12
 
Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 22:52

Me ane te kesaj letre, Familja Konomi deshiron t’ju perditesoje me zhvillimet e fundit ne lidhje me ceshtjen akoma te hapur te vrasjes se familjarit tone te dashur dhe njekohesisht edhe te procesit te hipotekimit te pronave.

Kane kaluar me shume se  dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, nje funksionar i larte i shtetit shqiptar, e megjithate familjes nuk i eshte transmetuar asnje rezultat shpresedhenes. Jemi te ndergjegjshem qe hetimet kane kohen e tyre,  por megjithate pas cdo dite qe kalon na duket sikur largohemi nga e verteta.

Kjo ide perforcohet edhe me shume ndersa perballemi me veshtiresi te shumellojshme dhe te panatyrshme ne perpjekjet tona per te hipotekuar pronat qe na perkasin me ligj, procedura te cilat zvarriten deri ne piken e skadences se cdo afati ligjor.

Si eshte e mundur qe ne Shqiperi nuk zbatohet as vendimi i Gjykates se Larte? Nuk e kuptojme pse-ne?  Kush fshihet pas kesaj? Pse shteti vete na nxjerr pengesa? Nuk e kuptojme pse Drejtoria Rajonale e Hipotekave ne Durres dhe Drejtoria e Pergjithshme e Hipotekave nuk duan te firmosin dokumentat te cilat jane te rregullta ligjerisht dhe te njohura edhe nga Gjykata e Larte.

A nuk eshte ky nje shembull i pashoq i abuzimit me pushtetin, ne nje kohe qe dokumentet e pales kundershtuese rezultuan se ishin totalisht te falsifikuara, ndonese te regjistruara edhe ne institucione si Arkiva e Shtetit? Avokatura e shtetit dhe gjykatat vazhdojne gjyqe mbi keto dokumente false te pales kundershtare, ndersa perpjekjet tona per hipotekim kane deshtuar dy here deri tani.

Te thyer nga dhimbja e humbjes se njeriut tone te dashur, por edhe te indinjuar nga mungesa e seriozitetit dhe transparences se organeve kompetente, Familja  Konomi  e ka cdo dite e me te veshtire te besoje qe jetojme ne nje vend ku mbreteron e verteta dhe ligji e jo mashtrimi dhe mafia. Cdo dite e me pak e ndjejme mbeshtetjen ligjore qe i takon cdo individi ne menyre te barabarte.

Kerkesa jone per median, si nje nga mundesite e vetme per te sensibilizuar opinionin publik, por edhe vullnetin qeveritar, eshte te hetoni mbi kete ceshtje dhe te ushtroni te gjithe presionin e mundshem qe ngjarje te tilla si hedhja ne ere apo djegia e gjalle e zyrtareve publike te mos mbetet pa autoresi dhe pa te ndeshkuar, ne menyre qe ne kete vend te mos fuqizohet pushteti i mafies, por te rivendoset drejtesia.

********************************

Familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi përmes një letre të hapur kërkon zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa lëshon akuza për mungese serioziteti dhe transparence nga ana e organeve kompetente.

“Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënes. Jemi të ndergjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë pas çdo dite që kalon na duket sikur largohemi nga e verteta”.-thuhet në letrën e familjes Konomi.

Perveç këtij fakti familja e gjyqtarit të vrare denoncon edhe problemet me të cilat po përballen për hipotekimin e pronave të tyre, duke pretenduar se proçedurat zvarriten deri në pikën e skadencës së çdo afati ligjor. Familja Konomi thekson më tej në këtë letër se e ka të vështirë të besojë se jetojmë në një vend ku mbretëron e vërteta dhe ligji e jo mashtrimi dhe mafia.

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 12:14

Ish-oficeri i SHISH, Isa Çopa është vrarë dhe kjo rezulton sipas konkluzioneve që kanë dalë nga ekspertët e grupit hetimor pas verifikimeve të kryera deri më tani. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Çopa ka shenja goditje në kokë me mjete të forta mprehëse dhe jo shenja plumbi. Po sipas tyre goditja është bërë para se trupi të digjej.

