Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 16:54

Fuad Ramiqi, anëtarë i kryesisë së lëvizjes “Bashkohu”, duke folur për ndalesën e bartjes së mbulesës nga femrat myslimane, ka thënë se, femrat kanë të drejtë ligjore dhe kushtetuese që shaminë t’a bartin nëpër institucionet arsimore.

Tekstet shkollore, bartja e shamisë nëpër shkolla dhe lufta në Siri, ishin temat për të cilat ka folur kjo lëvizje në konferencën e parë për shtyp të saj.

“Kërkojmë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që sa më parë t’a shfuqizojë vendimin për ndalesën e shamisë”, tha Ramiqi.

Anëtari tjetër i kësaj Lëvizje, Noli Zhita ka kërkuar nga MASHT që të bëjë korrigjimin tekst-librave shkollor ku Islami paraqitet si fe e dhunës. Ai tha se, janë disa tekste shkollore që duhet të ndryshohen sa më parë.

Sipas tij, në këtë drejtim duhet të përfshihet MASHT dhe Ambasada e Turqisë në Kosovë.

E në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i këtij subjekti politik, Bujar Gjikokaj i ka, kërkuar Qeverisë së Kosovës që të ndajë mjete për t’i ndihmuar popullin sirian.

Po ashtu ai ka thënë se qeveria duhet t’i hapë dyert për të pritur refugjatë sirianë deri në përfundim të konfliktit të armatosur.

Anëtarët e Lëvizjes Bashkohu kanë kritikuar partitë politike, duke përfshirë këtu edhe partinë e Ferid Aganit (Partinë e Drejtësisë) për udhëheqjen që po i bëjnë vendit.

LISB ende nuk ka vendosur që të marrë apo jo pjesë në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen ketë vit.