Lajme Shqip Sunday, 22 June 2014 12:15

Drejtori i Zyres për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se ka ardhur koha për formimin Asociacionit serb të komunave. “Tani vijnë në rend dite ato që për ne janë thellësisht të rëndësishme e ato janë nenet katër, pesë e gjashtë të Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht formimi i Asociacionit serb të komunave dhe realizimi i shumë kompetencave qenësore dhe ne në periudhën e ardhme do të punojmë për këtë”, ka thënë për RTS drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq.

Duke folur për Agjencinë kosovare të privatizimit Gjuriq ka thënë se ky institucion dhe veprimtaria e tij pengojnë serbët në enklava, sepse, siç transmeton Tajnug, AKP përpiqet të tjetërsojë ndërtesat kryesore në vendet kryesore ku jetojnë serbë.

AKP, ka thënë ai, me anë të likuidimit të ndërmarrjeve të cilat gjoja nuk punojnë dhe me marrjen e tyre po shqetëson serbët, ashtu siç po ndodh rasti në Shtërpcë.

“Ne po përdorim të gjitha instrumentet që shteti i Serbisë i ka lidhur me këtë”, ka thënë Gjuriq.