Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 12:05

Prishtinë – Instituti i Kosovës për Drejtësi, shpreh shqetësim të thellë rreth ndikimit të procesit të negociatave politike në mes Prishtinës dhe Beogradit në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë. 
Në një dkelaratë me shkrim dërguar mediave, ky Institut mëtutje konsideron se emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një nga proceset më të rëndësishme sa i përket pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Emërimi duhet të bazohet në kritere objektive dhe nuk duhet të jetë rezultat i negociatave politike. Askush nga përfaqësuesit politik nuk mund të vendosë mbi procesin e emërimeve për gjykatësit dhe prokurorët në Republikën e Kosovës, pa respektuar Kushtetutën dhe Ligjet mbi emërimin e tyre.

Emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, mund ta bëjë vetëm Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës, respektivisht. Andaj, çfarëdo propozimesh që mund të vijnë nga përfaqësuesit e tjerë ndikojnë drejtpërdrejtë në pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Çdo formë e ndikimit të ekzekutivit dhe legjislativit sa i përket përzgjedhjes dhe karrierës së gjykatësve dhe prokurorëve do të bie ndesh me ligjet përkatëse si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në rast të ndikimeve politike, shumë qytetarë të Republikës së Kosovës do të diskriminohen, duke përfshirë ata qytetarë të cilët për vite të tëra kanë qenë të shantazhuar nga Beogradi, që të mos angazhohen në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës, thuhet, pos tjerash, në deklaratën e IKD-së.

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 14:37

Kukës- Gjykata e Kukësit pushon çështjen dhe lë të lirë biznesmenin Ajdin Sejdia, një emër mjaft i lakmuar në Shqipëri, i cili kërkohej për akuzën e mashtrimit bankar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sejdia mbërriti në Gjykatën e Kukësit në masa të rrepta sigurie, raporton BW. Prokuroria gjatë seancës kërkoi shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin ndaj Ajdin Sejdisë.

Gjatë seancës së zhvilluar mesditën e sotme në Gjykatën e Kukësit, Prokuroria tha se në Shqipëri nuk ka asnjë çështje penale ndaj Ajdin Sejdisë, pasi nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ka ardhur asnjë dosje. 

Ajdin Sejdia u arrestua në prill të këtij viti, në pikën e kalimit kufitar të Morinës. Ai kërkohej nga shteti i Dubait, për akuzën e mashtrimit bankar, por më vonë akuza mbi bazën e të cilit ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar u tërhoq.

Ajdin Sejdia rezulton të jetë aksioner në disa biznese në Shqipëri e Kosovë, ndërkaq së fundmi ka fituar me vendim gjykate një koncesion për një park industrial në Spitallë të Durrësit. 

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 13:18

Tiranë – E perditshmja “Panorama” shkruan sot ne kryeartikullin e saj se Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë ish-prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, me akuzën e shpërdorimit te detyrës. Ky është vendimi i dhënë nga gjyqtari Altin Abdiu, më 18 prill 2013, i zbardhur së fundi. Padia është ngritur nga Bardhyl Shehu, prokuror për shumë vite në Kurbin, i shkarkuar nga Ina Rama dhe i pariemëruar edhe pas vendimeve të formës së prerë nga gjykatat për kthimin e tij në detyrë. Shehu dhe disa prokurorë të tjerë u emëruan në detyrat e mëparshme nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pak kohë pas marrjes së detyrës nga ana e tij. 

Ai deklaroi se zbatoi vendimet e gjykatave, që i cilësonin të padrejta shkarkimet e prokurorëve nga Ina Rama. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, përfundimi i Prokurorisë së Tiranës i datës 19 dhjetor 2012 se Ina Rama nuk ka kryer vepër penale, nuk qëndron. Gjykata thekson se ka disa elementë në veprimet e ish-kryeprokurores që duhet të hetohen edhe një herë nga Prokuroria e Tiranës. Konkretisht, gjykata kërkon hetim për moskthimin në punë të prokurorit Shehu nga viti 2011, kur fitoi gjyqin deri në 2013-n, kur vendimet e gjykatave u zbatuan nga kryeprokurori Adriatik Llalla. 

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 14:45

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1” është mbajtur seanca e rradhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së, në të cilën pritej të shqyrtoheshin kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të akuzës.

