Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 17:35

Gjuetia do të ndalohet për një periudhë 2-vjeçare, pasi vrasjet pa kriter të kafshëve të egra kanë dëmtuar faunën.  Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka propozuar projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” për një periudhë 2-vjeçare.

Masa synon ndalimin e humbjeve te mëtejshme e popullatave të llojeve të faunës së egër, tashmë në një minimum kritik, si dhe të mundësohet vendosja e kontrollit mbi aktivitetin e gjuetisë, për shkak të gjendjes së rënduar kritike të popullatave të faunës së egër gjatë dy dekadave të fundit, si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar.

Ministria, i referohet të dhënave te paraqitura në studime të ndryshme nga studiues të fushës, të dhënat e Raporteve të Mjedisit dhe të Drejtorisë së Pyjeve dhe Biodiversitetit për një periudhë rreth 10- vjeçare, te cilat paraqesin një gjendje në rënie të shumë popullatave të llojeve të faunës së egër

“Për 3 llojet vendase objekt gjuetie (lepur i egër, dhelpër, thëllëzë mali) një rënie në një masë prej 30% deri mbi 50% dhe, po kështu një rënie të ndjeshme edhe të popullatave të llojeve të mbrojtura”,- thuhet ne njoftim.

 Referuar të dhënave, ndër faktorët më kryesorë që kanë sjellë shkatërrime serioze të faunës së egër vitet e fundit janë shitja e madhe armëve të gjahut në duart e popullatës për një periudhe të shkurtër, numri i të cilave sot arrin në rreth 75 mijë armë, shto dhe armët luftarake të ngelura në duar të popullatës pas vitit 1997, kur para viteve ‘90 ka pasur vetëm 12 mijë./shekulli/