Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 15:15

Gjeorgji – Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili e ka pranuar se partia e tij, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, ka humbur në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Gjatë adresimit të sotëm për media, Saakashvili tha se partia e tij do të kalojë në opozitë dhe se opozita tani ka të drejtë që ta formojë qeverinë.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i Gjeorgjisë njoftoi sot se me gati një të katërtën e votave të numëruara, koalicioni opozitar “Ëndërra gjeorgjiane”, i udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili, është duke udhëhequr si në votimet për listat e partisë, ashtu edhe në votimet e drejtpërdrejta.

Vëzhguesit e OSBE-së thonë se Gjeorgjia ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të zgjedhjeve demokratike, por ende mbetet punë për tu bërë në disa çështje të rëndësishme.

Sipas OSBE-së, pavarësisht një fushate të polarizuar, gjeorgjianët kanë dëshmuar vullnetin e tyre në kutitë e votimeve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 17:25

Gjeorgji – Qindra qytetarë kanë mbushur rrugët e Tbilisit për të gjashtën ditë me radhë, për të protestuar kundër abuzimeve në burgje.

Protestat janë shkaktuar nga një video, i cili tregon rojet e burgut duke rrahur në mënyrë poshtëruese të burgosurit, si dhe të burgosur të dhunuar.

Pamjet e publikuara nga disa kanale televizive të opozitës, janë një goditje e madhe për presidentin Mikheil Saakashvili, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 1 tetorit. Partia e tij në pushtet, Lëvizja Kombëtare, përballet me sfida në rritje nga koalicioni Ëndrra Gjeorgjiane, i udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili.

Saakashvili ka premtuar riorganizim të sistemit të burgjeve, ndërsa dy ministra të tij kanë dhënë dorëheqje për shkak të skandalit. Mbështetësit e presidentit kanë akuzuar disa figura të opozitës se u kanë dhënë mito zyrtarëve të burgut për të kryer dhe incizuar dhunën, me qëllim diskreditimin e qeverisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 08:15

Parada e komunitetit LBGT në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, u shndërrua në një shfaqje masive dhune.

Me dhjetëra persona u plagosën, ndërsa të tjerë u arrestuan, kur pjesëtarët e komunitetit të homoseksualëve, lesbikeve, transkesualëve dhe biseksualëve u sulmuan  nga përfaqësues të lëvizjeve të ndryshme fetare pro-familjes.

”Si ka mundësi që homoseksualizmi të promovohet në rrugët tona, përpara syve të kaq shumë fëmijëve”, deklaroi një prift i revoltuar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Një organizator i paradës deklaroi se e kishte pritur një reagim negativ të opinionit publik, por nuk mendonte se parada do të sulmohej fizikisht.

Siç raportojnë mediat gjeorgjiane, një grup priftërinjsh ortodoksë i kërkuan policisë që të ndalonte “marshimin e degradimit”, por atyre iu tha se kjo nuk mund të ndodhte, pasi marshimi ishte i ligjshëm dhe në përputhje me parimet kushtetuese për lirinë e zgjedhjes seksuale.

Pas refuzimit të kërkesës, dhjetëra të rinj nisën të qëllonin me gurë ndaj marshuesve dhe të përballeshin fizikisht, duke detyruar policinë që të përdorte gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Homoseksualizmi u dekriminalizua në Gjeorgji në vitin 2000, por grupimet e të drejtave të homoseksualëve protestojnë ndaj faktit se nuk ka masa të mjaftueshme ligjore për të penguar konkretisht diskriminimin.

 
Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 07:00

Gjeorgji -Presidenti i Gjeorgjisë, Mihail Skashvili, tha se është i gatshëm të paraqes dorëheqje, nëse Rusia i tërheq trupat e veta nga dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë.

Zoti Sakashvili, më tutje, e ka akuzuar Rusinë për përpjekje të zëvendësimit të qeverisë në Tbilisi me një tjetër, e cila do ta “legjitimonte” atë që ai e cilësoi si “okupim” të rajoneve Abhazi dhe Oseti Jugore.

Të dy rajonet e kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia dhe kjo ishte një arsye për një luftë të shkurtër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë në vitin 2008.

Por këto dy rajone janë njohur vetëm nga Rusia dhe shumë pak vende të tjera. Abhazia dhe Osetia Jugore varen shumë nga ndihma ushtarake dhe ekonomike e Rusisë. (LajmeShqip.com)