Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 18:45

Gaza – Qindra mijëra mbështetës të fraksionit të liderit palestinez Mahmoud Abbas kanë mbajtur mitingje masive në Gaza për të shënuar 48-vjetorin e grupit Al Fatah.

Hamas, lëvizja që qeveris Gazën, u lejoi rivalëve të Fatah që të mbanin festimet atje për herë të parë që kur e rrëzoi këtë fraksion nga pushteti, 5 vjet më parë.

Dhënia e lejes për ditën e premte ka pasur si synim uljen e tensioneve mes dy palëve, raporton në edicionin e saj online BBC.

Muajin e kaluar, mbështetës të Hamas festuan themelimin e lëvizjes së tyre me një miting të rrallë në Bregun Perëndimor.

Hamas erdhi në pushtet në Gaza pasi fitoi zgjedhjet palestineze në vitin 2006 dhe duke spostuar Fatah nga kontrolli i enklavave në luftimet e ashpra të një viti më pas.

Në një fjalim të regjistruar dhe të transmetuar më pas në ekrane gjigante, presidenti Abbas tha: “Fitorja është e afërt dhe ne do të takohemi me ju në Gaza në një të ardhme të afërt”.

“Gaza ishte territori i parë palestinez që hoqi qafe pushtuesit izraelitë dhe kolonitë e tyre dhe ne tani duam ta heqim të gjithë bllokadën, në mënyrë që ajo të jetë e lirë dhe të lidhet me pjesën tjetër të kombit”, shtoi Abbas nga baza e tij në Bregun Perëndimor.

Turma të mëdha njerëzish, që mbanin në duar flamurin e verdhë të Fatah dhe portrete të presidentit Abbas, marshuan në Qytetin e Gazës për të përkujtuar edhe sulmin e parë të lëvizjes ndaj Izraelit.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 17:40

TIRANË- Ambasadori palestinez në Shqipëri, Issam Massalha ka reaguar sot në lidhje me votimin e djeshëm të OKB-së, ku Palestina u anëtarësua me statusin e vëzhguesit, pas përpjekjeve shumëvjeçare për t’u njohur nga kjo organizatë. 138 shtete votuan pro, 41 abstenim dhe vetëm 9 kundër vendimit për Palestinën.

Shqipëria ishte një nga vendet që abstenoi, ndërsa ambasadori deklaroi sot se prisnin një votë pro nga ana e Shqipërisë.

“Ne shpresonim në mbështetjen e qeverisës shqiptare. Shpresonim që Shqipëria të radhitej me ata që votuan pro”, thotë Massalaha, ndërsa nënvizon se pozicioni i zgjedhur nga Shqipëria nuk i zhgënjeu, edhe pse pritshmëritë i kishin për më shumë.

“Nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë. Populli mik shqiptar qëndron krah palestinezëve, për Palestinën kjo do të thotë një fitore e madhe”, tha ai

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ishin kundër vendimit që “de facto” e njeh Palestinën si shtet më vete. Palestinezët shpresojnë që statusi i ri në OKB të ndryshojë marrëdhëniet e tyre me Izraelin.

Më poshtë lexoni të plotë intervistën ekskluzive dhënë gazetares së News 24, Erjona Rusi. 

Çfarë domethënie ka kjo fitore për Palestinën dhe cili është hapi i radhës?
Për Palestinën dhe popullin e saj kjo do të thotë një fitore e madhe, do të thotë fitore e dëshmorëve të saj, do të thotë fitore e heronjve të lirisë të vendit të tij. Kjo është një fitore e së vërtetës, fitore e legjitimitetit ndërkombëtar. Kjo fitore, që u arrit me mbështetjen e njerëzve të lirë në botë, do të thotë triumf ndaj pushtimit racist të Palestinës, gjë që është e papranueshme për shekullin në të cilin jetojmë. Gjithashtu kjo është një fitore ndaj atyre shteteve të cilat vazhdojnë të mbështesin pushtuesit izraelitë, duke e konsideruar Izraelin mbi ligjet ndërkombëtare, në sajë të politikës me standarte të dyfishta, por që pa dyshim këto shtete ndjehen të izoluara ndërkombëtarisht.
Kjo fitore do të thotë një hap përpara ndaj konkretizimit të Shtetit të Palestinës. Përfitoj nga ky rast për të falenderur përzemërsisht të gjitha ato shtete që qendruan përkrah këtij vendimi dhe për ti shprehur atyre sigurimet tona se populli palestinez do t’u jetë gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje dhe do ti ruajë ato në mendjet dhe zemrat e tij. Përsa i përket hapit të radhës, pa dyshim që do të punojmë me të gjitha vendet e botës për konkretizimin e këtij vendimi dhe zbatimin e tij në realitet, gjë që do të arrihet duke respektuar ligjet ndërkombëtare dhe rrugët diplomatike, gjithashtu nëpërmjet negociatave me palën izraelite me qëllim ngritjen e dy shteteve (Palestinë-Izrael) në bazë të ligjeve ndërkombëtare , që të jetojnë në paqe dhe siguri përkrah njëri-tjetrit.