Pjesa e parë e senacës gjyqësore ka përfunduar për të vazhduar në ora 13:45. Fatmir Limaj, Deputeti I Kuvendit të Kosovës kërkoi që në këtë proces gjyqësor nga trupi gjykues, palët të jenë të barabarta.

Gjatë paraqitjes në seancën gjyqësore, Limaj, tha se pas shumë torturave që I janë bërë atij dhe familjes së tij, tani ka ardhur koha që të dëgjohet zëri I tij.

“Jemi palë të barabarta dhe ju kisha lutur që të na respektoni dhe të na trajtoni si të barabartë. Kërkoj që të ma jepni rastin të flas, këtë të drejt ma garanton Kushtetuta. Ju lus që të respektohet barazia dhe mos të na futni në kohën e kufizuar. Unë dhe familja ime jemi torturuar që katër vite, dhe tani është koha që të dëgjohet zëri ynë”, tha Limaj, duke shtuar që në pjesën e dytë të seancës t’i jepet mundësia të flas, raporton “Epoka e re”.

Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues tha se janë duke respektuar të drejtat e të gjithëve.

Avokati i Limajt, Karim Khan në përfundim të fjalës së tij ka kërkuar që të përfundoj sa më shpejt ankthi i Limajt, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend dhe të hedhet poshtë aktakuza dhe sipas tij të ndërpritet kjo çmenduri.

Kurse, gjykatësja pas përfundimit të fjalës së Khanit tha se, është këtu për ta vënë drejtësinë. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 15:27

TIRANE- Lufte korrupsionit dhe pavaresi nga cdo lloj ndikimi ne punen e tyre ka kerkuar kreu i shtetit nga prokuroret.

Deklarata eshte bere nga presidenti Nishani gjate takimit te sotem me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe me drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorise së Tiranës, Task-Forcës.

Nishani ka theksuar ne fjalen e tij se duhet të forcohet besimi qytetar te forca e ligjit dhe tek shteti i së drejtës. Ai ka kerkuar pavaresi dhe bindje vetem ndaj ligjit, duke thene se “prokurorët nuk mund t’i bëjë të pavarur Presidenti, por puna e tyre”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 November 2012 17:15

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur ditën e hënë një tryezë të rrumbullakët me një serë drejtuesish të institucioneve kryesore, pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, në këtë tryezë do të diskutohet mbi reformën në sistemin gjyqësor, si dhe mbi sfidat që burojnë nga rekomandimet në Raport Progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012.

Javën e kaluar Presidenti Nishani zhvilloi takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë këtij takimi u hodh në tryezë data 23 qershor, si më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Megjithatë kreu i shtetit nuk e ka dekretuar ende datën e zgjedhjeve të vitit 2013. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 15:24

TIRANË– Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur paraditen e sotme, nën drejtimin e kryetarit të saj, njëherësh President i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për të diskutuar për rishpërndarjen e gjyqtarëve në gjykatat e rretheve dhe të Apelit. 

Drafti i paraqitur KLD-së për miratim, është përgatitur pas një studimi të realizuar nga ministria e Drejtësisë në gjykatat e vendit dhe synon rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke i garantuar publikut një shërbim më cilësor e më të shpejtë. Sipas tij, drafti parashikon rishpërndarjen e gjyqtarëve në gjykata, sipas ngarkesës së tyre në punë. Përmes këtij akti synohet që të ulet numri i gjyqtarëve në gjykatat e vogla të rretheve që kanë më pak çështje dhe të rritet numri i gjyqtarëve në gjykatat që kanë një ngarkesë më të madhe pune. 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke dhënë detaje për këtë projekt, tha se “kemi përgatitur një draft të rialokimit të të gjithë numrit të gjyqtarëve sipas çdo gjykate”. 

Kjo nismë pritet t’i japë zgjidhje problematikës së hasur në veprimtarinë e sistemit gjyqësor. Si shembull përmendet rasti i Gjykatës së Tiranës, me 70 gjyqtarë, ku një gjyqtar ka në ngarkim rreth 300 dosje, në një kohë që në Gjykatën e Gjirokastrës, me 16 gjyqtarë, një gjyqtar ka ne ngarkim rreth 30 dosje, pe nje periudhe te caktuar kohe. Një situatë e tillë ka krijuar probleme në dhënien e drejtësisë në kohë të shpejtë për qytetarët.

