Lajme Shqip Saturday, 21 July 2012 16:47

Shkup – Ish-kryeministri dhe lideri aktual i VMRO-Popullore, Lubço Georgievski do të përballet me ndjekje penale për shkak të angazhimeve dhe planeve të tij për ndarjen e Maqedonisë.

Kryetari i një lëvizje ultranacionaliste maqedonase Kongresi Botëror Maqedonas (KBM), Todor Petrov ka dorëzuar kallëzimin penal kundër Georgievskit për planet e tij për ndarjen e Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e një pjese të territorit të vendit drejt Shqipërisë.

Petrov ka theksuar se Georgievski ka bërë vepër penale për rrezikimin e tërësisë territoriale të Maqedonisë.

“Georgievski pranoi vetë se në vitin 2001 si kryeministër i Maqedonisë kishte ndërmarrë veprimet për ndarjen dhe copëtimin e territorit të Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e një pjese me Shqipërinë”, ka theksuar Petrov, duke arsyetuar akuzën dhe duke zbardhur detajet e takimeve midis Georgievskit dhe ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiq për ndarjen e vendit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 July 2012 09:30

Shkup – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski po bëhet gjithnjë e më atraktiv për mediet rajonale me librin e tij autobiografik “Ky jam unë”.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në lajmet e mbrëmjes të televizionit kroat HRT, pas intervistave të shumta për mediet bullgare, Georgievski ka folur kësaj radhe për shkëmbimin e territoreve mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilin e kishin planifikuar bashkë me kryeministrin serb të asaj kohe, Zoran Gjingjiq, por ky plan nuk është realizuar për shkak të vrasjes së ish-kryeministrit serb në vitin 2003.

Sipas Georgievskit, gjatë këtij shkëmbimi do të duhej që Maqedonia të hiqte dorë nga Gostivari, Dibra dhe Tetova, ndërsa të merrte disa pjesë rreth Liqenit të Prespës.

Georgievski ka ripërsëritur gjithashtu tezat e tij të shkruara se “Qeveria e Shkupit po e falsifikon historinë” dhe se “maqedonasit janë falsifikuesit më të mëdhenj të historisë në pesë vjetët e fundit”

“Maqedonasit do të mallkojnë qumështin e nënës së tyre për atë që kanë hequr dorë nga ‘Shën Klimenti dhe Shën Naumi’ dhe po shfaqen si falsifikatorët e historisë ballkanike. Kombi maqedonas është ndër më të rinjtë, i krijuar nga fundi i shekullit 19”, ka thënë Georgievski, transmeton “Zhurnal”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 14:30

Shkup- Maqedonasit janë falsifikuesit më të mëdhenjë të historisë së Ballkanit, ka shkruar ish-kryeministri dhe lideri aktual i VMRO-Popullore në Maqedoni, Lubço Georgievski në librin e tij ‘”Ky jam unë”.

Në këtë libër me shumë detaje edhe për luftën e Kosovës dhe zhvillimet e tjera në rajon, Georgievski ka folur edhe për luftën në Kosovë në vitin 1999.

Sipas tij, në luftën e Kosovës ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku ka marrë instruksione për lejimin e NATO-s për hyrjen në Kosovë.

“Ish-sekretarja amerikane Albraight atëherë kërkoi lejen që përmes territorit tonë të sulmojnë Serbinë, edhe përmes frontit tokësor”, ka shkruar Georgievski.

Sipas tij, në takimet me ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiq ka biseduar edhe për shkëmbimin e territoreve midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa të njëjtën çështje e ka diskutuar edhe me Arbër Xhaferin, i cili ishte pjesë e koalicionit të përbashkët qeveritar mes VMRO-DPMNE dhe PDSH atëkohë, gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni. Këto detaje të këtij libri janë nxjerrë dhe komentuar nga disa media maqedonase dhe serbe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 13:16

Shkup – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski, ka thënë se që nga pavarësimi i Maqedonisë është dashur që shqiptarëve t‘u jepen më shumë të drejta. Ai këtë e ka zbuluar në një intervistë për gazetën ditore maqedonase ”Utrinski vesnik”.

