Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 13:15

Historianë, botues e përkthyes i kanë dërguar një letër kryeministrit Rama, përmes së cilës kërkojnë që qeveria të ndërhyjë në mbrojtje të gjuhës shqipe. Gjuhëtarë si Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Valter Memisha, Kristina Jorgaqi, Rami Memushaj, Hajri Shehu, shkrimtarë si Kiço Blushi, Nasi Lera e Moikom Zeqo, historianë si Kristo Frashëri e Pëllumb Xhufi etj., në letrën e tyre shfaqin pakënaqësinë e tyre për punimet dhe vendimet e Këshillit Ndërakademik që, sipas tyre, po dëmton standardin. Në kuadër të debateve të pafundme për ndryshimet (deri tani të pazbatueshme) të bëra nga Këshilli Ndërakademik, intelektualët thonë se tani është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë. fa.ni. 

LETRA
I nderuar zoti Kryeministër, 
Të shtyrë nga gjendja në të cilën është lënë sot përdorimi publik i gjuhës shqipe dhe nga ndjenja e detyrës qytetare, po ju drejtohemi me këtë letër të hapur. 
Krijimi i gjuhës së shkruar të përbashkët përbën një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar. Njësimin e gjuhës letrare shqipe Kongresi i Drejtshkrimit e pa në thelb – dhe ky është vështrimi i vetëm me të vërtetë shkencor – si parakusht të kulturimit të jetës së shoqërisë dhe si shtytës kryesor të qytetërimit të vendit. Ky njësim nuk qe thjesht zgjedhje e një luleje mes disa lulesh, por përzgjedhje e kristalizim i një sistemi, i cili, më mirë se cilido tjetër, kishte arritur të përfaqësonte gjithçka të mirë të krijuar e të ruajtur me mund e flijim në të shkuarën, dhe, krahas kësaj, vetë prirjen e natyrshme të çdo gjuhe të lëvruar për të ecur drejt begatimit të mëtejshëm e për të marrë pas në këtë rrugë brezat e rinj të një populli. Kjo u arrit duke përgjithësuar në mënyrë shkencore gjithë përvojën e shkrimit dhe të përpunimit të gjuhës shqipe, gjithë frymën e përpjekjeve për të arritur në një gjuhë letrare të njësuar, si thelb i konvergjencës së kombit shqiptar. 

Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës. Duke parë këtë rritje cilësore dhe shtrirje të gjuhës letrare, mund të thuhet pa mëdyshje se në rrjedhën e përpjekjeve për gjuhën e njësuar nuk ka arritje më të madhe se Kongresi i Drejtshkrimit. Parimet dhe vendimet e tij – parë me paanësi, largpamësi, qytetari dhe atdhetari – përbëjnë një themel të shëndoshë, të palëkundur e të pazëvendësueshëm për zhvillimin e gjuhës, rrjedhimisht për ngritjen kulturore dhe forcimin e bashkëveprimit e të bashkëpunimit kombëtar. 

Për rreth dy dhjetëvjeçarë pas Kongresit gjuha shqipe jo vetëm nuk njohu shpërdorime e kriza zhvillimi, por dëshmoi të gjitha aftësitë e saj të mrekullueshme për të pasqyruar me fuqinë e fjalës çdo krijim të shëndoshë të mendjes dhe të shpirtit njerëzor. Gjuha letrare shqipe mori shtrirje mbarëkombëtare dhe u bë tipari kryesor që dallonte kulturën nga kinsekultura, prirjen shoqërore për përparim nga amullia dhe zvetënimi. Në atë periudhë gjuha shqipe njohu një lëvrim, fuqizim e pasurim, që vështirë ta kishin përfytyruar edhe vetë veprimtarët e shquar të Kongresit. 
E kundërta ka ndodhur e po ndodh në periudhën vijuese. Gjuha letrare shqipe iu nënshtrua nga qarqe të caktuara një sulmi që e turpëron shtetin shqiptar dhe që sjell në kujtesë periudhat e zymta e të errëta historike, kur lëvrimi i saj ishte i padëshiruar dhe luftohej me të gjitha mjetet. Kjo periudhë dëshmon, gjithashtu, se ç’ndodh me këtë pasuri mbarëkombëtare dhe tipar themelor të identitetit tonë kombëtar kur shteti heq dorë nga detyrimi i shenjtë për ta mbrojtur dhe lejon me papërgjegjësi rrënimin e saj. Tanimë është e qartë për këdo që vë interesat e vendit dhe të shoqërisë mbi gjithçka, se goditjet ndaj gjuhës letrare shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit janë pjesë thelbësore e goditjeve të shpeshtuara shpërbërëse që vijnë nga anë të ndryshme. 