Ndërkohë që krahas përcaktimit të gjyqtarëve në gjykata, proces i cili u theksua si mjaft i rëndësishëm si nga Presidenti Nishani ashtu dhe nga ministri Halimi, po diskutohet dhe mbi ngritjen e Gjykatave Administrative.

NISHANI: VENDI I LEFTERIE LLESHIT VAKANT NE KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, miratoi sot deklarimin e mbarimit të mandatit të Lefterie Lleshit si anëtare e këtij institucioni, pas zgjedhjes së saj në krye të KQZ.

Në nisje të mbledhjes, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, njëherësh kryetar i KLD shpalli mbarimin e mandatit dhe urdhëroi ti dërgohet Kuvendit vendi vakant. 

Kuvendi votoi në seancën plenare të 11 tetorit Lefterie Lleshin në krye  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).  Lleshi, mori në Kuvend 73 votat e mazhorancës, pasi Partia Socialiste nuk mori pjesë në votim.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 08 November 2012 11:18

TIRANË (PLOTESUAR 08 NETOR, 13:30)-Një përplasje e ashpër deklaratash mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruci janë zhvilluar në seancën parlamentare duke marrë shkas nga cështja e Qarkut të Fierit.

Berisha i bëri thirrje opozitës të mos bllokojë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe të votojë 3 ligjet e integrimit. Berisha ritheksoi mocionin për zgjidhjen e çështjes së Fierit, por deklarata u prit me ashpërsi nga Ruci. Sipas Rucit, Berisha sillet sikur kërkon zgjidhje, ndërkohë që urdhëroi bllokimin e në qarkun Fier, dhe pse fitoren e mori PS.

Berisha: Formula e propozuar dje që të vemi në votëbesim cdo këshilltar të qarkut në çdo këshill bashkiak dhe komunë ishte e qartë. Nesër më bëni mocion kur të doni, po ju se bëni se nuk doni debat, pra problemi është këtu të bëhet të vendoset me marrëveshje për çdo Komunë dhe Këshill, Qarkun dhe kjo është zgjidhja e më e duhur. Se bllokimi i këtyre ligjeve për një situatë që nuk lidhet më askërkush, është dëmtim i kërkesave jetike të çdo qytetari. Kjo ofertë nuk ka bazë, ku të hidhet poshtë, doni të procedojmë me marrëveshje dhe ne jemi të gatshëm të vendosim mocion për secilin, por askush, as ju nuk mund t’u diktojmë votën e qytetarëve. Ku e keni Paulinin? Kam kërkuar unë të dal në anën tjetër ndonjë deputet i juaj? Jo mor zotëri cdo deputet ka të drejtë të ndryshojë parti. Sadri sa herë ke dash ti me ik nga kjo parti, ma thuaj pak? Ka hallin se nuk e zë lista po s’ka gjë Sadri (te qeshura ne salle), pra mos të merremi e nxjerrim pengesa, fenomene që janë të legjitimuara në ligjet shqiptare dhe demokratike të mbarë botës, por ajo që mund të bëjmë është të bëjmë mocion për cdo Këshill, Qarku për çdo Komunë e Bashki”.