Ish-lideri i VNRO-së Georgievski ka pranuar se VMRO-DPMNE-ja dhe ai personalisht kanë pasur një politikë kryesisht nacionaliste. “Kur e bëj analizën e asaj periudhe, absolutisht nuk e kam kuptuar faktin pse shqiptarët kanë dashur të kenë më shumë të drejta në Maqedoni. Kjo nuk ishte vetëm gabimi i im, kjo atmosferë ishte në mbarë Maqedoninë, e ndoshta në mënyrë indirekte ka ndikuar edhe ndikimi i Sllobodan Millosheviqit“, ka thënë Georgievski, duke shtuar se partitë politike në Maqedoni nuk kanë aritur që në mënyrë vizionare ta shohin këtë.

Sipas tij, partitë politike në Maqedoni nuk kanë aritur që në mënyrë vizionare ta shohin këtë çështje dhe shqiptarëve t’u japin më shumë të drejta, me qëllim parandalimit të disa zhvillimeve më vonë.

“Në planin partiako-politik gabimi më i madh është që nuk bëmë qeveri me PPD-në, në vitin 1990. Në rast se do të bëhej kjo qeveri, Maqedonia në mënyrë tjetër do të ishte zhvilluar dhe do të kishte ecur përpara. Gabimi i dytë është ideologjia. Në vitet e 90-ta, kishim qasje shumë nacionaliste, për qëllime të brendshme politike, pasi që nuk dëshironim të pranojmë se shqiptarët janë një bashkësi e madhe etnike”, ka thënë ish-kryeministri i Maqedonisë Lupço Georgievski. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 22:01

Shkupp – VMRO-Popullorja, ka prezantuar programin e tij zgjedhor në Kavadar. Kryetari i nderit i partisë, Lubço Georgievski ka premtuar se, përderisa do të vinë në pushtet do ta kthejnë demokracinë e shtetit, do të punojnë për euro – integrimin e shpejtë të Maqedonisë dhe për prosperitet ekonomik.

“I pyes qytetarët e Kavadarit, në cilat prej katër viteve kanë pasur më shumë të ardhura dhe biznes më të mirë? Në Maqedoni është zhdukur klasa e mesme, kurse kërcënimet i bënë sistem të qeverisjes së tyre, prandaj nuk guxon përsëri ky pushtet të fitojë monopolin”, ka porositur Georgievski.

Ai ka thënë se do të jenë në koalicion me ato parti, me të cilët do të bëjnë marrëveshje për ta zgjidhur problemin e qytetarëve. Sipas tij, më mirë është qeveria e ardhshme të jetë e formuar nga dy parti maqedonase dhe dy parti shqiptare, sepse “vetëm në atë mënyrë do të ketë ambient demokrat në shtetin tonë”.

 
Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:43

Shkup – Akademiku maqedonas Gjorgji Efremov ka ndërruar jetë të premten në mbrëmje, në moshën 78- vjeçare në Shkup. Ai është i njohur si ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), por edhe njëri ndër hartuesit e planit për ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001.

Efremov doli në sipërfaqe me planin e mbështetur për ndarjen e Maqedonisë, kur ishte në pozitën e kreut të ASHAM. Sipas këtij plani, shqiptarët do të zhvendoseshin në rajonet perëndimore të Gostivarit, Tetovës, dhe Dibrës, të cilat më pas do të bashkoheshin me Shqipërinë. Në shkëmbim, Shqipëria do t’i jepte Maqedonisë qytetin e Pogradecit dhe zonën përreth pranë Liqenit të Prespës, ku jeton një pakicë e vogël Maqedonase.

Ky plan i ndarjes ishte mbështetur në 2001 edhe nga kryeministri i asaj kohe, Lubço Georgievski, por kjo më pas është hedhur poshtë nga pala shqiptare.

Akademiku Efremov është i lindur në Kratovë, ndërsa është i njohur edhe me karrierën e pasur shkencore në lëminë e veterinarisë, duke u njohur me më shumë se 30 punime hulumtuese-shkencore. Akademiku ka thënë se ky shkëmbim duhet të jetë krejtësisht paqësor dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve. Efremov e ka përshkruar planin si një “dokument për shpëtimin e Maqedonisë”. Ndryshe, akademiku i ndjerë ishte edhe pjesë e ekipit shkencor për hartimin e Enciklopedisë Maqedonase, ndërsa ishte propozuar edhe si kryeredaktor për hartimin e Enciklopedisë së re.