Shqipja e njësuar, që meriton të cilësohet si përfaqësuesja e vetme e mbarë gjuhës shqipe falë shkallës së lartë të kodifikimit në të gjitha nënsistemet e saj, falë zhvillimit të cilësive shprehëse kuptimore e estetike pakrahasimisht të larta, falë pasurisë dhe shtrirjes mbarëkombëtare, përballet në këta 23 vjet me dy ndikime rrënuese. Së pari, përdorimi i saj në të gjitha fushat – nga arsimi te dokumentet zyrtare, te kultura librore, te mjetet e shtypit – është lënë plotësisht jashtë çdo kontrolli, në kundërshtim të hapur me praktikën e vendeve të qytetëruara. Së dyti, qendra më e lartë e shkencës shqiptare, Akademia e Shkencave, në vend që të ngrinte, me forcën e plotfuqishme të së vërtetës, zërin e saj për këtë rrënim të kulturës kombëtare dhe të shpenzonte të gjithë fondin e vet financiar të dhënë nga shteti në mbrojtje të gjuhës shqipe, është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit, të vetmit mjet ku populli shqiptar i të gjitha trevave gjen mundësinë pakrahasimisht më të lartë të identifikimit dhe të komunikimit. 

Të flasësh sot, pas gjithë përvojës së jashtëzakonshme që është grumbulluar në lëvrimin e gjuhës së njësuar shqipe, për mangësitë e drejtshkrimit, të cilat qenkan bërë shkas i keqpërdorimit të gjuhës shqipe, është jo vetëm krejt e pasaktë shkencërisht, por dhe një veprim i padenjë edhe për një qytetar të rëndomtë. Kjo do të thotë të mohosh gjithë historinë e përpjekjeve për të arritur deri tek akti historik i njësimit të gjuhës, kjo do të thotë të mohosh vetë arritjet e shkëlqyera dhe të jashtëzakonshme të kësaj gjuhe të njësuar. 

Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Nuk duhet lejuar të ndodhë vulgarizimi dhe zhargonizimi i gjuhës sonë letrare, nuk duhet lejuar që gjuha jonë e bukur shqipe, vlerat estetike dhe traditat e saj të merren nëpër këmbë. Shkrimi dhe shqiptimi i drejtë dhe i plotë i gjuhës shqipe është shenja e parë e qytetarisë. Çdo mohim i kësaj së vërtete është kundërshkencor, kundërqytetar dhe kundëratdhetar. Dhe për çështjen e madhe të mbrojtjes dhe lëvrimit të shqipes letrare në përputhje me vendimet historike të Kongresit të Drejtshkrimit ia vlen të bëhet çdo përpjekje dhe të mobilizohet e gjithë shoqëria. Këtu nuk ka vend për liberalizma naivë, as për eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë. Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar. 

Është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t’i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt. 

Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur “ndërakademik” ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe! 

Zoti Kryeministër! Jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t’i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut. 
Me nderim, 

Emil Lafe (gjuhëtar), Jorgji Gjinari (gjuhëtar), Xhevat Lloshi (gjuhëtar), Valter Memisha (gjuhëtar), Kristina Jorgaqi (gjuhëtare), Rami Memushaj (gjuhëtar), Hajri Shehu (gjuhëtar), Thoma Dhima (gjuhëtar), Nexhip Mërkuri (gjuhëtar), Mustafa Karapinjalli (gjuhëtar), Albert Riska (gjuhëtar), Kiço Blushi (shkrimtar), Nasi Lera (shkrimtar), Preng Cub Lleshi (shkrimtar), Moikom Zeqo (shkrimtar), Kristo Frashëri (historian), Pëllumb Xhufi (historian), Petrit Ymeri (botues), Naim Zoto (botues), Shpëtim Çuçka (përkthyes).

Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 12:18

Prof. Rami Memushaj, shpjegon në intervistën për gazetën “Shekulli” debatet e lindura nga puna e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën, sfondin politik të tyre si dhe rrugën që sipas tij duhet ndjekur.  

Prof. Memushaj, Këshilli Ndërakademik për Gjuhën bëri në muajin dhjetor disa propozime për ndryshimin e normave të gjuhës standarde shqipe. Si i gjykoni ju këto propozime?

Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit Ndërakademik janë vijim i atyre të miratuara në dy mbledhjet e para. Ato nuk burojnë nga nevoja e gjuhës për përmirësimin e normave të saj, po nga nevoja e akademikëve për të prishur gjuhën. Këtë ndërhyrje të paparë deri sot e kam quajtur përpjekje për “ruralizimin” e gjuhës, sepse si model i shkrimit nuk merret shqiptimi libror i folësve televizivë e të radios, i ligjëratave universitare e publike, i tubimeve shkencore e politike, po shqiptimi joletrar i folësve që nuk kanë dalë dot nga rrethi i ngushtë i të folmeve lokale. 

Z. Memushaj ju jeni prezantuar si një mbrojtës i standardit të miratuar në vitin 1972, ndërkohë që vetë rezoluta e Kongresit e lë të hapur mundësinë e rregullimeve në të ardhmen. Pra, si të thuash ky Këshill Ndërakademik, qoftë për faktin se bën vetëm propozime, por qoftë edhe në raport me këtë rezolutë të Kongresit është legjitim në punën e tij. Cili është pra thelbi i shqetësimit tuaj?

Jetojmë në një shoqëri të hapur. Kushdo ka të drejtë të propozojë ndryshime gjuhësore: individë, grupe interesi apo institucione. Pra, edhe Këshillit Ndërakademik nuk mund t’i mohohet e drejta të propozojë, por jo të vendosë, sikundër deklarohet se do të bëjë në përfundim të procesit që ka nisur. Nga pikëpamja juridike, ai është një institucion jolegjitim, pasi nuk është i miratuar nga qeveria, as ka një platformë pune dhe, rrjedhimisht, nuk ka as tagër ligjor për ndryshimin e normave. Le të kujtojmë që Komisioni i para ‘90-s për pastërtinë e gjuhës u krijua me një vendim të vitit 1979 të Këshillit të Ministrave. Ky vendim përcaktonte edhe detyrat e komisionit, që ishin: “organizimi dhe drejtimi i punës për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë amtare”; puna për shqipërimin e terminologjisë; dhe kujdesi “për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare”. Në këtë kuadër, komisioni hartoi platformën e vet, që u botua në shtypin shkencor të kohës. Kërkoni në faqen e internetit të Akademisë sonë dhe nuk do të gjeni në të platformë të grupit të Këshillit Ndërakademik, me përjashtim të vendimeve të tri mbledhjeve. Kështu që të vetmet institucione legjitime që mund të propozojnë ndryshime janë institutet e gjuhësisë këtu, në Prishtinë dhe në Tetovë. Pra, thelbi i shqetësimit tim është se një organizëm i ngritur për të ruajtur gjuhën po kthehet në një institut që kërkon ta ndryshojë, duke i lënë institucionet në hije, sikur këto të mos ekzistonin.

Ka një perceptim se Këshilli ka pasur një mbështetje politike nga segmente të mazhorancës që la pushtetin në vitin 2013, duke përcjellë kështu edhe një vullnet politik për ta rishikuar normën gjuhësore. Nisur nga ky lloj implikimi, që gjithsesi mbetet në perceptim, si mendoni se duhet të procedohet aktualisht me Këshillin? A duhet të vijojë të funksionojë ai, apo duhet ripërkufizuar përfaqësimi në të?