Ruci: Të kam ndjekur me vëmendje dhe dje dhe sot. Ti, ose propozon ose ofron zgjedhje politike për çështjen e Fierit. Më fal për terminologjinë që do përdor, por, në të gjitha vendet ku kam shkuar të kam dëgjuar, kam menduar, ose ju jeni budalla, ose bëni budallanë. Por, jo, ju s’jeni as budalla, as kini pse bëni budallanë, por ama një gjë është se, vetëm argumenta s’ke. Së pari me legjislacionin shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, por të cdo vendi demokratik hyn në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurve se nuk ka mocion, për të zgjedhur. Dhe rastin e morët dhe për z Paulin, i cili hyn në liritë dhe të drejtat e të zgjedhurit dhe s’mund ti bësh mocion, këtu që ju predikoni dhe bëni si ofertë pikërisht keni bërë se pikërisht Qarkun Fierit e fitoi PS, ju e dini shumë mirë se sipas ligjit mandatet ratifikohen sipas ligjit, dhe është ai që ia con kryetarit të Bashkisë dhe thërret natën, Këshillin e Qarkut. Ishin deputetët e tu në mbledhjen e parë ku njihen mandatët e këshillit të Qarkut, mbledhja u ratifikua me 2 raunde, fitoi pikërisht kjo ofertë që bëni ju, që kjo që është bërë nuk është bërë me iniciative të kundraligjshme, por me porosi tuaj.
Lëvizni se u bë mocioni i mosbesimit dhe ndryshoni numrin e anëtarëve të Këshillit të Qarkut të Fierit të PD e PS. Pikërisht ky numër u atakua në Gjykatë dhe Gjykatat me vendim të formës së prerë, e pra nuk është ofertë ka dhe nuk ka marëveshje politike për të shkelur ligjin dhe për të hedhur në koshin e plerave vendimin e gjykatave. Ndaj them, tani ti ose bën budallanë, ose je budalla dhe se kupton, por jo asnjë nga këto, është e kjo e treta, je kokrra e mashtruesit”.

Berisha: “Nuk është për t’u habitur me fjalorin e ucit qe pas fotos se kërricit që kryetari juaj poston në gjithë botën, por është dhe problemi i axhustimit të situatës së re të krijuar në PS. Unë u them qytetarëve shqiptarë se kjo është gënjeshtër banale fund e krye. Sepse neni 32, i qeverisjes vendore u njef Këshillave, Komunave të Bashkisë, të drejtën për dhënien e heqin e mandatit. Të këshilltarëve të këshillave të Qarkut, se neni 32 autorizon Këshillat e Bashkive dhe Komunave për t’u dhënë dhe hequr mandatin anëtarëve të Këshillave dhe Komunave se neni 52 përcakton qartësisht mënyrën e ndërtimit të Qarkut. Përveç kësaj ka një vendim të gjykatave në cdo shkallë, vendim i cili le në fuqi kryetarin aktual dhe aktet ligjore të firmosura prej tij, gjersa çështja të shqyrtohet në themel. Është e lehtë të shfrytëzosh këtu platformën për të dezinformuar qytetarët shqiptarë, pas fotos famoze keni lehtësi ta bëni, se ju doli dhe ajo pak që ju ka mbetur. Por, e vërtetë është se tjetra se, ose këto këshilla kanë votuar për së dyti këshilltarë të tjerë dhe se nuk ka gjykatë në botë në një vend të lirë që mund t’i heqë Këshillit të dhënies dhe heqjes së mandatit të këshilltarëve të Qarkut. Në rastin kur një qeveri humb shumicën dhe vazhdon të qeverisë, jo po se humbur votat dikur, por kanë vendosur gjykatat. Por këshillat kanë shqyrtuar vendimet e gjykatave, përfaqësues të tyre në përputhje me ligjin. Po nëse ti thua jo, pse ke frikë të çosh në mocion të gjithë? Sepse ekziston vetëm në interesin tuaj për të bllokuar.
 Por ju bëj thirrje, mos bllokoni Shqipërinë për një procedurë përveçse ka lidhje me sedrën personale. Unë prapë ju bëj thirrje zotëri të ngriheni mbi lartësinë e detyrimeve tuaja. Ju mendoni se nëse statusi jepet Berisha merr spaleta, por unë them, nëse statusi merret spaleta merr cdo qytetar shqiptar. Ju jeni të gabuar kur mendoni se, nëse marrim statusin dëmtoni Berishën, por unë ju them, ju dëmtoni çdo shqiptar, kjo është e vërteta, por më shumë dëmtoni forcën tuja politike. Janë kërkuar në mënyrë eksplicite 3 ligje, nuk ka vakuum ligjor. Ky është një test, a duan shqiptarët të votojnë këto ligje, kjo është e vërteta, duan apo nuk duan shqiptarët? Nëse u themi s’duam kjo do të thotë se nuk arritëm konsensus për procesin e integrimit se një forcë politike nuk ngrihet mbi interesat e ngushta të karriges për pushtet”.(LajmeShqip.com)

***********************************************************

TIRANË– Ligjëvënësit e Kuvendit të Shqipërisë, duket se i pret një axhendë e ngjeshur ditën e sotme. Në nisje të seancës plenare u betua deputeti i PS-së Auron Tare. Tare mori me vota unanime mandatin si deputet i PS, pas dorëheqjes së Andis Harasanit. 