Ndërkohë, nga hetimet e kryera deri më tani nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit rezulton se Isa Çopa është larguar nga zyra e tij në orën 18:15 të datës 24.10.2011 dhe vetëm 15 minuta më pas rezulton t’i këtë dërguar SMS djalit të tij.

Pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e efektivit të SHISH ka ardhur si pasojë e goditjes në kokë apo e zjarrit.

Fillimisht u ngritën dyshimet nga ekspertët e grupit hetimor se mund të bëhej fjalë për një vetëvrasje, por kjo tezë është hedhur poshtë pas verifikimeve të kryera pasi dëmtimi në pjesën e sipërme të kafkës është kryer përpara djegies së trupit.

Sipas dyshimeve të para, mendohet se vrasja mund të ketë lidhje edhe me ngjarjen ku mbeti i vrarë gjyqtari vlonjat Skerdilajd Konomi.

Mësohet se Çopa po hetonte pronat e Konomit por këto janë hipoteza paraprake që hedhin më tepër hije dyshimi mbi dinamikën e ngjarjeve.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 18:40

Vdekja e Isa Çopës është pasqyruar dhe në shtypin shqiptar, ndër në të cilët thuhet se 49-vjecari po hetonte prej mëse një muaji për pronat e gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi, i cili u vra muajin e kaloi gjatë një atentati me eksploziv.

SHISH-i i Durrësit ishte angazhuar pasi gjyqtari Konomi ishte në konflikt të hapur për pronësinë e më se 300 hektarëve tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit dhe se bashkë me oficerin Isa Çopa në automjet janë djegur dhe një sërë dokumentash të rëndësishme.

Ndërkaq koleget e tij kanë thënë se 49-vjecari ishte i fiksuar se do ta largonin nga puna, ndaj dhe kjo mund të ketë shkaktuar vendimin për vetëvrasje.

Ndërkohë që vetë familjarët nuk kanë pranuar të japin deklarata publike, pa dalë përfundimet e hetimeve.
Sipas tyre Isa Çopa ishte njeri i rregullt dhe korrekt dhe se nuk ka patur asnjë konflikt personal, familjar apo në punë.

Hetimet…

Një ditë nga ngjarja e mistershme, vijojne të zbardhen të tjera detaje, të cilat hedhin dyshime mbi një vrasje të mundshme të oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH), Isa Çopa.

Burime nga grupi hetimor, i cili po merret me cështjen, deklarojnë se nga vazhdimi i ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se 49-vjecari ka pasur fraktura në pjesën e kokës, të cilat dyshohet se janë shenja dhune nga mjete të forta, por jo nga arma e zjarrit.

Detajet u bënë të ditur pas takimit të Drejtori të Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj me Prokurorinë.

Ekspertët e kriminalistikës bënë me dije te pranishmit se mister mbetet dhe vendi ku është kryer krimi, pasi automjeti i djegur është dërguar më pas në vendin ku u u gjet nga Policia. Kriminalistika dyshon se automjetit i është vënë zjarri për të zhdukur gjurmët.

Ndërkaq, Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke u marrë me ekzamiminin dhe ekspertizën e trupit të oficerit Çopa dhe një raport përfundimtar pritet të dalë pas dy ditësh.

Një ditë më parë, Policia e Durrësit në një deklaratë për mediat bëri të ditur se pista kryesore per ngjarjen e djeshme mbetet ajo e vetëvrasjes se 49 vjecarit, por duke mos perjashtuar edhe pisten e nje vrasjeje të mundshme.

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 14:49

Tiranë – E përditshmja tiranase, Shekulli, ka publikuar se prona e familjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, e cila dyshohet se është edhe motivi i vrasjes, ka shkuar në gjyq për herë të dytë vetëm një javë përpara ekzekutimit mafioz.

