Lajme Shqip Friday, 25 April 2014 22:13

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, në një intervistë për RTK-në, tha se Gjykata Speciale, nuk duhet të shihet si gjyq kundër UÇK-së. Ai e ka vlerësuar mjaft të ndjeshme për Kosovën procesin e themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Miratimin e saj nga Parlamenti i Kosovës e ka vlerësuar si opsionin më pak të dhimbshëm.

Për vazhdimin e ulëseve të rezervuara, ambasadori Braathu tha se mund të jetë vendim i mençur, por ato duhet të përfundojnë dikur. ” Sot komunitetet jo shumicë kanë 26 ulëse, por kjo  është një diçka që s’mund të vazhdojë përgjithmonë” tha ambasadori norvegjez. Ambasadori gjithashtu ka folur edhe për mandatin e EULEX-it, të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, integrimet evropiane,  sundimin e ligjit etj. Intervista do të transmetohet të shtunën në RTK1 dhe RTK3, në ora 21:40. 
 
RTK:  Së fundi në Kosovë ka qenë një temë shumë e nxehtë, çështja e themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës. Cili është vlerësimi juaj për këto zhvillime ?
 
Ambasadori Braathu: Mendoj se ka qenë një votë shumë e vështirë për të gjithë parlamentarët, shumë e vështirë për kryeministrin dhe qeverinë. Mendoj se nuk ka pas shumë opsione dhe se në fund vota ka qenë opsioni më i mirë për Kosovën.
 
RTK:  Vetëm disa javë para votimit, dukej sikur askush nuk e dëshironte këtë gjykatë dhe se ajo nuk duhej të ekzistonte, mirëpo në Kuvend patem 89 vota pro. Çka ndodhi sipas jush?
 
Ambasadori Braathu: Mendoj se parlamentarët gjatë këtyre tri javeve e kuptuan çështjen pak më mirë, e kuptuan edhe më mirë se cilat janë opsionet dhe mundësitë, pasi njëra nga opsionet ka qenë që të ndodh dicka në OKB.  Këtë të fundit, shumica e parlamentarëve e konsideronin si opsionin më të keq. Unë e kuptoj se është një temë mjaftë e vështirë dhe shumë e ndjeshme, por besoj se ky ka qenë opsioni më pak i dhimbshëm i mundshëm për Kosovën.
 
 RTK: Ka pasur shumë debat për atë se cfarë mund të sjellë kjo gjykatë për Kosovën. Si do të ndikojë kjo për imazhin e Kosovës ?
 
Ambasadori Braathu: E vërtetë është kjo. Mirëpo nëse nuk merremi me këtë cështje do të jetë edhe më e dëmshme për Kosovën. Kur Kosova të tregojë gatishmëri për t’u marrë me këto çështje, ky do të jetë opsioni më i mirë. Gjykata jep një rast për ti nxjerrë të dhënat në tavolinë, të kërkohen përgjigjet e tyre dhe nëse mund të gjenden përgjigjet, do të ishte shumë mire, sepse do të tregonte gatishmërinë e Kosovës për tu ballafaquar edhe me këto tema.

RTK:  Kishte një ndjenjë në Kosovë se Serbia nuk ka paguar ende për ate cfarë ka bërë këtu ndaj popullatës dhe ky ka qenë problemi kryesor se a duhet të lejohet një gjykatë e tillë. Po zbulohen shumë vendvarrime në Serbi me mbetje të të vdekurve shqiptarë dhe kjo është një cështje shumë e ndjeshme në Kosovë, kur flasim për themelimin e një gjykate për krimet e kryera nga shqiptarët ?

Ambasadori Braathu: Nuk duhet të shihet ky si një gjyq kundër UÇK-së. Gjykata do të merret me krimet e bëra nga individët, ajo nuk e sjellë UÇK-në para gjyqit. Disa prej të dyshuarëve mund të kenë qenë pjestarë të UÇK-së, por kjo nuk do të thotë se po gjykohet UCK-ja, dhe kështu duhet të kuptohet. Sa i përket Serbisë, mendojë se ka shumë krime të cilat nuk janë adresuar si duhet dhe kjo është një gjë që duhet të bëhet. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet  ti  shqyrtojë  dhe  ti  hetojë rastet, për tu ballfaquar me këto krime.
 