Në seancën parlamentare të ditës së sotme do të jenë sërish të përfshira në rend ditë tre ligjet që kushtëzojnë marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat. Konkretisht, janë ligji për Gjykatën e Lartë, ai për Nëpunësin Civil dhe reforma parlamentare, do të qëndrojnë në kalendar në pritje të konsensusit të Partisë Socialiste.

Manipulimi i zgjedhjeve ose krimi elektoral, pritet të përjashtohet nga amnistia, e cila jepet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Projektligji “Për dhënie amnistie”, u votua një ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim. Në variantin përfundimtar që do t’i paraqitet sot seancës parlamentare u vendos që të mos përfitojnë amnisti as komisionerët e zgjedhjeve, të cilët akuzohen për prishje të procesit zgjedhor. 

Po sot pritet shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të ligjit në veprimtarinë e Shërbimit Informativ Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën janar 2009 – tetor 2012”, e cila pritet të ngjallë debate mes palëve. 

Ndërkohë në seancë janë përfshirë edhe dy interpelanca, ku njëra është e Ministrit të Transportit Sokol Olldashi, kërkuar nga deputeti Nasip Naço dhe e dyta është me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, kërkuar nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjithashtu do të ketë edhe një seancë e pyetje -përgjigje kërkuar nga deputeti Taulant Balla me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. 

BETOHET AURON TARE
Në nisje të seancës plenare u betua deputeti i PS-së Auron Tare. Auron Tare mori me vota unanime mandatin si deputet i PS, pas dorëheqjes së Andis Harasanit.

RENDI I DITËS
Kuvendit për periudhën 5 nëntor – 27 dhjetor 2012.
3. Njoftim për miratimin me konsensus të kalendarit 3 javor (5 nëntor – 22 nëntor 2012) të punimeve të Kuvendit.
4. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për krijimin e kuadrit për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave të Bashkimit Europian”.
5. Projektligj “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.
6. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)”.
7. Projektligj “Për ratifikimin e instrumentit të angazhimit të Republikës së Shqipërisë në shtesën e burimeve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillimin (IDA), plotësimi i gjashtëmbëdhjetë”.
8. Projektligj “Për dhënie amnistie”.
• 9. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9157, datë 4.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar”.
10. Projektligj “Për nëpunësin civil”. (vazhdon shqyrtimi në komisionin përgjegjës)
11. Shqyrtimi i propozimeve të reformës parlamentare. (Projektvendimi “Për shtesa dhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit” si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit” i ndryshuar”.
12. Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të ligjit në veprimtarinë e Shërbimit Informativ Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën janar 2009 – tetor 2012”.
13. Për votim:
Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”.
14. Interpelancë me Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi kërkuar nga deputeti Nasip Naço.
15. Interpelancë me Ministrin e Punëve të jashtme Edmond Panariti kërkuar nga deputeti Vangjel Dule.
Seancë e pyetje – përgjigjeve kërkuar nga deputeti Taulant Balla me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
16. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60’).(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 10:13

TIRANË (PLOTESUAR 17 TETOR)- Ndërsa greva e urisë së ish-të burgosurve politikë hyri sot në ditën e 26-të, një vendim nga Gjykata e Tiranës kërkon shpërndarjen e grevistëve duke parrë parasysh një padi nga ana e policisë, që e konsideron grevën të paligjshme. 

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi shpërndarjen e grevës, pasi e shpalli të paligjshme, në një deklaratë për mediat në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj theksoi se ata nuk do të dalin nga greva. Pas deklaratës Lamaj shoqerohet në spital.

TUFA: NË SHQIPËRI DIKTATURË E RE
11:10 Koordinatori i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, në një deklaratë para mediave i bëri thirrje qeverisë që të ulen në bisedime për një zgjidhje paqësore, ndërkohë që paralajmëroi se do regojnë nëse nxirren nga greva.