A është e zhgënjyer Ambasada e Shtetit të Palestinës me abstenimin e Shqipërisë në votim? Cili është komenti juaj?
Natyrisht që ne nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë në këtë votim, sepse ne jemi mëse të sigurt që populli mik i Shqipërisë qendron përkrah të drejtave të popullit palestinez për themelimin e shtetit të tij të lirë, sepse marrëdhëniet tona historike dhe miqësore me popullin bujar të Shqipërisë i kanë rrënjet thellë në histori dhe janë ndërtuar në bazë të respektit reciprok. Ne shpresonim që Qeveria Shqiptare ta shfrytëzonte këtë moment historik dhe të qendronte në radhën e shumicës dërmuese të shteteve të botës dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe të Parlamentit Evropian, të cilët votuan në favor të Palestinës, pra, në favor të përfundimit të pushtimit Izraelit ndaj popullsisë palestineze. Ne gjithmonë kemi respektuar formulën e Shqipërisë, me të cilin ajo krenohet, si një nga vendet e vetme në Evropë, që nga njëra anë strehoi dhe mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga ana tjetër si vendi i Parë në Evropë që njohu Shtetin e Palestinës që në vitin 1988. Së fundi, me rastin e këtij momenti dhe date historike për pupullin e Palestinës, moment dhe datë e cila përkon edhe me përvjetorin e Clirimit të Shqipërisë, i drejtohemi popullit mik dhe bujar shqiptar me përshëndetjet tona më të ngrohta dhe përzemërta, duke i uruar atij zhvillim, prosperitet dhe realizim të të gjitha ëndrrave dhe aspiratave të tij për të ardhmen. Gjithashut shprehim sigurimet e konsideratës tonë më të lartë se marrëdhëniet tona me Qeverinë Shqiptare do të mbeten të forta, si marrëdhënie të cilat janë ngritur në bazë të respektit reciprok dhe respketit të vendimeve sovrane. Ne gjithmonë do të mbetemi pro zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe pupujve tanë.(B.W)

 
Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 13:46

NEW YORK – Palestina u anëtarësua dje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me statusin e “vëzhguesit” pas përpjekjeve shumëvjeçare për t’u njohur nga kjo organizatë. 138 shtete votuan “pro”, 41 abstenim dhe vetëm 9 “kundër” vendimit për Palestinën. 

Shqipëria dha një votë abstenuese. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ishin kundër vendimit që “de facto” e njeh Palestinën si shtet më vete. Liderët palestinezë e përshëndetën votimin, ndërsa izraelitët u shprehën se ai shënon një hap mbrapa në përpjekjet për paqen në rajon. “Asnjë votim nuk mund ta thyejë lidhjen 4 mijë vjeçare mes popullit të Izraelit dhe tokës së Izraelit”, tha kryeministri Beniamin Netanjahu. Abstenim votuan vende të tjera të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia. 

Presidenti palestinez Mahmud Abbas deklaroi se statusi i ri jep shansin e fundit për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Abbas deklaroi se agresioni izraelit obligon ndërkombëtarët të jenë në anën e Palestinës. 

Palestinezët shpresojnë që statusi i ri në OKB të ndryshojë marrëdhëniet e tyre me Izraelin.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 November 2012 17:07

Gaza – Izraeli ka plasuar tashmë planet për një operacion tokësor në Gaza.

Paqja në territoret palestineze duket ende larg. Qeveria izraelite ka diskutuar sërish rreth paqes së propozuar nga ana egjiptiane,  përderisa ka shtuar trupat përgjatë kufirit  në Gaza . Kjo ka  shkaktuar frikë se mund të ndodhin masakra të ngjashme me ato të vitit 2008. Izraeli i ka dhënë  një ultimatum për paqe Egjipitit që kur ky i fundit mobilizoi ushtrinë në kufijtë me Izraelin dhe zhvilloi disa sulme  me dhjetra të vrarë. Izraeli  gjithashtu ka mobilizuar forcat ushtarake duke vënë  në dispozicion 75 000 ushtarë rezervë.

