Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:46

Bruksel – Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Jelko Kacin, ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Evropës për fillimin e negociatave mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

“Përshëndes këtë vendim të Këshillit të Evropës që të fillojnë negociatat për MSA-në me Kosovën. Ky lajm është i një rëndësie të veçantë për tërë rajonin dhe vjen menjëherë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast liderët politikë të këtij vendi, edhe një herë, kanë dëshmuar se ndërmjet shumicës dhe opozitës ka konsensus të paluhatshëm, lidhur me qëllimin strategjik të anëtarësimit në BE dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Kacin.

Sipas tij, me gjithë veprimet jodemokratike të një pjese të opozitës gjatë bisedimeve rreth ratifikimit të marrëveshjes, imazhi pozitiv për Kosovën nuk është rrezikuar.

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 08:35

Bruksel – (E plotësuar) Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të hapen negociatat mes BE-së dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. 

Komisioneri evropian për Zgjerim Stefan Fuele tha të martën gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm evropian në Luksemburg, se gjithçka është gati që Kosovës t’i hapet rruga për integrime evropiane.

“Ministrat janë pajtuar që të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Mandati për këto negociata është caktuar, dhe ai formalisht do të miratohet të premten, [po atë ditë] edhe do të miratohen edhe konkluzionet e Këshillit të Evropës”, ka thënë komisionari Fuele.

Sipas tij, negociatat për MSA-në me Kosovën “mund të nisin menjëherë” pasi ato të jenë adoptuar nga Këshilli i Evropës, raporton rel. 

Serbia në anën tjetër ka marrë po ashtu vizën nga kryediplomatët e vendeve anëtare të unionit, për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Komisionari Stefan Fule tha se do të varet nga Këshilli i Evropës që të miratoj kornizën e tashme kohore nëse konferenca ndër-qeveritare do të zhvillohet “më së largu në janar të vitit të ardhshëm”.

“Por kjo nuk e përjashton mundësinë që ajo [konferenca ndër-qeveritare] të ndodh edhe më herët”, tha Fuele.

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një pajtim paraprak që të hapin negociatat me Serbinë.

Rezultati i takimit të sotëm në Luksemburg, kërkon konfirmim të liderëve evropian të cilët pritet të takohen të enjten dhe të premtën në Bruksel.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian ka përshëndetur rezultatin që kanë prodhuar kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së, duke e quajtur si “provë e kredibilitetit pas hapave të paprecendetë që u ndërmorën në normalizimin [e marrëdhënieve] me Kosovën”.

 

Pritet MSA për Kosovën, negociatat për anëtarësimin e Serbisë

 

Bruksel – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot zyrtarisht për Kosovën dhe Serbinë.

Në takimin e tyre në Luksemburg pritet të miratohen konkluzat, të cilat do të propozojnë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, raporton rel. 

Në konkluzat përkatëse thuhet se normalizimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve Kosovë-Serbi do të jetë kusht për të dyja palët që të ecin drejt BE-së, pa pasur mundësi që ta pengojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë.

Në ditën e parë të takimit, minisrat e Jashtëm evropianë kanë diskutuar për çëshje të ndryshme globale, ndërsa për Kosovën dhe Serbinë është biseduar në mënyrë joformale.

 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 11:27

Luksemburg (plotesuar) – Komisioni Europian i ka dërguar sot në mëngjes rekomandim Këshillit të Bashkimit Europian që të fillojë negociatat me Kosovën mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit  si dhe që të hapë negociatat me Serbinë për hyrje në BE. Kështu deklaroi në Luksemburg komisionari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle.

“Për Kosovën e Serbinë kështu po krijohet historia”, ka deklaruar Fyle.(K.N/LajmeShip.com)

**************************************************

Bruksel – Komisioni Evropian sapo miratoi rekomandimin për vendet anëtare për të filluar negociatat për Marrëveshjen e stabilizim asocimit për Kosovën, shkruan në rrjetin Twitter, komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle.

Këtë lajm e konfirmoi po ashtu përmes rrjetit Twitter edhe ministrja e Kosovës për Integrime Europiane, Vlora Çitaku. “Komisioni i propozon Këshillit Europian që të hapë negociatat për MSA-në me Kosovën! Hap i parë në këtë udhëtim të bukur! Faleminderit”, shkruan ajo.

