Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 10:01

TIRANE-(PLOTESUAR) Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle nisi sot në Tiranë misionin për zgjidhjen e ngërçit shqiptar midis PD-së dhe PS-së. Komisioneri Fyle, në vizitën e tij zyrtare do të zhvillojë takimet me dy liderët kryesore të PD dhe PS-së, në përpjekje për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga KE si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. 

Komisioneri Fyle u takua fillimisht në një mëngjes pune në Hotel Sheraton me ambasadorin  e BE Ettore Sequi dhe të OSBE në Tiranë Eugen Wollfarth, si dhe me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu si dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë. Më pas axhenda  vijoi me takimet me drejtuesit kryesorë të politikës. 

Rreth orës 10:45 Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha, për t’u pasur me takimin mes tij dhe liderit të opozitës, Edi Rama, takim që pritet të zhvillohet rreth orës 12:05. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle pritet të takojë dhe Presidentin Bujar Nishani. 

Pak ditë më parë, në një mesazh në rrjetin social “Twitter”, mbi situatën në Shqipëri, Fyle është shprehur se “zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme, por nuk mund të zgjidhin çështjet kritike që janë kultura e kompromisit dhe mungesa e gjithëpërfshirjes”. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.

PËRFUNDON TAKIMI RAMA-FYLE
Ora 13: 20
-Rreth orës 13:20 ka përfunduar takimi i Ramës me Fyle. Pritet të zbardhet diskutimi që është bërë me dyer të mbyllura mes dy personaliteteve.

PËRFUNDON TAKIMI FYLE-BERISHA
Ora 12:00 Ka zgjatur rreth 1 orë takimi i kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle. Takimi u mbajt në kryeministri, ndërkohë që mësohet se në këtë takim Fyle ishte i shoqëruar nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Pas takimit eskorta e komisonerit Fyle u drejtua drejt selisë rozë ku pritet takimi me kreun e PS-së Edi Rama.

AMBASADORI HOLANDEZ: FULE NË TIRANË PËR ZGJEDHJET DHE STATUSIN
Ora 09:35-Pas takimit me Fule, ambasadori holandez bëri të ditur për mediat se cështja e zgjedhjeve dhe statusi i vendit kandidat për në BE janë dy pika ku Fule është fokusuar Fule në takimin me ambasadorët. “Pavarësisht diskutimeve për zgjedhjet, axhenda për bashkimin evropian është shumë e rëndësishme dhe pjesë e diskutimit”.
I pyetur nëse do takojë kreun e PS, Rama, ambasadori tha se “Nuk kam dijeni për axhendën e zotit Fule, zgjedhjet dhe statusi kandidat janë dy cështjet”

FYLE: ÇFARË DUHET BËRË QË ZGJEDHJET MOS TË KONTESTOHEN
Ora 9:20 Komisoneri Stefan Fyle vetëm pak minuta para se të nisë axhendën e ngjeshur me aktorët kryesorë politik në vend ka sqaruar edhe arsyet e vizitës së tij.

“Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar-ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen.”, shkruan Fyle në faqen e tij personale në Twitter.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 16:02

Tiranë – Shqiperia dhe statusi i saj ne BE jane shkak i vizites se Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, i cili ne fillim te javes se ardshme pritet te ndalet ne Tirane.

Ai do të takohet me kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama në përpjekje për të mundësuar një zgjedhje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli

Komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fule pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat.

Dje në Bruksel duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europian, komisioneri Fule u shpreh se do të ishte  mëkat nëse kjo cështje nuk do të tejkalohej.

Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.

Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të cuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshem.

Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.

Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e cështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se cështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.

Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit europian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një cështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria.

Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.

 

Mekat nese nuk votohen tre ligjet

“Nëse forcat politike shqiptare do të jenë në gjendje të kapërcejnë problemet e fundit ende të pazgjidhura me Brukselin, atëherë  do të ketë edhe një raport për Shqipërinë”- është shprehur Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Gjatë një seancë për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, sipas agjencisë së lajmeve ANSAmed, Fule e ka cilesuar si nje turp, nëse tre ligjet e mbetura pa miratuar, të kërkuara nga Komisioni i BE-së, nuk do të adresohen apo nuk do të merrnin zgjidhje.

“Nëse Tirana nuk ia del të bëjë përparimin e nevojshëm, do të jetë një tjetër mundësi e humbur”- ka theksuar më tej Fule.

Komisioni Evropian do të paraqesë raporte vlerësimi mbi përparimin drejt anëtarësimit në BE në muajin prill, për Serbinë, Maqedoninë si dhe Kosovën.(P.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 18:06

Tiranë – Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fyle përshëndet miratimin e Reformës Zgjedhore me konsensus sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Me anë të një deklarate, zëdhënësi i Fyle, Peter Stano shprehet, “Përshëndesim miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor, në vijim të marrëveshjes ndër-partiake të arritur javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar. Si maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë.

Arritja e kësaj marrëveshje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të Nëntorit 2011 si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës”, thuhet në deklaratë. 

