Lajme Shqip Friday, 22 November 2013 19:28

Prishtinë- Pas publikimit të një artikulli në gazetën Express, titulluar “Zëvendës guvernatorin e Kosovës e shantazhojnë me një video porno”, gazetari Visar Duriqi është marrë në pyetje në orët e vona të natës së kaluar.

Arianit Koci, avokat i gazetarit Duriqi, ka thënë se klienti i tij është marrë në pyetje si i dyshuar për fotografim dhe incizim të paautorizuar. Në lidhje me këtë rast, kanë reaguar edhe gazetarë dhe shoqëria civile në Kosovë.

Ish kryeredaktori i Zërit, Astrit Gashi, e ka quajtur të panevojshme marrjen në pyetje të Duriqit.

“Veprimtaria e gazetarit është krejtësisht publike, ai i transmeton ato informata që i posedon, dhe si e tillë duket pak si e pamundur që të jetë diçka e dyshimt aty”, tha Gashi për JNK-në.
Ai mendon se është krejtësisht çështje e redaksisë, të vendosë se si do të bëjë me një shkrim – ta botojë apo jo.

Ndërkaq në lidhje me këtë rast, kryeredaktori i Gazetës Express, Leonard Kërquki,  ka sqaruar se bëhet fjalë për një video pornografike që është hedhur në sajte të dedikuara me përmbajtje të tilla, ku shihej një një çift duke bërë seks. Video titullohej ‘Lulzim Ismajli’”, ka  shkruar Kerquki.

 

 
Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 16:30

Shkup- Gjykata themelore e Shkupit ka dënuar me katër vjet e gjysmë burg gazetarin, Tomisllav Kezharovski, i akuzuar për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në rastin e një vrasjeje në një fshat të Velesit.

Gazetari është shpallur fajtor përkundër faktit që dëshmitari, identitetin e të cilin ai e kishte zbuluar, ka rezultuar i rrejshëm.

Pala mbrojtëse ka thënë se gazetari Kezharovski është dënuar me qëllim që të mos vazhdojë hetimin tjetër lidhur me vdekjen misterioze të botuesit të javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov, për të cilin është thënë se ka vdekur në fatkeqësi komunikacioni.

Dënimi i gazetarit Tomisllav Kezharovski ka shkaktuar reagime të shumta.

Burgosja e tij vlerësohet si ndërhyrje brutale në pavarësinë dhe lirinë e mediave./rel/