Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 17:23

Didier Drogba ka deklaruar pas kualifikimit të Gallatasarajit në çerekfinalet e ligës së Kampioneve se ai do të dëshironte të përballej me PSZH në turin tjetër të këtij turneu. Futbollisti ka këtë dëshirë pasi synon t’i bëjë një nder skuadrës së Olimpik Marsejës, rivalëve të përjetshëm të parisienëve, me të cilët ai u bë i famshëm shumë vite më parë.

“PSZH? Pse jo? Do të ishte një sfidë e bukur dhe do t’i bëja një nder të madh Marsejës”, u shpreh sulmuesi nga Bregu i Fildishtë para gazetarëve.

“Ne duhet të jemi ambiciozë dhe të vazhdojmë të ëndërrojmë Ligën e Kampioneve. Me Çelsin, unë e fitova një herë, por nuk është mjaftueshëm. Unë dua të prek përsëri kupën por ajo vazhdon të jetë shumë larg. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin tonë për të arritur një sukses. Nëse do të mund të evitonim çdo skuadër dhe të shkonim direkt në finale, do të ishte perfekte”, u shpreh me humor ai.

Lojtari më pas pranoi se nuk është ende në maksimumin e tij dhe vështirësitë që ka shfaqur gjatë këtij muaji vijnë për shkak të një faze përgatitore “të sajuar” gjatë periudhës kur gjendej te Shangai Shenhua në Kinë.

“Kam probleme fizike. Këto muaj të fundit kanë qenë të vështirë, por shpresoj që dalëngadalë të kthehem në maksimumin tim”, tha sulmuesi që iu bashkua Gallatasarajit gjatë merkatos së janarit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 11:38

Fatih Terim ka shprehur lumturinë e tij te paraqitja që ka dhuruar Gallatasaraj, ndërsa skuadra siguroi pjesëmarrjen në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve me suksesin 3-2 në fushën e Shalkes.

“Unë tani duhet të puth në ballë çdo lojtar. Por ne duhej të kishim shënuar edhe më shuam gola në pjesën e parë, kur ekipi im ishte i jashtëzakonshëm”, tha Terim për “NTVSpor”. “Kjo është një fitore e rëndësishme për vendin tonë, pasi tani jemi mes 8 më të mirëve në Evropë”.

“Ka raste kur luan mirë dhe ka raste kur luan keq. Gallatasaraj e arriti gjithçka me forcat e veta. I kërkova lojtarëve që të ushtronin trysni në detyra mbrojtëse ndaj kundërshtarit dhe ata provuan që mund ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo bëri diferencën në ndeshje”, u shpreh trajneri turk.

Dominimi i Gallatasarajit në pjesën e parë u pranua edhe nga trajneri i përkohshëm i Shalkes, Jens Keller.

“Nuk kam asnjë shpjegim për pjesën e parë. Ne nuk ishim në lojë dhe nuk treguam asnjë lloj agresiviteti ndaj tyre. Nuk kishim përqendrim dhe nuk arritëm të tregonim çfarë dëshironim në këtë ndeshje”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 23:19

Fushata e jashtëzakonshme e blerjeve e Gallatasarajit ka dhënë frytet e saj, duke u kurorëzuar me kalimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Turqit, zhgënjyes në barazimin 1-1 të ndeshjes së parë ndaj Shalke në fushën e tyre, kanë bërë mrekullinë në transfertë në Gjermani duke marrë një fitore 3-2 që i kalon në turin tjetër. 

Pavarësisht dominimit në minutat e fillimit të skuadrës turke, të udhëhequr nga Drogba dhe Shnajder në një formë të shkëlqyer, goli i parë vjen nga vendasit pas një goditje këndi të transformuar nga Noistadter. Por turqit kalojnë tronditjen fillestare dhe në fundin e pjesës së parë kthejnë takimin në favorin e tyre, fillimisht me një gjuajtje nga 35 metra të Altintop, e më pas me atë Jilmaz që mposht Hildebrand për të mbyllur pjesën e parë në avantazhin 2-1 për skuadrën turke.

Në pjesën e dytë, ekipi gjerman dominon në fushën e lojës, duke vënë në vështirësi portierin Muslera me anë të Puki, Draksler e Hoger. Nga një tentativë e këtij të fundit që ndalet nga traversa, vjen edhe goli i barazimit, me topin që përfundon te Bastos dhe ky i fundit që nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë.

Minutat e mbetura janë një “shtetrrethim” i mirëfilltë pranë zonës së rreptësisë së Gallatasarajit që mbron rezultatin me të gjitha forcat, ndërsa ka fatin që në minutën e 94-t të gjejë në kundërsulm edhe golin e rezultatit përfundimtar 3-2 me anë të Bulut që vulos kualifikimin historik të ekipit turk. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 17:25

Skuadra e Shalkes ka hedhur dyshime se Didier Drogba nuk duhej të aktivizohej në Ligën e Kampioneve pasi nuk kishte leje për një gjë të tillë. Sulmuesi luajti me Gallatasarajin në ndeshjen e mbrëmshme kundër skuadrës gjermane, të përfunduar me barazimin 1-1.