Kuvendi i Kosovës mbrëmë miratoi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, që ishte një nga kushtet për të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave për MSA-së.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 15:08

Prishtinë – Kosova po vazhdon bisedimet në mënyrë që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, ngase përveç që përfiton populli kështu arrihet paqe dhe bashkëpunim më i mirë rajonal. Kështu ka thënë ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku në konferencën “Përmirësimi i Perspektivës Evropiane për Rajonin”, duke u thënë që megjithëse është e pabesueshme për ta, Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka lëvizje të lirë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të Chevening Alumni nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumani, Serbia dhe Sllovakia. Rrejt ky të cilit do i bashkëngjiten edhe përfaqësuesit kosovarë të Chevening Alumni.

Programi i bursave Chevening është program global i Qeverisë Britanike, i cili financon studime post-diplomatike në universitetet më prestigjioze britanike, studentëve me potencial të lidershipit në mbarë botën.

Ministrja Çitaku u ka thënë të pranishmëve komunikimi është rrugë që krijon mundësi të njohjes së tjetrit, andaj Kosova këtë vlerë e dëshmon edhe në angazhimin e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhëniet me fqinjët, respektivisht me Serbinë, pasi raportet e mirë janë në interes të popujve.

“Unë duhet të them këtu se ne kemi Kushtetutën më të avancuar dhe më demokratike në botë, e cila përfshinë dokumente ndërkombëtare ndër më të rëndësishmet për të drejtat e njeriut. Ne dëshirojmë të bisedojmë me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet tona sepse kjo është mira e popujve të të dyja vendeve. Normalizimi i marrëdhënieve tona gjithashtu do të kontribuonte për paqe dhe bashkëpunim rajonal”, ka thënë ajo.

Dijetarët e programit Chevening vijnë nga 116 vende të ndryshme të botës dhe këtë vit në mbarë botën ky program do të përkrah rreth 700 persona. Përndryshe, sot në mbarë botën ekziston rrjeti i Chevening me 41 mijë anëtarë të Alumni, që konsiderohet një rrjet ne ndikim global.

Në Kosovë deri vonë kanë marrë pjesë në të nga 8 persona brenda vitit, që llogaritet si më së shumti në rajon, ndërsa viteve të fundit është reduktuar në 4 numri i tyre.

Çitaku ka thënë se edukimi është çelës për zhvillim duke thënë se i bëhet qejfi që ata të cilën fitojnë këtë bursë do kthehen e të punësohen në Kosovë duke kontribuar për vendin e tyre.

“Edukimi është qelës për zhvillimin në shoqëri dhe jam krenare që ne kemi shumë persona nga Kosova që kanë shfrytëzuar mundësim e Chevening dhe më e rëndësishmja ndër të gjitha është punësimi i tyre në sektorin publik, privat, shoqërinë civile apo edhe institucione të pavarura”, ka thënë ajo.

Ajo duke u shpjeguar të pranishmëve se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka lëvizje të lirë, u ka thënë se ndoshta kjo edhe mund t’u duket e çuditshme por që është realitet.

Ndërsa Myrna MacGregor nga Ambasada Britanike ka thënë se kjo konferencë mund të shërbejë që të gjithë të shohin situatën nga afër, të shohin përparimet e deritanishme, ngase sipas saj deri më tash situata në Kosovë është shikuar nga vetëm një kënd.

“Unë mendojë se njëra nga gjërat që mund ta merrni nga ky debat është një pamje më realiste për një afat kohor, kriteret dhe përparimet sepse unë mendojë që definitivisht është një perceptim për një situatë sikur gjërat sillen vetëm rreth këndi”, ka thënë ajo.

Kjo konferencë është pjesë e konferencës rajonale që po mbahet me përfaqësuesit e Chevening Alumnim, e organizuar nga Këshilli Britanik në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën Britanike në Kosovë.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 14:12

Bruksel –  Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Bruksel kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Thaçi ka falënderuar diplomatin evropian për mbështetjen e bllokut, ndërsa ka theksuar përkushtimin e autoriteteve kosovare për konsolidimin e duhur të shtetit të Kosovës.

Duke folur për takimin me homologun e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili do të zhvillohet po sot në Bruksel, Thaçi ka thënë se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Besoj se në këto bisedime do të ngadhënjejnë vlerat evropiane dhe të kemi fqinjësi të mirë ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi.

Herman van Rompuy ka kujtuar se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra, në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e minoriteteve, si kusht për të avancuar në procesin evropian.
Diplomati i BE-së ka inkurajuar Thaçin që të tregojë konstruktivitet edhe në takimin e sotëm me Daçiqin.

“Rezultatet konkrete në dialog janë esenciale për përparimin në rrugën evropiane, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë”, ka thënë Rompuy.