Përfaqësuesit ligjor të familjes Toptani, njëherazi “pretendues” të të njëjtave prona Konomi fitoi në Gjykatën e Lartë, kanë paditur për të dytën herë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke i kërkuar t’i njihen si prona të tyre 58.6 hektar tokë që ndodhen në zonën e Hamallajve dhe Sukthit të qarkut Durrës. Sipas kësaj padie, e cila mban nr.12935 të regjistruar më datë 2 Shtator 2011 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, nëntë trashëgimtarët e familjes Toptani kërkojnë që AKKP-ja të njohë të drejtën e pronës dhe t’i kompensohet pjesa e zënë që ndodhet në dy zonat kadastrale me nr.1925 dhe 3241 me një sipërfaqe prej 585.915 metër katror.

“Me padinë e dorëzuar në Gjykatë, nëntë trashëgimtarët e familjes Toptani kërkojnë nga togat e zeza që të detyrojnë AKKP-në e Tiranës që të nxjerr vendimin për njohjen e të drejtës së pronësisë për zonat e lira si dhe kthimin dhe kompensimin e pronës së zënë që ndodhet në Hamallaj, Bashkia Sukth me një sipërfaqe totale prej 585.915 metër katror”,- thuhet në objektin e padisë së përpiluar nga përfaqësuesit ligjor të familjes Toptani.

Sipas kësaj padie, kërkohet të njihet e drejta e pronës në nëntë parcela të ndryshme që ndodhen në zonën bregdetare të Durrësit. Kjo padi, pas hedhjes në short elektronik, ka përzgjedhur gjyqtaren Fatmira Hajdari si relatore të çështjes. Me marrjen në dorëzim të kësaj padie, gjyqtarja Hajdari kishte caktuar datën 7 Tetor 2011 ora 11:00 për shqyrtimin e seancës së parë, por, për shkak të ngarkesës së saj me masat e sigurisë, seanca e radhës është shtyrë për me datën 24 Tetor 2011 ora 11:00. Në këtë ditë pritet të paraqiten para gjyqtares Hajdari përfaqësuesit ligjore të nëntë paditësve të familjes Toptani dhe juristëve të zyrës së AKKP-së në Tiranë.

Sipërfaqja e pronës që pretendohet nga nëntë trashëgimtarët e familjes Toptani, sipas të dhënave të dosjes hetimore të organit të akuzës që tashmë po heton vrasjen e gjyqtarit Konomi, ndodhen në zonat ku Gjykata e Lartë është shprehur se i takojnë trashëgimtarëve të familjes së çifligarit Miltjadh Shallvarit, ku pjesë e trashëgimtarëve është edhe familja e gjyqtarit të ndjerë Konomi. Ndërkohë, po pranë kësaj Gjykate por me gjyqtar tjetër, trashëgimtarët e familjes Toptani kanë paditur në Korrik të 2011 AKKP-në e Tiranës, duke i kërkuar togave të zeza të detyroj këtë institucion që të shprehet me vendim ku i njeh si trashëgimtar paditësit për një sipërfaqe prej 275 hektarëve tokë.

Edhe kjo pronë, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ndodhet në zonën ku ndodhet prona e çifligarit Shallvari ku bënë pjesë edhe familja e gjyqtarit të ndjerë Konomi. Në seancën e fundit të shqyrtimit të kësaj çështje gjyqtari Arjan Aliaj dëgjoi pretendimet e paditësve dhe i dha kohë deri më 5 dhjetor 2011 juristëve të AKKP-së të përgatisin prapësimit e tyre, kundrejt paditësve.

Pronat e familjes Shallvari

1. Parcela me nr:22/2, zona kadastrale nr.1925, fshati Hamallaj, Bashkia Sukth, Durrës,volumi 4, faqe nr.18, me sipërfaqe 85.000 m2,shtet.