Nuk është perceptim, po realitet. Mbështetja e politikës, dhe këtu kemi parasysh krahun e djathtë të saj, është realitet. Dy herë u paraqit “Fjalori i gjuhës shqipe” i M. Elezit, që ka një parathënie të gjatë kundër gjuhës standarde, të cilën e quan “gjuhë në bunker”, dhe në njërën nga këto veprimtari mori pjesë edhe vetë ish-kryeministri. Konferenca përçarëse e Durrësit e dhjetorit 2010 u mbështet nga Ministria e Arsimit dhe vetë ministri, pas konferencës, priti organizatorët dhe aktorët kryesorë të saj duke u premtuar mbështetje. Këtu vijnë e përzihen edhe faktorë fetarë e krahinorë. Kështu, në “Hyllin e Dritës”, revistë e vëllezërve françeskanë, deklarohet: “Ky standard që kemi, …asht qepë me ngut si kostumi i nji të vdekuni, por na besojmë në ringjalljen e për ketë gja punojmë, prandaj duem që ta shohim shqipen si nji qenje të gjallë që meriton nji standard ma të denjë” (nr. 4, 2010). Cilët janë këta që punojnë për “nji standard ma të denjë? Ka disa vite që është ngritur një i ashtuquajtur “institut për mbrojtjen e dialekteve” (tani quhet “institut për mbrojtjen e gjuhës”). Kush e sponsorizon këtë institut fantazmë? Në Kosovë është grupi i gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, që jo njëherë është shprehur për “zgjerimin e këmishës” së gjuhës standarde, duke nënkuptuar me këtë përfshirjen e paskajores gege etj. dhe që po përpiqen me anë të Këshillit Ndërakademik të arrijnë sa të mundin nga objektivat e tyre krahinorë. Në këto rrethana, zgjidhja është që ky Këshill të shpërndahet dhe t’u kthehet autoriteti institucioneve që e kanë për detyrë studimin dhe mbrojtjen e gjuhës. Këto kanë forcat shkencore dhe tagrin të ndërmarrin nisma, të krijojnë komisione e këshilla dhe këtyre u duhet besuar zgjidhja e detyrave që dalin në fushën gjuhës.

Si e shihni ju kontaktin e vendosur aktualisht mes dy qeverive, në Tiranë dhe në Prishtinë në këtë kuadër? Pra a mendoni se afrimi në nivele të partneritetit strategjik mes dy shteteve mund të krijojë mundësinë e një ripërcaktimi edhe në çështjet e politikës gjuhësore?

Ashtu si gjithë shqiptarët, edhe unë e vlerësoj si një gjë shumë pozitive forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Politikat që sjellin afrimin gjithnjë e më të madh të të dy vendeve, që lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat e jetës, nuk ka pse të mos jenë të mirëpritura nga qytetarët e të dy vendeve. Bashkëpunim midis dy qeverive duhet të ketë edhe për çështjet e politikave gjuhësore, sidomos të një ligji për gjuhën, që nuk e kemi as këtu, as në Kosovë. Për sa i përket “ripërcaktimit” për të cilin pyesni ju, dua të sqaroj se në politikat gjuhësore që shpunë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe në standardizimin e gjuhës shqipe ka luajtur rolin e vet edhe politika e të dy krahëve. Ndryshe nga sa thonë ata që krijimin e gjuhës standarde e quajnë vepër të diktaturës, e vërteta është se gjuha standarde rrënjët i ka në vendimin e Konsultës së Prishtinës të prillit 1968 për të përdorur si gjuhë letrare “gjuhën zyrtare të trungut ëmë”. Siç na kanë kumtuar kolegë prishtinas që kanë marrë pjesë në këtë konsultë, ky akt i intelektualëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë ka pasur mbështetjen e udhëheqësve politikë më të lartë të Kosovës. Zgjidhja që i dhanë të dy palët problemit të gjuhës standarde ka qenë dhe mbetet një nga veprat më të ndritura kombëtare. Po të ishin dëgjuar militantët krahinorë, sot nuk do të kishim një gjuhë të njësuar, po tri, aty ku duan të na kthejnë sot.

Z. Memushaj, rishikimi i standardit është një kërkesë jo e re, pra ka rreth 21 vjet që është tryezë. Nëse do të përshkruanit në formë përmbledhëse, cilët janë ato grupe shoqërore, apo segmente që janë aktorë të interesuar në këtë drejtim?