Thaçi ka takuar sot edhe presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Raundi i pestë i bisedimeve Thaçi-Daçiq pritet të zhvillohet në orët e pasdites. Në fokus të takimit të sotëm është thënë se do të jetë çështja e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nisi sot takimet në Bruksel në kuadër të raundit të pestë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryeministrave. Bashkimi Evropian e quan pikërisht këtë raund si më të rëndësishmin dhe më të vështirin, sepse do të hapen temat e vështira, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Thaçi dha një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ku ky i fundit theksoi se brenda muajit qershor do të nënshkruhet Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Kosovën, nëse përmbushen kriteret, raporton BW.

I pyetur sesi mund të arrihet konsensus në Bashkimin Europian, kur 5 shtete ende nuk e kane njohur Kosovën si shtet, Barroso tha se KE nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e shteteve anëtare.

“Ne nuk e kemi këtë kompetencë ta njohim në emër të vendeve anëtare. Pavarësisht këtij fakti që jo të gjitha e kanë njohur ne po punojmë në integrimin e Kosovës në BE. Po përgatitemi për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, dhe po ecim konkretisht drejt kësaj. Nëse ka progres, ne brenda Qershorit do të bëjmë progres konkret për Marrëdhëniet e Asociim-Stabilizimit”.

Barroso shtoi se viti 2013 do të jetë vit kyç për integrimin europian të Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga lidershipi kosovar në drejtim të sundimit të ligjit dhe integrimin e pakicave. Barroso vlerësoi edhe progresin e bërë përsa u përket kritereve për liberalizimin e vizave duke thënë se BE është i vetëdijshëm që kjo është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi ndihmën e Komisionit Europian duke premtuar angazhim të vazhdueshëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara në kohë rekord.
Por nga ana tjetër Thaçi u shpreh se Kosova është e vonuar në proceset e integrimit në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së, këto janë më shumë pengesa teknike se sa politike”,-u shpreh Thaçi. Kryeministri i Kosovës ndodhet në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd që vazhdon sot me takimin e pestë me homologun serb Ivica Daçiç.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 13:03

Bruksel – Komiteti për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian, ka miratuar të enjten propozim-rezolutën për Kosovën, dhe kështu ka mbështetur edhe qëllimin e Komisionit Evropian për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Kjo rezolutë është votuar me 42 vota për, 10 vota kundër, dhe 12 abstenime. pasi që ka kaluar në këtë komision, rezoluta do të shkojë në votim edhe në seancë plenare në pranverë, ndërkohë që miratimi i saj konsiderohet edhe si një fitore i mbështetësve të pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian.

Në këtë rezolutë, edhe kësaj radhe, i bëhet ftesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Po ashtu, propozim-rezoluta edhe një herë kundërshton qartë çdo ide për ndarje të territorit të Kosovës. Në këtë rezolutë mbështetet edhe vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash në këtë dialog.

Rezoluta, po ashtu, kërkon më shumë transparencë në punën e EULEX-it në Kosovë, dhe angazhim më të madh të autoriteteve të Kosovës dhe të EULEX-it, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në të njëjtin komision është miratuar edhe projekt-rezoluta për Serbinë. Në këtë projekt-rezolutë, parlamentarët evropianë i bëjnë ftesë që Serbisë, sa më shpejtë të jetë e mundur, t’i jepet data për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Si në rezolutën për Serbinë, ashtu edhe në atë për Kosovën, është nënvizuar nevoja për vazhdimin e dialogut dhe për normalizimin e raporteve ne mes të dy vendeve.

Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili Kosovën e trajton si shtet të pavarur dhe kërkon nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën.

Mirëpo, rezolutat e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë një peshë politike, nuk janë rezoluta të obligueshme për vendet anëtare të BE-së.

Rezoluta për Kosovën është votuar në bazë të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, deputetes austriake, Ulrike Lunacek.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 December 2012 08:45

Bruksel – Pothuasje nuk ka ndryshuar asgjë për Kosovën në raport me Bashkimin Evropian.

Ministrat e Jashtëm të mbledhur sot në Bruksel për një takim maratonik nuk janë pajtuar për të nisur negociatat për MSA-në me Kosovën. Vendimin i pari e ka bërë publik në Twitter, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.

“BE-ja ka konfirmuar mundësinë që Kosova të hapë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asoccimit kur të përmbushen prioritetet afatshkurtëra”, ka shkruar Fule. Ai ka njoftuar se nuk ka status kandidati as për Shqipërinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të politikanëve që i ka nxitur të dialogojnë.

As për Serbinë nuk ka datë për nisjen e negociatave për anëtarësim, edhe pse është thënë se ajo ka bërë progres. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 13:38

Prishtinë –  Për Kosovën është e vështirë që të fitojë legjitimitetin e plotë ndërkombëtar në kornizën e tanishme. Kështu konstaton drejtori i KIPRED-it Ilir Deda.

