Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 23:17

Bruksel – Mbledhja e parë e Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është mbajtur të mërkurën në Bruksel.

Ky dialog është projektuar për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat në fushën e sundimit të ligjit, e cila është shqetësimi kryesor për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se në këtë fazë, Komisioni Evropian do të fokusohet në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të kapacitetit të Kosovës, që në mënyrë efektive të hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e krimit të organizuar ndërkufitar, të trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore. Ky mekanizëm po ashtu ka theksuar nevojën për përpjekje të shtuara në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit.

Në lidhje me gjyqësorin, Komisioni Evropian ka vënë në pah rëndësinë e një gjyqësie efikase dhe të pavarur. “Pas progresit të arritur në miratimin e legjislacionit kyç, Kosova është inkurajuar për ndjekjen e reformave gjyqësore, për të forcuar edhe më tej pavarësinë, joanshmërinë dhe transparencën”, deklaroi Komisioni Evropian.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i lartë dhe se është fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate. (R.EL)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 17:13

Bruksel-Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, nga kërkuar që “Kosova të ketë një plan për pjesën veriore të Kosovës”.

Në një deklaratë pas takimit të djeshëm me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Munih të Gjermanisë, Fyle “ka theksuar nevojën për plan afatgjatë dhe gjithpërfshirës për Kosovën veriore dhe KE-ja është e gatshme të ndihmoj në mënyrë teknike dhe financiare këtë përpjekje”, njofton Radio Evropa e Lirë.

Ai e ka inkurajuar Kosovën që të jetë e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe të jetë konstruktive dhe fleksibile në kërkimin për zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme, siça është bashkëpunimi rajonal.

Fyle, nëpërmjet deklaratës së tij, ka theksuar se është tejet e rëndësishme që marrëveshjet e arritura me dialog, në tërësi të zbatohen dhe që t’i mbështesin të gjitha forcat politike në Kosovë.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Shtefan Fyle, gjatë takimit me presidenten Jahjaga, ka përkujtuar se me vendimet e Këshillit të BE-së në muajin dhjetor, është parë forcim i theksuar i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, me këtë rast do të duhej të fuqizoheshin më tutje “synimet evropiane” të Kosovës.

Në këtë kuadër ai ka theksuar se përgjegjësia për realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës është para se gjithash “në anën e autoriteteve të Kosovës”.

Ndërsa, në një njoftim nga Presidenca kosovare dje njoftohej se Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në takim me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fyle diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, kërkesën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe për ndihmën dhe përkrahjen e BE-së për axhendën evropiane të Kosovës.

Presidentja Jahjaga falënderoi z. Fyle për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivë të qartë për qytetarët e Kosovës.

Njëkohësisht, Presidentja Jahjaga përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të adresuar problemet dhe gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Në takim, Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit.

Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.

Presidentja Jahjaga po ashtu e njoftoi z. Fyle për krijimin e dy këshillave kombëtarë pranë Presidentes, Këshillin Kundër Korrupsionit dhe Këshillin për Integrime Evropiane, për të cilat mori përkrahjen e Komisionierit, i cili premtoi pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e këshillit që mëton saktësimin, përshpejtimin dhe koordinimin e axhendës evropiane të Kosovës. (LajmeShqip.com)