Në vitet pas përmbysjes së sistemit monist u vu re një vërshim i fjalëve të huaja dhe rënia e kujdesit për zbatimin e normave të gjuhës standarde. Për t’u prerë rrugën këtyre dukurive negative, u propozua ringritja e Komisionit për pastërtinë e gjuhës që përmendëm më sipër. Kjo qe nismë e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, e departamentit të gjuhës shqipe të UT dhe e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Këshilli u ngrit në vitin 2004, po si një nismë e dy akademive të shkencave. Në të u përfaqësuan profesorët Idriz Ajeti (Prishtinë), Remzi Nesimi (Maqedoni) e Shaban Demiraj, që kishin luajtur rol kyç në Kongresin e Drejtshkrimit, si edhe gjuhëtarë më të rinj që gjatë këtyre viteve kishin mbrojtur gjuhën standarde. Një grup tjetër që u përfaqësua në Këshill, përbëhej nga ata që, në heshtje apo hapur, patën përqafuar idetë e Arshi Pipës. Faza e parë e punës së këshillit (2005–2006) u karakterizua nga një përplasje e grupit të drejtshkrimit të Prishtinës, që kërkonte ndryshime të thella, me grupin gjegjës të Tiranës, i cili ishte për përmirësime dhe jo për përmbysje të rregullave. Kjo ngjalli reagimin e ashpër të kryetarit të komisionit të Kosovës, akad. Besim Bokshit, që u kërcënua se “qëndrimi që të mos ndryshohet asgjë në drejtshkrimin e tanishëm është… jashtë arsyes për të qenë anëtar i këtij Këshilli”. Për shkak të riorganizimit të Akademisë sonë të Shkencave, më 2007 veprimtaria e Këshillit u ndërpre për të rifilluar më 2011, por tani si “Këshill Ndërakademik” dhe me përbërje të ndryshuar. Së pari, u shkarkua nga detyra e bashkëkryetarit prof. Emil Lafja, sepse nuk ishte akademik!; u shkri edhe grupi i drejtshkrimit i Tiranës dhe punën e tij e mori përsipër akad. Kolec Topalli (pra, u përjashtuan kundërshtarët); si rrjedhim i tërheqjes nga jeta shkencore për shkak të moshës i I. Ajetit, R. Nesimit e Sh. Demirajt, u pranuan anëtarë të rinj, po kryesisht nga radhët e kundërshtarëve të standardit. Si rrjedhim i krijimit të shumicës në Këshill, po dhe i oportunizmit të disa anëtarëve të tij, këta ia kanë arritur që ta shfrytëzojnë Këshillin Ndërakademik për t’i bërë përçudnime të tilla gjuhës standarde.

Mendoni se ideja e kanonizimit të një forme letrare të gegënishtes është një proces që gjithsesi do të finalizohet dikur? Aq më tepër që ka përherë e më shumë zëra sipas të cilëve gegënishtja ka të drejtën e një statusi të ri, qoftë edhe si pasojë e faktit se pjesa gege ka predominancë në popullsinë shqipfolëse në Ballkan?

Gjuhëtarët dhe intelektualët e periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë mendonin se gjuha letrare shqipe do të krijohej nga shkrirja vetvetiu e dialekteve. Selman Riza ndryshe prej tyre, ishte për ngritjen e njërit dialekt në gjuhë letrare, po për këtë më parë duhej që gegërishtja të ngrihej në nivelin e toskërishtes dhe pastaj, me ndihmën e politikës, pangegënishtja të bëhej gjuhë letrare (standarde). Kjo ide u rimor nga A. Pipa dhe një grup gjuhëtarësh shkodranë, të cilët më 1991 u deklaruan për “një koiné gegënishte me rregulla të përcaktueme”, që të kishte si bazë Ortografinë e Prishtinës të 1964-s. Ndërkohë, propozuan që “e ardhmja e letrarishtes shqipe do t’i lêhet momentit të favorshëm historik…” Nuk është e vështirë të kuptohet dallimi midis këtyre dy projekteve: Riza donte ta njësonte gegërishten që pastaj kjo të bëhej bazë e gjuhës letrare (kur s’kishim gjuhë letrare), kurse këta duan ta ngrenë gegërishten, që të zhbëjnë gjuhën standarde, të cilën lumturisht e kemi. Le të gjykojë vetë lexuesi se a i shërben kjo alternativë unitetit kombëtar. Argumentet që kanë sjellë kundërshtarët e gjuhës standarde, kanë qenë të ndryshme, po të gjitha joshkencore. I tillë është dhe argumenti që mbron kupola e Qendrës së Studimeve Albanologjike, se gegët janë 2/3 e popullsisë, prandaj gegërishtja duhet të shërbejë si bazë e gjuhës standarde. Historia e formimit të gjuhëve standarde tregon se nuk ka asnjë rast kur si kriter për përcaktimin e dialektit bazë të gjuhës standarde të jetë marrë numri i folësve të tij.