RTK: Ka edhe një temë tjetër të diskutueshme, ardhmëria e misonit të EULEX-it në Kosovë. Pse duhet të zgjatet prezenca e këtij misioni ?

Ambasadori Braathu:  Mendoj se EULEX-i mund të kontribuojë në sistemin gjyqësor të Kosovës edhe më tej. Nëse i  shohim anketat e opinionit publik e shohim se qytetarët pak a shumë i besojnë EULEX-it. A mund të ketë bërë më shumë eulex-i, me siguri.  Por une e di se kanë punuar mjaftë shumë dhe kanë mjaft raste të cilat janë përgatitur.

Mendoj se ky mision mund ti ndihmoj Kosovës për tu marrë me këto raste pasi disa prej tyre janë shumë të vështira për ti gjykuar nga prokurorët dhe gjykatësit kosovarë, pasi ata mund të vihen në presion të madh nga opinioni  kështu që ndonjëherë duhet të merret ndihma nga jashtë.

Vit pas viti, përgjegjësisa e sistemit gjyqësor në Kosovë është duke u rritur. Çka është duke ndodhur tani me EULEX-in, ata janë duke i transferuar më shumë përgjegjësi sistemit gjyqësor të Kosovës, gjyqtarë e prokurorëve dhe ata janë duke bashkëpunuar mjaftë mire dhe kështu duhet të vazhdohet.
 
RTK: Flasim për dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel. Sa përparim konsideroni se është bërë që nga marrëveshja në letër, deri në zbatimin e saj në terren ?
 
Ambasadori Braathu: Zbatimi është çelësi kryesor, marrëveshja në letër është një hap i mirë, një hap i parë, por natyrisht jo të gjitha marrëveshjet mund të jenë të rëndësisme nëse implementimi i tyre ngec. Ka pasur disa hapa të mirë drejt zbatimit, kemi levizje të ngadaltë por kjo edhe është pritur. Kemi disa gjëra shumë të vështira sa i përket policisë në veri, mendoj se megjithatë ka pasur një hap pozitiv, policia e Kosovës tani janë në tërë territorin e vendit, jo si më parë.

Ka pasur një shkarkim të strukturave serbe të policisë, ka disa vështirësi por është duke levizur përpara. Një gjë që nuk është kryer ende, është mbrojta civile. Negociatat janë duke vazhduar në këtë drejtim sikur edhe për gjykatat në veri, pra jemi duke shkuar përpara.

Për herë të parë institucionet e Kosovës janë duke u themeluar edhe në veriun e vendit dhe kjo është hera e parë që 15 vjet.  Vitin e kaluar zgjedhjet u mbajtën edhe në veri, sipas legjislacionit kosovar, gjegjësisht ligjit për zgjedhjet.
 
RTK: Kur flasim për ardhmërinë e dialogut, me një qeveri të re në Serbi a do të jetë një situatë më e lehtë më Aleksandër Vuçiqin. Ai ka qenë pjesë e dialogut por nuk është njejtë të jesh zv.kryeministër dhe kryeministër. Ne të gjithë e dimë kush ka qenë Vuçiqi gjatë kohës së Millosheviqit!???
 
Ambasadori Braathu:
Duhet të presim dhe të shohim, për momentin duhet të besojmë në atë cfarë thuhet. Tani si kryeministër i një qeverie e cila e ka shumicën e qartë, nuk ka arsyetim për moszbatim të marrëveshjeve. Tani do të testohet dhe do te shohim. Arsyeja kryesore e dilaogut në Bruksel është se integrimi i komunitetit serb në Kosovë. Ende nuk e shohim këtë sa duhet. Udhëheqësit lokal serb në Kosovë, haptazi thonë se nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Ata kanë probleme me simbole e gjëra të ngjajshme, mirëpo kur jam në veri me qytetarë të zakonshëm, flas me fermerë, ata kanë një pikpamje krejt tjetër. Ata janë të lodhur dhe të merzitur nga manipulimet dhe njerëzit të cilët mund të quhen edhe kriminiel, të cilët përfitojnë për vetveten. Kam qenë në Zubin Potok javën e  kaluar, kam takuar disa biznesmen, të cilët i kanë regjistruar bizneset sipas rregullave dhe ligjeve të Kosovës, që më jep të kuptoj se dicka atje është duke ndodhur. Ata e kuptojnë se ekzistonë një realitet i ri edhe pse nuk e pëlqejnë, por gradualisht gjërat do të ecin.
 
