Lajme Shqip Tuesday, 19 June 2012 14:10

Prishtinë – Delegacioni i misionit faktmbledhës i Komisionit Evropian është takuar sot me ministren e integrimeve evropiane Vlora Citaku.

Kryesuesi i delegacionit të KE-së bëri të qartë sot, se ekspertët e komisionit evropian do ti hulutmtojnë në detaje përgjigjet e dhëna nga institucionet e Kosovës në pyetsorin e studimit të fizibilitetit. Laurence Meredith tha se do të fokusohen në aspektin e kritereve politike, ekonomike dhe sundimin e ligjit.  Ajo që ne do të shikojmë me shumë kujdes, është administrata publike, tregtia, reformën zgjedhore, sundimin e ligjit dhe integrimi i minoriteteve, këto janë cështje që ne i konsiderojmë shumë të rëndësishme. Qëllimi i misionit është që të marrim një kuptim më të gjerë se ku qëndron Kosova për momentin.

Të gjitha këto kritere ndërlidhen me studimin e fizibilitetit i cili është hapi i parë për stabilizim asocim, kusht për integrim në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar ka vlerësuar lartë detyrën e misionit faktmbledhes në Kosovë, duke shtuar se reformat do ta ndihmojnë Kosovën drejt integrimit Evropian. Zhbogar këtë ngjarje e ka përshkruar si një dritë në fund të tunelit për Kosovën, por që, sipas tij, Kosova është në trenin e duhur.

Misnitrja e integrimeve evropiane Vlora Citaku është shprehur optimiste me nivelin e përmbushjes së kritereve që kërkohen nga Bashkimi Evropian për integrim në këto struktura.  Misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian i cili do të qëndrojë një javë në Kosovë përbehet nga 20 persona që përfshijnë ekspertë në shumë fusha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 12:46

Prishtinë – Raporti i finalizuar me përgjigjet e i institucioneve të Kosovës në pyetjet e Komisionit evropian për studimin e fizibilitetit do ti dorëzohen sot institucioneve të BE-së. Zëvendës ministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, tha se ata i janë përmbajtur afatit të kërkuar nga Komisioni Evropian.

“ Duke pasur parasysh se të gjitha institucionet e Kosovës tashmë kanë përmbushur ato obligime, me përgjigjet që i kanë pasur të parashtruara nga instancat e BE-së, ky raport do të dorëzohet në formë zyrtare, zyrës së KE-së në Prishtinë dhe pastaj instancat e larta të KE-se në Bruksel do ta pranojnë nga kjo zyre.

Zvministri Kasapolli thotë se, në tetor, Komisionit Evropian do të jep vlerësimin për studimin e fizibilitetit, në kuadër të Raportit të Progresit. Ndërsa gjatë këtij muaji do të vijë në Kosovë edhe një mision vlerësues i KE-së për të vlerësuar gjendjen në terren. Qeveria e Kosovës pret se pas këtij procesi Kosovës do t’i hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin e Evropian, siç është Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 23:17

Bruksel – Mbledhja e parë e Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është mbajtur të mërkurën në Bruksel.

Ky dialog është projektuar për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat në fushën e sundimit të ligjit, e cila është shqetësimi kryesor për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se në këtë fazë, Komisioni Evropian do të fokusohet në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të kapacitetit të Kosovës, që në mënyrë efektive të hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e krimit të organizuar ndërkufitar, të trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore. Ky mekanizëm po ashtu ka theksuar nevojën për përpjekje të shtuara në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit.

Në lidhje me gjyqësorin, Komisioni Evropian ka vënë në pah rëndësinë e një gjyqësie efikase dhe të pavarur. “Pas progresit të arritur në miratimin e legjislacionit kyç, Kosova është inkurajuar për ndjekjen e reformave gjyqësore, për të forcuar edhe më tej pavarësinë, joanshmërinë dhe transparencën”, deklaroi Komisioni Evropian.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i lartë dhe se është fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate. (R.EL)

 
Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 20:27

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, tha se nisja e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Bashkimit Evropian me Kosovën, është “një hap i rëndësishëm përpara i Kosovës, në raport me BE-në”.

Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me delegacionin e Kosovës, që udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili u mbajt sot në orët e pasdites në Bruksel.

Më tutje, në njoftimin nga zyra e Fules, që e transmeton REL, theksohet se nisma do të ofroj një kornizë gjithëpërfshirëse brenda së cilës “ne mund të diskutojmë me Kosovën për të gjitha çështjet e rëndësishme në rrugën drejt të ardhmes evropiane”.

Ai poashtu ka thënë se nga qeveria e Kosovës pret “një agjendë afatgjatë për veriun e Kosovës”.

Në negacionin e Kosovës, pos kryeministrit Thaçi, gjendeshin edhe ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku.

Ndërkaq, gjatë ditës, delegacioni i Kosovës është takuar edhe me baroneshën Catherine Ashton, e cila e përgëzoi kryeministrin Thaçi për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Këtë marrëveshje ajo e cilësoi si marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Ashton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.

“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel.

Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t’i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.

“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së… E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s’kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Ashton.

Marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë cilësuar sërish si momente historike edhe nga kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.

“Mendoj se këta hapa janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por janë të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët evropiane”, ka thënë Thaçi.

Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në Rezolutën 1244.

Palët janë dakorduar për paraqitjen e Kosovës me fusnotën, e cila përfshin 1244-shin e OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi do të takojë sot në Bruksel edhe komisionarin për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, si dhe zyrtarë të tjerë të këtij mekanizmi. /rel