2. Parcela me nr:20/2, volumi nr.6, fq.104, lloji pyll, me sipërfaqe prej 202.200 m2, e ndodhur në zona kadastrale nr.1925, fshati Hamallaj, Bashkia Sukth, Durrës, shtet.

3. Parcela me nr.22/4 volumi4, faqja nr.20, lloji pyll, me sipërfaqe 6900 m2, zona kadastrale nr.1925, fshati Hamallaj, Bashkia Sukth, Durrës, shtet.

4. Parcela nr.2/1, e llojit tokë pa frutë, kënetë, zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, e lirë, me sipërfaqe prej 167.585 m2.

5. Parcela nr.2/2, e llojit pyll, zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, e lirë, me sipërfaqe prej 20.846 m2.

6. Parcela nr.232, e llojit kanal, e lirë, zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, me sipërfaqe prej 21120 m2.

7. Parcela nr.2/3, e llojit pyll, e lirë, zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, me sipërfaqe prej 30675 m2.

8. Parcela nr.3/1, e llojit pyll, e lirë, zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, me sipërfaqe prej 5320 m2.

9. Parcela me nr.1, e llojit pyll, e lirë, Zona kadastrale nr.3241 e Bashkisë Sukth, me sipërfaqe prej 46375 m2.

Historia e pronës nga viti 1919 e deri më sot

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, historia e pronës së shumë lakmuar në bregdetin e Durrësit, njihej me emrin “Çifligu Rrushkull” ose “Çifligu i Ri” sipas hartës së vitit 1919, kur prona e çifligarit Miltjadh Shallvari ndodhet e vijëzuar. Mitjadh Shallvari rezulton se ka vdekur më 17 maj 1933, por, katër vjet para ndarjes nga jeta, konkretisht më 8 maj 1929, të gjithë këtë pasuri i lë me testament bashkëshortes Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Ky testament u ekzekutua në vitin 1940, ku në zyrën e Hipotekës së Durrësit u depozitua një dokumente ku shtetasit Edita Shallvari, e bija e trashëgimlënësit Miltjadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltjadh Shallvari, ku heqin dorë nga çdo e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat që njiheshin si “Çfiligu i Rrushkullit” dhe “Çifligu i Ri”, duke i lënë ato në favor të shtetases Sllava Lubica Maria Amalia Lampo. Kjo ka qenë edhe koha kur bashkëshortja e Shallvarit u bë pronare e vetme e gjithë kësaj pasurie. Më datë 27 prill 1940, prona në fjalë iu dha kompanisë italiane (I.I.E.A) asokohe për një afat 99 vjet, por më 29 maj 1946, toka në fjalë u sekuestrua nga shteti shqiptar. Pikërisht tek ky vendim i sekuestrimit, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, më datë 5 tetor 2009 u bazua edhe kërkesa për të trashëguar pronën familja e gjyqtarit të Vlorës dhe trashëgimtarët e tjerë. Pra, duke pretenduar se toka i ishte marrë në 1946 nga shteti, tani duhej të kthehej. Konkretisht, me nr. transkriptimi 126, volumi 15, datë 29 maj 1946, prona ka kaluar në emër të shtetit, me kufizimet: Veri, Ali Bej Qoralliu, Faut bej Toptani, Zija bej Toptani, perëndim, deti, jug, lumi Erzen dhe lindje, Qanie Hanemi, Fuat bej Toptani. Prona në fjalë u konsiderua e konfiskuar në zbatim të ligjit 36, datë 14 janar 1945. Gjykata e Lartë, në përfundim të shqyrtimit vlerësoi se Gjykata e Durrësit kishte të drejtë, në vlerësimin e dhënies në përdorim të pronës tek kompania italiane, pasi nuk ka ndryshuar pronësia e tokës, ajo ka mbetur e trashëgimtares me testament.

VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË

Pronat e Konomit

I njihet e drejta pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej 158 hektar në fshatin Hamallaj Durrës

I njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej rreth 165 hektar në fshatin Hamallaj Durrës

I njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej 2229 hektar pronë në fshatin Rrushkull, Durrës.