RTK: Të flasim për kërkesën e komuniteteve, ulëset e rezervuara. A mendoni se partitë shqiptare të shumicës duhet të jenë zemërgjerë karshi komuniteteve, pasi as kushtetuata nuk njeh më vende të rezervuara ?
 
Ambasadori Braathu: Jo kushtetuta nuk e thotë, ka patur vetm dy mandate ato tani janë kryer…
 
RTK:Frika është se nëse bëjmë diçka kundër kushtetutës, kjo atëherë mund të ndodh edhe për çështje të tjera?
 
Ambasadori Braathu: Kjo nuk është çështje e lehtë për tu ballfaquar. Në vitin 2012, pas fundit të pavarësisë së mbikqyrur, janë bërë disa lehtësime nga ana e Qeverisë dhe politianëve karshi komuniteteve. Nuk janë vetëm serbët që e duan këtë,(vazhdimin e ulëseve të rezervuara) janë të gjitha komunitetet.

 Mendoj se 20 nga 120 ulëset e Kuvendit, do të jenë të garantuara për të gjitha komunitetet jo shumicë, do të ishte një cak i mirëfillt. Por të inkurajohet edhe një mandat për ulëset e rezervuara, mund të jetë e menqur, por në fund të fundit kjo duhet të përfundoj dikur, pasi për momentin është një ofertë e mirë me ulëset e garantuara, kurse ulëset e rezervuara i ofrojnë më shumë se 20. Sot komunitetet jo shumicë kanë 26 ulëse, është një dicka që s’mund të vazhdojë përgjithmonë.
 
RTK: Të flasim për integrimet evropiane, gjegjësisht procesin e liberalizimit të vizave. I shihni rendet e qytetarëve para ambasadave të ndryshme cdo ditë ?

Ambasadori  Braathu: Ne japim 85-90 % të aplikacioneve për viza, nuk i shoh vizat si pengesë por të bëhemi real, është fyese që gjithmonë t’ju kërkohen tërë këto dokumente para ndërkombëtareve dhe ti thoni dua të vizitojë shtetin tuaj ose të afërmit tuaj atje dhe të trajtoheni sikur po bëni dicka. Sikur jeni kriminel. E kuptoj që njerëzit e shohin këtë si fyerje. Une do të dëshiroja që të kemi liberalizim të vizave dhe do ta arrijmë këtë. Kosova është duke punuar që ta përmirësoj sistemin e saj që udhëtimi pa viza të zbatohet sa më shpejtë.
 
RTK: Ambasador, korrupsioni është një fjalë që dëgjohet shumë në Kosovë dhe ka shumë akuza të vazhdueshme edhe ndërmjet institucioneve e partive politike. Si e vlerësoni ju luftën kundër korrupsionit në Kosovë ?
 
Ambasadori Braathu: Ka korrupsion në Kosovë, këtë të gjithë e dimë. Por mund të them se ka korrupsion edhe në çdo shtet tjetër. Kjo nuk e bënë pozitën  tuaj me te lehtë, por mendoj se Kosova  është në rrugën e duhur, janë duke u ndërrmarë masa. Nëse keni prokurorë e gjyqtarë që janë të pavarur dhe serioz, do të arrihet sukses. Pra sektori i drejtësisë është më i rëndësishmi. Njerëzit duhet të mendojnë se nëse paguajnë për të zënë një vend pune, apo për tu futur në universitet, po bëjnë korrupsion, po futen në këtë krim të dyja palët edhe ata që kërkojnë edhe ata që japin, të gjithë marrin pjesë në korrupsion. 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 April 2014 10:58

Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë për krime lufte është shumë i rëndësishëm, sepse një numër i madh i njerëzve me ndikim duhet të procedohet, ka deklaruar analisti serb Dushan Janjiq. Sipas deklaratës së tij, ka rreth 200 raste të të dyshuarve për krime lufte, në të cilat janë të përfshirë edhe komandantë të UÇK-së , por edhe” shumë politikanë pas UÇK-s, bashkë me krimin e organizuar.