“Berisha iku dhe la urdhërat prapa. Këto nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është siç tha dhe ambasadori amerikan dje, uluni dhe diskutoni. Nëse këta njerëz nxirren me vendim gjykate, që dihet se në dorë të kujt janë, ne deklarojmë se në Shqipëri ekziston një diktaturë e re që vepron në mënyrat më brutale dhe veprimi që behet me ne bëhet me çdo qytetar. Ne do i bëjmë thirrje në mënyrë paqësore siç tha dhe miku ynë Arvizu, nëse ju do veproni me vendimin e gjykatës ne do veprojnë në mënyrë paqësore”,- deklaroi Tufa.

PATRIOTI: BERISHA MOS E GËZOFSH DITËLINDJEN! MOS NXIRR GREVISTËT SE DO KESH KUFOMA
Ora 11:00-Koordinatori i grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë, Asllan Patrioti, në një deklaratë të ashpër theksoi se nëse përdoret forca kundër grevistëve, do të ketë viktima. Madje Patrioti tërhoqi dhe urimin për ditëlindje ndaj Kryeministrit Sali Berisha që para 2 ditësh festoi 68-vjetorin.

“Unë dje e urova Kryeministrin për datëlindje, dhe ai na e ktheu në këtë monedhë. Por sot e tërheq, ‘Mos e gëzofsh datën e lindjes’. Se këta njerëz që kanë vuajtur për 27 ditë, nuk i ka bërë lopa. Kam heshtur se do bënim mbase negociata, kërkuam të ulim gjakrat, dhe u bëj thirrje, të ulin gjakrat,ndryshe do kesh kufoma. Ne duam dëmshpërblim për ligjin. Çfarë u pengon të na e jepni. Nëse t’i tenton t’i nxjerrësh me forcë këta njerëz, të siguroj se do kemi probleme”.

Koordinatori i grevës së urisë shtoi se ‘kjo grevë nuk do ndalet, do kemi tjetër. Jemi njerëz, kemi të drejta”. Nën thirrjet se greva nuk ka motiv politik, Patrioti nuk bëri të ditur vendin ku do vijojë greva e urisë. “E kemi sekret, ja sa të stabilizojmë gjërat”. 

“Janë ndaluar edhe familjet edhe cigaret, ne kemi qënë në burgjet e Enverit, maskara ka qenë, por 5 minutëshin e familjes e kishte në rregull maskarai. Familjet kanë ardhur dhe nuk i lënë. Ku jemi, në burg apo internim. Të gjithë kontrollohemi, por po të duam ti fusim benzinë ne ja fusim kur të duam, por nuk kemi asnjë qëllim. Nëse të është mërzit pushteti largohu. Unë të them hajt merr pushtet, dhe rri me ne. Ti mban Ilir Metën hajdut në pushtet, Ilir Metën e ke patericë dhe po mbahesh mbi të. Të them hajde me ne Ilir Meta nuk është me ty më”,- tha i revoltuar Asllan Patrioti.

INFARKT NE ZEMER, GREVISTI FATMIR LAMAJ DERGOHET ME URGJENCVE NE SPITAL
Ora 10:40-Pas deklaratës së kryer në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj u transportua në urgjencë sepse pati nje goditje ne zemer. Lamaj ka qenë për ditë të tëra në grevë urie me ish-të burgosur të tjerë, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut të kryera në kohën e diktaturës. Ai u semur nga zemra sapo mësoi vendimin e gjykates për shpërndarje të grevës.

SEQUI: APEL QË AKTET EKSTREME TË VETËDJEGIES TË NDALOJNË
Ora 10:20 Ambasadori i BE-së Ettore Sequi i ftuar në emisioni ‘Vila 24”, ka komentuar grevën e ish- të përndjekurve. Sequi ka bërë apel që grevistët të ndalojnë aktet ekstreme, ndërkohë që bëri thirrje që të nisë dialogu.

GREVISTËT: NUK DALIM NGA GREVA,VETËM PO TË NA NXJERRIN ME FORCË
10:00 Tensionohet situata në ambientet ( pranë Komunës së Parisit), ku prej 26 ditësh një grup-ish të përndjekurish politikë po zhvillojnë grevën e tyre si shenjë protestë për të drejtat e tyre.

