festuar kuq e zi dhe kam mbajtur krenar simbolet kombëtare.

Mbarë populli shqiptar duhet të dijë se unë Granit Xhaka, siç disa më akuzojnë tradhtar jam biri i një të burgosuri politik i cili vuajti nëpër burgjet e Serbisë vetëm e vetëm të bëhet “Shqipëria Etnike” dhe s’ju tremb as burgut e as luftës , kur ishte fjala për Shqipërinë. Jam lindur, jam rritur e jam edukuar nga prindërit e mi me frymën e patriotizmit dhe me atdhedashurinë për kombin shqiptar. Më kanë mësuar se si të respektoj kombin tim, gjakun tim atdheun tim dhe unë jam krenar që jam Shqiptar që e kam thënë e them dhe kudo që do jem do ta them me krenari

Garantoj që do jem një ambasador i popullit shqiptar kudo në botë dhe do të mbroj të drejtat e popullit tim në çdo moment.

Nuk më duket aspak e arsyeshme që këto ditë disa media te shkruara sportive kanë hedhur baltë mbi emrin tim. Nëse disa individë të caktuar kanë mision përçarjen dhe largimin nga zemra ime kombin kuq e zi, kjo s’ka për të ndodhur kurrë dhe asnjë s’do t’ia arrijë që mua të më përdorë për të futur përçarjen.

Kudo ku kam qenë dhe kudo ku do jem do të mbaj krenar flamurin kuq e zi dhe atë të Kosovës. Në prezantimin tim në Gjermani ku duhej të këndoja një këngë këndova himnin e kombëtares kuq e zi.

Nuk dua që interesa personale të individëve të caktuar të njollosin kombëtaren dhe për më keq të fusin përçarjen apo ta ushqejnë atë. Unë personalisht do të angazhohem që një fenomen i tille të mos ekzistojë kurrë më në kampin kuqezi.

Ne jemi një KOMB, kemi një FLAMUR dhe unë Granit Xhaka garantoj çdo shqiptar se do mbaj lart emrin SHQIPËRI (ALBANIA) dhe do jem një, mbështetje për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Me nderime dhe respekt për të gjithë, nga Granit Xhaka dhe familja!

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 12:46

Granit Xhaka ka humbur në pjesën e dytë të ndeshjes një rast të shkëlqyer për të shënuar golin e 3-0 dhe për të mbyllur përfundimisht ndeshjen me Shqipërinë. Por në momentet e fundit, ai ka hezituar dhe topi ka përfunduar në duart e Ujkanit që ka larguar rrezikun. Pamjet filmike kanë treguar një buzëqeshje të lehtë të mesfushorit shqiptar të Zvicrës, i cili më pas është ngushëlluar nga Derdiok që i kishte pasuar topin.

Por në këto momente, komentatori Sasha Rufer, i televizionit zviceran që transmetonte ndeshjen, nuk ka ngurruar të krijojë polemika për këtë rast të humbur.

“Çfarë ndodhi këtu me Xhakën? Kishte vetëm nevojë të shtynte topin në rrjetë!”. Në përfundimin e ndeshjes, duke komentuar përsëri këtë rast, ai ka lëshuar akuzën kundër mesfushorit shqiptar që luan me Zvicrën. “Xhaka nuk ishte i mërzitur se nuk arriti t’i shënonte gol Shqipërisë”, tha ai, duke aluduar se mesfushori me numrin 10 e kishte humbur me dashje atë rast para Ujkanit.

Lojtari shqiptar, pas ndeshjes e ka komentuar këtë moment si pjesë normale të lojës. “Nuk arrita ta kontrolloj mirë topin. Por për mua nuk është e rëndësishme që nuk shënova gol. Është e rëndësishme vetëm që skuadra arriti të fitojë. Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për mua. Për herë të parë në karrierën time më kanë vërshëllyer tifozët. Nuk ishte luftë, ishte një ndeshje futbolli”, ishin fjalët e Granit Xhakës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 14:01

Granit Xhaka ka konfirmuar se ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë është mjaft e veçantë për të. Mesfushori tregon emocionet para sfidës në stadiumin e Lucernës ku janë konfirmuar të paktën 6 mijë shqiptarë mes 15600 tifozëve që ka kapacitet ky impiant.

“Nuk duhet të shpërqendrohemi. Ndoshta do të vërshëllehemi nga tifozët. Por në fushë duhet të kujtojmë për kë luajmë”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Blick”.

Futbollisti është pyetur edhe për videon që qarkullon në internet, ku ai dëgjohet duke kënduar himnin shqiptar te skuadra e Borusia Mynshegladbah. “Di vetëm një strofë të tij. Por nuk dua të këndoj në ndeshje, as himnin shqiptar, as himnin zviceran”, ka konfirmuar ai vendimin e tij, duke i qëndruar besnik fjalëve që kishte thënë që dy javë më parë.

“Nëse shënoj gol, nuk do të festoj. Kam respekt për shqiptarët. Por nëse shënon një shok i skuadrës, do të festoj si i çmendur”, tha lojtari i cili më pas foli pikërisht për tifozët shqiptarë.

“Ndoshta disa prej tyre na shohin në shqiptarëve që luajmë për Zvicrën si tradhëtarë. Por di që janë shumë shqiptarë të cilët janë krenarë për ne, edhe pse luajmë me Zvicrën”, tha futbollisti të cilit i është besuar fanella me numrin 10 në radhët e përfaqësues zvicerane. (LajmeShqip.com)

 

12