Nga ky numër, ka thënë ai , vetëm 10 për janë serbë e të tjerët janë shqiptarë.Janjqi nuk ka treguar nëse këto shifra janë të bazuara nga aktakuzat e vazhdueshme të Beogradit kundër shqiptarëve në Kosovë apo nga ndonjë burim tjetër. Janjiq beson se testi i parë i Gjykatës speciale duhet të jetë “ rasti i njohur me trafik organesh të njeriut”

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 April 2014 19:16

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime, ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtoj krimet e pretenduara të UÇK-së, sipas raportit të Dick Martyt. Ky projektligj u përkrah edhe nga partitë opozitare, përveç Vetëvendosjes.

Shefat e grupeve parlamentare thanë se e përkrahin ratifikimin e kësaj marrëveshje që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, duke qenë se do të ishte e dëmshme nëse një Gjykatë të tillë do ta themelonte OKB-ja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në paraqitjen e këtij projektligji, tha se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale e cila do të trajtoj ndonjë akuzë të mundshme e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martit, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare.

“Tani institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkohet nga ne të nxjerrim ligje të veçanta, bile të ndërrojmë edhe Kushtetutën e Kosovës, vetëm e vetëm që të mundësojmë krijimin e një Gjykate Speciale e cila do të gjykoj ndonjë rast të mundshëm i cili mund të rezultojë nga hetimi i SIFT lidhur me pretendimet e Dick Martit. Është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndoj në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë. Por ndërgjegjja e jonë do të mbetet e njollosur në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës Speciale për të trajtuar pretendimet për pretendimet e ngritura të Raportit të Dick Martit i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010”, tha kryeministri Thaçi.

Kreu i qeverisë, megjithatë, tha se duhet ta kalojnë këtë sfidë të padrejtë të radhës.

“Duhet ta pastrojmë emrin e Kosovës nga pretendimet e bëra të padrejta në Raportin e Dick Martit, dhe nuk kemi shumë opsione. Në fakt, kemi vetëm një opsion dhe ai është që të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe ta formojmë këtë Gjykatë Speciale e cila do të jetë nën juridiksionin e Kosovës, dhe një seli do ta ketë në Kosovë dhe një tjetër jashtë Kosovës, ku do të zhvillohen procedura të ndjeshme që ndërlidhën me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur. Ky është opsioni i vetëm, i cili është shumë i vështirë, por ky opsion na mundëson që Gjykata të funksionoj me ligjet e Kosovës dhe në partneritet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Opsioni i dytë, të nderuar deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovà «s, të cilin nuk duhet as ta marrim në konsiderim fare është ai, që ne ta refuzojmë themelimin e kësaj Gjykate. Refuzimi i themelimit të gjykatës nga Kuvendi i Kosovës përpos që do të forconte dyshimet se Kosova po pretendon të pengoj dhe fshehë verifikimin e pretendimeve që përmban raporti, kjo do të kishte pasoja tjera të rënda politike për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha me tej ai.

Ndërsa, kritikat e opozitës se kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale është si rrjedhojë e dështimeve eventuale të qeverisë së Kosovës apo edhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, Thaçi i ka quajtur paushalle, dhe pashije, të paqëndrueshme, të padrejta, shumë të ulëta, jo morale dhe krejt në kuptim elektoral prej kujtdo që vijnë. Madje, sipas Thaçit, edhe ata që e thonë një gjë të tillë e dinë shumë mirë që kjo nuk është e vërtetë, mirëpo paturpësisht e thonë një gjë të tillë duke pretenduar të fitojnë një grusht votash më shumë.

Kreu i ekzekutivit, ka kritikuar edhe Kuvendin, duke thënë se Qeveria e Kosovës, ka marrë këtë vendim dhe Gjykata Kushtetuese ka kthyer rekomandimet e veta, tani atyre u takon të marrin vendimin për themelimin e Ushtrisë, dhe se Kuvendit po i mungon kurajo për të marrë vendimin për themelimin e Ushtrisë, Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ishte më e zëshmja kundër krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se po bëhet si pasoj e shantazhit ndaj kryeministrit.

