Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 13:48

 

Ndodh shpesh që të drejtojmë gishtin ndaj punonjësve publikë të joshur nga korrupsioni. Por, fakt mbetet që ndonëse ligji parashikon edhe dënimin për qytetarët që tentojnë korrupsionin, asnjë prej tyre nuk dënohet. Kjo ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Laprakës. Një video ekskluzive të siguruar nga A1report tregon të dyja anët e medaljes. Në Shqipëri qytetarët vazhdojnë të mendojnë se korrupsioni i policisë është mënyra më e mirë për t’i shpëtuar ndëshkimit, dhe sërish të mos ndëshkohen për këtë. Në videon ekskluzive të sigurar nga A1 Report pamjet flasin vetë. Një qytetar është ndaluar pasditen e së hënës (30 shtator) nga patrulla e përgjithme e policisë pranë zonës së Laprakës në kryeqytet. Aryseja ka qenë shkelje të rregullave të qarkullimit e për këtë, polici i ka kërkuar drejtuesit të automjetit dokumentat përkatëse. Bashkë me dokumentat i riu fut në dosjen përkatëse edhe një sasi parash. Polici mban në makinë një dokument. Kamera nuk arrin dot të fokusojë cfarë ndodh në automjet, por shihet qartë që pak minuta më pas, dokumentat i janë rikthyer drejtuesit të automjetit nga policia. Nuk dihet nëse ato para janë mbajtur nga efekti i policisë apo jo. Në rast se ato para janë mbajtur atëherë shënohet shkelje e ligjit nga ana e punonjësit të policisë, për të cilin efektivi duhet të dënohet. Por edhe nëse polici i ka kthyer paratë, sërish është kryer shkelje pasi, sipas ligjeve shqiptare cdo qytetar që tenton të korruptojë punonjësit publikë duhet të dënohet. Gjë e cila në rastin konkret nuk ka ndodhur. Sipas nenit 259 të ligjit, kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë. Ndërsa në rast se një qytetar kërkon të korruptojë një punonjës policie, atëhere dënohet me gjobë ose 6 muaj burg. Tani i takon ministrisë së brendshme të zbulojë se cfarë ka ndodhur realisht.