Derisa Izraeli dhe Hamasi kanë intensifikuar luftimet, milicia islamike duket qartë se është më e fortë seç ka qenë gjatë luftës së fundit në Rripin e Gazës. BBC raporton se pranvera arabe gjithashtu  ka përforcuar Hamasin . Për herë të parë, Hamasi përdor raketa që mund të arrijnë në Tel Aviv. Hamasi është egërsuar që prej  javës së kaluar kur Izraeli vrau komandantin e tij. Ndërkaq Izraeli ka kthyer sërish sytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu  mësohet se  i ka telefonuar Barack Obamës, duke  shprehur dëshirën që  bisedimet të kenë sukses.  Por, gjithashtu ka treguar edhe gatishmërinë izraelite për të shkuar në Gaza.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 November 2012 12:18

Tel-Aviv – Izraeli ka lëshuar sinjalet e alarmit në Te Aviv, të cilat paralajmërojnë sulm të ri ajror. Mediat ndërkombëtare raportojnë se raketa me rreze të gjatë janë nisur nga Gaza drejt Tel Avivit, ndërkohë që krahu ushtarak i Hamasit ka marrë përgjegjësinë për sulmet. 

Shtëllunga tymi kanë mbuluar Gazën, pasi ushtria izraelite ka vazhduar të sulmojë caqet e Hamasit. Aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë goditur mëngjesin e sotëm selinë e sigurisë së Lëvizjes Islamike, ndërsa janë dëmtuar rëndë edhe dy ndërtesa televizioni.

Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, diplomatët kanë vazhduar përpjekjet për ndërmjetësimin e armëpushimit.Dhuna në Rripin e Gazës ka shpërthyer të mërkurën, kur ushtria izraelite ka vrarë shefin e krahut ushtarak të Hamasit.

Mbi 50 persona, palestinezë dhe izraelitë, thuhet të kenë humbur jetën në pesë ditë luftime.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 15:11

Gaza – Pas vrasjes së liderit të Hamasit nga një sulm ajror i avionëve ushtarakë izraelitë në Rripin e Gazës, janë vrarë dhe tre izraelitë nga një sulm me raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës, në një përshkallëzim të dhunës në rajon. Dëshmitarët nga vendngjarja thanë për BBC se makina e Ahmed Said Khalil al-Jabari u qëllua nga një raketë në kohën kur po udhëtonte në qytetin e Gazas.

Pas vrasjes së Al-Jabarit , ka reaguar Hamasi. Zëdhënësi i grupit palestinez që qeveris Rripin e Gazës e cilësoi vrasjen e tij një “akt pabesie me pasoja të mëdha për Izraelin”. Menjëherë pas kësaj deklarate në Gaza janë dëgjuar të tjera shpërthime të fuqishme që për momentin nuk dihet nëse janë pasojë e veprimeve luftarake të ushtrisë izraelite apo “hakmarrje” e Hamasit për vrasjen e liderit të saj ushtarak.

Përshkallëzimi i dhunës rrit frikën për luftë në rajon, ndërsa situata mbetet tejet e tensionuar mes palëve. Ndërkoh, që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka zhvilluar një takim urgjent prapa dyerve të mbyllura, për të diskutuar sulmet ushtarake izraelite mbi Gazë, të cilat të mërkurën vranë komandantin e Hamasit. zraeli fajëson al-Jabarin për të gjitha sulmet terroriste të ndëmarra kundër qytetarëve dhe interesave të tij në dhjetë-vjeçarin e fundit.

Jabari është i pari udhëheqës i lartë i Hamasit i vrarë nga forcat izraelite në këto katër vjet. Aksioni izraelit pasoi deklaratët e politikanëve dhe udhëheqësve të lartë ushtarakë në Tel Aviv lëshuar së fundmi ku thonin se po marrin seriozisht në konsideratë vrasjen e krerëve të Hamasit që operojnë në Gaza pas rritjes së bombardimeve me raketa nga ky territor drejt qyteteve izraelite.
Që nga e shtuna katër civilë dhe tre militantë palestinezë, përfshirë këtu edhe Jabarin, janë viktimat e bombardimeve izraelite në territoret palestineze.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 10:30

 Jerusalem – Aviacioni ushtarak izraelit mbrëmë ka kryer sulm në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht nga ky territor është gjuajtur raketë ndaj pjesës jugore të Izraelit.