Madje, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se kryeministri Hashim Thaçi, po kërkon themelimin e kësaj gjykate, sepse e ka siguruar vetën se nuk do të ndiqet penalisht, por shokët e tij të ndiqen penalisht.

“Tribunali apo Gjykatë e Veçantë, nuk bëhet sikur ky kryeministër të mos donte që të bëhej. Por Thaçi po e lejon Tribuinalin sepse beson se ai vet nuk do të përfundoj aty. Nëse ka ndonjë mik ndërkombëtarë që mund t’i ndihmoj Kosovës, do ta bënte këtë duke i treguar kryeministrit se edhe ky vet do të përfundoj aty, se po t’i thuhet këtij kryeministri se edhe ky vet do të përfundoj aty, s’ka tribunal. Por shpresa e tij që ky vet nuk përfundon por shokët e tij shkojnë, thotë se e kemi një sfidë të madhe që duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi. Kjo është edhe e dukëshme, përveç se e padrejtë”, tha Kurti.

Rreth misionit të EULEX-it dhe themelimit të gjykatës speciale, deputeti Fatmir Limaj tha se nuk ka asnjë vend në ish Jugosllavi që ka dëshmuar sikur Kosova, që është e gatshme për t’u ballafaquar me çfarëdo pretendimi, supozimi për krime të luftës. Madje, Limaj tha se ai personalisht kurrë nuk mund të votojë kundër një gjykate e cila heton dhe ka për qëllim procedimin e krimeve të Luftës, por jo në mënyrë selektive.

“Por krimi nuk mund të gjykohet selektivisht, nuk mund të ndiqet selektivisht. Prandaj si përfundim unë dua të them që unë jam për vazhdimin e Misionit të EULEX-it, që është shumë me rëndësi për Kosovën dhe duhet të vazhdohet ky mision dhe unë do të jem gjithmonë pro një gjykate e cila do të gjykonte krimet e kryera në Kosovë në tërësi pavarësisht nacionalitetit. Një Gjykatë e cila do të ishte e verbër nga përkatësia nacionale e atyre që supozojnë se kanë kryer krime”, tha Limaj.

Me tej Limaj tha se nëse vërtet duan t’i ndihmojnë këtij rajoni dhe Kosovës posaçërisht shumicës shqiptare, në Kosovë më shumë se për këtë ka nevojë për një gjykatë tjetër, gjykatës profesionist, prokuror profesionist të cilët do ta ndërtojnë një dhomë të gjykatës së veçantë për krim të organizuar dhe korrupsionit që është shkaktuar në këtë vend.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami tha se letërkëmbimi mes presidentes Jahjaga dhe baroneshës Catherinë Ashton, ka elemente antikushtetuese dhe që e rëndojnë rendin kushtetues të Kosovës.

“Ne kemi kaluar nga tipi i një shteti me mbikëqyrje ndërkombëtare në një shtet të pavarësisë së plotë, por disa kërkesa, që janë brenda letrës janë kërkesa që e kthejnë statusin mbrapa dhe e rëndojnë rendin kushtetues të Kosovës. Brenda letrës e keni një kërkesë që edhe më herët kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka kërkuar, jo prej Kuvendit por prej BE-së, dhe ajo kërkesë është edhe brena letrës së presidentes me të cilën kërkohet vazhdimi i prezencës së ndërkombëtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bajrami.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hydajet Hyseni, ka kundërshtuar procedurat e miratimit të marrëveshjes së presidentes që e ka bërë me BE-në, duke e cilësuar atë si shkelje të kushtetutës. Hyseni tha se do të duhej të respektonte kushtetutën, duke theksuar se nëse ata legjitimojnë shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve ata rrënojnë bazën e sistemit që e kanë ndërtuar për të gjithë të ardhmen e Kosovës.

Ndërsa, edhe deputeti i Vetëvendosjes, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi tha se pas gjithë asaj që ka bërë Serbia, sot Serbia shkon drejt BE-së, Kosova shkon drejt gjykat ores.