Komisionieri i BE i ka bërë thirrje forcave politike të vazhdojnë edhe reformat e tjera të rëndësishme, duke e vënë theksin fillimisht tek heqja e imunitetit. Fye tha se këto reforma të rëndësishme për integrimin, duhet të përmbyllen brenda shtatorit.

“Ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit.

Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE. Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standartet Evropiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, theksohet më tej në deklaratë. 

“Ne inkurajojmë të gjitha palët të kontribojnë drejt përpjekjeve të mëtejshme intensive në këtë kontekst si dhe të tregojnë një sjellje konstruktive. Kjo është thelbësore për Shqipërinë për të avancuar në rrugën drejt BE-së gjatë këtij viti”, përfundon mesazhi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 15:54

Tiranë – Dështon sërish mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Palët nuk kanë mundur të gjejnë konsensusin për cështjet kyce që kanë të bëjnë me riformatimin e KQZ, procesin e ankimimit si dhe rekomandimet e ODIHR për teknologjinë e zgjedhjeve.

Bashkëkryetari socialist Daminan Gjiknuri ka braktisur mbledhjen pas rezervave që kishte për cështjet që po diskutoheshin. Maxhoranca akuzoi opozitën për bllokim me qëllim, ndërkohë PS deklaroi se të mërkurën do të paraqesë një projekt draft për pikat kyce. 

Bylykbashi: PS bojkoton për të bllokuar punën 
Oert Bylykbashi, bashkëkryetari demokrat në Komisionin e Reformës Zgjedhore, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, akuzoi opozitën se po bllokon qëllimisht punën e reformës zgjedhore në mënyrë që të digjet afati i ri 3 javor që Parlamenti caktoi dje. 

“Sot PS tentoi se duke përdorur ODIHR të bëjë bllokimin e radhës dhe të djegë dhe këtë afat 3 javor. Detyrat janë të qarta dhe askush nuk mund të shkojë përtej procedurave të OSBE/ODIHR. Detyra ishtë që ekspertët të rishikonin dhe  të nxirrnin për miratim të gjithë amendamentet në lidhje me administratët e zgjedhjeve dhe proceduarat ankimore si dhe të reflektohen rekomandimet e ODIHR për teknologjinë. Kjo është e papranueshme, një hiprokizi e radhës e PS”,- deklaroi Bylykbashi. 

Eksperti i PS: S’ka bllokim,  të merkuren vijojmë punën

Ekperti i PS në komision, Bledar Çuçi pas mbledhjes sqaroi se nuk pati bllokim nga ana e opozitës, por vetëm diskutime për cështjet. Ndërkohë, bëri me dije se PS do të paraqesë një projekt draft ditën e mërkurë për të vijuar normalisht punën. 

“Sot komisioni si mbledhjen e parë, kishte si objekt të mandatonte ekspertët për kapitujt e mbetur. Puna është në dy pjesë. Kapitujt që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore dhe procedurat e ankimimit. Si dhe me cështje që ka kaluar komisioni dhe ODIHR ka disa komente, që kanë të bëjnë me teknologjinë. Nuk e di pse pati debat dhe unë u shpreha i gatshëm që deri të mërkurën të punojmë për këto cështje. Nuk mendoj se PS po tenton të bllokojë, pati vetëm debate. Unë si ekspert që përfaqësoj interesat e PS në komision them se do paraqesim një projekt apo draft të mërkurën për të vijuar punën dhe nuk besoj se kjo quhet bllokim”,- theksoi Çuçi.

Dje, Parlamenti me propozim të kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, zotrinjëve Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, vendosi të zgjasë deri më dt.10 Korrik afatin e reformës zgjedhore.

Dy herë të tjera më parë parlamenti e shtyu mandatin e komisionit i cili u mbyll muajin e kaluar, pa i dhënë fund të gjithë ndryshimeve në kodin zgjedhor. Palët duhet tani të gjejnë konsensus për dy momente kyçe të reformës, që lidhen me procedurat e ankimimit dhe rikompozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Të dyja këto pika konsiderohen nga opozita si tepër të rëndësishme për të garantuar standartet e kërkuara në zgjedhjet e 2013. Shumica nga ana e saj ka dhënë sinjale refuzuese ndaj ndryshimit të anëtarëve të Komisionit qëndror. Realizimi i reformës zgjedhore është një ndër përparësitë kyçe që Brukseli i ka përcaktuar Shqipërisë në mënyrë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 18:22

Tiranë (PLOTESUAR 18:00)- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama pas thirrjes që kryeministri i bëri opozitës në mbledhjen e grupit të PD, që të bashkëpunojë për reformat, e akuzoi Berishën  për hipokrizi.