Tokat që iu kthyen

U kthehet në natyrë një sipërfaqja e lirë prej 150 hektar e ndodhur në Hamallaj, Durrës

U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë prej rreth 151 hektar tokë të ndodhur në fshatin Hamallaj

U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë prej 826 hektar tokë e ndodhur brenda fshatit Rrushkull, Durrës

Tokat që u kompensohen

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej 141 hektar tokë

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej rreth 15 hektar tokë

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej rreth 85 hektar

KUSH JANË PRETENDUESIT E KËSAJ PRONE NGA DY KRAHËT

Trashëgimtarët e Toptanëve

Abas Hamzaraj
Alma Struga (Toptani)
Azmi Toptani
Bihter Toptani
Jasemin Kosha (Mullaj)
Jusuf Hamzaraj
Merjeme Toptani
Mimoza Jero (Toptani)
Rezar Mullaj

Trashëgimtarët e Shallvarit

Ana Mitro (Veveçka)
Fotaq Konomi (babai i gjyqtarit)
Vasillaq Goxhomani
Eleni Mima
Polikseni Mima
Marjeta Mima.  (Shekulli)

 

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 12:36

Atentatet me eksploziv në Shqipëri janë kthyer në një mënyrë te re aksionesh eleminimi fizik. Pas vrajses makabre që i’u bë gjykatësit vlonjat Skerdilaj Konomi 1 muaj më parë një tjetër ngjarje e rëndë ka goditura tashmë qytetin e Shkodrës.

Një atentat mafioz me eksploziv tronditi mëngjesin e të enjtes qytetin e Shkodrës.  Sipas të dhënave të policisë automjeti tip benz me targa Sh 14 65 E shpërtheu në qendër të qytetit pikërisht në lagjen “Vasil Shanto”.

Uniformat blu bëjnë me dije se eksplozivi ishte vënë në makinën e kambistit Mark Gjoni. Nga shpërthimi i makinës ka mbetur i plagosur rëndë kambisti Gjoni i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas hetimeve paraprake shpërthimi dyshohet minë me telekomandë, por ende nuk dihen motivet e ngjarjes.  Mark Gjoni ishte nisur për në punë në momentin kur bomba shpërtheu duke i shkaktuar plagë të rënda.

 

 
Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 16:15

Tiranë – Agjencia informative NOA ka publikuar letrën e familjes së gjyqtarit të vrarë vlonjat, Skerdilajd Konomi, adresuar instancave në të larta të vendit, me të cilën ajo kërkon mbrojtje nga shteti. Familja e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, i drejtohet me një letër të hapur, Presidentit të Republikës Bamir Topi, Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

Në këtë letër të posaçme dërguar përfaqësuesve të lartë të sistemit të drejtësisë, familja Konomi apelojne te zbardhet vrasja e Skerdilajdit, duke paralajmeruar se “kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën”.

Më poshtë agjencia publikon letrën e plotë:
Duke ju falënderuar për solidaritetin e shprehur ndaj familjes se gjykatësit Skerdilajd Konomi dhe për angazhimin publik kundër aktit të rëndë që i mori jetën djalit tonë, po ju drejtohemi në këto momente të vështira si përfaqësues dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet.

Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve.

Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetën mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme.

Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve te pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë.

Me besim në punën dhe angazhimin tuaj në zbatim të ligjit, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për ne dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate”, përfundon letra e familjes Konomi. (NOA)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 13:07

Vonesat në zbardhjen e vrasjes e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi kanë shkaktuar një sërë shkarkimesh në radhët e policisë së qytetit bregdetar.

Zyrtarisht bëhet me dije se është larguar nga detyra kreu i policisë së Vlorës ndërsa në vend të tij është emëruar Nazmi Kotarja.