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi shpërndarjen e grevës, pasi e shpalli të paligjshme, në një deklaratë për mediat në emër të grevistëve, Fatmir Lamaj theksoi se ato nuk do dalin nga greva. ‘Paralajmerojme se do te digjemi para parlamentit, duam të drejtat tona’.

Lamaj e cilësoi kryeministrin, Berisha si një pjellë të komunizmit që vazhdon t’i shërbejë. “Kur kam qenë 21 vjeç dhe dola në gjyq për agjitacion dhe propagandë kam thënë këto fjalë: Jam armik i komunizmit deri në vdekje, i kam qëndruar, ndërsa t’i je një pjellë e tija, dhe vazhdon t’i shërbesh”- tha Lamaj, në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Berisha, se grevistët po përdoren nga Partia Socialiste.

Lamaj sqaroi po ashtu edhe akuzat që janë lëshuar mbi të për privatizime të shumta në qytetin e Sarandës. Ai tha se aktualisht nuk ka asnjë pronë, dhe kjo mund të jetë lehtësisht e verifikueshme në hipoteke, ku ka akses çdo qytetar.

Në përgjigje të deklaratave të mbrëmshme të Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, Lamaj tha se së bashku me një bashkëvuajtës kam marrë një repart ushtarak me disa dhoma, por në 97-tën, bandat greko-komunist“Gjykata dha vendim të gabuar në kundërshtim me çdo qytetar. Në një shtet që nuk funksionon ligji demokracia ka vdekur. Në këtë vend nuk ekzistojnë më institucionet e pavarura. Do ta zhvendosim grevën diku tjetër, greva do të vazhdojë. Berisha ka krijuar klone për mbajtjen e pushtetit”,- deklaroi Lamaj. 

GJYKATA VENDOS SHPËRNDARJEN E GREVËS
Ora 09:50-Gjykata e Tiranës vendosi shpërndarjen e grevës së ish-të burgosurve politikë pas një padie nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në padinë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës konstatohet se greva konsiderohet e paligjshme sepse në të janë kryer vepra penale.

26 DITE GREVË
Ora 07:00-Në ditën e 26-të të grevës së urisë gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve është rënduar së tepërmi. Mjeku, Besnik Lamçe, i cili kujdeset nga afër për të ngujuarit, tha dje se kushtet atmosferike po rëndojnë akoma edhe më shumë gjendjen e tyre. Ndërkohë, ish- të përndjekurit bënë thirrje që të ulen tonet dhe të gjendet një zgjidhje.

Amnesty International i bëri thirrje Qeverisë shqiptare që të takohet me shoqatën e ish- të përndjekurve politikë dhe të vendosë dialogun për adresimin siç duhet të shqetësimeve të tyre. Amnesty International e nxit Kryeministrin Berisha që të adresojë shqetësimet e tyre dhe të sigurohet që kompensimet të bëhen në mënyrën e duhur.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 10:00

TIRANË –Cilat janë pikat ku ndalet progres-raporti për Shqipërinë? Në dokument vlerësohet se Shqipëria ka bërë një progres të mirë drejt përmbushjes së kriterit politik, por Brukseli i kërkon qeverisë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit të angazhimeve të marra.

Zgjedhja e njëanshme e presidentit nga mazhoranca vlerësohet se frenoi bashkëpunimin mes palëve. Dokumenti po ashtu nënvizon problematikën në fushën e gjyqësorit, administratës, anti-korrupsionit dhe ekonomisë.

Në progres-raport kërkohet që proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjen e 21 janarit duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besuar gjyqësor.

Citimi:“Në përgjithësi Shqipëria ka bërë progres të mirë drejt përmbushjes së ‘kriterit politik’ për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash nga masat kyçe të Opinionit të 2010-ës të Komisionit. Progres i mirë u arrit në reforma kyçe politike”.

Zbatimi: “Në të gjitha fushat që mbulohen nga prioritetet kyçe të paplotësuara deri në fund, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar qëndrueshmërinë e zbatimit të angazhimeve që janë ndërmarrë dhe më shumë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit”.

Politika: “Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogu i përmirësuar politik në Parlament, si dhe klima më konstruktive në komisione dhe seanca plenare mundësoi progres të mirë në një numër fushash, pavarësisht disa periudhave të shkurtra të një retorike politike konfrontuese dhe një ngadalësimi të përkohshëm të reformave”.