Sipas Ramës, socialistët i kanë bërë publike 4 pikat e planit për statusin, të cilat kanë gjetur mungesë vullneti nga ana e qeverisë.  “Thirrjet e kryeministrit per opoziten sot misherim i hipokrizise se pushtetit qe braktisi interesin e vendit per te cuar noterin partiak ne presidence. 4 pikat e planit tone per statusin jane publike prej nje muaji.Mospermbushja e tyre eshte e lidhur vetem me mungesen e vullnetit te kryeministrit. Kryeministri shqelmoi fatin europian te Shqiperise dhe tani akuzon opoziten europiane te ketij vendi per reformat qe mban vete peng!”,- shkruan Rama në faqen e tij personale në Twitter. (LajmeShqip.com)

**********************************

Tiranë – Sipas kryeministrit Berisha, kreu i PS, termin konsensus e dëshifron si bllokim ndaj e ftoi publikisht te mos vijoje me ‘brryla’, ‘helm ne tepsi’, prerje kokash, por te perfundojne reformat e nisura. “Se për Ramën, konsensus do të thotë bllokim. Ky është dëshfrimi që i bën ai kërkesës civile të qytetëruar për konsensus”, u shpreh Berisha në mbledhjen e grupit të PD.

Përpara ligjvënësve demokratë, sot Berisha ceku 3 pika, pensionet, votimin në Greqi dhe reformën zgjedhore dhe atë parlamentare në vend. Kryeministri i ka bërë apel Ramës se është koha të vendosen interesat evropiane si përparësi të cdo përparësie.

“Nuk është konsensusi për t’u përdorur për bllokim, ai është proces në të cilin cdo palë duhet të bëjë lëshime, dhe i tillë është. I bëj thirrje të përparësojë interesat europiave, të përfundojë reformën zgjedhore. Të lemë mënjanë praktikat e kokës së turkut, ky term na u bë si helmi në tepsi që servirte dikatura cdo 6 muaj, cdo vit. Për të natakosur shqiptarët, nuk bëhet politika me koka turku, nuk bëhet konsensusi me helm ne tepsi. Nëqoftëse më kërkon X dhe herën tjetër Y nuk janë konsensus, por prerje kokash. Demokracia nuk do të thotë, prerje kokash”- tha Berisha. 

Duke vene ne dukje punen per reformen zgjedhore, Berisha akuzoi Ramen se deklarohet edhe ketu kunder konsensusit. “Me reformën zgjedhore, e sollëm punën pothuaj në përfundim të plotë. Është bërë punë serioze. Nuk duhet që në momentet e fundit të përdoret fuqia e drejtuesit që të bllokojë procesin. Pse ky proces nuk u bllokua 2 muaj më parë. Pse ekspertët arritën dakortësinë më parë. Po si e ka ky zotëri konsensusin, 100% për vete, asgjë kundërshtarit. All or nothing. Nqs ti thua unë të gjitha, t’i brrylin, t’i deklarohesh kundër konsensusit”.

Ai e ka garantuar Ramën se me angazhim më të madh do të arrihet te shihen reformat që presin shqiptarët. “E ftoj të fillojë me cilën të dojë, të nisë me imunitetin, që mos të tregojë se është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet, të ngrihet mbi këshillin e miliarderëve, pasi janë qindra mijëra socialistë shqiptarë që nuk duan imunitet. Imuniteti po mbahet peng për pasuritë e Fidelit, Kokëdhimës Tom Doshit. Kjo është e vërteta”- tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 12:28

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së Wollfarth vazhdon t’i përsërisë apelin partive politike të ndërmarrin hapat për të përfunduar reformën zgjedhore, e mbetur  mënjanë për shkak të procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Përfundimi i reformës zgjedhore është prioritet i polikës. Është e rëndësishme që të ndërmerren hapat e fundit për të përfunduar reformën”- deklaroi Ambasadori në një prononcim për median menjëherë pas përfundimit të tryezës për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë organizuar sot paradite. Wollfarth kërkoi gjithashtu trajimin e cështjes së përbërjes së KQZ-së dhe të procesit të animimit të rezultateve të votimit duke nënvizuar “Hapat të ndërrmerren sa më shpejt të jetë e mundur”

Gjatë tryezës ambasadori Wollfarth bëri apel për një përfshirje sa më të gjerë të grave në politikë. Wollfarth u shpreh sot në tryezën e rrumbullakët për rritjen e pjesëmarrjes së grave në partitë politike se promovimi i barazisë gjinore mbi të gjitha ka të bëjë me të drejtat thelbësore të njeriut dhe me sigurinë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 11:56

Tiranë – Përfundoi në Bruksel takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, forumi më i lartë ku përfaqësohen vendet anëtare, i cili diskutoi mbi ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, duke e konsideruar takimin konstruktiv, kërkoi nga partitë politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë për përmbylljen e reformave, përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. 

“Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar në përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politike në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj”, u shpreh Fyle.

Ai vuri në dukje progresin e arritur nga Shqipëria sa i takon reformave, por, sipas tij, duhet më shumë punë në përmbushjen e 12 prioriteteve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Delegacioni shqiptar në këtë takim përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe nga kryetari i komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.    

Ndërsa delegacioni i BE-së në takim kryesohej nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Fernando Xhentilini. (LajmeShqip.com)