“Përnjëmend është e padrejtë, është padrejtësi. Pra ne e dimë po ashtu që njëkohësisht edhe Kosova nuk ka prodhuar drejtësi nga brenda, por mungesa e drejtësisë nga brenda nuk do duhej të vinte si padrejtësi nga jashtë. Pra nuk do duhej që mungesa e drejtësisë për shkaqe krejt politike brenda, të zëvendësohej me një padrejtësi nga jashtë”, u shpreh Selimi.

Kuvendi aktualisht po shqyrton në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës./RTK/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 15:02

Letërkëmbimi do të hap rrugën që Parlamenti i Kosovës ta diskutojë dhe ta votojë atë në një pako ligjesh që do t’u dorëzohen deputetëve, nga qeveria e Kosovës.

Letra e Ashton, me të cilën pranohet kërkesa e institucioneve të vendit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e gjykatës së posaçme, thonë zyrtarë qeveritarë, do të dorëzohet nga zyra e Presidentes në qeverinë e Kosovës, e cila do ta paraqes në Parlament si ligj të veçantë për të cilin do të deklarohen deputetët, transmeton Zëri i Amerikës.

Megjithëse faktori ndërkombëtar në Kosovë ka kërkuar që letërkëmbimi të dorëzohet gjatë kësaj jave, zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ka shumë më shumë mundësi që Parlamenti do të mund ta votojë pakon e ligjeve së bashku me letrat, të martën e ardhshme më 22 prill, në një seancë të jashtëzakonshme. Kjo edhe për faktin se qeveria duhet të përgatis propozimet për ndryshime të një numri ligjesh që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it, që do të kërkojnë kohë për analizim nga ana e deputetëve.

Kryesia e Parlamentit la të hapur mundësinë që çështja të hidhet për miratim kurdo që deputetëve u dorëzohen materialet e punës, varësisht nga procesi i këmbimit të letrave ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton.

Ndonëse nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, miratimi i saj pritet të ndodhë në Parlamentin e Kosovës, për të shmangur themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Miratimi në Parlament do të hapte ndërkaq mundësinë shumë shpejt grupet parlamentare të përgatisin edhe kushtet për shpërbërjen e Parlamentit për të çuar vendin në zgjedhje parlamentare, me gjasë nga fundi i muajit maj ose në pjesën e parë të qershorit

 
Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:40

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi se formimi i Gjykatës Speciale, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje sipas tij, ka shumë të panjohura.

Krasniqi i bëri këto komente në një takim me Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Arta Dade, kryetare. Pasi përshëndeti delegacionin, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohen takime të shpeshta, por ka ende fusha të pashfrytëzuara për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe shteteve.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zhvillimeve aktuale në Kosovë. Duke folur rreth çështjes së formimit të Gjykatës Speciale  për Krimet e Luftës në Kosovë, mes tjerash ai tha:” Formimi i kësaj Gjykate, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje ka shumë të panjohura”.

Në fjalën e saj, Arta Dade, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, theksoi se ky Komision ka përkrahur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo përgëzoi kryetarin Krasniqi për drejtimin e urtë të Kuvendit në të gjitha sfidat me të cilat është ballafaquar legjislativi.

Arta Dade pastaj i bëri një vështrim përpjekjeve që bëhen nga dy shtetet për bashkëpunim rajonal e integrim evropian, duke përmendur me këtë rast si një hap të rëndësishëm pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut 5, që është një shenjë e seriozitetit e të dy shteteve drejt integrimeve euroatlantike. Në këtë vështrim ajo theksoi:”Të dy shtetet duhet të jemi më të artikuluar në politikat e përbashkëta në kontekst të sfidave që paraqet siguria rajonale, e cila kërcënon herë-herë”.

Ndërkaq, duke vlerësuar zhvillimet më të ndjeshme aktuale në Kosovë, ajo tha:”Shprehim besim se pjekuria e klasës politike të Kosovës do të bëjë që të merren vendime në dobi të proceseve integruese”.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lart bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet komisioneve përkatëse dhe institucioneve tjera nga të dyja shtetet./rtk/