Lajme Shqip Wednesday, 30 October 2013 11:38

Dëshmitë e vartësve flasin kundra Shpëtim Gjikës, kreut të Bashkisë së Vlorës, që dyshohet se përmes falsifikimit të lejeve të ndërtimit, ka lejuar që në zemër të qytetit bregdetar të ngrihen ndërtime shumëkatëshe. Drejtori i Departamentit të Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, njëkohësisht anëtar i Këshillit Teknik dhe KRRT-së në vitin 2010, ka pohuar para hetuesve, se në Këshill nuk janë shqyrtuar dy vendimet për lejet e ndërtimit të dy godinave, vendime që sipas prokurorisë janë falsifikuar nga Gjika, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë. Të njëjtin fakt kanë pohuar edhe anëtarë të tjerë të KRRT-së, të cilët kanë mohuar kategorikisht të kenë miratuar leje për ngritjen e dy ndërtimeve. Këto dëshmi, të cilat ndodhen në dosjen e prokurorisë, duket se janë dhe prova më e fortë për të provuar fajësinë e kryebashkiakut. 

OBJEKTI 13-KATËSH
Në Vlorë, në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat”, në muajin shkurt të vitit 2013, është konstatuar se po ndërtohej një objekt për kompleks banimi dhe shërbimi, disakatësh. (per te lexuar te plote artikullin, lexo Gazeta Shqiptare ne print)

Isaraj, Gjikës: Publiko të dyja lejet e ndërtimit
Zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj i kërkoi dje kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, që të bëjë publike dy lejet e ndërtimit për të cilat akuzohet nga prokuroria se i ka falsifikuar. Në një postim në rrjetin social, “Facebook”, Isaraj shprehet se: “Shoku im Shpëtim, shoh këto ditë në FB, se disa njerëz reagojnë sikur duan të të ndihmojnë, kur në të vërtetë thjesht kënaqen me gjendjen në të cilën ndodhesh sepse nuk të japin asnjë zgjidhje ose zgjedhje”. Ai shprehet më tej se ka lexuar shtypin e ditës dhe nuk ka gjetur dokumentet që të vërtetojnë pafajësinë e tij apo të kundërtën. “Ndaj si vlonjat dhe si shok politik, që na bashkoi në vite Partia Socialiste, të kërkoj të bësh publike dy lejet e ndërtimit me numër, datë, firmë dhe vulë”, shprehet Isaraj. “Ndërsa thjesht si qytetar, nxis kabinetin e prokurorisë të ofrojë tanimë për ‘transparencën’ që vetënisi: Dy lejet e ndërtimit me ekstremitetet ligjore të nevojshme që ka lëshuar Gjika, pasojë e një procedure të falsifikuar. Nëse këto Leje ndërtimi (‘të zbardhura’ i quajnë në fushën e ndërtimit apo formularët e famshëm A4) nuk ekzistojnë atëherë na ruaj o Zot”, – përfundon komentin e tij Isaraj. 

Ndërkohë që dy dite me pare, në një deklaratë para nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar, edhe kryeministri Edi Rama inkurajoi prokurorinë të hetojë deri në fund, ndërsa për Gjikën tha se do t’i qëndrojë pranë si mik. “Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe faktet e pretenduara nga prokuroria janë tejet të rënda. Ne të gjithë ndihemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjithë duam të shpresojmë se akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”, tha dje Rama. “Ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion dhe abuzime me detyrën shtetërore, as sot as kurrë. Prandaj si socialist dhe si mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situate, do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij, edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë, siç pretendon prokuroria. Por si kryetar i PS-së dhe si kryeministër i këtij vendi, unë mundet vetëm ta inkurajoj prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre deri në fund”, – tha kreu i PS-së. /bw/