Në postin e Zv.drejtorit të policisë është emëruar Elidon Veizi i cili më parë ka mbajtur postin e zv.drejtorit të policisë së Korçës. Ndërsa nëndrejtori i Vlorës Myftar Demirlika ka shkuar në postin e zëvendësuesit të tij, atë të policisë së Korçës.

Gjithashtu në postin e shefit të ri të komisariatit të Vlorës është emëruar Alfred Elezi i cili ka mbajtur të njëjtin post por në rrethin e Mirditës.

Ndërsa shefi i komisaritatit të qytetit bregdetar Nikolin Thana është emëruar në të njëtin pozicion por në qytetin e Ballshit.

 
Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 11:26

Vlorë- Një javë pas vrasjes makabre të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, qytetarët e Vlorës të shqetësuar për ritmet e hetimit të ngjarjes dhe zbardhjen e saj kanë mbushur rrugët e qytetit të tyre duke shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar.

Me moton “Bashkë kundër krimit”, qytetarë të Vlorës, kolegë dhe familjarë të Skerdilajd Konomit nisën që në orët e mëngjesit të së premtes marshimin nga Sheshi i Flamurit deri në Skelë duke kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së gjyqtarit.

Një fakt tronditës që vjen nga Vlora është se brenda shtatë ditësh në Vlorë janë shënuar disa viktima. Më 9 shtator u vra në atentat me eksploziv gjyqtari Skerdilajd Konomi, më 12 shtator në kodrat e Tragjasit u gjet trupi i pajetë i një mashkulli dhe më 13 shtator një foshnje e sapolindur humbi jetën, pasi u hodh nga e ëma nga dritarja e maternitetit.

Një ditë më parë ministri brendshëm Bujar Nishani deklaroi në raportimin e tij para komisionit kuvendor të sigurisë se është gati zbardhja e ngjarjes së vrasjes me eksploziv të gjykatësit Skerdilajd Konomi.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 12:28

Bujar Nishani i rikthyer në postin e ministrit të brendshëm pas largimit të Lulzim Bashës ka raportuar në komisionin e sigurisë duke folur për situatën e krimit në vend.

Vëmendja e deputetëve socialist është përqendruar tek hetimet për zbardhjen e vrasjes së kolegut të tyre Famir Xhindi 2 vjet më parë dhe ekzekutimi më i fundit i gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Nishani u shpreh se zbardhja e vrasjes së Xhindit është në rrugë të mbarë ndërsa deklaroi se akti nuk ka qenë i motivuar politikisht.

Ndërsa përsa i përket ekzekutimit të gjyqtarit Konomi, numri 1 i rendit në Shqipëri bëri me dije pistat e hetimit kur prevalon më tepër ajo që ka të bëjë me konfliktet e pronësisë që gjyqtari Konomi ka patur.

Sipas Nishanit gjatë këtij 6 mujori janë shënuar 76 vrasje ndërsa ka shtuar se është rritur zbulueshmëria në masën 84% për këto krime.

Por sipas deputetëve socialist në komision, raporti i policisë nuk është i njëjtë me të dhënat e publikuara nga prokuroria ndërsa kanë shtuar se policia e shtetit është duke fshehur vrasjet.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 12:07

“Pushteti gjyqësor pret që të gjenden autorët e krimit makabër e të vendosen para drejësisë. Jemi duke pritur të bëhet drejtësi jo vetëm për Konomin por mbi të gjitha të vendoset në vend autoriteti shtetëror i cenuar dukshëm nga ky akt”, deklaroi në një prononcim për shtyp, nënkryetari i KLD Kreshnik Spahiu.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu thotë se jeta e gjyqtarëve është në rrezik dhe përsëriti apelin drejtuar institucioneve shtetërore për të vënë para ligjit autorët e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

“Pothuajse në të gjitha rastet krimet e rënda ndaj njerëzve të sistemit të drejtësisë ka mbetur pa autor. Një precedent i tillë duhet të ndryshojë urgjentisht”, nënvizoi mëj tej nënkryetari i KLD-së.

12