Sipas tij, aspiratat e Kosovës për të forcuar legjitimitetin ndërkombëtar, vazhdojnë të qëndrojnë mbi themele të brishta. “Qëndron mbi themele të brishta sepse varet nga vullneti i Serbisë për të bashkëpunuar, aftësia e BE-së për të vlerësuar implementimin e kushteve të saj, posaçërisht aksionin e Serbisë për të bllokuar dhe sabotuar Kosovën nëpërmjet pesë  shteteve mos-njohëse partnere në BE. Dhe, së fundi, do të varet nga përgjigja e shteteve mos-njohëse ndaj rekomandimit të Komisionit lidhur me MSA-në”.

Deda thotë se dialogu i shumëpërfolur me Serbinë, i është prezantuar Kosovës si rrugë e vetme për të bindur pesë shtetet mos-njohëse të BE-së që të ndryshojnë qëndrimin e tyre kundruall Kosovës, duke e bërë kështu dialogun si instrument të vetëm.

Ndërkaq, analisti i KIPRED-it, Shpend Kursani, tha se për të mbetur stabile dhe minimalisht funksionale, Kosova nuk mund t’i bëjë ballë dhe nuk duhet të llogaris vetëm në një dialog, në të cilin edhe  Kosova por edhe Serbia ende i mbajnë pikëpamjet dhe qëndrimet absolutisht të kundërta sa i përket rezultateve të tij.

Mes tjerash , në analizë thuhet se në periudhën afatmesme, Kosova duhet të kërkoj nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të ndikojë që të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 12:22

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi dhe njëherë nga secili ministër të adresojnë menjëherë prioritet që janë evidentuar në raportin e Komisionit Evropian për Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar menjëherë prioritetet afatshkurtra që duhet të realizojë, ashtu siç është kërkuar në raportin e Studimit të Fizibilitetit. Në takimin e trembëdhjetë të Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, kryeministri Hashim Thaçi, veçoi si më të rëndësishme, sundimin e ligjit.

“Ftoj me përkushtimin më të madh organet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit që të demonstrojnë përkushtim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete për të vazhduar luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe të gjitha dukurive negative. Në këtë drejtim ofroj mbështetjen time të plotë me gjithë autoritetin tim kushtetues dhe ligjor”.

Ai kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar që t’i kryejnë obligimet në afatin optimal. Ndërkaq, ministrja e integrimit Vlora Çitaku tha se në bashkëpunim me EULEX-in do të formohet një grup që do të monitorojë punën e secilës ministri për përmbushjen e kritereve. Citaku pret që në fund të dhjetorit të miratohet plani për studimin e fizibilitetit.

Ndërsa kryeministri Thaçi tha se politika evropiane e Qeverisë së Kosovës do të bazohet në tri shtylla kryesore: Plotësimin në afta rekord të kritereve teknike për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit, vazhdimin e reformave kyçe evropiane të parapara me studimin e fizibilitetit dhe themelimin e strukturave për negocimin me bashkimin evropian .(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 13:47

PRISHTINË -Kosova ngec në luftën kundër korrupsionit, sipas raportit rreth Studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), në një konferencë shtypi.

Sipas KDI-së, Studimi i Fizibilitetit i publikuar tre ditë më parë nga Komisioni Evropian thekson shumë qartë se, “Kosova ka nevojë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit, ndërsa vendin e presin sfida dhe detyra të shumta”.

KDI ka theksuar se studimi i fizibilitetit duhet të lexohet drejt dhe jo për t’u mbyllur sytë qytetarëve duke iu thënë se është ndezur drita e gjelbër për proçeset integruese.

“Për ne, ky studim dhe porosia për ta luftuar korrupsionin do të thotë se na presin detyra jo të lehta, të cilat do të jenë shumë të vështira për t’u realizuar, për shkak të involvimit të vetë politikanëve në afera korruptive”, tha Merita Mustafa nga KDI.

Sipas saj, sot më shumë se kurrë, Kosova ka evidencë të raporteve kredibile, vendore dhe ndërkombëtare në të cilat përshkruhet si një vend me prani të madhe të krimit të organizuar , të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit ekonomik.

KDI thekson se, për shkak se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është porosi e qartë nga Komisioni Evropian dhe pengesë kryesore për zhvillimin e vendit, ajo duhet të jetë prioritet i Qeverisë, e cila për të pasur sukses do të duhej të ndërmerrte një listë veprimesh, nën një të krijojë një strategji të re dhe plan të ri kundër korrupsionit.(LajmeShqip.com)