Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 15:07

Kur kanë kaluar 6 vjet nga shpërthimi tragjik i punishtes së demontimit të municioneve familjarët ndihen të braktisur nga qeveria e kaluar, ndërsa nga qeverisë së sotme i kërkojnë që të kthejë kokën nga ata.    

Familja Deliu është një nga familjet më të dëmtuara nga tragjedia e 15 marsit 2008. Të afërmit ishin sot për të vënë lule në vendin ku mbetën të vdekur,  Liljana,  Jetmiri, Flavio,Irena dhe Qemal Deliu.

 “E përjetojmë mos më keq. Të tjera problem kishim atëherë, sot kjo familje është tërësisht e harruar. Presim që shteti të bëjë detyrat e veta.  Nga drejtësia e deri tek intersimi i saj për jetën e tyre e familjeve sot.  Familja jonë është ende e dëmtuar. Tokën ende nuk e kanë dhënë, është e rrethuar e pastuar pak.  Na u premtua që do të japin lekët e tokës, por s’i kanë dhënë ende. Askush nuk ka trokitur në derën tonë, edhe pse ishim familja më e dëmtuar. Humbëm 5 jetë. Qeveria  e kaluar më shumë u intersua për ata që iu thyen xhamat sesa se ne që humbëm 5 vetë,” tha Gëzim Deliu i vëllai i Qemal Deliut i cili humbi jetën më 15 mars 2008 për gazetarin Arbër Hitaj.

Më 15 mars shpërthimi i një punishteje të demontimit të municioneve, e licencuar nga shteti i mori jetën 26 personave, mbi 300 u plagosën ndërsa mijëra banesa dhe biznese u dëmtuan./shqiptarja/

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 December 2013 16:02

Ulet me 70 ditë dënimi i Dritan Minxollit, ish-drejtorit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Vendimi për uljen e dënimit të Minxollit, është marrë dy ditë më parë nga gjyqtarja Ardiana Bera, e cila vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Minxollit, për uljen e ditëve të qëndrimit në burg. Kërkesa që mban numrin 1844 është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 25 nënëtor të këtij viti, ndërkohë që 20 ditë pas kësaj kërkese gjykata e Tiranës, ka vendosur ta pranojë atë duke ulur me 70 ditë dënimin e Dritan Minxollit, shkruan shqiptarja.

Ky i fundit ka paraqitur si provë, sjelljen e mirë në burg dhe aktivizimin e tij në institucionin ku vuan dënimin në IEVP “Ali Demi”. I pandehuri Dritan Minxholli, është dënuar nga Gjykata e Apelit, me 5.7 vjet burg për pasojat e shpërthimit të 15 marsit 2008, në Gërdec, teksa nga hetimet e prokurorisë rezultoi se Minxolli mbante përgjegjësi për organizimin e punës në ambientet e brendshme të kësaj punishteje të vdekjes. Më 12 mars 2012, Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 18 vjet burg ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli, ndërsa Apeli i uli një të tretën e këtij dënimi. Me vendimin e dy ditëve më parë të uljes me 70 ditë të dënimit, Minxollit i hapet rruga që në një periudhë të mëvonshme të kërkojë lirimin me kusht. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 22:59

Tiranë- Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i drejtuan sërish një kërkesë Kryeprokurorit Adriatik Llalla për rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Shoqata e familjarëve të “Gërdecit”, bën thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të rinisë veprimet ndaj Fatmir Mediut aty ku janë ndërprerë, për shkak se në 2009-ën ai gëzonte imunitet. 

Kërkesa e firmosur nga 18 familjarë të viktimave të Gërdecit nënvizon se: “Lidhur me veprimet ose mosveprimet e ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe humbjes së paligjshme të jetës së viktimave është e mundur ekzistenca e një lidhjeje organike. Këto veprime kanë lidhje me aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec dhe me shkallën e përfshirjes së mbikëqyrjes ushtarake të këtij aktiviteti me rrezikshmëri të lartë. Ka shumë për të zbuluar nëse rregullat ishin të pamjaftueshëm për të garantuar një proces normal demontimi dhe për të minimizuar çdo faktor risku, apo nëse rregullat ishin të mjaftueshëm, por shpërfillja e tyre ka sjellë pasojën e dëmshme.” 