Keni përmendur në libër se idenë e një norme të mëvetësishme për gegët në ish-Jugosllavi e ka mbështetur edhe Beogradi në funksion të ndarjes me Shqipërinë. Këto elemente dhe ndikime a janë ende prezente sipas Jush?

Për këto përpjekje kanë shkruar akademikët I. Ajeti e R. Ismajli. Atyre që janë të interesuar, do t’u këshilloja librin e prof. I. Ajetit “Për të vërtetën shkencore” (Prishtinë, 2006) dhe librat e R. Ismajlit “Drejtshkrimet e shqipes” (Prishtinë, 2005) dhe “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh” (Tiranë, 2005). “Ortografia” e Prishtinës e vitit 1957, e nxitur nga Beogradi, synonte “unifikimin e shqipes ndër Shqiptarët e Jugosllavís». Kjo do të arrihej duke “thjeshtue sa të jetë e mundun, ortografín shqipe… për shembull, në lidhje me ë-në e pazane… që ajo të përdoret vetëm aty ku âsht e domosdoshme… në përputhje me ortoepín». Pra, në bazë të saj u vu ortoepia, dmth. parimi fonetik. Kujtojmë se edhe Komisia Letrare e Shkodrës më 1917 shpallte se “Orthografija e gjuhës do të jetë, për sa të mundet, fonetike”, pra ortografia e shqipes as në variantin gegë nuk ka qenë e mbështetur vetëm në parimin fonetik. Po të shohim deklarimet e arkitektëve dhe të përkrahësve të ndryshimeve të drejtshkrimit të miratuara nga Këshilli Ndërakademik, vërejmë se absolutizojnë parimin fonetik, ashtu si ortografia e 1957-s. Sipas tyre, ka ndodhur “largimi gjithnjë e më i theksuar i shqiptimit nga forma e shkruar e fjalës”, prandaj duhet ndryshuar drejtshkrimi, se këtë e kërkon edhe Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit. Dhe Këshilli Ndërakademik po na kthen në një ortografi fonetike. Kjo duket në numrin e madh të fjalëve që është vendosur të shkruhen pa ë, që janë më shumë se 4 mijë (në 42 mijë fjalë që ka fjalori i gjuhës shqipe), po edhe në një varg ndryshimesh të tjera. Pra, vendimet e Këshillit Ndërakademik po i bëjnë gjuhës sonë atë që nuk ia bëri dot Beogradi.

Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 17:22

Intervistë me Dr. Mag. Ina Arapi, studiuesen e njohur të shqipes në Austri. Ajo argumenton për Milosaon disa çështje të historisë së gjuhës shqipe. Mes tyre, argumentin se shkrimi i Buzukut, të bën të mendosh se shqipja shkruhej edhe më përpara, por zbulimi i teksteve të vjetra shqipe i mbetet rastësisë. Ajo jep argumentin e saj për një nga fushat ku mund të punohet për autoktoninë e shqiptarëve, që është marrëdhënia me protorumanishten…

Mendoni se mund të ketë dëshmi të shkruara që e çojnë historinë e gjuhës shqipe para Buzukut?

“Buzuku ka përkthyer tekste biblike dhe liturgjike nga gjuhë të tjera të mëdha të kohës me një gjuhë shqipe të pasur dhe mjaft të përpunuar. Kjo tregon që shqipja shkruhej edhe më përpara, por zbulimi i teksteve të vjetra shqipe i mbetet rastësisë. Kuptohet, jashtë Shqipërisë, sepse këtu u shkatërrua gjithçka gjatë periudhës së sundimit osman. Është me rëndësi të vihet në dukje që mungojnë edhe shumë tekste nga shek. XVII e këtej për të cilat ka të dhëna të sakta që janë botuar, por që nuk gjenden. Mendoj se kërkimi i këtyre teksteve duhet të jetë një prioritet në këtë fushë. Veç kësaj, gjatë këtyre 20 vjetëve kemi punuar shumë për studimin e teksteve të vjetra gege dhe kemi arritur rezultate shumë të mira. Tani është koha që t’u kthehemi teksteve të vjetra në toskërisht. Duhet të zgjerohet edhe gama e studimeve për këto tekste, që deri tani kanë qenë kryesisht objekt i studimeve gjuhësore e letrare. Ato duhet të shihen edhe si tekste biblike e liturgjike, pra si etapë e historisë së përkthimit të Biblës në gjuhën shqipe, bile edhe si dokumente historike. Përsa i përket historisë së gjuhës shqipe, ajo mbi bazën e deduksioneve shkencore fillon pa dyshim para Buzukut”.