Presidenti: “Më 11 qershor 2012, një President i ri u zgjodh në raundin e katërt të zgjedhjeve vetëm me votat e shumicës qeverisëse. Megjithëse në përputhje me Kushtetutën, zgjedhjet presidenciale nuk përmbushën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje dhe frenuan forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik”.

Qeverisja lokale: “Në lidhje me qeverisjen lokale, decentralizimi i përgjegjësive të shtetit nuk u ndoq me transferimet e duhura të burimeve financiare dhe administrative nga qeverisja qëndrore drejt asaj lokale. Ekzistenca e dy shoqatave të ndara të qeverisjes lokale nuk çon në përmirësimin e mardhënieve institucionale mes qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale në kuadër të një procesi decentralizimi transparent dhe të suksesshëm”.

Administrata: “Ka patur progres në reformën e administraës, një prioritet kyç i Opinionit, më shumë nëpërmjet miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative dhe për Organizimin dhe funksionimin e Administriatës Publike, si dhe nëpërmjet zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Është tashmë thelbësore të miratohet ndryshimi i ligjit për Shërbimin Civil. Duhet përforcuar zbatimi i akteve administrative dhe ligjeve të miratuara. Kuadri ligjor dhe institucional për administratën publike vazhdon të preket nga parregullsi që duhen adresuar, me synimin për të përforcuar profesionalizmin, depolitizimin, meritokracinë, transparencën dhe llogaridhënien”.

Gjyqësori: “Sa i përket gjyqësorit, është shënuar progres i moderuar në plotësimin e reformës gjyqësore që është prioritet kyç i Opinionit. Megjithatë, ligje të rëndësishme për të forcuar llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit presin akoma për t’u finalizuar, miratuar dhe zbatuar. Në këtë kuadër është tashmë thelbësore që ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë të miratohen. Organizimi i gjykatave, transparenca dhe zvarritjet, si dhe statusi i administratës gjyqësore vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për efikasitetin e gjyqësorit”.

21 Janari: “Proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011 duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besueshëm gjyqësor”.

Anti-korrupsioni: “Në fushën anti-korrupsion, një prioritet kyç i Opinionit, progresi ishte i moderuar, për shembull nëpërmjet kufizimit kushtetues të imunitetit për zyrtarët e nivelit të lartë dhe për gjykatësit. Megjithatë, mungesa e qasjes proaktive dhe mungesa e burimeve dhe pajisjeve vijon të pengojë hetime të vërteta. Nuk ka gjurmë të përshtatshme provash në hetimin, ndjekjen dhe dënimin në të gjitha nivelet. Korrupsioni mbizotëron në shumë fusha dhe vijon të përbëjë një problem veçanërisht serioz”.

Bashkëpunimi rajonal: “Në lidhje me çështjet rajonale dhe detyrimet ndëkrombëtare, Shqipëria vijoi të luajë një rol konstruktiv duke i ndihmuar stabilitetit të rajonit duke konsoliduar mardhëniet pozitive me fqinjët dhe partnerët rajonalë”.

Ekonomia: “Ekonomia shqiptare vijoi rritjen, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë dhe pavarësisht kushteve të vazhdueshme të pafavorshme tek partnerët kryesorë tregëtarë. Gjithësesi, defiçiti fiskal u rrit në 2011, duke çuar në një rritje edhe më të madhe të borxhit relativisht të lartë publik që vijon të tregojë një anim afat-shkurtër. Mbetja në nivele të larta e deçfitit të llogarisë korente është një burim dobësie. Papunësia vijon të mbetet vazhdimisht e lartë”.

Detyrimet e anëtarësimit: “Shqipëria ka bërë progres të moderuar në përmirësmin e aftësisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në veçanti në fushat e konkurrencës, taksave, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, edukimit dhe kulturës dhe unionin e doganave. Progresi ka qenë i kufizuar në fusha të tjera si liria e lëvizjes së punëtorëve, prokurimet publike, e drejta e autorit, siguria ushqimore, peshkimi, energjia, ambienti dhe ndryshimet klimatike”.(T.Ch)