Sipas familjarëve të viktimave, vlen për tu theksuar se “Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuza në lidhje me humbjen e jetëve për disa nga drejtuesit e dikastereve që kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin procesin” 

“Ish-Ministri i Mbrojtjes sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e forcave të armatosura, është drejtuesi më i lartë i strukturave ushtarake në kohë paqeje dhe se për çdo akuzë që ngrihet ndaj eksponentëve të lartë të dikastereve, ashtu duhet të hetohet dhe gjykohet edhe shkalla e përfshirjes së çdo zyrtari tjetër, përfshirë këtu edhe Ministrin e Mbrojtjes si urdhërdhënësi kryesor dhe; për arsye të një hetimi të plotë e të gjithanshëm, përkrah gjykimit të 29 të pandehurve të Gjykatën e Apelit Tiranë, duhet të gjykohet paralelisht edhe Ministri për akuzat e ngritura, lidhjen me akuzat e tjera dhe mundësinë e ngritjes së akuzave të reja” -thuhet në kërkesën e familjarëve./ballkan web/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 October 2013 11:28

Tiranë- Dy ish-ushtarakë janë vënë në pranga për tragjedinë e Gërdecit. 

Mësohet se ish-ushtarakët janë arrestuar nga sektori i Krimeve të Rënda. Prangat u janë vënë shtetasve, Jorgo Miho dhe Gëzim Oshafi, të dy të dënuar nga shkallët e gjyqësorit me nga 1 vit burg. 
Të dy ish-ushtaraket u arratisën menjëherë pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit. 
Mes ushtarakëve të dënuar ka qenë dhe ish kreu i Forcave te Armatosura Luan Hoxha, i dënuar me pese vite burg, e që mendohet se prej një viti jeton në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. 
Më 14 shkurt, në orët e pasdites, Prokuroria preu urdhrat e arrestit për 15 të pandehurit e dosjes “Gërdeci” dhe vetëm tre prej të akuzuarve kryesorë, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, u vetëdorezuan në Policinë e Tiranës disa orë më pas. Të njëjtën gjë bëri edhe Sokol Ngjeçi, Zenun Fero Hysni Çoçka dhe Dashnor Çaushi. 
Pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Apelit pati vendosur për 29 të pandehurit e dosjes Gërdeci reduktim të dënimeve që dha Gjykata e Shkallës së Parë për të akuzuarit kryesore. Teksa ne muajin gusht, Gjykata e Lartë hodhi poshtë rekursin e prokurorisë, ndërsa organi i akuzës pretendoi mungesën e hapësirës apo kompetencës së veprimit për të dërguar çështjen me tej. Kërkesa e Prokurorise konsistonte në akuzën ‘vrasje në rrethana cilësuese’ dhe sipas saj edhe dënimet duhet të bazoheshin mbi këtë akuzë.

Ngjarja e Gërdecit ndodhi në 15 mars të viti 2008 ku humbën jetën 26 persona, mbi 300 të tjerë u plagosën si dhe u dëmtuan shumë banesa e biznese. /BW/

 
Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 18:00

TIRANË– Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e bërë nga Prokuroria për Dosjen “Gërdeci”. Shorti caktoi si relator për të shqyrtuar dosjen voluminoze gjyqtarin Artan Zenel, Shkëlzen Selimi, Edmond Islamaj, Aleksandër Musta dhe Gani Dizdari. 

Gjykata e Lartë bën me dije se shorti për gjyqtarët do të hidhet nga e para për shkak te mungesës së dy anëtarëve Artan Zeneli, i cili u tërhoq për konflikt interesi dhe Gani Dizdari, i cili ka kaluar në Kushtetuese. 

Prokuroria iu  drejtua 2 muaj më parë Gjykatës së Lartë për çështjen Gërdeci me gati 180 faqe rekurs ku kundërshtohet vendimi i Gjykatës së Apelit. Në shkurt Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë për 29 të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u dëmtuam mbi 300 të tjerë

Gjykata vendosi pesë pafajësi nga nëntë që kishte shpallur Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa uli dënimet me nje te treten per Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, Dritan Minxollit dhe shoqërisë Albademil. 

Gjykata e Apelit në vendimin e saj  argumentoi se akuza e Prokurorisë për vrasje në rrethana cilësuese është e gabuar dhe se humbja tragjike e 26 jetëve në Gërdec ka ardhur nga shkelja e rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e rendit, sigurisë, jetës dhe shëndetit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 18:56

Tiranë – Gjykata Penale e Tiranës ka ulur 70 ditë nga koha e burgimit të Mihal Delijorgjit, i cili ka qenë një nga të pandehurit kryesorë për tragjedinë e “Gërdecit” më 15 mars të pesë viteve më parë.