A mund të jenë një ndihmë për historinë e gjuhës shqipe të folmet arkaike të arbëreshëve të Greqisë dhe Italisë?

“Sigurisht, ato zëvendësojnë dokumentet që na mungojnë duke dëshmuar faza më të hershme të historisë së gjuhës”.

Çabej shikonte si mundësi për zbulimin e fjalëve të vjetra edhe ato që hasen në dokumentet e huaja, si p. sh. ato të mbledhura nga Thalloczy, Jire?ek e Shuflaj. Nga njohuritë që keni a ka apo besohet të ketë dokumente të tjera veç Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia ku mund të hulumtohet?

“Po, ka, por për këtë nuk dua të flas këtu”.

Ka një kontrast të madh midis vjetërsisë së gjuhës shqipe dhe dokumentimit të saj të vonë me shkrim. Mendoni se do të vuajë historia e gjuhës shqipe nga kjo në të gjitha kohërat? Si ndikon kjo në autoktoninë e shqiptarëve?

“Jo, gjuhësia është shkencë dhe shkenca ka metoda të ndryshme për të zbuluar të vërtetën. P. sh. një metodë për të dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve janë marrëdhëniet me protorumanishten, të cilat vijnë nga periudha prehistorike. Marrëdhëniet midis këtyre dy gjuhëve janë shumë komplekse dhe nuk kufizohen vetëm në leksik. Deri vonë është punuar shumë lidhur me fjalët e përbashkëta midis këtyre dy gjuhëve (rreth 100), por midis rumanishtes e shqipes ka shumë elemente të përbashkëta edhe në fonetikë, morfologji e fjalëformim, në sintaksë, folklor etj. Këto tregojnë se këta dy popuj kanë origjinë etnike të njëjtë dhe kanë jetuar dikur së bashku në të gjithë gadishullin Ballkanik deri përtej maleve Karpate. Pushtimi romak ishte tronditja e parë e madhe, e cila e ndau këtë popullsi në dy pjesë: paraardhësit e shqiptarëve, të cilët nuk u romanizuan dhe paraardhësit e rumunëve të sotëm, të cilët u romanizuan. Por pavarësisht nga kjo, këto dy popullsi vazhduan të jetojnë në fqinjësi me njëra-tjetrën deri në kohën e dyndjeve sllave, e cila ishte tronditja e dytë e madhe. Dyndjet sllave gjatë përpjekjeve të tyre të dhunshme për kapjen e territoreve u futën si një pykë dhe e çanë bashkësinë e dikurshme në dy pjesë duke i shtyrë paraardhësit e shqiptarëve të sotëm gjithmonë e më shumë me shpinë drejt detit, ndërsa paraardhësit e rumunëve drejt veriut”.

Si ndodhi që shqiptarët nuk u romanizuan?

“Popullsia shqipfolëse ka treguar dhe vazhdon të tregojë një ndërgjegje shumë të lartë gjuhësore. Sipas mendimit tim, kjo ka qenë arsyeja kryesore. Një shprehje e lartë e ndërgjegjes gjuhësore të shqiptarëve u dëshmua edhe gjatë shekujve XVII -XVII kur njësia etnike shqiptare u rrezikua seriozisht si pasojë e konvertimeve në fenë islame. Në këtë periudhë popullsia e ridefinoi vetveten mbi bazën e elementit kryesor të identitetit të saj që ishte dhe vazhdon të jetë gjuha shqipe. Në këtë kohë lind dhe emërtimi shqiptar, i cili e përcakton anëtarin e kësaj bashkësie etnike jo si banor të Arbërisë, siç ishte arbri i dikurshëm, por si folës të shqipes jashtë çdo përkatësie fetare. Megjithatë periudha e sundimit romak la gjurmët e veta në territoret shqipfolëse. Këto janë folësit e arumanishtes, të cilët tek ne njihen me emra të ndryshëm si arumunë, çobenë etj. Në përgjithësi ekziston mendimi se ata janë shpërngulur nga Rumania gjatë transhumancës, shtegtimeve me bagëtitë e tyre. Por kjo nuk duket të jetë e vërtetë. Pa dyshim që një pjesë e tyre janë autoktonë në territoret ku vazhdojnë të jetojnë edhe sot dhe kjo do të thotë se edhe ndër paraardhësit e shqiptarëve ka pasur të tillë që u romanizuan. Për fat të keq, ende nuk po merren hapat e duhur institucionalë për ruajtjen e arumanishtes nga asimilimi”.