Kjo ishte hera e parë që ai luajti në këtë turne që nga momenti kur shënoi penalltinë vendimtare që i dha Çelsit trofeun në sezonin e kaluar ndaj Bajernit. Por tashmë ai përballet me akuzat se nuk duhej të ishte aktivizuar në këtë ndeshje.

Shalke ka bërë të qartë se nuk ka vendosur ende nëse do të apelojë apo jo rezultatin e takimit, ndërsa nuk ka treguar as se cili është detaji burokratik që teorikisht nuk duhej të lejonte Drogba të zbriste në fushë të mërkurën në darkë.

“Ka dyshime mbi vlefshmërinë e lejes për të luajtur të Drogba në Ligën e Kampioneve. Shalke rezervon të drejtën të ketë këto dyshime dhe po ndjek këto çështje”, shkruhet në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga klubi gjerman.

Shkak për këto pretendime të Shalkes mendohet se është transferimi i lojtarit nga kinezët e Shangai Shenhua drejt Gallatasarajit. Ndonëse FIFA i ka dhënë atij një leje transferimi të veçantë, klubi kinez pretendon se Drogba ka ende një marrëveshje ekzistuese me të, e për më tepër akuzon Gallatasarajin se ka thyer rregullat e transferimeve të lojtarëve.

Çështja pritet të zgjidhet brenda javës së ardhshme në zyrat e FIFA-s, e nëse vërtetohet se Shangai Shenghua ka të drejtë, atëherë Gallatasaraj, përveç dëmshpërblimit financiar ndaj skuadrës kineze, rrezikon të humbë 3-0 në tavolinë ndeshjen e parë ndaj Shalkes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 10:52

Fatih Terim ka pranuar se Gallatasaraj pësoi një goditje shumë të rëndë kur Shalke barazoi rezultatin në minutën e fundit të pjesës së parë, në ndeshjen e Ligës së Kampioneve që përfundoi me rezultatin 1-1. Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, ndonëse tani gjermanët kanë një avantazh minimal falë golit në fushën kundërshtare.

“Kemi krijuar dy mundësi të mira për të çuar ndeshjen në 2-0, por barazimi para pushimit të ndeshjes dëmtoi moralin tonë. Ishim në avantazh falë një goli fantastik, por më pas kemi bërë gabime të mëdha. Nuk ishim në maksimum dhe e dimë që në Gjermani nuk do të kemi asnjë justifikim”, tha Terim pas ndeshjes.

Ndonëse Didier Drogba u kthye përsëri në Ligën e Kampioneve me një paraqitje shumë të mirë, heroi i skuadrës turke vazhdon të jetë Burak Jilmaz, i cili në këtë edicion të Ligës së Kampioneve ka shënuar 7 herë.

“Unë jam shumë i kënaqur me formën e Burak, ai vazhdon të punojë shumë dhe kërkon të përmirësohet”, tha trajneri turk për autorin e golit spektakolar që kaloi në avantazh ekipin e tij në sfidën e mbrëmshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 February 2013 23:15

Shalke ka arritur të marrë një barazim shumë të vlefshëm 1-1 në fushën e Gallatasarajit, duke qenë tashmë një hap para në luftën për kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. 

Në ndeshjen e luajtur në Stamboll, ka qenë ekipi vendas që ka filluar takimin shumë vrullshëm, duke pasur në fushë si Shnajder, ashtu edhe Drogba. Por është Burak Jilmaz që shfaqet më rrezikshëm, duke tentuar fillimisht me një gjuajtje që kalon mbi traversë, e më pas, në minutën e 12-të, duke gjetur rrugën e rrjetës, pas një veprimi individual spektakolar.

Më pas, është Altintop që ka një mundësi të artë për të shënuar, kur Hildebrand nuk arrin të kontrollojë gjuajtjen e Drogba, por tentativa e turkut ndalet nga traversa. Por Shalke fillon të reagojë dhe merr kontrollin e lojës. Falë këtij ngulmimi vjen edhe goli i barazimit me Xhons që shfrytëzon një pasim të artë të Farfan pikërisht në minutën e fundit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Fatih Terim ul në stol Shnajder jo në maksimumin e tij, ndërsa Drogba kthehet në liderin e vërtetë të skuadrës, pasi nga këmbët e tij kalon çdo aksion i turqve që kërkojnë me ngulm golin. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i krijon mundësinë Jilmaz që të shënojë edhe golin e dytë, por lojtari që ka gjetur 7 herë rrugën e rrjetës në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, gabon në mënyrë të pabesueshme.

Ndaj ndeshja përfundon në barazim 1-1, që lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit, ndonëse gjermanët janë më të qetë, duke ditur se tani do t’i mjaftojë edhe një barazim pa gola për të kaluar turin. (LajmeShqip.com)