“Në sulmin ajror është shkatërruar një objekt, i shfrytëzuar nga terroristët në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Sulmi është përgjigje e gjuajtjeve të mbrëmshme të raketës së llojit “Kasam” ndaj Izraelit Jugor”, deklaroi zëdhënësi ushtarak izraelit.

Midis Izraelit dhe palestinezëve nga Gaza është arritur marrëveshje për ndërprerje të zjarrit, pasi nga fundi i muajit të kaluar e humbën jetën 12 luftëtarë palestinezë dhe një civil izraelit. Grupet e armatosura palestineze pohojnë se po e respektojnë ndërprerjen e zjarrit, por do t’i përgjigjen çdo provokimi nga ana izraelite. Izraeli, megjithatë, premtoi se palestinezët do të paguajnë shtrenjtë për sulmin raketor ndaj territorit të tij.

 
Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 16:23

Gazë – Një palestinez pasdite është vrarë, ndërsa katër janë plagosur, gjatë sulmit të tankeve izraelite mbi rajonin Shaxhaja, në lindje nga qyteti Gaza, në afërsi të kufirit me Izraelin, kumtuan agjencitë botërore, duke cituar burime palestineze.

Në mënyrë të këtillë armata izraelite e ka kryer përgjigjen, pasi sot dy persona janë plagosur gjatë sulmit nga Rripi i Gazës mbi një autobus shkollor izraelit në afërsi të kibucit, Nahal Oz.

Njëri nga të plagosurit, ndryshe tinejxher, është në gjendje kritike.

Cak i sulmit ka qenë një autobus në pjesën jugore të Izraelit. Gjatë momentit të sulmit në autobus ishin vetëm shoferi dhe një udhëtar, fakt të cilit duhet falënderuar që nuk janë plagosur shumë njerëz.

Policia izraelite precizon se autobusi ishte qëlluar nga raketa kundërtanke, e gjuajtur nga rrethina e qytetit Gaza.

Ministri i Mbrojtjes Ehud Barak urdhëroi që armata urgjentisht të reagojë me të gjitha mjetet në dispozicion.

 
Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 13:03

Jerusalem – Aeroplanë ushtarakë izraelitë mbrëmë kryen tri sulme ndaj Rripit të Gazës. Kjo ndodhi disa orë pasi që shpërtheu bomba në stacionin e autobusëve në Jerusalem, në të cilin jetën e humbi një person dhe mbi 40 u lënduan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se do të ketë reagim të fuqishëm ndaj sulmit me bombë në Jerusalem.

Zëdhënësi ushtarak izraelit theksoi se cak i sulmeve kanë qenë luftëtarët palestinezë.

Burime nga Hamasi thonë se janë goditur dy kampe për trajnim në afërsi të Gazës dhe një tunel në Rafa, deri në kufirin me Egjiptin, në pjesën jugore të Gazës. Nuk ka informata për viktima. Në disa rajone të Gazës është ndërprerë furnizimi me energji.

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 19:02

Gaza – Katër persona, në mesin e të cilëve tre të moshës midis 12 dhe 18 vjet, humbën jetën pasi një tank izraelit gjuajti mbi një shtëpi në Rripin e Gazës, transmetuan agjencitë botërore.

Në sulm janë lënduar edhe tre persona.

Tre djelmosha, të moshës 12, 16 dhe 17 vjeçare, kanë luajtur futboll kur një tank izraelit ka gjuajtur granatë mbi një shtëpi në afërsi.

Sipas banorëve lokalë mbi shtëpinë janë gjuajtur katër granata.

Armata izrealite tani për tani nuk e komenton rastin, por sot paraprakisht kumtoi se nga enklava palestineze mbi Izraelin janë gjuajtur katër raketa.

Në sulmet e djeshme ajrore izraelite janë lënduar 19 persona, në mesin e të cilëve edhe katër ekstremistë, pasi paraprakisht një numër i madh i raketave dhe granatave janë gjuajtur mbi shtetin hebraik nga Rripi i Gazës. Në sulmet palestineze nuk pati të vrarë dhe të lënduar.

Izraeli i përforcoi sulmet mbi caqet në Gaza si përgjigje e raketimit gjithnjë e më intensiv nga bastioni i lëvizjes Hamas mbi qytetet izraelite.