Cili ka qenë interesi primar i gjuhëtarëve gjermanishtfolës ndaj shqipes në shekujt e kaluar?

“Në periudhën para lindjes së Gjuhësisë Indoevropiane të Krahasuar ky interes ka qenë i lidhur me kuriozitetin për njohjen e vendeve dhe popujve të panjohur (Leibniz, Thunmann, Xylander, Hahn etj.). Pas lindjes së Gjuhësisë së Krahasuar në shekullin XIX sigurisht që dhe gjuha shqipe duhej të studiohej, që të përcaktohej vendi i saj në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera. Këtë punë e nisi me shumë sukses F. Bopp-i (1854). Rreth fundit të shek. XIX trojet shqiptare dhe gjuha shqipe u vendosën në qendër të interesit të shumë studiuesve gjermanishtfolës për shkak se po përgatitej krijimi i një shteti shqiptar. Në këtë kuadër u bënë studime bazë për shumë fusha të shkencës dhe njëra prej tyre ishte edhe gjuhësia”.

Si e shikoni punën që është bërë me shqipen dhe standardin e saj nga ana historike?

“Për historinë e gjuhës kanë rëndësi vetëm dialektet dhe të folmet e tyre, sepse ato përmbajnë elemente arkaike. Standardi nuk paraqet interes për historinë e gjuhës. Ai vetë rrjedh nga dialektet dhe ushqehet vazhdimisht prej tyre”.

A janë në gjendje të përballen me problemet e historisë së gjuhës katedrat e gjuhës shqipe nëpër botë? Cilat janë problemet e tyre më të mëdha?

“Gjendja është e ndryshme në vende të ndryshme. Në Italinë e jugut p. sh. ka katedra të mëdha të gjuhës shqipe, të cilat janë përballur dhe përballen me sukses me çdo problem të gjuhësisë shqiptare. Katedra me rezultate të shquara ka edhe në vendet ballkanike, të Evropës Lindore, Rusisë etj. Të gjitha ato kanë kontribuar në studimin jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe të degëve të tjera albanologjike. Në Austri, ku ndodhem unë, nuk ka pasur kurrë katedër të gjuhës shqipe. Atje mësimdhënia e shqipes ka qenë gjithmonë në nivelet më të ulëta. Në vitin 2010 u mbyll edhe kursi i fundit për mësimin e shqipes në Universitetin e Vjenës. Një problem i shqipes është se duke përfaqësuar një degë më vete në kuadrin e familjes indoevropiane nuk mund të integrohet në institutet e tjera, siç janë ato të Romanistikës, Sllavistikës, Bizantinistikës etj. Megjithatë duhet të gjendet një zgjidhje. Në Austri sipas disa të dhënave jetojnë rreth 80.000 shqipfolës dhe Shqipëria është pothuajse një vend fqinj për Austrinë. Megjithatë nuk shoh ndonjë përpjekje për të krijuar ndonjë mundësi për studimin e gjuhës shqipe në këtë vend. Problemi kryesor në kohën tonë është mungesa e mjeteve financiare”.

Si i ndieni dhe i ndiqni debatet e fundit mbi gjuhën shqipe nëpër botë?

“Kjo nuk është shumë e lehtë, por mundohem t’i ndjek. I vlerësoj shumë mendimet e kolegëve të huaj, sepse ata kanë një kënd tjetër vështrimi”.

Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 16:30

“Kjo nuk është shumë e lehtë, por mundohem t’i ndjek. I vlerësoj shumë mendimet e kolegëve të huaj, sepse ata kanë një kënd tjetër vështrimi”. /Ballkanweb/LSH/