Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 12:07

Carmen Kümmerle, Sandra Weckerle, Tanja Hähnel dhe shefja e tyre, Andrea Kirchmayer, ndonëse tashmë kanë mbledhur tri kuti kartoni përplot me syze, ato kërkojnë edhe më  sepse kanë planifikuar një mision humanitar në Kosovë. Ato duan që të matin falas shkallën e dioptrisë te kosovarët dhe t`iu dhurojnë atyre syze përkatëse.

“Sa më e madhe të jetë mundësia e zgjedhjes, aq më lehtë mund të gjendet për secilin diçka e përshtatshme”, thotë Andrea Kirchmayer, raporton Albinfo.

Prandaj, ata që nuk kanë më nevojë për syzet e tyre të vjetra, munden t`i dorëzojnë ato në lokalet e zonjës Kirchmayer.

Pronares së lokalit të syzeve këtë ide ia ka dhënë një e njohur e saj, me prejardhje nga Kosova. Ajo viziton rregullisht familjen në vendlindje dhe i ka treguar zonjës Kirchmeier se atje, në zonat rurale, nuk ka vend ku mund të blihen syzet.

Ndërsa në qytetet e mëdha mund të sigurosh syze, por ato kushtojnë shumë shtrenjtë. E njohura e Andreas dhe e bija e saj tashmë kanë shkuar në Kosovë. Ato do ta bëjnë të njohur atje aksionin e tyre dhe do të vihen në dispozicion si përkthyese. Po ashtu, ato do të kujdesen që mysafiret gjermane gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë të strehohen te pjesëtarët e familjeve të tyre.

Andrea Kirchmayer ndjehet paksa e merakosur nëse çdo gjë do të shkojë mirë. Në mes të gushtit do të fillojë aksioni. Një ditë është planifikuar për rrugën deri atje, dy ditë do të zgjasë aksioni dhe një ditë tjetër, rruga e kthimit.

Syzet, përfshirë këtu edhe ato për fëmijë, i pranojnë të gjitha filialet e shitoreve të syzeve Kirchmayer Augenoptik. Ato, natyrisht, nuk bën të jenë të dëmtuara.

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 December 2011 12:00

Filip Lahm, mbrojtësi dhe kapiteni i përfaqësueses gjermane, mendon se Spanja është favoritja kryesore për të fituar titullin kampion në Euro 2012. Duke folur në një intervistë për “France Football”, e cila shpalli Gjermaninë si “Skuadra më e mirë e vitit 2011”, Lahm pranoi se spanjollët vazhdojnë të jenë një hap para të tjerëve dhe kanë shanset më të mëdha për të siguruar këtë trofe të rëndësishëm.

“Vetëbesimi jonë nuk ka qenë ndonjëherë më i lartë sesa tani. Rezultatet janë të shkëlqyera, loja jonë është spektakolare dhe efektive, ndërsa kohët e fundit kemi arritur të mundim skuadra të mëdha si Brazili dhe Holanda. Megjithatë, Spanja mbetet favorite kryesore. Më pas vijnë katër apo pesë skuadra të tjera që mundohen për t’i ulur ata nga froni”, deklaroi mbrojtësi shtatshkurtër i Bajernit të Mynihut.

Lahm vlerëson ngritjen e vazhdueshme të filozofisë së futbollit në Gjermani, të kombinuar me përpjekjet për të zhvilluar talentet e reja si arsyen kryesore pse ata ishin cilësuar si skuadra e vitit nga revista prestigjioze franceze.

“Ne kemi mësuar të kontrollojmë topin sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë futbollistët tanë duan topin dhe duan të sulmojnë. Kjo është një tjetër pikë ku kemi bërë progres. Por tani loja jonë është bërë më moderne. Me këtë filozofi mund të punojmë disa vite radhazi, duke ditur se trajneri ka një bazë të përbërë nga lojtarë si Shvajnshtajger, Kedira, Ozil, Nojer apo edhe mua. Është e rëndësishme që të jemi në gjendje të mbështetim këto lojtarë për disa vite radhazi”, u shpreh kapiteni i përfaqësueses gjermane. (LajmeShqip.com)