Në fakt, vendimi për uljen me 70 ditë të dënimit të Delojorgjit, është bërë ditën e djeshme nga Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës, konkretisht, nga gjyqtari Arben Micko.

Më herët, avokati mbrojtës i presidentit të firmës “Albademi” kishte kërkuar që klientit të tij t’i ulej dënimi i dhënë me 3 muaj burg.

Me këtë vendim, Gjykata Penale e Tiranës, i jep mundësi Delijorgjit që të lërë qelitë e burgut, për 2 ose 3 ditë, duke shlyer në këtë mënyrë dënimin e tij për tragjedinë e “Gërdecit”, ku nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

 
Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 15:45

TIRANË- “Të vazhdojë gjykimi për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu”. Me këtë kërkesë, familjarët e viktimave të Gërdecit i jane drejtuar sot kryeprokurorit të vendit.

Një përfaqësi e familjarëve e kane kerkuar sot në Prokurorinë e Përgjithshme, vijimin e hetimeve.

Familjarët reaguan ashpër pas vendimit të dhënë nga gjykata për 29 të akuzuarit për shpërthimin në Gërdec, ndërkohë që deklaruar se nuk janë lejuar nga policia të zhvillojnë një protestë kundër këtij vendimi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 17:40

TIRANE- Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Prokuroria e Tiranës ka firmosur 15-urdhër ekzekutime për të akuzuarit e dosjes ‘Gërdeci’.
Prokurori, Petrit Fusho ka firmosur urdhër-ekzekutimet nëpërmjet të cilëve i hapet rrugë arrestimit të dënuarve.

Ndër të tjera, urdhër- ekzekutime janë firmosur për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinari, Luan Hoxhën, Besnik Dautin, etj.

Biznesmeni Mihal Delijorgji tha mbrëmë se ai dhe avokati i tij janë të pakënaqur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit. “Jemi të pakënaqur me vendimin dhe bashkë me avokatin, kemi vendosur të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë sapo të posedojmë vendimin”, tha biznesmeni Mihal Delijorgji mbrëmë, gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama”.

Ai bëri me dije se nga dënimi me 6 vjet e shtatë muaj që dha dje Apeli, i mbeten për të kryer edhe tre muaj burg. Në lidhje me ekzekutimin e kësaj mase nga ana e Policisë, Mihal Delojorgji deklaroi se aktualisht ai është në arrest shtëpie dhe pohoi se në momentin e parë që vendimi i Apelit të zbardhet dhe të dërgohet për ekzekutim, ai është gati për t’u paraqitur në Polici me vullnetin e tij.

Nga të gjithë personat e dënuar nga Gjykata e Apelit, i vetmi që nuk është i pranishëm është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili është larguar jashtë Shqipërisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 17:18

TIRANE –  Gjykata e Apelit dha sot vendimin për një nga çështjet më të bujshme në vend, për 29 të akuzuarit e tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Treshja gjykuese, e kryesuar nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime.

Vendimi i formës së prerë, parashikon ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i cili është dënuar përfundimisht me 15 vite burg, nga 18 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar Pinari do të qëndrojë vetëm 10 vite në burg.

Ish-administratori i kompanisë “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori i Fabrikës së Demontimit të armëve, Dritan Minxolli kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3. Edhe për këta dy të pandehur, Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Minxholli dhe Delijorgji ishin dënuar me 10 vjet burg.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka shpallur fajtor gjeneralin Zija Bahja, i cili është ndër të paktët ushtarakë që është dënuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Konkretisht gjenerali Bahja, nga i pafajshëm që ishte shpallur në Gjykatën e Shkallës së Parë, është dënuar me 8 vite burg, por nuk do të qëndrojë në qeli, pasi vendimi për të është pezulluar.

Përsa u përket të pandehurve të tjerë, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Besnik Dauti, të cilët kishin marrë pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë, Apeli vendosi nga 1 vit burg për Babameton dhe Tërshanën dhe 3 vite burg për Dautin, por përkohësisht dënimi ndaj tyre është pezulluar.

Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë ka mbetur në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Konkretisht, Agim Lala i pafajshëm, Ardian Mullai i pafajshëm, Shkëlzen Madani 3 vite burg, Dashnor Caushi 3 vite burg, Armand Tartari 1 vit burg, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha me 6 vite burg. Në fakt Luan Hoxha prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flitet se do të kërkojë azil politik atje.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka vendosur të sekuestrojë pasuritë e Mihal Delijorgjit, të cilat do të kalojnë nën sekuestro dhe ka shumë gjasa në konfiskim dhe nën administrimin e shtetit.

Sa u përket të pandehurve të tjerë, Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, Jorgo Mino, Denis Hajdari, Fari Toska, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Adriatik Mema, Juliana Margariti, Lavdi Shatro dhe Fiqiri Mato, ka mbetur në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.

Në fakt Gjykata e Apelit duhet ta jepte këtë vendim pak ditë më parë, por gjyqtarët kërkuan kohë për shkak të dosjes voluminoze. Vendimi i sotëm është dhënë nën masa të rrepta sigurie,. Në gjykatë është vënë re prania e forcave të rendit dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Të pranishëm në seancë ishin edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008, të cilët kanë reaguar ashpër pas shpalljes së vendimit. Zamira Durda, nëna e vogëlushit Edison Durda që humbi jetën në tragjedi, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar këtë vendim si skandal, pasi ka lehtësuar masën për disa prej të pandehurve.

Prokuroria i kërkoi gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”. Ndërkaq avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pafajësi.

Tragjedia e Gërdecit, më e rënda e ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, u regjistrua më 15 mars 2008. Nga shpërthimi i një fabrike demontimi vetëm pak kilometra larg kryeqytetit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, ndërkaq dëmet materiale kapën shifrat e miliona eurove. 

Vendimet e Gjykates se Shkalles se Pare per te pandehurit e ceshtjes se ‘Gerdeci’
1-Mihal Delijorgji 10 vjet burg
2-Ylli Pinari 18 vjet burg
3-Dritan Minxolli 18 vjet burg
4-Sokol Ngjeci 10 vjet burg
5-Shkëlzen Madani me 3 vjet dhe 3 mln gjobë
6-Luan Hoxha 6 vjet burg
7-Ardian Mullahi i pafajshëm
8- Agim Lala i pafajshëm
9-Dashnor Çaushi 3 vjet burg
10- Hilmi Laçaj 3 vjet burg
11-Gëzim Oshafi 3 vjet burg
12-Jorgo Mino 3 vjet burg
13-Fahri Toska 3 vjet burg
14-Zenun Ferro 3 vjet burg
15-Ndue Marku 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
16-Fatbardh Kuci 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
17- Shpëtim Spahiu 4 vjet burg, pezullohet dënimi për një afat 3 vjecar
18-Hysni Cocka 3 vjet burg
19-Zija Baja i pafajshëm
20- Fiqiret Mato i pafajshëm
21-Agim Babameto i pafajshëm
22-Besnik Dauti i pafajshëm
23-Adriatik Mema i pafajshëm
24-Armand Tartari 1 vit burg
25-Te rishqyrtohet ceshtja ndaj Lavdi Shatros
26- Denis Hajdari 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
27- Juliana Margariti e pafajshme
28- Rezart Tërshana i pafajshëm
29 -Shoqëria AlbaDemil gjobitet me 25 milione lekë dhe ndalohet për 10 vite pjesëmarrja në tendera dhe prokurime publike. Lihet në fuqi sekustroja mbi pasuritë e Mihal Delijorgjit deri në shqyrtimin e padive civile nga Gjykata e Tiranës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 15:57

TIRANË – Gjykata e Apelit shtyu sot për më 13 shkurt vendimin për dosjen “Gërdeci”.  Ky vendim u mor pasi dosja e kësaj çështje është shumë voluminoze dhe shqyrtimi i saj kërkon më shumë kohë.     
Seanca e sotme në Apel duhet të shënonte dhënien e vendimit përfundimtar për 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës të shpërthimit të rreth psë viteve më parë. Vendimi që pritet është i formës së prerë, ç’ka do të thotë që është i ekzekutueshëm.

Më 15 mars 2008 shpërthimi në një fabrikë të çmontimit të municioneve në Gërdec(Tiranë) shkaktoi 26 të vrarë, rreth 300 të plagosur dhe dëmtimin e dhjetra shtëpive. (LajmeShqip.com)